Prof. Dr. Kristaq Kume: Sistemi Zgjedhor duhet të ndryshojë, që edhe 25 % e elektoratit të përfaqësohet në Parlament

569
Është interesante, që të gjitha palët politike tashmë pranojnë që duhet ndryshuar sistemi zgjedhor, por “harrojnë” që në draftin për ndryshime kushtetuese nuk bëjnë fjalë për to. Ndoshta politika sërish, si më 2008, do të bëjë ndryshime në sistemin zgjedhor, duke e prekur Kushtetutën, sa herë që kërkon të sanksionojë interesat e saj. Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetari i KQZ, në intervistën për gazetën “Telegraf” e thekson se, ndryshimet në Sistemin Zgjedhor duhet të bëhen bashkë me ndryshimet e tjera, por kjo nuk duhet të lihet për në fund, pasi ngushtëson kohëdebatin. Sipas prof. Kume, sot është nevoja të bëhen ndryshime në Sistemin Zgjedhor, pasi më shumë se 25 % e elektoratit të përfaqësohet në Parlament. Prof. Kume thotë se qëndrimi i Gramoz Ruçit për sistemin mazhoritar, nuk është dhe aq personal, por është taktikë e politikave të PS për të testuar opinionin. Prof. Kume së fundi, thekson se ka ardhur koha që administrata zgjedhore të depolitizohet, duke dëftuar edhe mënyrën sesi mund të bëhet kjo, gradualisht. 

-Derisa në draftin për ndryshimet kushtetuese nuk ka ndryshime për Sistemin Elektoral, ju mendoni në këto ndryshime, nëse do bëhen për sistemin elektoral, do të kërkohet në një fazë tjetër, të bëhen sërish ndryshime në Kushtetutë?
– Kushtetuta, mund të ndryshohet vetëm në qoftë se palët politike do të bien dakord që të ndryshohet sistemi zgjedhor. Në të kundërtën, çdo ndryshim tjetër mund të bëhet në Kodin Zgjedhor, pa iu referuar fare Kushtetutës. 

– Të çfarë natyre duhet të jenë ndryshimet në Sistemin Zgjedhor, që të bëhen detyrimisht ndryshime në Kushtetutë?
– Në qoftë se politika bie dakord që zgjedhjet parlamentare në 2017 të mos realizohen sipas këtij sistemi që kemi, proporcional rajonal por sipas një sistemi tjetër, për shembull, të futet Primi, ose të ndryshohet sistemi nga proporcional të kalohet në mazhoritar, ose në një sistem të përzier, kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet ndryshimeve në Kushtetutë. Kurse, ndryshime të tjera, të tjera, sikurse, ndryshime që do t’u krijonte hapësira më të mëdha partive të vogla parlamentare, për t’i kompensuar votat e tyre në parlament, mund të bëhet pa ndërhyrë në Kushtetutë, por në Kodin Zgjedhor, duke ndryshuar aty formulën sipas së cilit, bëhet konvertimi i votave në mandatet në parlament. Ose, duke konsideruar si një ndër ndarjet administrative të Shqipërisë, të gjithë territorin e vendit. Aktualisht Kodi Zgjedhor, në zbatim të dispozitës kushtetuese, e cila përcakton që zonë zgjedhore duhet të formohen në përputhje me një nga ndarjet administrative të Shqipërisë dhe në Kod aktual përdoret 12 qarqet si zona zgjedhore, mund të konsiderohet e gjithë Shqipëria një zonë e tërë zgjedhore, që do të thotë, të ketë një listë korrektuese, që t’i përkasë zonës së 13 zgjedhore e të përdoret për të bërë më të mundshme pjesëmarrjen në parlament edhe të partive të vogla. Lista Kombëtare, ose Korrektimi Kombëtar, që është një ndër opsionet dhe mund të realizohet për mendimin tim, edhe pa ndërhyrë në Kushtetutë. 

– Nëse duan që zonat zgjedhore t’i bëjnë në 6 pjesë, sikurse PS po ndan PS në zgjedhjet e saj partiake, kjo bëhet në Kod apo në Sistem zgjedhor?
– Aktualisht, harta e re Territorialo-administrative nuk ka prekur ndarjet administrative “qark”, sepse nëse preket kjo, duhej ndryshime kushtetuese. Prandaj, për të zvogëluar numrin e zonave zgjedhore, korresponduese të nivelit “qark”, duhet të ndërhyhet në Kushtetutë, që të zvogëlohet numri i qarqeve. Ato ndryshime administrative e territoriale që u bënë kanë efekt vetëm për zgjedhje lokale, jo parlamentare. 

– Për futjen e Primit në Kodin Zgjedhor, duhen ndryshime në Kushtetutë?
– Nëse duhet të zbatojmë sistemin zgjedhor me Prim, duhen ndryshime në Kushtetutë. 

