Prof. Dr. Kristaq Kume: Në Shqipëri KQZ-ja u shërben qëllimeve politike, jo ligjit zgjedhor

848
Sigal

Drejtor i Institutit Shqiptar për zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve

Tek ne pothuajse është e munguar kultura e pranimit të këtij rezultati dhe komunikimi normal me fituesin e shpallur. Ndërkohë që në Kosovë liderët e partive politike kanë një sjellje të ndryshme nga kjo. Shprehen për pranimin e rezultatit dhe urojnë fituesin, pa pritur që të deklarohet rezultati përfundimtar, zyrtarisht nga KQZ-ja

 

Në Shqipëri KQZ-ja u shërben qëllimeve politike, jo ligjit zgjedhor

 

Jakup B. GJOÇA

 

Prof. Dr. Kristaq Kume, Drejtor i Institutit Shqiptar për zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve në intervistën për gazetën “Telegraf” bën krahasimin e procesit zgjedhor në Kosovë dhe në Shqipëri dhe evidenton pse në Kosovë zgjedhjet bëhen të lira, ndërkohë që në Shqipëri zgjedhjet vihen në pikëpyetje për shkak të manipulimeve politike, ndërkohë që Kodi Zgjedhor ne KQZ-të pak ndryshim kanë. Prof. Dr. Kristaq Kume pohon se në Shqipëri, KQZ-ja u shërben qëllimeve politike, jo ligjit zgjedhor.

 

Prof. Kume rezultati i zgjedhjeve në Kosovës u dha brenda disa orëve, ndërsa në Shqipëri rezultati zgjedhor në 30 Qershor u dha pas 27 ditëve. Ju ku e shikoni ndryshimin?

– Në ndryshim nga ne, në Kosove votat vlerësohen dhe numërohen nga qendrat e votimit. Rezultatet e çdo qendër votimi Komisioni i Qendrës së Votimit i dërgon, on line, menjëherë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili bën vetëm shumimin e tyre në rang vendi. Ndërkohë, siç dihet tek ne komisionet e qendrave të votimit kanë për detyrë të bëjnë vetëm administrimin e materialeve zgjedhore, numërimin e votuesve që kanë votuar, numërimin e fletëve të votimit të përdorura, fletët e votimit të dëmtuara etj dhe nuk kanë asnjë punë me kutinë /kutitë e votimit, ku ndodhen fletët e votimit, me të cilat kanë votuar zgjedhësit. Vlerësimi, numërimi dhe tabelimi i rezultateve tek ne bëhen në mënyrë të përqendruar, në vende numërimi nën përgjegjësinë e Komisionit zonal të administrimit të zgjedhjeve. Kjo mënyrë e ndryshme e administrimit të votave është edhe arsyeja kryesore pse në Kosovë rezultati politik i zgjedhjeve del shumë më shpejtë se në vendin tonë. Ndërkohë duhet thënë se ky ndryshim i madh është vetëm për rezultatin politik, sepse për rezultatin e shpërndarjes së mandateve midis kandidatëve të listave të partive politike, kërkohet më tepër kohë dhe procesi vazhdon më gjatë (në Kosovë votohet me lista të hapura, ku çdo zgjedhës ka të drejtë të zgjedh deri në 5 kandidat nga lista shumë emërore e partisë për të cilin ai voton). Numërimin e votave në qendrën e votimit e kemi përdorur edhe ne. Numërimi i përqendruar është zbatuar për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2003. Vendimi për të bërë këtë ndryshim në mënyrën e administrimit të votave, në atë kohe u mor duke e justifikuar me faktin se numërimi në qendrat e votimit kishte nivel të ulët transparence. Komisionet, në qendra e votimit, në veçanti në zonat rurale dhe akoma më shumë në zonat e thella rurale, thuhej se e manipulonin pa vështirësi rezultatin. Numërimi i përqendruar, mënyre administrimi që nuk përdoret vetëm në vendin tonë, e rrit ndjeshëm transparencën. Me gjithë këtë edhe kjo mënyrë akoma nuk ka arritur të pranohet si mënyrë e paqortueshme. Ndaj edhe kërkohet që të kalohen në një mënyrë tjetër siç është numërimi i votave nëpërmjet skanimit të tyre.

