Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Politika jonë vepron në vakum Rajonal

543
Sigal

Diplomati Lisen Bashkurti, në intervistën për “Telegraf”, pohon se, politika jonë jo vetëm vepron në vakum Rajonal, por nuk ka asnjë strategji për çështjen kombëtare.  “Ndaj,- shton  zoti Bashkurti – nevojitet hartimi dhe miratimi në Parlament i një dokumenti strategjik afatgjatë me konsensus të gjerë politik”

–  Zoti Bashkurti, në “The Economist”,  paralajmërohet zoti Rama se, mund të ketë probleme me emrat peshë të PS-së. Ju mendoni se kjo mund të ngjasë?

– Burimi i informacionit, natyrisht ka rrjedhur nga radhët e senatorëve parlamentarë të maxhorancës socialiste. Një problem i tillë, duke e konsideruar relativisht të saktë, është serioz për qëndrueshmërinë dhe funksionimin e maxhorancës parlamentare në këtë mandat qeverisës. Jo më larg se brenda javës së kaluar, gjithë bota e ka mësuar se as Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Camerun, as Presidenti i SHBA, Obama dhe as Presidenti i Francës, Holland nuk anashkaluan kurrsesi përfaqësuesit e sovranit, nga vendimmarrje të rëndësishme për Sirinë, madje edhe kur konstitucionalisht e kanë këtë të drejtë personale. Ky raport bashkëpunimi, ndërmjet liderit të shtetit dhe maxhorancës parlamentare është themeltar për ekzistencën e funksionimin e demokracisë në shkallë vendi dhe në shkallë politike. Le ta konsiderojmë këtë shkrim të “The Economist”, si një paralajmërim të hershëm dashamirës, por serioz për parimet e qeverisjes së re, që po bëhet gati të vij në detyrë.

– Ju si i vlerësoni zgjedhjet e këshilltarëve të zotit Rama, ndër të cilët, mund të gjejmë vetëm emra të miqve apo të njohurve të tij?

– Lidhur me zgjedhjen e stafit të Kabinetit të Kryeministrit të ri nuk mund të ketë receta të përcaktuara, as ligjërisht dhe as parimisht. Nuk ka dyshim se përbërja e kabinetit të këshilltarëve kryeministror është zgjedhje e vetë kreut të Qeverisë. Dy janë karakteristikat e stafeve të këshilltarëve “well educated or experienced only”, pra me një formim shumë të lartë dhe të afirmuar, ose më një eksperiencë shumë të gjatë dhe të konsoliduar.

– Emërimi i Shkëlzen Maliqit në detyrën e këshilltarit për rajonin ka çelur shumë debate për shkak të lidhjeve të tij dhe të familjes se vet me regjimin e Titos. Ju si njohës i mirë i çështjeve të rajonit dhe veçanërisht, i çështjeve shqiptare, e konsideroni një zgjedhje  të mençur këtë emërim?

– Parimisht unë e kam përshëndetur ndër të parët iniciativën e z.Rama për të zgjedhur këshilltar nga Kosova për çështje të Rajonit. Kjo do ishte shenja e parë e fillimit të bashkëpunimit më të mirë ndër-institucional mbarë kombëtar. Në këtë aspekt parimor, zgjedhja e këshilltarit nga Kosova është për t’u përshëndetur. Shkëlzeni ka qenë tërë kohës aktiv dhe mjaft publik. Nuk di të ketë asgjë tjetër pas tij, përveç Shkëlzen Maliqit. Ai nuk ka qëndruar në hije. Ai nuk është fshehur prapa kulisave. Ai e ka shpalosur publikisht vetveten. Për këtë dhe vetëm për këtë e çmoj shumë.

– Zoti Maliqi është djali i ministrit të brendshëm të Kosovës pas demonstratave dhe persekutimit  serb të vitit 1981 njësoj si ka qenë në këtë  detyrë Rrahman Morina p.sh, ju si njohës shumë i mirë i rezistencës kosovare gjatë asaj kohe, dhe në vijim, mendoni  se mund të prehen të qetë pas këtij veprimi Jusuf Gërdalla dhe  heronjtë e tjerë të Kosovës deri  te Adem Jashari?

– Personalisht, në çdo vlerësim nisem nga karakteri, personaliteti, kapaciteti dhe kontributi i personit më shumë, sesa nga përfoljet e së kaluarës dhe determinimi i tyre mbi të sotmen. Nëse mbetemi me kokë prapa, padyshim do ecim prapa. Mendoj se z. Maliqi ka qenë dhe mbetet një nga personalitetet e publicistikës politike dhe një person shumë publik në Kosovë, prej më shumë se tre dekadash. Mendimi dhe vepra e tij janë shkrimet e tij. Misioni dhe vizioni tij janë letrat e shkruara prej tij. Jeta dhe aktiviteti i tij gjenden nëpër librat dhe artikujt e tij të pafund. Përvoja e tij është pjesë e historisë së Kosovës, mbas viteve ‘80-të. Kam menduar se do kishte më shumë dashamirësi, mirënjohje, vlerësim e mbështetje për aktivizimin e Shkëlzen Maliqit pranë Kryeministrit të Shqipërisë.

