Liljana Elmazi: Qeveria “Rama” jeton në luks me huat e FMN, populli në mjerim, biznesi vuan nga taksa progresive

Prof. Dr. Liljana Elmazi, deputete e PD, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se PD do të japë konsensusin e saj për reformën në drejtësi, vetëm nëse “Kompromisi, që nuk cënon thelbin e reformës, është që reforma të jetë sipas standardeve të Venecias, rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias është kyçi për konsensus”. Ndërsa për gjendjen në ekonomi, si eksperte ekonomike, zonja Elmazi, analizon me shifra krizën e madhe të ekonomisë shqiptare, faktorët politikë që shkaktojnë këtë krizë, duke dëftuar qeverisjen e kryeministrit Rama, që, ndonëse ka marrë 1,2 miliardë euro borxhe nga FMN, nuk ka bërë investime publike, por i shpenzon huat për luksin qeveritar, ndërsa populli vuan në mjerim të skajshëm, i pa ndihmuar nga qeveria dhe biznesi po terrorizohet me taksa të shumta progresive. 

-Zonja Elmazi, përse nuk kemi statistika për gjendjen ekonomike të vendit? 

- Ka 3 vjet në qeverisje Rama dhe a keni parë të jetë bërë transparente gjendja ekonomike e vendit? Absolutisht, jo. Ndaj dhe mungojnë statistikat për gjendjen ekonomike të vendit, sepse, së pari, mungon transparenca dhe së dyti, aq e zymtë dhe e errët është gjendja e ekonomisë, saqë statistikat s’do bënin gjë tjetër, veçse do ta nxinin më keq atë. 

-Cila është ikona juaj për gjendjen e ekonomisë shqiptare?

- Qeveria është e vetëdijshme se bilanci ekonomik i saj është mediokër në të gjitha drejtimet. Suksesi fiskal, që u trumbetua vitin e kaluar, ka marrë zyrtarisht rrokullimën. Boritë e propagandës antievazion nuk po bien më. Parullës së miradministrimit i doli boja. Ajo që nisi si një shmangie e përkohshme buxhetore, tani është një krizë e mirëfilltë fiskale. Qeveria rrit taksat, por të ardhurat në buxhet bien. Përballë dështimit, të cilin nuk mund ta fshehë dot më as propaganda qesharake, qeveria është në panik. Një herë paralajmëron se do të mbledhë taksa me policë, pastaj u turret të varfërve. Dita e gjykimit mbërriti shpejt. Kura magjike e progresistëve dështoi. Dikur ata na thanë se do të ndërtonin një sistem tatimor, me të ndershëm, më të qëndrueshëm dhe më miqësor me rritjen ekonomike. Në vend të kësaj na sollën, një sistem më të pandershëm, me shtigje për evazion e madje edhe kërcënues për rritjen ekonomike.

 Prej kohësh duket se ekziston një hendek mes realitetit që qytetarët e jetojnë çdo ditë dhe atij që u serviret nga lart. Në ekonomi, ky hendek është më i dukshëm se kudo tjetër dhe përshtypja të thotë se vjen duke u rritur. Para pak muajsh , FMN publikoi raportin për Shqipërinë ku evidentoheshin një mori kritikash dhe vërejtjesh për të ashtuquajturat “reforma” të qeverisë. Sipas FMN, për të përmirësuar klimën e të bërit biznes, nevojiten masa për të zgjidhur çështje si ajo e pronave, e kredive të këqija, taksave dhe reforma në drejtësi. FMN vlerëson se borxhi publik është nga më të lartët në rajon dhe përbën një risk në nivel makroekonomik (në 20 vendet e Europës Juglindore jemi të dytët, pas Serbisë për madhësinë e borxhit). FMN vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë është nën potencialin e saj. investimet e huaja direkte janë kryesisht të fokusuara në sektorin e hidrokarbureve. Pjesa më e madhe e tyre vlerësohet të përbëhet nga TAP dhe hidrocentrali i Devollit. Sipas raportit të FMN, të ardhurat fiskale janë më të ulëta, krahasuar me vendet e rajonit, dhe kjo ka ardhur si pasojë e dizenjimit fiskal të ndjekur nga qeveria dhe eficenca e ulët e sistemit. implementimi i taksimit progresiv mbi të ardhurat personale dhe heqja e tatimit mbi biznesin e vogël kanë ndikuar negativisht në sistemin e taksimit dhe eficencen e tij. Ndërkohë, që vendet europiane kanë një humbje në rreth 15% në të ardhurat nga TVSH, për Shqipërinë vlerësohet të ketë një humbje nga TVSH prej 34%-39%.

