Prof. Dr. Myslim Pashaj: “PS-ja nuk e ka ftuar AK-në, sepse në sqetull ka LSI-në”

472
Sigal

Tek ne nuk kanë qarkulluar elitat politike, sepse të tilla janë gatuar ligjet, sepse është goditur Kushtetuta, duke sjellë kapjen në të njëjtën dorë të pushteteve. Sepse tek ne vidhet vota dhe tregtohen pushtete

Jakup B. GJOÇA

Sekretari i Përgjithshëm i AK-së, Prof. Dr. Myslim Pashaj, në intervistën për “Telegraf”, shpjegon se AK-ja nuk u ftua në aleancë parazgjedhore nga Edi Rama, ngaqë PS-ja ka në sqetull LSI-në dhe bashkimi PS-LSI e ka futur Kryetarin e PS-së në pandehma të rrezikshme. Edhe një bashkëqeverisje PS-LSI, thotë zoti Pashaj, nuk ka shpresë për të ngritur shtetin e së drejtës, sepse është goditur Kushtetuta, të tillat janë gatuar ligjet dhe se me vjedhjen e votave  tregtohen pushtetet.

– Ç’ndjesi u ka sjellë bashkimi në Bashkësi i PS-së me LSI-në?

– Pranvera e dashurisë së “Rilindur” e liderit socialist Rama me Metën, e ka futur Ramën në pandehma të rrezikshme, të cilat rrëfejnë se është në po të njëjtën hulli të humbjes së orientimit të formatimit të Frontit real opozitar.  

– Me LSI-në në opozitë, a është më e sigurt mbrojtja e votës opozitare?

– Nuk bëhet fjalë për mbrojtje të votës opozitare meLSI-në.  Si mund të ndryshojë dukuria e makutëve të demokracisë dhe piruetet e tyre. A ishte kjoLSIe pranishme në votimet për Bashkinë e Tiranës, ku sheshit u pa një vjedhje e madhe, pa iu bërë “tërr” syri. Kështu që “marifetet”  e kësaj mësymje, që tashme njihet do të shndërrohet në një vjedhje brendapërbrenda koalicionit, se ndryshe nuk mund te fitojë krijesa e shkëputur dhe tani e kthyer në gjirin eLSI-së. Ajo ka sjell moralin e vjedhjes dhe nuk mund të ndryshojë sado që balet mund të bëjë dhe makiazhe të turpshme.

– Një qeverisje PS-LSI a është një garanci se do të ndërtohet shteti i së drejtës dhe do të fitohet mirëbesimi i humbur te drejtësia?

Së pari, pas zgjedhjeve, PS-së i duhet që të ndërtojë një terapi ndaj vetvetes së parë (ideologjisë së shthurur të saj)  dhe vetvetes së dytë, që është LSI-ja,  sepse aty fshihen gjithë instrumentet e së keqes së gatuar ndaj shtetit të së drejtës që nuk u ndërtua kurrë. Humbja e besimit te drejtësia, duhet filluar prej “drejtësisë së kapur” dhe testi i parë duhet të jetë ndëshkueshmëria, të cilën AK-ja e ka në rendin e parë.

– Aleanca PS-LSI, amniston oponencën e PS-së për korrupsionin, politikën e  skandaleve të privatizimeve?

Nuk mund të ketë amnisti për ngrehinën e korrupsionit, sado që ta mundohet ta fshehë PS-ja, sepse ajo do të rëndohet në ecjen e saj, do të rrëzohet keqas, nëse nuk vendosen standarde në themelitë ligjore të privatizimeve, të rishikimit të konçensioneve, e të shitjes së pasurisë kombëtare. Shqiptarët janë të frustruar në kulm me gjendjen në të cilën ata kanë rënë.

– Ju jeni një parti nacionaliste dhe duket se jeni radikalë, apo jo?

– Këto terma kanë filluar t’i përdorin analistet politikë, kjo skotë, çorientuese pjellë e një shoqërie të dështuar në demokracinë e pritur, (por që s’erdhi kurrë…), që nuk bëjnë gjë tjetër veçse sjellin opinione mbrojtëse si jelekë antiplumb, për zotërit e oligarkisë politike shqiptare që merren me tregun e trafikimit të pushteteve. Ne jemi parti kombëtariste, në baraslargësi prej dy partitive të mëdha polare dhe jemi radikalë vetëm në vështrim të tharjes së kënetës politike dhe rrëzimit të regjimit të sotëm, që Sali Berisha po i përgatit skenar të vjedhjes së re të votës, sepse kështu ia thotë “shenjtërimi grotesk” që ai kërkon t’i bëjë vetvetes.

 – Kryesocialisti Rama i ka dhënë mesazh të qartë  AK-së, për t’u bashkuar koalicionit të tij. Ju do t’i përgjigjeni?