– Mendoni se zoti Maliqi mund të jetë një interlokutor i zoti mes Kryeministrit Rama dhe faktorit shqiptar në Rajon?

–  Shqiptarët në Rajon, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Çamëri nuk kanë nevojë për interlokutorë në definicionin më të mirë të kësaj fjale. Është koha që shqiptarët të ndërtojnë ura bashkëpunimi ndër-institucional. Interlokutorët janë mekanizma kur mungon bashkëpunimi ndër-institucional. Neve lypet të tejkalojmë kohën e interlokutorëve dhe të ndërtojmë kohën e bashkëpunimit ndër-institucional mbarë kombëtar në Ballkanin Perëndimorë. Kjo do ishte një shkallë cilësisht më e lartë dhe më e avancuar e zgjidhjes së çështjeve shqiptare.

– Shkëlzen Maliqi, e gëzon reputacionin te shqiptarët e Rajonit, në mënyrë të tillë që të jetë katalizatori ose ndërmjetësi i tyre me   Kryeministrin Rama?

 – Mendoj se sensacioni nuk qëndron tek emri i Shkëlzen Maliqit, por te fakti që Kryeministri shqiptar emëron një këshilltar nga Kosova. Është paragjykim i pastër. Le të bëhemi barrierë e këtyre paragjykimeve për afrimin dhe bashkimin Kombëtar.

– Po premtimi i Ramës dhe Metës, se Shqipëria brenda qeverisjes së tyre 8- vjeçare, do të pranohet në BE, është mundësi apo stereotip politik?

– Mendoj së është dëshirë e mirë. Por, gjithashtu mendoj se sfida është më e madhe, më komplekse dhe më afatgjatë, se dëshira. Kjo, sepse integrimi i Shqipërisë nuk varet subjektivisht vetëm nga Shqipëria, por edhe nga dinamikat në Rajon, në BE dhe në nivele ndërkombëtare përgjithësisht. Megjithatë, populli ka nevojë për shpresë dhe bëhet mirë që vihet ky objektiv politik përpara tij. Na nevojitet një agjendë dhe kjo është rruga për në BE. Na nevojitet një model zhvillimor dhe ky model është BE.

– A duhet që politika shqiptare  të ketë  plan B të procesit të Integrimit, duke u nisur nga fakti, që vetë BE-ja, pas pranimit të Kroacisë në BE, mund të frenojë për një periudhë 10-vjeçare pranimin e vendeve të tjera, anëtare në BE?

Bashkimi Evropian as nuk frenon dhe as nuk nxitë artificialisht proceset e integrimit. Para së gjithash, sfida e integrimit mbetet sfidë e jona. Shqipëria është demokraci pa standarde. Vendi është zhvilluar në mënyrë kaotike. Fragmentimi duket kudo, nga mendimi deri tek territori. Pa qenë aspak skepticist, do i thoja bashkatdhetarëve të mi dhe liderëve të vendit, që është më mirë të jemi “rrugës drejt BE sesa brenda saj” edhe për shumë kohë, ose e thënë ndryshe, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për ne shqiptarët “kërkon të ecim, por jo të nxitojmë”.

Për çështjen kombëtare, nuk ka strategji politike

  – A ka plan B politika shqiptare për Rajonin?

Mendoj se, për çështjen kombëtare shqiptare nevojitet hartimi dhe miratimi në Parlament i një dokumenti strategjik afatgjatë me konsensus të gjerë politik. Ky dokument mungon. Politika jonë vepron në vakum rajonal. Natyrisht, përpilimi i një dokumenti të tillë është jashtëzakonisht i vështirë. Ai kërkohet të jetë analitiko-prognozues, me objektiv të qartë madhor; me synime të përshkallëzuara në afate kohore; me prioritete të sakta; me planin e aksionit politik të brendshëm dhe diplomatik të jashtëm; me krijimin, ndërtimin, angazhimin dhe koordinimin e agjencive ekzistuese të zbatimit të ligjit në tërë dimensionin e tyre vertikal e horizontal; me krijimin e agjencive të reja aktualisht të munguara; me rekrutimin e kapaciteteve njerëzore ku të gërshetohen njerëz me formim multidisiplinor, teoricienë të lartë, njohës të mirë të terrenit dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kohët që vijnë, sipas afro dhjetë institucioneve ndërkombëtare më prestigjioze për analizën e krizave, parashikojnë një periudhë shumë të gjatë plot kriza lokale, nën-rajonale, rajonale, kontinentale, trans-kontinentale e globale. Shqiptarët do përballen me shumë sfida të mëdha e komplekse. Vetë faktori shqiptar në Ballkanin Perëndimor është sfidë më vete, sepse është politikisht i fragmentuar, ndodhet në nivele të ndryshme demokracie, në shkallë të diferencuara zhvillimi ekonomik, niveli kulturor e avancimi integrues. Nga tradita, shqiptarët nuk kanë qenë etno-centrist, pra me një qendër gravitacionale të fortë si Greqia, Serbia, Kroacia. Tirana nuk ka qenë asnjëherë etno-centër e shqiptarëve. Politika e jashtme është shumë solide, e qëndrueshme, konservatore dhe rezistente në sfidat e kohës. Politika jonë lypet ta ketë mirë parasysh këtë fakt ndërkombëtar dhe të veprojë në përputhje me të.