 Por nuk janë vetëm këta treguesë, të cilët krijojnë alarm. investimet e huaja Direkte për tremujorin e parë 2016 rezultuan në masën 144 milionë euro, plot 44% më të ulëta sesa investimet e huaja direkte të tremujorit të parë të vitit paraardhës. Vlera e FDI për tremujorin e parë 2016 rezulton të jetë më e ulët edhe sesa vlera e FDI për tremujorin e parë 2014. Kreditimi i ekonomisë gjatë muajit prill 2016 rezulton të jetë 1.6% më i ulët, sesa kreditimi i muajit Prill 2015. Kjo ulje është e ndikuar nga rënia me 3% e kreditimit të bizneseve, një nga treguesit kryesorë të ngërçit ekonomik, që po përjeton Shqipëria. Akoma më keq paraqitet gjendja në sektorët e tregtisë së Jashtme. Eksportet në muajin maj 2016 shënuan vlerën 21 mld leke, duke u ulur me 2.9%, krahasuar me muajin prill 2016, si dhe u ulën me 14.8% krahasuar me muajin maj 2015. importet në muajin maj 2016 shënuan vlerën 51 miliardë lekë, duke u ulur me 2.5%, krahasuar me muajin prill 2016, kurse deficiti tregtar në maj 2015 rezulton të jetë 48.6% më i lartë, sesa deficiti tregtar në muajin maj 2015. Eksportet gjatë periudhës janar-maj 2016 rezultojnë 8% më të ulëta, sesa në periudhën janar-maj 2015, kurse importet janë 9.5% më të ulëta për të njëjtën periudhë krahasimi. 

Keqperformanca fiskale, e cila ka ardhur si rezultat i politikës së taksimit të përshkallëzuar, me anë të cilit janë rritur taksat për qytetarët, për familjarët, për profesionistët, për kompanitë, nuk ka sjellë rritje të ardhurat, sepse abuzimit në dogana e tatime me rreth 400 milionë euro në vit, siç ishte rasti i vitit të kaluar. Gjendja ekonomike në vend është rezultat i drejtpërdrejtë i përkeqësimit të klimës së biznesit nga kjo qeveri përmes korrupsionit, përmes evazionit, përmes kontrabandës. Taksat u rritën, tarifat u rritën, akcizat u rritën por si rezultat i evazionit fiskal, si rezultat i kontrabandës, si rezultat i korrupsionit me koncesionet korruptive Shqipëria humbet plot 1 miliard euro në vit të cilat vidhen dhe shpërdorohen në vend që të përfundojnë në rroga më të larta, pensione më të larta, shërbime më të mira dhe investime publike, përfundojnë në pasuri në xhepat e qeveritarëve të korruptuar shqiptarë. Pasi e shkatërruan ekonominë dhe mirëqenien e shqiptarëve me modelin e dështuar të taksimit progresiv, të rritjes së taksave me 50 %, të shtimit të taksave të reja, nuk u mjaftuat me kaq, por i ngarkuan shqiptarët edhe me barrën e taksave të fshehta, si dhe të koncesioneve allarilindase. Ndërkohë, që kompani fantazmë, miq apo klientë të qeverisë zaptojnë pasuritë natyrore, apo shërbime monopol, qytetarët shqiptarë po varfërohen dita-ditës dhe diferenca ndërmjet shtresave të pasura dhe atyre të varfra po thellohet duke u bërë “humnerë”; ku të rinj e të vjetër janë të pashpresë e mbi të gjitha pa të ardhme.

-Cilët faktorë politikë dhe ekonomikë e rënduan ekonominë shqiptare në këto vitet e fundit?

- Faktori i parë është politika fiskale e dështuar, e rritjes se taksave me 50% dhe e shtimit te taksave te reja. Faktor tjetër është klima e keqe ekonomike, në përgjithësi, që ka rënduar bërjen e biznesit. Faktorë të tjerë janë: korrupsioni masiv në sektorin publik, kontrabanda që është kthyer në sistem, evazioni fiskal si dhe zbatimi selektiv i ligjit. Papunësia në rritje, varfëria, deflacioni, mos shfrytëzimi i kapaciteteve, produktiviteti skandaloz, etj nuk janë importuar, por janë pasojë e një drejtimi empirik dhe diletant të ekonomisë kombëtare. 

-Bankat e nivelit të dytë s’japin kredi. A ka përgjegjësi edhe qeveria?

