Prof. Dr. Myslim Pashaj: Ka një përpjekje për një qeverisje “ndryshe”, Opozita në mbrojtje të antishtetit

420
Sigal

Intervistë me Prof. Dr. Myslim Pashaj: Asnjë rikrijim asnjë risi, veçse dëshpërim dhe zhgënjime

Prof. Dr. Myslim Pashaj, në intervistën për “Telegraf”, duke skanuar realitetin politik dhe atë shoqëror, 25 vjet pas Lëvizjes Studentore, pohon: “Ne ecim drejt së nesërmes të ndarë, të pa kuptuar të korruptuar, vjedhës të votës dhe të vetvetes, anarkisë së shpirtit, shkatërrimit të njeriut, varfërimit të tij dhe polarizimit.”

  – Prof. Pashaj, mendoni se pas 23 qershorit 2013, nga e Majta ka një qeverisje ndryshe?

– Një e katërta e shekullit në udhë lirie e demokracie, dhe pa  ndjerë dhe pa i shijuar ato. Mos t’ju duket shumë pesimiste, kjo që po shpreh. Nuk duhet të përshihemi nga një ankim i tepruar, por realiteti i sotëm shqiptar ta sjell atë. Shumica e shqiptarëve mbeten ende ëndërrtarë të kohëve moderne. Shkaku është tek Bunkeri i pa asgjësuar i mendësisë  sonë dhe raportet që kemi me vetveten. Përvit edhe më shumë shtohet kori “Reformë ! Reformë! “  dhe gënjeshtra, gënjeshtra groteske, retorikë mashtruese, në shpinën dhe në shpirtin e popullit, asnjë rikrijim asnjë risi, veçse dëshpërim dhe zhgënjime. Dy partitë e mëdha, pjellë e së njëjtës nënë, nuk kanë se ç’të tjerrin tjetër veçse atë fill, nga ai kombinat, i lidhjes së këmbëve të vetvetes, e urrejtjes dhe konfliktit, në sy të shqiptarëve. Një udhë e vështirë, aspak e lehtë, ku nuk pati një rrokje të natyrshme të erës së re, prej kohës së izolimit komunist. U krijua një antipod. Ajo çka është kryer gjer më sot, më shumë është nga iniciativa çliruese dhe kërkuese e vetë shqiptarëve, të cilët çanë rrugët e botës mes kërcënimit të vdekjes, në perëndim e në lindje, çanë klonet e detin, ranë në fund të tij, mbetën në  tela e akuj dhe u detyruan të përulen të ndryshojmë emra e të punojnë në punë të rënda prej skllevërish; mbajtën veten si dhe të afërmit e tyre,  ata që mbetën pas. Lulëzoi mafia dhe hodhi rrënjë antishteti. Kështu paralel ai shteti sipër që “kish çelësat e kashtës” dhe ai poshtë që vijonte të rritej e të fuqizohej, për t’i futur lakun në fyt Shqipërisë. Rritej një klasë oligarkësh të rrezikshëm, që i hipën së prapthi kalit të politikës. Ne ecim drejt së nesërmes të ndarë, të pakuptuar të korruptuar, vjedhës të votës dhe të vetvetes, anarkisë së shpirtit, shkatërrimit të njeriut, varfërimit të tij dhe polarizimit.

– Ku po shkojmë, pas 25 vjetësh.?

– Zgjedhje dhe antizgjedhje, E majta dhe E djathta, asnjëra dhe as tjetra nuk e gjejnë dot shpirtin thelbor të shqiptarëve të braktisur. Kështu të mbetur në jo më shumë se 2 milionë e gjysmë e kemi mësuar përmendësh fjalën reformë, dhe si nuk e kuptojmë vallë (?)  se pas kësaj fjale, fshihet e keqja jonë politike, dhe rritja e antishtetit, shtetit “infra të kuq”, që s’duket, por që ka fuqinë e frikshme të mbytjes së demokracisë dhe lirisë.

– A ka sot një qeverisje ndryshe…?

