Prof.Dr.Lisen Bashkurti:“Për kryeministrin shqiptar këto zgjedhje janë epilogu politik”

486
Sigal

Prof.Dr.Lisen Bashkurti, sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë i AK-së

– Zoti Bashkurti, do të ndikojë në rezultatin zgjedhor këto acarime (politiko-diplomatike) të Berishës, sidomos me SHBA-të?

– Kjo varet sesi do të shkojnë zhvillimet në këto muaj deri në konkludimin e plotë të procesit zgjedhor në vend. Kryeministri aktual është kontestuar edhe njëherë seriozisht nga SHBA-të për manipulimin e zgjedhjeve në vitin 1996. Atëherë, ai nuk reagoi, ose më saktë, i’u kundërvu sugjerimit të SHBA-ve për ri-mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme. Këtë herë është paralajmërimi i dytë dhe unë kam bindjen i fundit, për Kryeministrin, qeverinë dhe gjithë partinë e tij për domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë do ketë përballje shumë serioze edhe me SHBA-të, të cilat nuk tolerojnë shkeljet e zgjedhjeve të lira e të ndershme, sidomos kur ky faj i rëndë përsëritet nga e njëjta forcë politike dhe nga i njëjti lider. Për Qeverinë dhe Kryeministrin shqiptar këto zgjedhje janë epilogu politik. Ky epilog mund të jetë glorifikues, nëse zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme, ose ky epilog do jetë funeral, nëse zgjedhjet do jenë të manipuluara, të vjedhura e për pasojë të kontestuara.

Zgjedhjet mbeten nyja gordiane për Shqipërinë  

-Ndaj kujt force i adresohet kritika e ndërkombëtarëve për zgjedhje të lira e të ndershme dhe përse?

– Për vetë kuadrin kushtetues e ligjor, maxhoranca parlamentare, qeveria, Kryeministri, agjencitë e drejtuara prej tij si dhe institucionet kushtetuese për administrimin e votës janë dhe mbeten faktorët kryesorë që garantojnë ose cenojnë zgjedhjet e lira e të ndershme në vend. Për këtë arsye, apeli kombëtar dhe ndërkombëtar bie kryesisht mbi maxhorancën, Qeverinë, agjencitë respektive të Ekzekutivit dhe institucionet kushtetuese për administrimin e votës.  Maxhoranca parlamentare ka dëshmuar gjatë kësaj legjislature që ka ushtruar diktaturën e votës në Parlament. Qeveria lypet të bëjë njëmijë herë kujdes që të mos ushtrojë diktaturën e votës në zgjedhjet e përgjithshme. Një cenim i zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri do të shënonte fillimin e një cikli krizash shumë komplekse dhe shumë afatgjate në vend. Askush nuk është në gjendje të parashikonte fundin e kësaj krize.

 – Cila do të jetë kostoja politike për partitë dhe për popullin, nëse nuk plotësohen standardet e zgjedhjeve të lira?

– Krizë politike e gjithë sistemit aktual. Recesion i përshpejtuar ekonomik. Trazira sociale të pareshtura. Zgjedhje të parakohshme e ndofta të ripërsëritura disa herë për një periudhë të pacaktuar, deri në sfilitjen e vendit tonë të varfër. Rënia e reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë. Harresë e Bashkimit Europian për disa kohë lidhur me statusin e vendit kandidat. Qëndrim shumë i rreptë nga aleati ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbas gjithë këtyre jam i bindur se, qytetarët shqiptarë do vetëdijesohen më shumë sikundër demokracitë perëndimore, SHBA-të dhe BE-ja do të mbështesin më drejtpërdrejtë popullin shqiptar për lënien pas të post-komunizmit dhe ndërtimin e demokracisë funksionale.

 – Zoti Bashkurti, cili është konteksti i vizitës të zotit Reeker në Shqipëri?

– Z.Reeker shpalosi gjatë tërë kohës politikën e SHBA-ve në kontekst rajonal. Për këtë arsye politike e diplomatike, mesazhet e z.Reeker ishin kryesisht mesazhe Rajonale me synim bashkëpunimin, stabilitetin, sigurinë, demokratizimin dhe integrimin në strukturat Euroatlantike dhe Evropiane. Natyrisht, duke pasur parasysh nivelin e marrëdhënieve bilaterale dhe specifikat e çdo vendi individual në rajon me SHBA-të, axhenda amerikane që mbuloi zoti Reeker kishte edhe mjaft aspekte të diferencuara, të cilat buronin nga niveli i marrëdhënieve dhe problemeve me secilin shtet individual në rajon me SHBA, përfshirë edhe Shqipërinë.

