Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Procesi i Berlinit të jetë një Plan Evropian për Ballkanin Perendimor

199
Prof. Dr. Lisen Bashkurti, diplomat dhe njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se BE ka demonsstruar lodhjen e zgjerimit, qoftë nga deklaratat e udhëheqësve të saj, por edhe se tashmë ka kohë që nuk është anëtarësuar asnjë vend. Emigracioni i ditëve tona të ballkanasve, thotë Prof. Bashkurti, është pasojë e lodhjes egoistike të BE. Sipas Prof. Bashkurtit “Është e vërtetë që Ballkani Perëndimor ka akoma rrugë për të bërë drejt standarteve të BE. Por, motivimi dhe përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE janë më të rëndësishme, sesa vetë standartet shpesh burokratike që BE kërkon”, ndaj edhe Rama foli gjuhën e së vërtetës, në Samitin e Vjenës. Prof. Bashkurti i kujton BE planin Marshall e ndihmën që i dha SHBA për t’u rimëkëmbur, pas Luftës së Dytë Botërore, e kjo ndihmë nuk u kushtëzua, ndaj edhe procesi i Bërlinit të jetë një Plan Europian për Ballkanin Perëndimor. 
-Prof. Bashkurti, pardje nga Samiti i Vjenës, kryeministri Rama deklaroi se “Nëse Evropa do të vazhdojë të tregojnë lodhje nga zgjerimi, ajo rrezikon ta shohë këtë rajon të lodhur nga durimi. Nëse durimi humbet, Ballkani do të identifikohet gjithmonë me gjakderdhjen”. Së pari, a ka të drejtë Kryeministri Rama kur deklaron se Europa është e lodhur nga zgjerimi?
– Lodhja e Bashkimit Evropian nga zgjerimi është konstatuar dhe deklaruar nga vetë evropianët dhe përfaqësuesit e BE. Gjithashtu, lodhja e BE nga zgjerimi është reflektuar në uljen e dinamikës së zgjerimit të BE në drejtim të Ballkanit Perëndimor. Prandaj z. Rama ka plotësisht të drejtë, kur e thekson sërish faktin e lodhjes se BE. 
– Së dyti, a ka ndonjë rrezik që Ballkani, i lodhur nga durimi i moszgjerimit, të indentifikohet me gjakderdhje?
– Nuk është vetëm gjakderdhja formë e shfaqjes së padurimit të Ballkanit Perëndimor ndaj BE. Ka mjaft forma të tjera që shprehin padurimin, madje edhe pakënaqësinë e ballkanasve ndaj egoizmit të BE. Emigracioni biblik i kohëve të fundit nga Ballkani Perëndimor drejt BE është pikërisht edhe pasojë e reagimit popullor, e sidomos rinor, ndaj lodhjes burokratike dhe egoistike të BE. 
– A janë vendet e Ballkanit në ato standarte demokracie, saqë ta meritojnë anëtarësimin në BE?
– Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë një progres të jashtëzakonshëm. Ato kanë lënë pas luftrat e kanë ndërtuar paqen, janë afruar e pajtuar me njeri-tjetrin, kanë hedhur bazat e demokracisë, të shtetit ligjor dhe tregut të lirë dhe janë të gjithë të orientuar drejt integrimit në BE. Këtyre transformimeve të jashtëzakonshme të vendeve e popujve të Ballkanit Perëndimor në BE po i përgjigjen me një frymë e sjellje ballkanofobike. Barrierat policore, telat në gjemba, bombat lotsjellese, manifestimet raciste si dhe deklaratat kërcënuese për vendosje të regjimit të vizave – janë shfaqje ballkanofobike, pra të makthit, urrejtjes dhe armiqësisë që po karakterizojnë disa qeveri, qarqe, politika, individë dhe media në hapsirën e BE kundër Ballkanit Perëndimor. Ballkanofobia në hapësirat e BE kundër Ballkanit Perëndimor është shfaqje e turpshme që rrënon themelet mbi të cilat është ngritur BE. Është e vërtetë që Ballkani Perëndimor ka akoma rrugë për të bërë drejt standarteve të BE. Por, motivimi dhe përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE janë më të rëndësishme, sesa vetë standartet shpesh burokratike që BE kërkon.
