Prof. Dr. Lisen Bashkurti: “Vizioni i Ramës, përtej kufijve dhe gjeneratave të tjera”

484
Sigal

President i Akademisë Diplomatike Shqiptare Prof. Dr. Lisen Bashkurti në intervistën për “Telegraf” skanon rëndësinë historike të vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Prishtinë, duke zbardhur filozofinë politike të Kryeministrit shqiptar për bashkimin e kombit shqiptar, për rolin paqeruajtës dhe stabilizues  që ka faktori shqiptar në Rajon.

Prof. Bashkurti, si do ta përshkruanit në përgjithësi vizitën e Kryeministrit Rama në Kosovë,si vizita e parë zyrtare e Tij jashtë shtetit shqiptar?

– Ishte vizitë e duhur, në kohën e vet, në shtetin më të rëndësishëm për Shqipërinë dhe me vlerat e merituara. Kryeministri Rama, dëshmoi se kryeprioriteti i politikës së Qeverisë së tij do jetë pa mëdyshje boshti Tiranë-Prishtinë. Ky bosht ka të bëjë me një politikë bazuar në interesat kombëtare, në konsolidimin e shteteve tona, në funksionalizmin e demokracive në të dy anët e Kombit, në zhvillimin e prosperitetit për qytetarët tanë në Shqipëri e Kosovë, në kontributin për paqen e stabilitetin Rajonal dhe në nxitjen e integrimit Europian dhe Euro-Atlantik.

– Në fjalën e Kryeministrit pati shumë referime lidhur me kufirin midis Kosovës e Shqipërisë, nuk munguan edhe metaforat. Çfarë mendoni juve lidhur me këto referime?

– Kryeministri Rama e shtjelloi filozofinë e tij për kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke thënë se mendojmë dhe vrapojmë të pakufizuar prej atyre vijave, që të çlirojmë energji krijuese dhe bashkëvepruese. Çdo kufi është një sfidë, vijoi Rama, por kufirin mes dy shteteve tona nuk e konsideroj si sfidën për t’u kapërcyer, por si referencë historike botërore dhe si hapësirë lirie dhe demokracie të qëndrueshme, që mund të jetojë si një vijë e padukshme në mes.

–  Kryeministri Rama, foli për një stad të ri më të avancuar në bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës. A mundeni të na e zbërtheni më në detaje?

– Mund ta përmbledhim: Institucionalizim kombëtar i bashkëpunimit, përmes konsultimit, diskutimit dhe bashkëpunim ndërinstitucional. Rama u shpreh se, këto mbledhje të përbashkëta të dy qeverive shqiptare e  do shndërrohet në një procedurë bashkëqeverisje strategjike të funksionueshme rregullisht, së paku dy herë në vit. Ky instrument është nevojë e madhe e kohës, është tërësisht tejkalim i fazës thjeshtë mbështetëse për Kosovën dhe fillim i një epoke të re bashkëpunimi strategjik.

– Konkretisht, çfarë fushat parashikon Kryeministri Rama për bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë?

– Së pari, Kryeministri Rama parashtroi bashkëpunimin në energjetikë, duke e konceptuar zhvillimin energjetik si një instrument për sigurim energjie në hapësirën shqiptare. Së dyti, arsimi, është fusha strategjike e bashkëpunimit të identitetit kombëtar. Ai parashtroi idenë e sistemit të unifikuar arsimor, sipas standardeve më të larta të arsimimit bashkëkohor, në funksion të zhvillimit të së ardhmes së përbashkët. Së treti, Rama u angazhua për një strategji mbarëkombëtare për bujqësinë, ku shfrytëzimi i potencialeve që ka hapësira shqiptare nëpërmjet koordinimit mes dy shteteve të sjellë shpërndarje rajonale dhe zgjerimin e rrugëve të prodhimit si dhe rritje të të ardhurave në dy anët e vijës së padukshme. Përmes metaforës së “patatofobisë”, Rama stigmatizoi luftërat doganore të dëmshme dhe qesharake dhe u shpreh për bashkimin doganor, pavarësisht sfidave që ka. Së katërti, bashkëpunimi përfshinë të gjithë bizneset pa kufizim. Së pesti, bashkëpunimi në fushën e kulturës, artit, sportit dhe medias me qëllim që andej dhe t’u japim të rinjve dhe mbarë popullit shqiptar kulturën e sportin si elemente të qytetarisë sonë shqiptare e Evropiane. Së fundi, Kryeministri u ndal tek gjuha dhe shkencat shqiptare. Për këtë propozoi ngritjen e “Institutit Shqiptar të Shkencës”, pa kufij, pa paragjykime, pa ndikime politike, me mbështetje të të dy qeverive tona të interesuara. Shkencën e bëjnë dijetarët dhe historinë e shkruajnë historianët. Me Institutin Shqiptar të Shkencave kalohet graviteti i shkencës nga pushteti politik i padijes tek dija e pushtetshme e njerëzve të shkencës. Në këtë kontekst u shtrua edhe çështja e unifikimit dhe standardizimit të gjuhës shqipe në hapësirën shqiptare.

– Çfarë vendi zuri bashkëpunimi Rajonal në kontekstin e fjalimit të z.Rama?