– Zv/ndihmësi i sekretarit të Shtetit, zoti Reeker në Tiranë tha se, qëndrimi i ambasadorit Arvizu shpreh politikën e Presidentit Obama. Kjo do të thotë, se, njëfarësoj, zbardh konfliktin politik të Kryeministrit Berisha me SHBA-të, për çështje themelore të (mos)funksionimit  të demokracisë në Shqipëri?

– Ambasadori Arvizu ka mandat presidencial. Zoti Reeker këtë fakt e ritheksoi disa herë për të përcjellë mesazhin ndaj politikës zyrtare të Shqipërisë që të jetë shumë e kujdesshme, luajale dhe korrekte në bashkëpunimin, konsiderimin, interpretimin dhe implimentimin e porosive që vijnë nga Shtëpia e Bardhë nëpërmjet ambasadorëve të SHBA-ve në Tiranë. Nuk ka dualitet midis Shtëpisë së Bardhë në Uashington dhe Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Nuk ka subjektivitet midis politikës së Presidentit amerikan dhe përfaqësuesve të Tij në Tiranë. Nuk ka shteg për interpretime politike parciale, partiake, individuale, subjektiviste dhe konjukturaliste lidhur me mendimet, deklarimet, qëndrimet dhe veprimtarinë e ambasadorit amerikan në Shqipëri. Madje, lypet të ngulitet mirë në qarqet politike, por edhe opinionale shqiptare se, ambasadori amerikan në Tiranë, përbën syrin, veshin, mendimin analitik dhe parashikues për shtetin, kryetarin  e vet. Shtëpia e Bardhë bazën e burimit themelor për bashkëpunimin dypalësh SHBA-Shqipëri e mbështet te informacioni, raportet, analizat dhe prognozat e ambasadorit të vet në Tiranë e kudo tjetër respektivisht.  Duke theksuar këtë fakt që përbën aspekt të së drejtës ndërkombëtare të sanksionuar në Konventat e Vjenës për marrëdhëniet Diplomatike dhe Konsullore, z. Reeker, përcolli një mesazh tërheqës vëmendjeje për politikën zyrtare të Tiranës, e cila nevojitet të dijë të dëgjojë, të interpretojë dhe të reagojë më mirë, më shpejtë dhe më drejtë ndaj mesazheve që përcjell ambasadori Arvizu, si përfaqësues i drejtpërdrejtë i Presidentit të SHBA-ve në Tiranë.

– Kjo a nuk do të thotë, se politika e Shtëpisë së Bardhë ka shqetësime të funksionimit të demokracisë në Shqipëri?

– Natyrisht, kohët e fundit politika zyrtare amerikane ka paraqitur shqetësime serioze dhe në rritje lidhur me dy dimensione: me spekulimet retorike nacionaliste dhe me problemet serioze të demokracisë në Shqipëri. Këto dy dimensione lidhen direkt dhe pa ekuivok me Qeverinë dhe Kryeministrin e vendit, sikundër edhe me institucionet e drejtësisë. Për këtë arsye lypet të përbëjnë kambana serioze alarmi për politikën shqiptare… Personalisht mendoj se, axhenda e qeverisë shqiptare, mënyra e qeverisjes së saj, raportet me Parlamentin dhe me institucionet e drejtësisë përbëjnë një devijim të konsiderueshëm nga vlerat dhe parimet e demokracisë funksionale euro-amerikane. SHBA-të janë jashtëzakonisht sensibël në vlerat dhe parimet e demokracisë. Unë e them pa kurrfarë hezitimi se maxhoranca e sotme, Qeveria dhe drejtuesi i saj, tjetër gjë mendojnë, tjetër gjë deklarojnë dhe tjetër gjë realizojnë. Pra, vuajnë nga mungesa e integritetit në karakterin e tyre politik. Kjo është shenja më serioze e krizës politike që ka kapluar maxhorancën, qeverinë dhe Kryeministrin e vendit. Sa më shumë që zgjatë kjo agoni, aq më shumë vendi shkon drejt mosqeverisjes, drejt daljes jashtë rendit e ligjit. Ndërkohë, ekonomia shkon drejt recesionit të papërmbajtshëm.