– Duhet t’u them se unë perceptoj se ka një përpjekje për një qeverisje ndryshe”… Edi Rama stoik në hapat ndryshimorë që po hedh e ndjen se “tanket reformues kanë ngecur në batakun e antishtetit” Ka një alarm të të gjithë shtresave të shoqërisë. Ngjan se lufta qeverisëse ndryshe ka filluar. Varet si e kuptojmë këtë: “ndryshe.”. Të gjithë pak a shumë mund ta dëshmojmë se “antishteti” është kundërshtari dhe armiku ynë i përbashkët si për të Djathtët dhe po ashtu të Majtët. Atë e kemi prodhuar vetë. Fatkeqësisht, ne jemi shndërruar, ashtu keqas. Klasa e re e oligarkisë dhe një klasë tjetër e mesme, e cila ka përfituar në të dy krahët, nuk do në asnjë mënyrë që të ndryshojë frontin e luftës për të shkulur antishtetin. Ata flasin për reforma, që ta shëndoshin krijesën e tyre, ata përditë i bëjnë kozmetikë dhe bërtasin që nga podiumet e tyre të shurdhëta të Kuvendit “Reforma” . Jemi mësuar me këtë kor arkaik dhe s’kemi se ç’të bëjmë tjetër, të lodhur nga këto beteja që mbarojnë çdo zgjedhje me një zgjedhë të re. Brenda të të njëjtit bunker të së keqes shqiptare. Së pari në këtë vend s’ka drejtësi, në mënyrë tërësore. Vëreni se ç’lojë në sytë tanë, paradë prokurorësh dhe gjykatash, asnjë të dënuar, duke rrënuar njeriun duke e shkatërruar dhe prodhuar antijetën, çohen në hetuesi, fillon dominoja gjyqësore me një qetësi vdekjeje e zgjatur dhe në fund si pakuptuar,  askush nuk shkon në ndëshkimin e duhur.. Vidhet Banka, vriten bankierë dhe gjyqtarë, vriten ish pronarë, korr gjakmarrja, s’përfundon kurrë odiseja e pronave dhe shkatërrimi urban i padrejtësisë dhe hajdutërisë. Çdo Qeverisje vjen me nga një ALUIZN sot e mot dhe nesër fillojnë prapë ndërtimet joligjore, gjithë jetën kështu, prish hambarë e bëj kënaçe. Edi Rama përdori një term radikal por me tingëllim dhe asociacion të bukur e të dëshiruar: Rilindja. Në mendjen e tij, ai, si një radikal i veçantë, sipas mënyrës së tij, i është përveshur kësaj Kuçedre që na ka zaptuar. Sa do që të mos e duash, por hisenë duhet t’ia ruash.. Lufta që po bën është e pabarabartë. Ai ka përballë një Opozite Kryengritëse, e cila ka dalë në mbrojtje të antishtetit… “ ka dalë në mbrojtje të popullit të saj…gjasme. “ Terminologjia që Rama përdor me “burg” etj nuk është e përshtatshme, por nuk ka rrugë tjetër. Antiligji ndërtimor, antiligji  industrisë  së drogës vrastare, antiligji shkatërrimit energjetik, antiligji korruptiv, arsimedukimi rrënimtar, kërkojnë tani një ligj të Ri, me bashkimin e tërë energjive të shoqërisë për të ndryshuar këtë situatë. Kjo është e vështirë për kryetarin e shumicës, sepse ai ka kundërshtarë edhe nga të tijtë. Një pakicë politike e papërgjegjshme dhe antikombëtare, shfrytëzon një situatë të tillë, dhe loz me fatin e popullit duke e ngritur në protesta e duke mbrojtur “antishtetin”  Kjo do të thotë se jemi duke luftuar me Shtetin e Mafies.

– A është konkretizuar nga e Majta ajo pritshmëri politike, sociale, shoqërore, jo vetëm e 1 milionë votuesve të saj, por edhe e të gjithë shqiptarëve?

– Për cilën pritshmëri politike e keni fjalën? Duhet sakrificë që duhet marrë parasysh në këtë “Rilindje”, ndofta dhe me kosto elektorale, aq më tepër se një pjesë e zgjedhësve nuk mund të jenë të virgjër që e mbështetin atë, ato janë të lidhur me interesa korruptive, siç janë shumë deputetë të kësaj race, secili kërkon “shtetin e tij” për ta mjelë si lopë.

– Po ku është shteti i shqiptarëve?

– Për këtë duhet të luftojë e majta, kjo është udha e ardhmërisë, me çdo çmim. “Është e mirë ajo që mbaron mirë!”. Shfaqjet që shohim, kundërshtimi nga pakica parlamentare, bllokimi që kërkon të bëjë ajo, duhen përballuar me durim. Nuk ka Rilindje të shtetit pa vendosmëri, pa ndërhyrje në themelin ligjor, në Kushtetutë.