– Kryeministri Rama e konceptoi Kosovën dhe Shqipërinë si një binom shtetesh, në qendrën e trekëndëshit të partneritetit strategjik Turqi – Greqi – Itali. Natyrisht, kjo strategji kërkon rikonsiderim të vendit e rolit të Shqipërisë dhe Kosovës në rajon. Kjo do krijonte pashmangësisht një hapësirë shqiptare të fuqizuar, të pashkëputur nga rajoni i Europës Juglindore dhe si një vlerë e shtuar për paqen e stabilitetin në rajon dhe në sinkron me liderin botëror e partnerin e djeshëm, të sotëm e të ardhshëm të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një vizion mjaft afatgjatë e jetik për Shqipërinë e Kosovën.

–  Integrimi i përbashkët Shqipëri- Kosova  sa prioritet  ka te fjala e z. Rama?

– Kryeministri Rama theksoi agjendën e përbashkët Shqipëri-Kosovë drejt BE-së. Për këtë, propozoi krijimin e një “Komiteti Ndërshtetëror Shqipëri-Kosovë” për përafrimin e legjislacionit në dy kahje: legjislacionit tregtar mes njëri-tjetrit dhe legjislacionit të të dy vendeve me BE-në. Si një sfidë Rajonale, shqiptarët, serbët, malazezët, maqedonasit, grekët e kroatët nevojitet të ndërtojnë një agjendë unike drejt BE-së. Bashkëpunimi rajonal drejt një zonë ekonomike të zhvilluar e të integruar është modelimi i tregut të BE-së në Rajonin tonë dhe ecje drejt objektivave të axhendës “Europa 2020”. Ky projekt njëkohësisht përmbush kriteret ekonomike për anëtarësimit në BE.

– Një nga çështjet, ku Kryeministri Rama u ndal gjerësisht, ishte ajo e pakicave kombëtare. Si e gjykoni juve qëndrimin e tij ndaj tyre?

– Përvoja e popullit shqiptar në Kosovë shërben si mësim që nuk duhet të përsëritet nga shqiptarët mbi pakicat e tjera, kudo që ato ndodhen. Kosova është e vetëdijshme për të drejtat e pakicave dhe për shmangien e çdo lloj diskriminimi ndaj tyre. Kushtetuta e Republikës së Kosovës përbën një model të avancuar të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, si kategori kushtetuese për gjuhën, arsimin, trashëgiminë kulturore-historike, shëndetësinë dhe vetadministrimin lokal. Ky trajtim i drejtë i pakicës serbe në Kosovë u jep shqiptarëve të gjitha të drejtat për t’i kërkuar Serbisë të njëjtën gjë, jo me zhurmën e fjalëve, por me forcën shembullit, për shqiptarët e Preshevës. Standardizimi unik i të drejtat e pacenuara dhe mirëqenia e shqiptarëve në Luginën e Preshevës me ato të serbëve dhe në Veriun e Kosovës paralajmërojnë epokën e re në rajon që u hap këtë vit me marrëveshjen Kosovë-Serbi. Pakicat për shqiptarët janë ura jo hendeqe, pasuri jo problem, ardhmëri jo pengesë. Kryeministri Rama u ndal edhe tek Maqedonia. Shqipëria e Kosova janë për një politikë të qartë në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në rajon. Në këtë kontekst parësore janë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, jo veç për shkak të madhësisë së popullsisë shqiptare atje, por për vetë qasjen shtetërore që mbizotëron në kapitullin e ri të politikës shqiptare për qenien pranë shqiptarëve kudo janë. Shqipëria dhe Kosova janë për mbarëvajtjen e Maqedonisë. Kjo e ka bazën në ekuilibrin dhe marrëdhëniet ndërmjet popullit shqiptar dhe atij maqedonas. Por, theksoi Kryeministri Rama, është shqetësues rasti i shqiptarëve në Maqedoni, për shkak të rasteve të moszbatimit të marrëveshjeve të bëra me ndërmjetësimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe të mosfunksionimit të mekanizmave të dala nga këto marrëveshje. Në këtë frymë Kryeministri Rama kërkoi edhe trajtimin e çështjes së Çamërisë, sipas parimeve “Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë” dhe normave të gjithëpranuara të së drejtës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Faktori shqiptar në Rajon, është faktor paqeje, stabiliteti

 – Kryeministri Rama foli edhe për forcimin e kohezionit mbarë shqiptarë në Rajon. Si e interpretoni ju këtë ide të re?

– Forcimi i kohezionit të faktorit politik shqiptar në rajon është kusht që diktohet nga realpolitika shqiptare dhe kushtet e sotme Kombëtare, Rajonale, Evropiane e globale. Kryeministri Rama theksoi se, kërkohet gjithëpërfshirje pa asnjë përjashtim; dialog pa asnjë diferencim; bashkëpunim pa asnjë paragjykim. Jemi në zëmër të Evropës e duhet të vendosemi brenda saj. Kjo kërkon mësime nga historia, bashkërendim në çështjet jetësore për kombin, ndërveprim për mirëqenien i bashkëkombësve pa asnjë dallim; të demokracisë së njëllojtë për gjithë shqiptarët; si dhe vlerësim të momentit historik të pakthyeshëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Për fillimin e procesit të forcimit të kohezionit kombëtar në Rajon, z. Rama ftoi që qysh këtë vit të mblidhen në Vlorë, përfaqësuesit shqiptarë nga të gjitha trevat, për themeluar “Forumi Mbarëkombëtar”, të përvitshëm, si rruga drejt krijimit për gjeneratat e ardhshme shqiptare të hapësirës pa kufij, pa frikë, pa diskriminim.