-A është i kapërcyeshëm ky problem nga Berisha?

– Kryeministri ynë ka humbur vetëdijen, përgjegjshmërinë, madje edhe lirinë për të qenë i aftë për vendimmarrje të pakushtëzuara nga faktorë dhe aktorë jashtë institucionit të tij. Korrupsioni, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, larja e parave, grupet e interesit duket se e kanë mbërthyer qeverinë dhe drejtuesin e saj si një rrjet merimangash, prej nga nuk dalin dot. Zgjidhja e vetme mund të vijë nga zgjedhjet politike të 23 Qershorit 2013.

– A do të ketë vërtet zgjedhje të ndershme, duke patur parasysh, që klima e deritanishme, përsa i përket procesit zgjedhor është tejet e acaruar dhe kur, PS-ja është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese për ndarjen e mandateve nga Kuvendi?

– Klima zgjedhore e deritanishme nuk është pozitive. Mbas njëfarë kompromisi që u duk pas miratimit të Kodit Zgjedhor, sërish u ringritën muret e skepticizmit midis dy palëve kryesore të politikës shqiptare. Duket qartësisht se Shqipëria është jo në tranzicion drejt demokracisë, por në fazën përmbyllëse të post-komunizmit. Konflikti politik, mungesa e dialogut me kompromis gjithëpërfshirës, urrejtja patologjike e palëve në Parlament, transferimi i kësaj klime mosbesimi në institucionet e administrimit të votës, pra në KQZ, involvimi i Parlamentit me maxhorancë të dhunshme në procesin zgjedhor për mandatet, kallëzimi në Gjykatë Kushtetuese nga opozita dhe probleme të shumta që po dalin çdo ditë në terren, janë dëshmi ogurzeza, që flasin se vendi nuk po shkon drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme. Paralajmërimi i kësaj të keqeje sot është ndihma më e madhe që mund t’i bëhet vendit. Nesër do jetë shumë vonë. Pasojat do jenë rrënuese për të gjithë.

– A do të jetë AK-ja, në zgjedhjet e 23 Qershorit një fenomen “Grillo”?

– Nuk asnjë dyshim që fenomenet politike në Greqi dhe Itali do ndodhin në një mënyrë apo tjetër, në një përmasë apo tjetër edhe në Shqipëri. Vendi ynë është i hapur, i lidhur dhe i ndërvarur shumë nga dinamikat politike në rajon, sidomos nga fqinjët direkt. Në thelb kërkohet rritja e besimit të qytetarëve ndaj politikës dhe shtetit. Natyrisht, kriza greke është shumë më e thellë dhe shumë më komplekse se, ajo e Italisë. Por, të dyja kanë prodhuar skepticizëm qytetar ndaj politikës e shtetit. Ky besim është tërësisht i rrënuar edhe në Shqipëri. Rasti i Italisë, si vend shumë i lidhur dhe dashamirës me Shqipërinë, është provë direkte dhe e pakomentueshme për politikën shqiptare. Pakënaqësia ndaj politikës, mosbesimi ndaj qeverisë, rritja e varfërisë, rrënimi ekonomik, prodhojnë dukuri politike herë-herë sfidante për çdo vend. Krizat japin produkte politike të reja. Për AK-në, Shqipëria është një rast tipik i tillë. Por, AK-ja, ndryshe nga fenomeni i “Grillos” në Itali, është një forcë politike e shpalosur prej kohësh, me profil politik më të qartë, identitet e kontribut më të mirëfilltë politik kombëtar dhe ndërkombëtar. Prandaj AK-ja nuk ka të bëjë me paralelen e përdorur nga mendimet e ndryshme për Pepe Grillon, “apolitika në politikë”. Madje, edhe vetë “fenomeni Grillo” nuk është tërësisht apolitikë, por një politikë ndryshe, më pranë jetës, më pranë qytetarit, më pranë realizmit dhe më pranë vullnetit popullor, ndonëse me rrugë e metoda mjaft radikale. Ajo që mund të ngjasë, dhe që nuk përbën tanimë asnjë çudi për Rajonin dhe Europën, është që AK-ja, nëse do ketë zgjedhje të lira e të ndershme do jetë sfida më surprizë në këto zgjedhje. AK-ja, ka të ngjarë të luajë rol themeltar në krijimin jo të maxhorancës së thjeshtë, e cila prodhon zgjedhje pa zgjidhje, por të një maxhorance të cilësuar, e cila do prodhonte njëherazi zgjedhje dhe zgjidhje të nevojshme për vendin. Aleanca Kuqezi është realitet politik, moderne, e fuqishme, kreative, inovative, kombëtare e thellësisht demokratike. Energjitë e AK-së burojnë së brendshmi nga një prurje rinore, intelektuale dhe gërshetim përvojash plot diversitet që nuk e posedon deri më sot asnjë forcë politike shqiptare. AK-ja është katalizatori më interesant dhe më i fuqishëm opozitar në vend.