- Tashmë u bë viti i tretë që Bankat e nivelit të dytë nuk japin kredi dhe kjo është, kryesisht, përgjegjësi e qeverisë. Ka dy arsye kryesore për këtë: Kompanitë që aplikojnë për kredi, nuk plotësojnë kushtet e bankës, si rrjedhojë e gjendjes së keqe e të vështirë financiare, në të cilat ato ndodhen dhe kjo është pasojë e keqqeverisjes, gjë që e ka bërë shumë të vështirë të bërit biznes në Shqipëri. Vetëm në 2015, sipas Raportit të të bërit biznes, Shqipëria ra me 35 vende, duke u radhitur me vendet afrikane, si Eritrea, që, ose janë në luftë, ose në përplasje civile. Bizneset, që janë në kushte të mira financiare, nuk aplikojnë për kredi, pasi nuk shohin një situatë të mirë për të zgjeruar, apo rritur aktivitetin. Është situatë jostabel, jo favorizuese, me shumë të panjohura, ndaj s’duan të rrezikojnë.

- Sa është borxhi real? Sa është borxhi që ka marrë në këto 3 vjet qeveria e kryeministrit Edi Rama?

- Ne vitin 2015, sipas statistikave të vetë qeverisë, borxhi ishte 72,5 % e GDP, më i larte se vetë parashikimi i saj 70.9%. Vetëm në dy vite qeverisje 2014+ 2015 borxhi është rritur me 158 miliard lekë dhe në 2016 parashikohet të rritet edhe me 17 miliardë lekë të tjera. Të mos harrojmë, se qeveria ka rritur borxhin, jo për investime, por për luksin e saj, për fasada, e pemë…Në raportin e KE theksohej se Shqipëria është me perspektivën buxhetore më të dobët në Rajon. Edhe në vitet në vijim Shqipëria do të vijojë të ketë përformancën më të dobët fiskale në rajon, në krahun e të ardhurave, shpenzimeve dhe borxhit publik, të krahasuara me PBB (prodhimi i brendshëm bruto). Për shkak të anemisë në të dy shtyllat e arkës së shtetit, të ardhura dhe shpenzime, buxheti i Shqipërisë vuan nga borxhi i lartë. Aktualisht, Shqipëria ka borxhin më të lartë, pas Serbisë me 72.2 % të PBB-së, por në perspektivën afatmesme, vendi ynë synon të jetë i treti në rajon, pas Serbisë dhe Malit të Zi për madhësinë e borxhit në raport me PBB.

- Cili është qëndrimi i PD sot, ndaj pretendimit të kryeministrit Rama për borxhin që mori qeveria e tij nga FMN, në shumicën e saj, u përdor për të shlyer borxhet e qeverisë së Berishës? 

- Më diskreditues për qeverinë “Rama” është fakti i bërë publik nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që qeveria ka krijuar detyrime të prapambetura në likuidimin e bizneseve. Ky fakt rrëzon edhe tullën e fundit, me të cilën mburrej kjo qeveri, atë të likuidimit të detyrimeve të prapambetura. Kjo qeveri mori 300 milion euro borxh nëpërmjet marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të shlyer detyrimet e prapambetura dhe rezultati është që qeveria ka krijuar detyrime të reja të pa likuiduara ndaj biznesit për punimet e kryera. Natyrisht, që me të drejtë na lind pyetja, që në kushtet kur investimet publike janë 25% më pak se plani, si është e mundur që të mos paguhen bizneset dhe të krijohen borxhe të reja? Përgjigjen ta japin koncesionet e qeverisë, ku paraja rrjedh lumë dhe taksat e shqiptarëve bëhen rrush e kumbulla. Qindra milionë euro koncesione të panevojshme për check-up, dializa, sterilizime, apo shërbime të tjera, tek të cilat shteti ka investuar dhe mund t’i kryejë vetë, por koncesionohen që të majmet Nushja, Kryeministri dhe tërë oborri i tyre. Qershia mbi tortë në arritjet negative të qeverisë është raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku vetëm për një vit organet shtetërore, apo ndryshe, qeveria “Rama” i kane shkaktuar buxhetit të shtetit 920 milionë euro humbje. Qeveria ka marrë rreth 1.2 miliard euro borxh në dy vjet, për herë të parë nuk u morr për investime, por për shpenzime luksi për qeveritarët, ndërkohë që 46 % e popullsisë jetojnë në varfëri dhe 33 % në mjerim, sipas BB. 

- A ka PD gati një strategji ekonomike, për të kuruar ekonominë shqiptare, duke patur parasysh, zgjedhjet parlamentare të ardhshme? Cilat janë kolonat e kësaj strategjie ekonomike të PD?

