Prof. Dr. Myslim Pashaj/ “Qeveria është futur në shestimin e një Republike të Re”

476
Sigal

Prof. Dr. Myslim Pashaj, në intervistën për “Telegraf”, jep vlerësimin për 45 ditët e para të qeverisë “Rama 1”, duke pohuar se, Rama  kërkon të jetë më ndryshe. Por, ama  që e ka të vështirë në veprat e saj të para. Ajo vepron duke nismuar aksione të mëdha të vështira, që do të duan kohë, por që paralajmërojnë udhën që është nisur. Dhe, sipas zotit Pashaj, qeveria është futur, në shestimin e një Republike të Re të ndryshimeve të mëdha.

 – Zoti Pashaj, si e gjykoni performancën e deritanishme të qeverisë “Rama 1”?

 – Gjithçka është e zotëruar nga krahët politikë, sërish nga interesa politike, ndërkaq qeveria që ka dalë në skenë, përcjell veprën tek bashkësia, qeveria që drejton, që luan, vetëm ajo e di se ç’peshë i ka rënë mbi supe. Dy palë konfliktuale në kulm, shikojnë skenën dhe secila kërkon të dëshmojë filozofinë e asaj që të dy palët e quajnë “mbrothësi”  të jetës së qytetarëve. Por, ama, në drejtime krejt të kundërta. Opozita e sotme është, ashtu sikundër e thoshte Arbënori i paharruar, për socialistët e atëhershëm “opozezë”. Ata janë shndërruar një performancë çakejsh, mbushur me urrejtje e nihilizëm, dëshirë për të sjellë një greminë të re. Zëdhënëset, që bëjnë rolin e suflerit prej fjalës me “make up” të folësve, burojnë vetëm helm, me origjinë po i të njëjtit ligjërim që kanë Berisha. Në këto kushte, ne po shohim se qeveria “Rama” kërkon të jetë më ndryshe.  Por, ama  që e ka të vështirë në veprat e saj të para. Ajo vepron duke nismuar aksione të mëdha të vështira, që do të duan kohë, por që paralajmërojnë udhën që është nisur. Ne kemi ndjekur këto dukje të para, Ligj Financiar për borxhin e brendshëm, Shlyerja e borxhit ndaj biznesit, polici dhe përcaktim ideor për administratën publike, nisja e prishjes së ndërtimeve antiligjore, bashkëshoqërim të strategjive në Ballkan e më gjerë për aleatë, klimë të re reale meFMN e Bankën Botërore, ndriçim rrugëkalimi të Doganave me “Cravvn Agents” … vetëm disa që po përmendim për të rrëfyer se është herët që të flasim për rezultate, jemi ende në “Uverturë”,  e cila është shpresëdhënëse në aktet e tjerë, që do të vijojnë. Por, ama, duhet thënë se nuk është e pacen. Ka raste që, prej shpejtësisë ,çalon dhe do të çalojë, mbasi orkestra e madhe e qeverisjes nuk është vepër e re ajo ka tanimë rrënjë 23- vjeçare me parregullsi dhe “shejtaneri” të hershme. Dhe për kaq pak sapo vlerësoj nuk mund t’ia falë Ministrisë së Financës, e cila bën pjesë në violinat e para,  të mos bëjë të qartë, ndaj bashkësisë së shqiptarëve, se pse vallë janë duke u ndërmarrë këto reforma në fushe të Financave, për t’i sqaruar njerëzit për doganat, tatimet. lojrat e fatit, taksat, të hedhë dritë për vërtetësinë “boshësisë së arkës së Shtetit” ndaj abuzimit dhe shtrembërimit që po i bën opozita, gjendjes ku e ka shpënë Shqipërinë dhe tani pa pikë turpi, pas pesë javësh, deklarojnë se Ajo “ (qeveria) po e çon vendin në recension.

  Duke marrë shkak edhe nga konfliktualiteti i fundit, për shtyrjen 6 muaj të ligjit “Për nëpunësin civil”, a mendoni se ka revansh të politikës, përsa i përket ndërtimit të një administrate të re publike?

– Ligji për nëpunësin civil ka hapur një diskutim të gjerë dhe duhet thënë se është i drejtë në parimësinë e tij. Por ai Ligj, edhe pse është konsensual, është produkt i të dy partive të mëdha, ai shpreh një mendësi dhe filozofi, e cila ka qenë me të meta, çka nuk përkon në ardhmërinë e tij dhe prandaj ai duhet riparuar. Opozita rri ngulur në istikamin e saj, për të krijuar një “ndjeshmëri të lartë” po false ama,  ndaj asaj që ka të bëjë me 84 votësinë e arritur atëherë, kur ata ishin tërësisht në të kundërt të njëri-tjetrit.  Aty janë mbërthyer.

– A mund të vinte opozita në një pranim rregullimi dhe kuptimi tërësor të përbashkët, larg interesave të partive?