– A mendoni se të tilla mesazhe të kryeministrit Rama, ndërtojnë një mirëbesim dhe reciprokitet në marrëdhëniet me BE?
– Thënia e të vërtetave është gjithmonë e mirë. E vërteta është ilaç i hidhur për t’u përtypur, por është e shëndetshme. BE ka nevojë të dëgjojë zërin e vërtetë nga liderët ballkanik dhe jo servilizëm të shtirur. Z. Rama ka folur pa doreza diplomatike. Mendoj se situata dikton një sjellje të tillë jo fort diplomatike. Mendoj se kjo gjuhë e drejtpërdrejtë nuk ka aspak për qëllim kërcënimin ndaj BE, siç shprehet ndonjë politikan shqiptar që i ka kaluar koha dhe as heqjen dore nga puna këmbëngulëse për arritjen e standarteve në çdo fushë e sektor. Mendoj se thënia e të vërtetave i shërben mirëbesimit. Të pavërtetat i shërbejnë të kundërtës.
– Samiti i Vjenës, çfarë kontributi mund të japë në marrëdhëniet e Rajonit me BE?
– Më lejoni t’ju bëj një paralele historike. Mbas Luftes së Dytë Botërore Evropa Perëndimore po përballej me disa sfida, siç ishin demilitarizimi, denazifikimi, demokratizimi dhe përballja me stalinizmin. Për përballimin e këtyre sfidave Evropës Perëndimore i erdhi në ndihmë SHBA, e cila mbështeti Evropën Perëndimore në fushën e sigurisë, demokracisë dhe ekonomisë. Themelimi i NATO dhe Plani Marshall ishin ndihma vendimtare të SHBA për Evropën Perëndimore, pa të cilat nuk do të ishte BE i sotëm në paqe, demokraci e prosperitet ekonomik. SHBA nuk i vuri Evropës Perëndimore kushte e kritere tekno-burokratike. Mendoj se ishin idealet, vlerat dhe interesat e përbashkëta që i shtynë SHBA të tregoheshin solidare me Evropën Perëndimore. Koha provoi se SHBA kishte të drejtë dhe se projekti i tyre në Evropë doli i suksesshëm. Mendoj se BE nuk është pa memorie historike. Por edhe nëse i’a freskojmë memorien, nuk bëjmë keq. Procesi i Berlinit dhe Vjena, si pjesë e tij, mendoj se po synon që të modelojë shembullin e SHBA ndaj Evropës Perëndimore në vitet ’50 të shekullit të kaluar: standartet demokratike dhe projektet ekonomike të aplikuara në Ballkanin Perëndimor. 
– A mund të shpresojnë qeveritë në Ballkan, për ndihmesa financiare nga BE, meqë nga Samiti i Vjenës, u shtrua si kërkesë kjo?
– Demokracia është proces. Standartet demokratike gjithashtu. BE lypet të lehtësojë masat shtërnguese. Gjermania në mënyrë të veçantë nevojitet të demonstrojë fleksibilitet më të lartë për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Gjermania nuk mund të kërkojë me masa shtërnguese të menjëhershme kulturën e disiplinën gjermane tek popujt dhe vendet Ballkanike. Ekonomia gjermane, kapaciteti konkurrues dhe fuqia eksportuese gjermane nevijiten të jenë më fleksibile ndaj ekonomive, kapaciteteve konkurruese dhe aftësive më të ulta eksportuese të ekonomive Ballkanike. Mesa duket politika gjermane është nën presionin e grupeve të larta të interesit brenda Gjermanisë, të cilat çmojnë më shumë konkurrencën dhe eksportet në vendet e Ballkanit Perëndimor, sesa solidaritetin me ekonomitë e vendeve te tij. Natyrisht, edhe ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor lypet të rrisin performancën ekonomike, kapacitetet konkurruese dhe fuqinë eksportuese. Por edhe për shumë kohë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për mbështetje ekonomike nga BE dhe Gjermania, ashtu sikundër këto gëzuan mbështetje nga Plani Marshall mbas Luftës së Dyte Botërore. Mendoj se Procesi i Berlinit nevijitet të jetë një Plan Evropian për Ballkanin Perëndimor.
– Faleminderit!