Prof. Dr. Kristaq Kume: PS ka në dorë reformën zgjedhore, opozita është larguar nga misioni. Nuk do ndryshohet Sistemi Zgjedhor

933
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dakordësia e dy partive për të mos ndryshuar Sistemin Zgjedhor

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së: PS-ja ka në dorë reformën zgjedhore, opozita është larguar nga misioni

Mazhoranca këmbëngul që ka dakordësi për reformën e re zgjedhore. Bashkryetari i Komisionit Parlamentar të reformës zgjedhore Bledi Çuçi pohoi para disa ditësh se po shkruhen amendamentet e reformës së re zgjedhor. Kjo dëshmon qartazi, që dy partitë PS dhe PD kanë arritur dakordësinë për reformën zgjedhore. Ndërkohë, që PD nuk pranon që ka bërë kompromis me PS për reformën zgjedhore. Anëtari i këtij komisioni parlamentar, deputeti Dashamir Shehi ka deklaruar për gazetën “Telegraf” se në Komisionin Parlamentar të reformës zgjedhore deri tani nuk bërë asgjë, edhe pse mandati i këtij komisioni parlamentar është shtyrë 2 herë.

Ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume: Reformën zgjedhore e ka në dorë vetëm mazhoranca

Ish-kryetari i KQZ-së, Prof. Dr. Kristaq Kume u shpreh dje se reformën zgjedhore e ka në dorë vetëm mazhoranca, pasi opozita është larguar nga misioni i saj politik. (E thënë ndryshe, opozita e ka dhënë dakordësinë e saj).

Prof. Dr. Kristaq Kume: Fakti që ne kemi një parti që është mazhorancë dhe i ka të gjitha në dorën e vet ka bërë, ose efekti më negativ i saj nuk është sjellja e kësaj ndaj dhe si ajo e pushtetit që ka marrë, por sjellja e opozitës që pothuajse është larguar nga misioni. Ky largim i opozitës mbase kërkon një analizë të thellë për ta gjetur ku janë shkaqet. Por mes të tjerave unë shoh si faktor që ka ndikuar, faktin që kemi vetëm një parti, e cila e ka në dorë nga A-ja deri tek Zh-ja gjithçka në dorë për ta bërë siç do ajo.

Prof. Dr. Kume: Aplikimi i sistemit Prim do t’i jepte fuqi vetëm dy partive të mëdha

Siç dihet, sistemi aktual zgjedhor, u jep privilegje zgjedhore vetëm 2 partive të mëdha, PD dhe PS, sepse ato përvetësojnë edhe votat e partive të tjera, që nuk mund të kalojnë dot pragun e 3 %, që të futen në parlament. Kështu, 1 mandat e PS dhe PS në një qark, sipas mekanizmit të Kodit Zgjedhor aktual, mund të fitohet edhe me 6-9.000 vota, ndërkohë, që 1 mandat po në këtë qark nga partitë e tjera duhet të marrë mbi 13.000 vota. Sipas Prof. Dr. Kristaq Kumes, aplikimi i sistemit Prim do t’i jepte fuqi vetëm dy partive të mëdha, ndërsa partia e tretë dhe forcat e tjera të vogla do të penalizohen. Prandaj, edhe PS dhe PD nuk duan të ndryshohet sistemi aktual zgjedhor.

Deri tani në tavolinë nuk është hedhur dhe nuk është pranuar diskutimi i sistemit zgjedhor. Ndofta, nëse do kërkohet që ndryshimi që mund të bëhet në sistem të jetë më penalizues, sesa është ky sot për partitë e vogla, nëse futim Prim-in psh., partitë e vogla penalizohen totalisht. Biles penalizohet edhe partia e tretë, jo më partitë e tjera të vogla. Unë nuk jam për atë që t’i japim fuqi të madhe vetëm një subjekti politik, të paktën këtë po tregonte edhe sot ajo që ka ndodhur praktikisht.

Prof. Dr. Kume: Ja pritshmëritë nga reforma e re zgjedhore

Ajo që unë pres është rregullimi i mundshëm i atyre pjesëve të kodit zgjedhor që janë konsideruar si më problematike në përpjekje për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR. Pres të ketë rregullime të dukshme sa i përket financimit të partive politike. Po ashtu në kuadër të kësaj reforme dakordësia është dhënë dhe besoj do të realizohet prova që do të bëhet për përdorimin e teknologjisë së informacionit. Gjë që nëse seriozisht konsiderohet nga partitë politike si një mundësi e mirë për të zëvendësuar atë që ato nuk e bëjnë dot vetë me komisionerët e tyre, do të jetë një hap i mirë drejt mirëadministrimit të votës dhe besueshmërisë së procesit. Pres të bëhen edhe hapa të para drejt trajtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me të tjerë që përfshihen në proces, siç është media, duke parë mirë me sy atë situatë që aktualisht ne kemi.