– Por, meqë në ndryshimet kushtetuese të propozuara tani kjo nuk është, a mund të ndërhyjnë më vonë në Kushtetutë vetëm për sistemin zgjedhor?
– Po, mund ta bëjnë në çdo kohë, kur forcat politike, e duan. Por, për mua, ndërhyrjet në Kushtetutë nuk mund të bëhen kur të duan dhe sa herë të duan, por vetëm pas një konsultimi shumë të gjerë, që duhet të jetë proces gjithëpërfshirës. Kushtetuta nuk është dokument që mund të ndryshohet çdo vit, dhe sa herë lind nevoja politike, ose kërkese që mund të ketë skakiera politike. Nëse plasa politike mendon vërtet se duhen bërë ndryshime kushtetuese dhe në dispozitat që përcakton sistemin zgjedhor, duhet të bëhen në të njëjtën kohë me ndryshimet e tjera kushtetuese që mendohen të bëhen. 

– Tashmë të gjithë kahët politike bëjnë debat politik për ndryshime të sistemit zgjedhor, në një kohë që në ndryshimet kushtetuese nuk e kanë përfshirë këtë nevojë. Mos vallë klasa politike i jep vetvetes privilegjin të ndërhyjë kësisoj në Kushtetutë, sa herë për interesat e veta?
– Në parim po, ata mund të bëjnë ndryshime kur të duan. Por nuk është normale që të ndodhë kështu. Nuk është normale, që sapo përfundojnë ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, të kërkojnë të bëhen ndryshime kushtetuese në dispozita të tjera, për më tepër, që për mendimin tim, do të ishte shumë e udhës që çdo ndryshimi kushtetues t’i nënshtrohet edhe vullnetit të popullit. Pra referendumit kushtetues. Prandaj procesi i ndryshimeve kushtetuese është një proces i veçantë, nga çdo proces tjetër legjislativ. 

– Mendoni se mosndryshimet në sistemin zgjedhor t’i bashkangjiten ndryshimeve kushtetuese, pasi ato të hidhen për miratim në Parlament, pa iu përcjellë Komisionit të Venecias?
– Nuk di t’i përgjigjem kësaj, sepse kjo është pjesë e axhendës të forcave politike, por, në qoftë se do të veprohej në këtë mënyrë, që në momentin e fundit, kur të diskutohen ndryshimet në Kushtetutë, të futeshin edhe ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor, nuk do të jetë shumë normale kjo procedurë, sepse do të jetë shumë e zvogëluar koha për konsultime, do të ishte shumë e zvogëluar pastaj hapësira e marrjes së mendimeve, e ideve në konsideratë, të të gjithë forcave politike, dhe jo vetëm të atyre parlamentare. Ndryshimi i sistemit zgjedhor duhet të ketë dakortësinë maksimale të forcave politike të vendit. Në të kundërtën, ndryshimet e sistemit zgjedhor mund të realizohen si një produkt i cili mund të jetë i atakueshëm nga të tjerët, siç është i atakueshëm ndryshimi kushtetues që u bë në 2008. 

– Prof. Kume, mendoni se është thjesht mendim personal i zotit Ruçi, që u shpreh që ai është për një sistem të pastër mazhoritar?
– Zoti Ruçi thotë, personalisht unë jam për këtë sistem mazhoritar të pastër. Çdo të thotë kjo për PS, këtë do ta shohim, por ne shpesh jemi ndeshur me një fjalë e thënë, me një deklaratë e nënvizuar vetëm si një opinion personal, ka përbërë linjën e zhvillimit politik të një force politike. Nuk duhet lexuar pa vëmendje deklarata e zotit Ruçi. 

– Mos vallë kjo deklaratë e Ruçit, është indicia që PS të vjelë mendime të të tjerëve për sistemin zgjedhor?
– Për mendimin tim, politikanët, të cilët bëjnë politikë, që janë drejtuesit e një force politike, edhe kur flet në emrin e tij personal, përçon, krijon kushtet për fillesën e një diskutimi. Në forcën e tij politike. Mbase Ruçi përgatit situatën për të diskutuar edhe për ndryshime në sistemin zgjedhor. 

– Jozefina Topalli iu drejtua Ramës në Parlament: “Harroje Primin në Kodin Zgjedhor”. Dihet që Rama, pa dakortësinë e Bashës, nuk e fut dot Primin. Pra, a nuk është fakt që PD-PS bashkërisht, veçmas të tjerëve përpiqen të bëjnë ndryshime në sistemin zgjedhor?
– Në rast se ndryshimet në Kodin Zgjedhor bëhen pjesë vetëm e marrëdhënieve të dy partive të mëdha, gjithë ky diskutim është në funksion të interesave të partisë dhe jo në funksion të interesave të procesit në përgjithësi. Qoftë PS, qoftë PD, sa herë kanë nisur proceset legjislative për të ndryshuar rregullat e garës elektorale, përherë kanë pasur parasysh interesat e tyre politike. Mesa duket, Topalli konsideron se një sistem zgjedhor me Prim, nuk është në favor të PD, i garanton PS të drejtën që në krijojë qeverinë në mënyrë të përhershme, ndaj përdor atë shprehjen “harroje”. E rëndësishme është që deklaratat që bëhen tregojnë se diçka kërkohet të trajtohet edhe me sistemin zgjedhor, pavarësisht se në rekomandimet e OSBE/ODIHR nuk shtrohet një kërkesë e tillë. 