 – Maxhoranca e Majtë a fajësohet për vazhdimësinë e bojkotit të opozitës?

– Po mësyhet dhe goditet në interesa thelbore të Qeverisjes së të Djathtës së gjersotme, që ka krijuar me  modelin më shkatërrimtar,  ardhur edhe nga indiferenca  dhe skarciteti reformator edhe i qeverive të Majta, ka sjellë këtë “kryengritje” të sotme, e cila është e rrezikshme. Nuk shoh se fajtore mund të jetë Shumica. Ajo godet në kolonat e së keqes së shtetit, s’ka rrugë tjetër dhe në këto kushte Pakica ikën nga Kuvendi, se kështu i vjen e mbara e saj.

Bojkoti i stërzgjatur i opozitës a është krizë e intensitetit të saj politik?

– Bojkoti  i kësaj opozite është pjesë e 97-s, që Pakica në një formë të tillë, si kjo, mëton të thotë se ky shtet nuk funksionon, ja diabolizmi i saj dramatik. Është fatkeqësi që kjo bandë politike e tillë del për gjah në korijet e popullit të varfër.

– Mendoni se maxhoranca i ka dhënë  gjithë hapësirën toleruese politike opozitës?

 – Duhen ndryshime. Duhen ligje të tjerë. Duhen mendësi të reja. Politika shqiptare ia ka dublikuar këmbët vetvetes. Pakica i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, sepse  Reformimi  që pretendohet nga Shumica, i duket antireformë. Ajo vihet kështu në “fortifikimin” e parë të antishtetit. Kali i konfliktit dhe urrejtjes, është nisur me galop.

– Deri ku kështu?

– Po kësilloj, aq anadollake është edhe ajo rrahja komediane në Kuvend, që shprehu limontinë dhe zvjerdhjen e turpshme të një Parlamenti, kur të nesërmen e saj këta personazhe duhet të kishin dhënë dorëheqjen. Kjo është lënda dhe ky është produkti.

–  Deri tani, nga palët politike nuk shikojmë vullnet politik që të bashkëpunojnë e të gjejnë konsensus as për 5 kushtet që ka përcaktuar BE-ja, për qasjen e fillimit të negociatave për anëtarësim të plotë. Përse vallë?

 – Palët politike nuk janë palë, por antipalë. Ato urrejnë dhe e kanë në dhëmbë shkatërrimin, prishjen, ata nuk e pranojnë odën shqiptare të fjalës bashkuese e frymëzuese, ata kërkojnë të jenë të njëjtë, si në “komunizëm”, se kështu të ndarë siç e kërkon demokracia e vërtetë, ata irritohen dhe më shumë. Për cilin vullnet e keni fjalën? Ata duan vetëm që në secilën mbledhje të jetë nga një i huaj për të diktuar dhe dhënë mend. Kaq keq kanë rënë. Megjithatë, Shumica duhet të mos tërhiqet, duhet të durojë, lëshojë dhe motivojë, me urtësi dhe vendosmëri. Është koha për të gjetur rrugëdalje e këtë e sjellin Reformat e vërteta që domosdo kanë dhimbje sociale. Kjo duhet të përballohet.

Pa ndërhyrje në Kushtetutë, nuk do të ketë Drejtësi të japë drejtësi

 –  Çfarë e pengon këtë maxhorancë të fuqishme që të zbatojë reformën aq të përfolur në Drejtësi?

– Ajo është një Shumicë e fuqishme në përmasë, por ajo nuk është e tillë në cilësinë e saj. Ky Kuvend ka cilësinë më të padëshiruar të të gjithë kohërave. Drejtësia e sotme, kështu siç është me të këqijat e saj,  është rrënjëzuar në mënyrë të fuqishme. Ata kanë krijuar një sistem të tyren dhe të thonë që në fjalën e parë se ‘ JEMI TË PAVARUR…” dhe kësisoj në korrupsionin më të epërm,  lëvizin në këtë skenë fatale që është edhe domeni i tyre. Do të jetë shumë e vështirë, nëse nuk ndërhyhet në Kushtetutë dhe nuk gjendet një “konsensus” kombëtar për ta sjellë këtë Drejtësi në jetë. Ajo nuk është Drejtësi “e përfolur” por drejtësia më e korruptuar në botë, ajo është një Mosqenie.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA