Prof. Dr. Kume: Politika nuk dëshironte dekriminalizimin në Kodin Zgjedhor

415
Prof. Dr. Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ-së në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se në Kodin Zgjedhor nuk parashikohen dispozita ligjore që mund të refuzojnë e pengojnë persona me të kaluara problematike me ligjin. Madje, pohon zoti Kume, kjo ka qënë kërkesë e vazhdueshme, por çuditërisht nuk u shtua në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor, as tani, edhe pse maxhoranca dhe opozita nënshkruan marrëveshjen e dekriminalizimit. Prof. Dr. Kume shpreh mendimin se politika nuk dëshiron ligjin e dekriminalizimit në Kodin Zgjedhor. 
– Zoti Kume, a ka ligj të shprehur në Kodin Zgjedhor, që të kufizojë apo ndalojë persona që janë të inkriminuar?
– Kodi Zgjedhor nuk ka kushte të tilla ndaluese për të kandiduar. Në Kodin Zgjedhor janë të përcaktuara një seri kushtesh, që duhet të plotësojë qytetari për të kandiduar për kryetar bashkie dhe anëtar i këshillit bashkiak. Madje kjo ka qënë një nga kërkesat e bëra gjatë kësaj periudhe, për t’u bashkangjitur në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor, tani për zgjedhjet e 21 qershorit, ku të parashikohej, pikërisht një kusht i tillë, që të parandalonte dhe ndalonte kandidimin e personave me të kaluara problematike me ligjin. Deri sot nuk ka kufizime të tilla ligjore për asnjë person. 
– Atëhere, a mund të themi që ka boshllëk ligjor në Kodin Zgjedhor, pikërisht për të ndaluar kandidimin e personave të inkriminuar?
– Për mua, nuk bëhet fjalë për boshllëk ligjor, në kuptimin juridik të kësaj shprehjeje. Ligji dhe ligjbërësi ka parashikuar kushtet për të kandiduar, ashtu siç ato janë të shkruajtura. Nëqoftëse ligjbërësi vlerëson dhe, kur vlerëson merr në konsideratë situatat reale, atë që ndodh në shoqëri, se duhet ndërtuar mekanizma ligjorë, të cilat të mundësojnë pengesa reale për kandidimin e personave me të kaluara problematike, e bën këtë gjë. Kjo është në vartësi të zgjedhjes që bën hartuesi i ligjeve. Mekanizmi, i cili mund të parandalojë aktualisht zgjedhje të tilla, është vetëm vota e qytetarit. 
– A nuk është paradoks, që t’i kërkohet një kandidati për nëpunës në administratën publike dëshmi penaliteti dhe kjo të mos kërkohet për kandidatët e pushtetit vendor, e më tej, as për deputetët?
– Në Kodin Zgjedhor nuk parashikohet që të kërkohet për kandidatët dëshmi penaliteti, por kështu siç është sot Kodi i shkruajtur, edhe nëqoftëse kërkohet dëshmia e penalitetit që mund të përdoret, pastaj, instrument për të parandaluar kandidimin e personave problematikë, do të duhet domosdoshmërisht që të shoqërohet me dispozitat ligjore në Kod, që të parashikojnë këtë ndalesë. Për mendimin tim, shoqëria jonë ka nevojë t’i parashikojë në legjislacion mekanizma të tilla për të parandaluar situata të padëshurueshme me ata që ne i zgjedhim. Për mendimin tim, në Kodin Zgjedhor, duhet të ishin shtuar dispozita, që të mos lejonin kandidimin e personave me të kaluara problematike. Në këtë rast, mund të reagojë vetëm subjekti që e propozon kandidatin dhe vota e qytetarëve. 
– Derisa partitë bënë në funddhjetorin e 2014-ës marrëveshjen për dekriminalizimin, a kishin kohën e mjaftueshme që kjo të gjente reflektim edhe në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor për 21 qershorin?
– Po, kishin kohën e mjaftueshme. Unë do të thosha, që gjëja e parë që të bën të mendosh, është vullnet i munguar për ta realizuar dhe formalizuar dekriminalizimin edhe në Kodin Zgjedhor. Për mua, po, partitë politike nuk kanë vullnet politik ta bëjnë dekriminalizimin, sepse çdo gjë bëhet. Dhe për ta bërë sa më efektive dhe reale këtë, palët politike parlamentare duhet të kishin bëra hapin tjetër, krahas të tjerave, që është ndalimi i asaj çka do të vijë në zgjedhjet. Pra, të vendoset në Kod Zgjedhor, një kushtëzim i tillë, që të parandalonte zgjedhjen, në pushtetin vendor, të personave problematikë me ligjin. 
– Deputetët, ndaj të cilëve është marrë masa e sigurisë, arrest në shtëpi dhe në burg, a mund të marrin pjesë në Kuvend?
– Në bazë të nenit 71 të Kushtetutës tonë, mandati i deputetit, referuar çështjes që ju ngrini, ndërpritet vetëm kur ai dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Kjo do të thotë që në të gjithë periudhën përpara dhe deri në marrjen e vendimit të formës së prerë nga gjykata, deputeti gëzon mandatin dhe mund ta ushtrojë atë. 
– A mund ta pengojë deputetin masa e sigurisë (arrest në shtëpi, apo burg), që ka dhënë gjykata ndaj tij?
– Për mendimin tim, për sa kohë që deputeti ka mandat, i duhen t’i krijohen të gjitha lehtësirat për ta ushtruar mandatin. Duhet t’i krijohen kushte për të qenë aktiv detyrës parlamentare, sepse mund të ndodhemi në një situatë hipotetike, ku vetëm si pasojë e moslejimit të ushtrimit të aktivitetit si deputet, ai të humbasë mandatin, në rast se kjo pengesë do të bëjë që në një periudhë 6 mujore, deputeti të mos paraqitet dot në Kuvend. Në vlerësimin tim, duhet me domosdo që kjo masë shtrënguese, (arrest me burg, apo në shtëpi) ndaj deputetit nuk duhet të kenë pasojë që deputeti të humbasë mandatin, pikërisht, ngaqë nuk i lejohet të kryejë aktivitetin e tij parlamentar. 
– Nëse deputeti dënohet dhe pasardhësi në listën emërore të kandidatëve për deputetë, ka qënë në burg dhe sapo është shfaqësuar, ka pengesa ligjore, që ai nuk duhet të bëhet deputet?
– Nuk ka pangesa ligjore të parashikuara, sepse kërkesat ligjore, të cilat parashikojnë se çfarë kushte duhet të plotësojë qytetari për të qënë i zgjedhur, nuk e parashikojnë një gjë të tillë. Një qytetar që ka kryer një dënim të caktuar dhe ka e ka përfunduar dënimin, ai ai patjetër ka të drejtën që të marrë mandatin e deputetit, siç është rasti, ku personi është shpallur i pafajshëm.
– Por jo me vendim të formës së prerë, pasi Prokuroria e ka çuar çështjen në Apel, kundër vendimit të gjykatës.
– Absolutisht, po. Unë do të thosha, që edhe sikur personi të jetë gjatë procedurës së gjykimit të tij, kjo nuk e ndalon, nuk përbën arësye pengimi për të marrë mandatin e deputetit. Për sa kohë që qytetari është në process gjyqësor, ai i gëzon të gjitha të drejtat e tjera kushtetuese, sepse funksionon parimi i prezumimit të pafajësisë. 
Sigal