– Ai i drejtoi ftesë zyrtare shumë pompozeLSI-së, kësaj shëmbëlltyre të korrupsionit dhe rrënimit të shtetit të së drejtës. Është një sulm i qëllimshëm, dashakeqës në kulm, në po të njëjtën ditë, kur opozita KUQ E ZI,  me vepra ishte para godinës së Kryeministrisë, për të rrëzuar Regjimin, kurse Rama, nxirrte nga koshi i tij, “çorientimin e votuesit”, që dashka t’i bëjë kjo partia radikale. A ka vallë çorientim më të madh se sa kjo që ka bërë Rama me Metën, duke i sjellë një shërbim të madh shpëtues Berishës, duke i trazuar të majtët e tradhtuar, të cilët nuk dinë se me këtë bëhen, në lojën më të dështuar politike që po luhet.

–  Dy ftesat publike të Edi Ramës, ndaj AK-së për një front të përbashkët opozitar, ju i quani zyrtare?

– Ato kanë qenë ftesa sa për të larë buzët. Kjo është parë prej të gjithë opinionit shqiptar. Hapje goje cinike, e shtirë dhe në fund të tyre me një diversion politik të paparë. Ne jemi në një front, për të rrëzuar regjimin. Ne jemi në ballë, në një realitet të prekshëm. Opozitë e vërtetë. Kjo i djeg shumë kryetarit të opozitës socialiste,  që nuk po përqendrohet dot për të gjetur një mirëkuptim bashkimi. Nuk na shqetëson, përse nuk ka një ftesë zyrtare dhe as për pompozitetin formal, por tek serioziteti i projektit të madh të Edi Ramës për një koalicion fitues. Në themele të Projektit u hodh një ndotje e madhe, të cilën PS-ja nuk e absorbon dot kaq kollaj. Ai nuk mund të fitojë dot meLSI-në, kjo do të jetë humbja e shekullit dhe gremina fundore e së majtës. Ne e paralajmërojmë, në të mirën kombëtare. Nuk mund t’iu detyrojmë të bëni një ftesë zyrtare, por të bënin ftesën e fitores me forcat e reja politike, të cilat janë edhe kundra tyre, teksa luftojnë për rrëzimin e Berishës, sepse pjesë e brendshme e sqetullës socialiste është edhe LSI-ja,  pozita e ardhur në krahët tuaj.

– PBDNJ-shi i ka vënë kusht PS-së, që të pranojë të jetë në aleancë me atë, po pa praninë e AK-së. Po AK-ja a mund të pranojë aleancë me PS-në, ku të jetë PBDNJ-shi ?

Duam të jemi të qartë se, nuk kemi asnjë urrejtje etnike dhe as përçmim e shpërfillje për PBDNJ, veçse, duhet të dallojmë Dulen këtë ndjekës fanatik të ëndrrës fantazmagorike të Vorioepirit.

– Nga një realitet politik i tillë, a mund  të themi se politikanëve tanë u mungon vizioni i ndryshimeve të vërteta dhe çështja e pushtetit është kthyer në një kauzë në vetvete?

– Nuk mund të bëhet fjalë për vizion të politikës shqiptare sepse ajo është tëra në një kënetë të vërtetë. Tek ne nuk kanë qarkulluar elitat, sepse të tilla janë gatuar ligjet, sepse është goditur Kushtetuta, duke sjellë kapjen në të njëjtën dorë të pushteteve. Sepse tek ne vidhet vota dhe tregtohen pushtete. Kërkohet një qelizmë e thellë, por nuk mund të gjendet një plug që të hapë vijat e demokracisë, të cilat i ka mpakur kjo politikë antikombëtare.

– Faleminderit!

Shkaqet përse AK-ja nuk bashkohet në koalicion

– Cila është pengesa kryesore që AK-ja akoma nuk i përgjigjet ftesës së PS-së për një front opozitar të përbashkët?

Kemi shumë pika, në të cilat nuk puqemi, jo për pazare, por për të realizuar kirurgjinë e një realiteti të ri, i cili nuk mund të shërohet, nëse nuk gjejmë metodologjinë politike adekuate. Vlerësimet që ka bërë Edi Rama ndaj AK janë të turpshme. Ato vijnë njëra pas tjetrës, me një fjalor dhe terminologji, e cila nuk është përdorur as ndaj Berishës së Regjimit. Ato janë një eksplorim dështak, që po i sjell dëm krijimit të këtij fronti jetësor të përbashkët. Spazmat janë të Edit dhe jo të AK-së. Shtrydhja dhe vetëshkërmoqja janë të Edit dhe jo të AK-së. Erupsioni kombëtar nuk është shpikje e AK-së, por një “modus vivendi” i kohës. AK-ja  e ka motivuar atë elektoratin. Spazma është e së majtës shqiptare, të përçarë, sidomos tani, kur në gjirin e saj u rikthye  LSI-ja.
– Atëherë,  ku është prirja e AK-së për koalicion?

– Ne po ecim në rrugën tonë.  Mund të radhitemi të vetëm. Traseja që po shtrojnë dy partitë e mëdha është e çarë, e çeduar, e rrezikshme,  sepse nuk shohim në horizont të vijë një ditë ndryshe për demokracinë shqiptare. Me votën popullore, ne do të shkojmë të vetëm në zgjedhje, nëse fronti opozitar nuk krijon radhoj transhesh të rezistueshme, në vend të gardheve të lehta thurur në pazarin e shitjes së kanistrave.