– Deri tani, nuk kemi  nga palët politike, qasje të alternativave për një mirëqeverisje. Është ende herët, apo vërtet nuk ka alternativa, por vetëm luftë për pushtet?

– Ju ngrini një problem të madh. Gjithnjë dëgjoj të bëhet pyetja për aleancat apo koalicionet e pritshme. Kjo pyetje është legjitime, por ka një pasaktësi të madhe. Në shkencat politike dhe në praktikën politike, nuk mund të ketë aleanca apo koalicione pa strategji politike. Pra, është strategjia e përbashkët e para, pastaj vijnë koalicionet ose aleancat. Strategjia prodhon aleancat dhe jo aleancat strategjinë. Pyetja, pra bëhet në mënyrë të rëndomtë dhe së prapthi. Mendoj, se deri tani nuk ka një strategji të qartë, së paku publike, rreth së cilës të krijohet një front opozitar i gjerë e i qëndrueshëm, që të garantojë fitore me maxhorancë të cilësuar dhe një qeveri dhe model qeverisës që të mund të mbyll post-komunizmin e të hedhë bazat e një demokracie funksionale duke hapur portat drejt Bashkimit Europian.

 Aleancat elektorale

 – Sërish kryetari i opozitës së fundi deklaroi, që po të ikë LSI-ja nga bashkëqeverisja, do të bëjë aleancë. A ka motiv politik një aleancë  dhe a ka kuptim një bashkëqeverisje PS-LSI?

– Nuk dëshiroj të komentoj çështje për të cilat nuk kam legjitimitet politik. PS-ja dhe LSI-ja janë subjekte politike sovrane, që mendojnë e vendosin vetë për marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Nëse ndodh një fenomen i tillë (në politikë asgjë nuk përjashtohet, mjeti justifikon qëllimin, pushtetin), AK-ja do të jetë pjesë e kësaj aleance, qoftë edhe paszgjedhor?

– Pyetjet hipotetike ngelen pa përgjigje nga ana ime, sepse krijohen mbi hamendësi dhe prodhojnë ambiguitete të panevojshme dhe të padobishme. Politika është shkenca dhe arti i të mundshmes, por edhe i të pamundshmes. Kjo, sepse ajo që sot duket e pamundshme, nesër bëhet e mundshme në kushte e rrethana të ndryshuara. Kjo ngelet për t’u parë në rastin e raporteve PS-LSI. Unë kam legjitimitet të flas për AK-në. AK-ja ka përcaktuar strategjinë e saj të aleancave të mundshme.

– Dhe cilat do të jenë kriteret që do të përcaktojnë strategjinë e aleancave të AK-së?

–  Kjo strategji përfshinë këto principe: AK-ja do jetë në pozicion të paluajtshëm opozitar me maxhorancën, qeverinë dhe kryeministrin aktual, pra synon rotacionin politik; AK-ja synon rifreskimin e lidershipit shqiptar, pra vendosjen e standardeve për mandate të limituara për gjithë funksionet e larta të Shtetit, të Qeverisë, të Parlamentit, të institucioneve të tjera kushtetuese, të pushtetarëve vendor dhe të liderëve të partive politike; AK-ja është për ndarjen e pushtetit ekzekutiv nga pushteti legjislativ, pra qeveritarët lypet te mos jenë parlamentarë, çka sjell ndarjen e pushteteve dhe rrit rolin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin; AK-ja është për bashkëpunim mbi bazën e platformave me anë të të cilave ajo siguron mbështetje për realizimin e filozofisë dhe projekteve të saj politike; AK-ja është e gatshme për bashkëpunim me forcat opozitare që kanë frymë bashkëpunuese për maksimalizimin e rezultatit politik dhe garantimin e votës së lirë dhe të ndershme në vend. Kjo është strategjia e qartë dhe publike e AK-së për pjesëmarrje në aleancat zgjedhore apo pas zgjedhore.

– Faleminderit!