- Pas 3 viteve të gjatë dhe lodhës, depresioni të deritanishëm, vendi ka realisht nevojë për një erë të re. Shpresa qëndron tek e ardhmja. Deri atëherë, Rilindja ishte vetëm një shans i humbur. Depresionin e ekonomisë, shoqërisë e vendit mund ta shërojë vetëm qeverisja e PD me Kryeministrin Basha dhe t’u kthejë shqiptarëve shpresën e humbur, që të mos marrin më rrugët e Europës, si këto dy vite, duke qenë të dytët për azil, pas Sirisë në luftë. PD ka një plan të qartë për nxjerrjen e vendit nga kriza. Plani konsiston në radhë të parë në thjeshtimin e sistemit të taksave në Shqipëri. Taksa e sheshtë 9%, ulja e TVSH-së në 15% nga 20% që është aktualisht, taksimi i thjeshtë, taksimi i lehtë, procedura të thjeshta dhe fund abuzimit të ushtrisë së taksidarëve me biznesin e vogël dhe biznesin e madh, dhe qytetarëve në tërësi.

Së dyti, anulimin e menjëhershëm në bllok të të gjitha koncesioneve korruptive të dhëna nga kjo qeveri.

Së treti, fokusimin e të gjithë shpenzimeve qeveritare drejt investimeve që hapin vende pune, investimeve që ndihmojnë sektorë strategjikë të ekonomisë, siç janë ato në bujqësi me një skemë prej 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto mbështetje për bujqësinë. 150 milionë euro në vit do të jetë plani ynë për të nxjerrë bujqësinë nga kriza që e ka zhytur qeverisja “Rama”. Parat që sot shkojnë për orendi, për xhaguar, për perde, para para korruptive që shkojnë për shpenzime qeveritare do të shkojnë në ndihmë të drejtpërdrejtë për shtresat në nevojë dhe investime publike që ndihmojnë ekonominë e vendit. Përfundimin e akseve rrugore, vazhdimin e investimeve në infrastrukturën energjetike, telekomunikacionit për ta bërë Shqipërinë një vend të konkurrues. Më shumë para për qytetarin shqiptar, për konsumatorin shqiptar, për biznesin shqiptar, më pak hapësira për korrupsion përmes koncesioneve korruptive, dhe skemave të tjera të cilat iu zhvatin shqiptarëve 1 miliard euro në vit. Kjo është edhe rezerva e artë që Partia Demokratike do të ketë, do të përdorë për nxjerrjen e vendit nga kriza, sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme për të nxjerrë 46% të shqiptarëve nga varfëria dhe për të siguruar vende pune dhe vende pune me paga dinjitoze. Do t’u japim shtresave në nevojë mundësi për të jetuar me paratë e ndihmës sociale, duke marrë përsipër nga buxheti i shtetit pagesën e 300 kë-ve të parë të energjisë dhe pagesën e faturës së ujit, faturë totale kjo që nuk tejkalon 20 milionë euro në vit. Ndërkohë që vetëm për zyrat e veta kjo qeveri harxhon 80 milionë euro në vit. Pra, treguam planin tonë, prioritet tona që vendosin njerëzit të parët dhe jo qeverinë të parën.” Pra paketa fiskale e PD shkurt është: 9% taksë e sheshtë, 15% TVSH, 150 milionë euro investime për bujqësinë,investime që hapin vende pune, anulimi që muajin e parë të koncesioneve korruptive në bllok. 

- Kryeministri Rama, në takimin me Nuland në Tiranë, rinënvizoi qëndrimin e tij se shumica qeverisëse do të mbetet deri ditën e fundit e hapur për çdo kompromis që nuk cenon thelbin e reformës. Pyetja është: Cili është, sipas jush kompromisi që nuk cenon thelbin e reformës?

- Ne, Opozita, duam një reformë në drejtësi, që ta bëjë atë të varur vetëm nga ligji, dhe jo paraja, apo politika. Rama do një reformë në drejtësi që t’i mundësojë atij kapjen e saj, për të mbuluar të gjitha zullumet e qeverisjes së tij të korruptuar. Kompromisi, që nuk cënon thelbin e reformës, është që reforma të jetë sipas standardeve të Venecias, rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias është kyçi për konsensus.

- Çfarë duhet të bëjë mazhoranca, që PD të japë konsensusin e saj për reformën në drejtësi?

- Thjesht fare: Të zbatojë rekomandimin e mësipërm, matës që është garant për moskapje të drejtësisë nga politika, aq më tepër nga Rama, sjellja e të cilit,deri tani,ka treguar që Rama dhe pavarësia e Gjyqësorit janë ekstremisht të papajtueshme. A nuk ju kujtohen presionet e kërcënimet që Rama u ka bërë jo pak herë gjyqtarëve e prokurorëve, që s’ka mundur t’i verë dot në rresht, apo t’i ketë nën hyqmin e tij?

- Faleminderit!

Intervistoi: Jakup B. GJOÇA