Prof. Dr. Myslim PASHAI (hartograf)/ Harta historike në muret e Republikës së re

528
Sigal

Refleksion mbi prezantimin e hartave në mjediset e Kryeministrisë dhe reagimi i fqinjëve

Në Shqipëri në çdo hap që bën krijohet mosbesim, një shurdhëri, një rreng apo një mister, një synim, një kleçkë… Pse kështu? Këtu e ka “me të futme”, këtu e ka me “të dalme” këtu “me të ngelme” kështu me dyshim, gjithçka që hartohet, shafqet apo pozohet. Politika dhe fqinjëria në Ballkan është po kështu e gatshme me komente të ethshme, ku ndikon gjithnjë trazimi etnik e kombëtarist. Një ndjeshmëri të tillë e ka dhënë edhe arredimi muror, pikturor, kombinimi simbolik i ngjyrave e lëndës drusore apo metalit të përdorur këtu e atje, në mjedise. Komentet bëhen groteske edhe për një melodi kënge, për një tekst, për një qeleshe, por edhe për një takim me akëcilin e ke kryer. Nuk do t’i shpëtonte Kryeministria e Republikës së Re jo vetëm nga loja dhe hedhja e të dy anëve politike për fotot dokumentare të gjendjes së mjediseve që tanimë është e njohur. Dhe së fundi edhe “kleçka” e hartave.

1. Nënëmadhja Europë dhe Albania

Si hartograf u mrekullova, u ndjeva shumë i afërt, me përzgjedhjet artistike-hartografike të hartave që do të bartnin mesazhe kaq përkuese dhe të bukura, alegorike e simbolike për Republikën e Re. Pashë Europën, Zonjë Nënëmadhe, një hartë e Heinrich Bünting (1545-1606) e një pastori protestant dhe teolog i njohur për librin e tij “Udhëtimi i Biblës”. Në hartën që është në prehrin e zyrës së Këshillit të Ministrave për herë të parë vjen një Hartë –Zonjë = Nënëmadhe = Europa. Me dorën e pastorit gjeograf artist e teolog, Albania vjen e pandikuar, e pacensuruar nga asnjë pushtues dhe shtrembërues realitetesh, pa asnjë paragjykim rrënjor etnik, nga askush që kërkon të mbulojë e të ndryshojë, që kërkon të gëlltisë e të shuajë, gjithashtu. Shtrirja grafike e Gruas Nënë Europë, jepet jo me saktësinë hartografike koordinative, por me pasqyrimin e një të vërtete ilustrative, pikturore të orientimit dhe të vendosjes se trupit në Dheun Kontinental, të Etnoseve, pa kufij po brenda trupit, e mandej, të toponimeve të hershme që e përbëjnë atë. Është një pikturë gjeo-historike, një gjeokompozim me gjallim të trupit, kokës e syve, të gjymtyrëve, të skeptrit. Ajo ngjan e bukur edhe pse kreun e ka në Spanjë, edhe pse zemrën e ka në Bohemi (nga është autori) dhe pse Apeninet janë njëri krahë dhe Vendet Nordike një tjetër. E gjithë siujdhesa është në këtë gjeo-piktogramë. Aty janë rrënjët, etnoset, origjina, toponimet që nga lashtësia. Shkrimi EUROPE në mesin kontinental të fustanit, Danubi rrjedh në mes. Në krahë të Danubit shkruhet hershmëria jonë Illyricum dhe më poshtë Albania. Ky pozicion nuk është trillan dhe i sajuar, nuk është mister dhe i pakapshëm. Jemi në Europë mirëfilli, brenda Dheut Kontinental, në syrin e Lirisë në Europën e djeshme dhe të sotme. “Liria shqiptare”, thotë Kadare, “nuk e ka emrin Shqipëri e Madhe as Ekspansion”. Natyrshëm me Kosovën e lirë, Shqipërinë e dytë, ne jemi pjesë e këtij trupi e kësaj veshje, ashtu sikundër Dardania që shfaqet në një hartë tjetër të ekspozuar në të njëjtën bashkësi hartash të përzgjedhura. Zgjedhja, projekti, ndërthurja artistike, ngjyrimi, alegoria e simboli vijnë kuptimplotë dhe shumë përkues duke mos pasur asnjë shenjë apo tingëllim nacionalist. Insipiruese dhe shumë dinjitoze gjithashtu.

2. Harta e Shqipërisë, është e vitit 1689, e realizuar nga Giacomo Carteli D’Avingnplo

Në hartën tjetër e varur në mur sillet nje realitet hartografik në kohën kur Shqipëria ishte e pushtuar ende nën Perandorinë Osmane. Veçse aty shumë qartë jepet për bukuri shtrirja gjeografike e Albanisë që nga Kotorri në veri e deri në Gjirin e Artës. Edhe këtu ndërthuret arti pikturor me atë të saktësisë hartografike, e cila nuk ka pse të ngacmojë e të krijojë ndjeshmëri negative nga askush, aq më shumë nuk mund të sjellë mesazhe trazimi që janë bërë të zakonshme në Ballkanin tonë. Kësilloj mund të flasim edhe për hartat e bukura vizatimore perspektivore, me vrojtim nga deti i Perëndimit me autor Giovani Francesko Camacio (1501- 1575) ku perceptojmë tek rrjedh Buna (Bojana), Drini i mëvetëm atëherë kur nuk derdhej në Bunë, Scutarin (Shkodër), Danjën historike, Ulqinin e peizazhe malesh e toponimesh. I tillë por edhe më madhështor na vjen Durrazzo = Durrësi vizatuar me hijezim e perspektivor, me dukjen plot mbresë të një qyteti në breg hijerëndë, që të impresionon, me emra vendesh të shenjta S.Maria, S.Nikola dhe po kështu sillet në veri Alesio = Lezha. Kaq mbresëlënëse është edhe Valona një vizatim tjetër pikturor dhe me qasje gjeografike ku jepet qartë shtrirja e qytetit edhe pse gjiri i Vlorës është paraqitur shumë i ngushtë. Të bën përshtypja se si në një pozicion të epërm duket Fortesa e Kaninës, apo kopshtet pemëtore në veri të qytetit (Giardini).

3. Pse të shqetësohet fqinji maqedonas?

Nuk ka pse të përcillen, vetëpërcillen e vetëperceptohen ndjesi identitare dyshimesh dhe spekulimesh sikur barten qëllime imponime, theksime, apo deri tek “inate” ballkanike. Është kaq e qartë, sot, në udhë të atij shqetësimi në Gadishull dhe në Europë që po sjell emri Maqedoni, me rrjedhoja integruese. Asgjë nga këto që thamë më lart, nuk ka në këto zbukurime muresh veçse ekspozim vlerash historike dhe artistike që rrëfejnë vijimësi të lashtë dhe ardhje e natyrshme në gjirin e Europës. Pas shëmbjes të atij muri Sureal ndarës nga Europa, ne paradoksialisht u kujtuam se ishim në Europë. Dhe në 23 vite mbajmë po të njëjtat parulla “Shkojmë në Europë!”, “Synojmë në BE”, kur jemi në qendër të saj në historinë e saj me kontribute të shquara. Rrënja dhe fryma identitare evropiane është në shpirtin e shqiptarëve, që në zanafillë.