– Ka qenë e pamundur. Përfytyroni “tunelet” që ka hapur Berisha me Berishianët në mendësinë që kanë synuar të ndërtonin për ligjin e Nëpunësit Civil. Jam i sigurt se në këtë Ligj nuk ka asgjë të mbrapshtë, siç mendohet. Ne nuk kemi mbërritur ende tek formacioni i maturisë së Nëpunësit Civil. Këtë e di, si Pozita ashtu dhe Opozita. Prandaj, duhet gjetur një bashkëideim e bashkëkuptim për t’i dhënë fund mbrapshtisë së vendeve të punës në qeverisje, larg ndikimeve politike për të ardhur në vlerë të epërme e të pavarur të elitës qytetare menaxhuese të Republikës së re. Mendoj se as që bëhet fjalë për ndonjë revansh politik.

Nëse Kryeministri Rama zbaton kriterin e meritokracisë në administratë publike, a do të ketë kosto politike për vetë PS-në?

– Prej pikëvështrimit tim qytetar dhe intelektual, e quaj këtë një kryefjalë të sotme të Ramës, por ajo mund të kthehet një appendix (shtojcë )” pa jetë, një pasfjalë turpëruese, e më vonë… të mbetet vetëm si një shkop i thyer dhe thupër gënjeshtare, nëse ajo do të sjellë mashtrimin e madh të dyndjes së re të militantëve, të cilët me nuhatjen e tyre, herë të dhelprave e herë të arinjve të mjaltit korruptiv,  frymën e mbajnë tek Doganat dhe Tatimet, atje ku një gjyryk i madhe i së keqes qytetare të korrupsionit antikombëtar, të lajnë e të lyejnë nga sipër dhe të mbërthejnë në  kthetra.

– A mund të ketë kosto?

– Doemos, do të ketë sepse janë shumë njerëz me vlera të vërteta, që ndofta nuk përzgjidhen dot si duhet, e mund të ngelen pa kontribut në ndryshim të gjendjes në dogana, tatime, arsim,  por dhe të tjerë që presin të punësohen dhe nuk do të preferohen për arsye që në kohën e shkurtër, në të cilën ndodhemi, nuk gjendet dot. Kjo është dhimbje. Por duhet kaluar me parimësi, derisa sa e kemi vënë në rend të parë aftësinë, epërsinë e qytetarit  me vlerë kontributi, që shërben për kombin e tij me ndershmëri të lartë larg korrupsionit malinj antikombëtar.

– Konflikutaliteti, sërish është karakteristikë e marrëdhënieve pozitë-opozitë. A mundemi të mendojmë e gjykojmë, jo si individ, por si një komb, për zhvillimin e integrimin e Shqipërisë?

– Erdhi koha që dritat po hapen. Pjesë të ëndrrës së shqiptarëve, në gjithëpërfshirjen Europiane. Ëndërr kombëtare. Ky duhet të jetë tejkalim i konflikteve dhe urrejtjes. Është një moment ngazëllimi dhe shestimi të ri të ardhmërisë me objektiva të rinj. Atëherë, a është përkuese, vallë, që një politikan i brezit të ri si Basha, i cili për moshën që ka, por dhe për kulturën dhe orientimin që duhet të ketë,  të mos e kapë këtë lartësi synimi e të mos i grumbulloje energjitë e Opozitës, për një bashkim fuqie ndryshimi? Është shumë dëshpëruese që Berisha, nga strofulla e re moderne e tij, vijon të japë komanda dhe shenja si nga shpellat mesjetare. Ne jemi të vonuar, kjo dihet. Ajo që po vjen është kontribut i të gjithëve, por ajo duhet të kthehet në një ndryshim të madh.

– Qeveria e Ramës dhe qeveria greke ranë dakort për një rinegocim të marrëveshjes detare. Ky rinegocim, a mund të trajtojë ndryshimin e kufijve detarë, apo çështje të tjera teknike?

– E kemi thënë edhe herë të tjera: midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka kufij detarë. Po kështu edhe me Malin e Zi. Pra, kësisoj nuk mund të flitet për ndryshim të kufijve detarë, por për rinegocim të marrëveshjes së hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Zëvendëskryeministri Helen Venizellos, përsëriti si dikat  parime “të cilat janë zbatuar më parë”, çka ka venë në pikëpyetje rrjedhën e këtyre negocimeve, që do të bëhen. Dihet se Marrëveshja e Berishës, është shkaktarja e lëkundjes së marrëdhënieve me Greqinë. Është situatë që ai e krijoi, duke e vënë në kushte shumë të këqija marrëdhëniet dhe Çështjen e Detit ta çojë në “kalendat greke”. Kjo është “darova’ e djallit e mbetur nga qeveria Berisha.

  – Besoni se hendeku i madh ekonomik që është krijuar midis zyrtarëve dhe qytetarëve të thjeshtë, do të “mbushet” me reformat që ndërmerr dhe premton qeveria e Majtë?

Ju keni të drejtë, se ka një hendek të madh ekonomik në shtresa të ndryshme shoqërore në Shqipëri. Sot, nëse nuk do të kishim ndihmën e emigracionit ekonomik jashtë vendit, për një pjesë të bashkësisë së shqiptarëve në Shqipërinë amë, ne do të ishim sot në një gjendje të rëndë, mbasi reformat drejt një Demokracie funksionale kanë qenë të pasuksesshme. Standardet e sotme janë disnivele të mëdha, që i sjellë korrupsioni dhe qeverisja me rrënjë të tipit mafioz, financa të rrjedhura, prona që s’ka shkuar tek i zoti, papunësia, antiligji, braktisja e qendrave tradicionale fshatare, rrënimi i bujqësisë, monopolet, trafiku i lëndëve narkotike, bllokimi i biznesit të brendshëm me borxhin e madh, të cilat kanë bërë që jeta në Shqipëri të jetë  në një zgrip të vërtetë.

 – Nëse dështon misioni i kësaj qeverie, a vihet në pikëpyetje fati i mëtutjeshëm i Shqipërisë?

– Shoh se qeveria po ecën në drejtim të kahut të misionit të saj. Domosdo, që ka pasaktësi të fillimit, por piketat që ishin vënë me duket se po ndiqen. Do të jetë e vështirë, mbasi, siç pranohet prej të gjithëve, gjendja e sotme, e cila ka qenë shumë e ndriçuar nga “Berishistët” e sëmurë, tash na rezulton që poshtë kallajit të rënë, të hapet ndryshku i një ekonomie dhe një shoqërie, e cila nuk e ka cekur dot nivelin e reformave demokratike.

–  Cila është simbolika e rrëzimit të pallatit 7 -katësh në Vlorë?

Një ndërtim në Vlorë, afër Skelës, që kish bllokuar Projektin në atë që quhet “Lungomare” u hodh në erë. Treguesi është alegorik dhe simbolik në qytetin e Mëvetësisë, por edhe për të gjithë ne të tjerët. Pengesat duhen shembur. U trondit trualli. U ngrit tymi. Pësuan ankth dhe po kështu  janë në makth të vërtetë  antiligjorët,  anekënd ; mandej u shfaq një Kryebashkiak i thirrur në dyer të Drejtësisë dhe gjithandej  trazimi sapo ka filluar. E shihni !? Nuk është kaq e lehtë, kur ka punuar dhe ka hedhur rrënjë një gjallesë tjetër anti-jetë dhe antimbrothësi, ajo që kundërshton jetën dhe zhvillimin. Sfida është e madhe. Mendoj se, nuk ka rrugë tjetër veçse ajo në të cilën Qeveria është futur, në shestimin e një Republike të Re të ndryshimeve të mëdha.

– Faleminderit!

 Risitë e diplomacisë të Ramës

– Ka patur një kritikë ndaj diplomacisë së Ramës, përsa i përket marrëdhënieve që ai ndërton me Turqinë. A është i qartë qëllimi ku duam të shkojmë? Në BE, apo në Azi?

 – Diplomacia e Ramës, ka sjellë disa risi:

(1) miku Blair

(2)FMN,

Banka Botërore

 (3) “0 probleme me Greqinë”

(4) Aleat Strategjik me Turqinë,

(5) Krahë përkrahë me Kosovën

 (6) Çimentim marrëdhëniesh me SHBA

( 7) Ballkan i fqinjësisë së mirë…)

Ky është një konspekt i shpejtë. Kuptohet se në këtë fillim të qeverisjes së tij i duhet kjo klimë, i duhet ky diskurs, në të cilin nuk mund ta gjesh as Ligjin e Luftës… as Çështjen Çame, as qëllim- otomanizmin  e sotëm. Jemi në fillim të hartimit që po shkruajmë, më pas do të kemi shkoqitjen e rrjedhës diplomatike, që do të shfaqet në udhë e sipër. Kësisoj, nuk jam i mendimit që të peshohen në balancën e atomike secila fjalë e Ramës.  Atij i është dashur që të ulet me Erdoganin këmbëkryq në Prizren e t’i thotë “vëlla” etj., për të cilat është diskutuar shumë. Qeverisë së re i duhet miqësia e bashkëpunimit me Turqinë, pa asnjë ngecje, veçse në drejtimin e përparuar, nuk bëhet fjalë për të shkuar në Azi etj. Këto janë mendje të ndryshkura, domosdo. Veçse, qeveria nuk duhet të jetë e përulur. Ne tanimë jemi në udhën e ardhjes në Europë, si Ulisi në Itakë, apo si mbërritja e Ago Ymerit. Ne nuk kemi pse të ngatërrojmë e driblikojmë këmbët me të shkuarën… Veçse atë e pranojmë brenda interesave tona kombëtare.