– Prof. Kume, mendoni se PD dhe PS tani janë të gatshme që të pranojnë një sistem zgjedhor më të hapur? 
– Jo, nuk e mendoj këtë gjë. Zor se mund të bëhet një gjë e tillë, që ato mund të adoptojnë sistem të tillë zgjedhor që rregulla të tilla zgjedhore t’u krijojnë mundësi edhe partive të tjera të futen në parlament. Përkujdesja më e madhe e PD-PS është që të garantojnë mundësi sa më të mëdha për suksesin elektoral të tyre dhe në funksion të kësaj, ato punojnë edhe për të ndërtuar një legjislacion zgjedhor procedural shumë të ngarkuar, kryefjalë e të cilit është mosbesimi dhe kontrolli i dyfishtë. Mundësitë për partitë e vogla që të përfaqësohen në parlament janë shumë të zorshme që të konsiderohen si shqetësim nga PD-PS. 

– Atëherë, Ruçi me dëshirën për mazhoritar të pastër dhe Berisha kundër këtij sistemi zgjedhor që fshin me fshesë 1/3 e votuesve, janë të rastësishme? Çfarë kërkohet të bëhet?
– Deri sot për mendimin tim, ky diskutim në media është jo se e ka stisur media këtë. Patjetër kjo ka ardhur nga zyrat e partive politike. Dhe, sipas meje, kjo bëhet për të testuar ata njëri-tjetrin dhe opinionin. Jo, se vërtet, kjo tregon se ata çfarë duhet të bëjnë. Kjo tregon që PD nuk do të pajtohet për Primin në Kodin Zgjedhor. Në këto 25 vite, nëse u referohemi zgjedhjeve, më e favorizuara është e Majta për Primin. Kjo më shumë bëhet për të parë se kush dhe në çfarë drejtimi të punohet për të bërë ndryshime në legjislacionin zgjedhor për të paraprirë krijimin e kushteve që PD-PS për të fituar ato në tavolinë favore, për të qenë ato nesër fitimtare të zgjedhjeve të 2017. 

– Sipas jush, për Shqipërinë, në këto kushte politike që ndodhemi, çfarë nevoje shtrohet për të bërë ndryshime në sistemin zgjedhor?
– Ne jemi një shoqëri, që akoma kemi nevojë për kontribute, jo vetëm të dy partive të mëdha. Jemi një shoqëri, që i kemi akoma të freskëta ato që kanë ndodhur nga qeverisja dy partiake. Për mendimin tim, Parlamenti ynë ka nevojë për kontribute, jo vetëm të dy partive, por edhe më shumë se ato, ndaj unë do të thosha, që do të ishte shumë më mirë e pranueshme, që rregullat zgjedhore të ishin të tilla që të krijohen mundësi përfaqësimi në Kuvend për më shumë partive politike. Kjo domosdoshmëri mbështetet edhe në dëshirën e elektoratit tonë, që voton 20 e më shumë për qind partitë e tjera të vogla, të cilat nuk konvertohen në përfaqësim në parlament, sepse ato vota i futin në thesin e tyre partitë e mëdha, në bazë të këtij Kodi Zgjedhor që kemi deri sot. Ka një komunitet mbi 25 % zgjedhësish që mbështet një strukturë politike të parlamentit me përbërje më shumë se 3-4 parti. Jemi në situate, që duhen ndërtuar rregulla zgjedhore, të cilat të bëjnë sa më mirë të mundshëm, edhe realizimin e kërkesës kushtetuese, në bazë të së cilës, vendet në parlamentin tonë të pasqyrojnë në mënyrën sa më të mirë të mundshme, vullnetet e shqiptarëve të shprehura në kutitë e votimit. 

– Qeveria sulmon KLSH se është vegël e PD, meqë KLSH ka bërë kallëzime penale për shpërdorim detyre dhe abuzime fondesh nga ministra e ministri. Qeveria duke u sjellë kështu me institucionin kushtetues të KLSH, pa dhënë Prokuroria e Gjykata vendime, a nuk bën presion politik ndaj tyre?
– Shikoni si sillet sot qeveria ndaj institucioneve kushtetuese, dhe imagjinoni pastaj, si mund të sillet qeveria ndaj një administrate zgjedhore, që merr vendime se kush do ta marrë pushtetin, edhe në rastin kur ajo ndërtohet në parimin e administratës civile. Jemi një shoqëri që jemi në proces të formimit të kulturës demokratike. Si e tillë, duhet të pranojmë edhe faturat që rrjedhin prej saj. 
– Faleminderit!
Sigal