– Asnjë Parti në Kosovë nuk akuzoi për manipulim vote, as për blerjen e votave, as për përdorim elektoral të Shtetit, të nëpunësve nga qeveria. Ju si e shpjegoni që në Kosovë me përvojë disavjeçare si Shtet ka këtë kulturë demokratik zgjedhore ndërsa në Shqipëri ndodh krejt e kundërta?

– Ndryshim i dukshëm në sjelljen e partive politike në Kosovë dhe në vendin tonë është qëndrimi që ato mbajnë ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Tek ne pothuajse është e munguar kultura e pranimit të këtij rezultati dhe komunikimi normal me fituesin e shpallur. Ndërkohë që në Kosovë liderët e partive politike kanë një sjellje të ndryshme nga kjo. Shprehen për pranimin e rezultatit dhe urojnë fituesin, pa pritur që të deklarohet rezultati përfundimtar, zyrtarisht nga KQZ-ja. Kjo sjellje, për mendimin tim është rrjedhoje e besueshmërisë që partitë politike kane tek administrata zgjedhore. Ndërkohë dua të theksoj se kjo nuk do të thotë se në Kosovë nuk ka shfaqje të fenomeneve që ju citoni. Edhe atje bëhen shkelje të ligjit zgjedhor, ose të parimeve, sipas të cilave duhet të zhvillohen zgjedhjet demokratike. Evidentim i fenomeneve të tilla në zgjedhjet në Kosovë janë deklaruar, në mënyrë të përsëritur, jo vetëm nga partitë politike dhe vëzhguesit e pavarur në Kosovë, por ato janë të shprehura edhe në të gjithë raportet e misioneve të vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR, që i kanë vëzhguar këto zgjedhje. Në reagimin ndaj shkeljeve të ligjit zgjedhor në vendin tonë dhe në Kosovë do të veçoja ndryshimin midis mënyrës se si reagojnë ndaj tyre, institucionet ligjzbatuese. Kështu, p.sh. ditën e zgjedhjeve, Prokuroria speciale në Kosovë, që ligji e ngarkon me detyrën për të ndjekur dhe ndaluar shkeljet ligjore në zgjedhje, ishte në funksion të plotë, në krye të detyrës. Gjatë kësaj dite opinion publik u njoftua, në mënyrë të rregullt dhe në kohë reale, për çdo rast të shkeljes së ligjit dhe për masën që kjo prokurori merrte ndaj shkelësve. Një veprim i tillë jo vetëm që është zbatim i ligjit por, bashkë me të prodhon edhe një presion të shtuar mbi të gjithë ata që mund të tentojnë të shkelin ligjin. Tek ne kjo mënyrë veprimi jo vetëm që nuk është bërë ndonjëherë por, institucionet ligjzbatuese, si është prokuroria edhe shumë kohë pas përfundimit të zgjedhjeve nuk ka vepruar ndaj personave që kanë konsumuar vepra që mund të klasifikohen si vepra penale në shkelje të ligjit tonë zgjedhor.

– Ka kompetenca, profesionalizëm, më shumë KQZ- ja në Kosovë nga KQZ-ja në Shqipëri?

– Formulat, sipas të cilave ndërtohet KQZ në Kosovë dhe në Shqipëri janë të ngjashme. Ndryshim të ndjeshëm ka vetëm në zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së. Në Kosovë kryetari vjen nga trupa gjyqësore. Anëtarët zgjidhen sipas parimit të përfaqësimit dhe balancimit politik. Ndërkohë, nuk është e udhës, as me vend dhe as e mundshme që të jepen konsiderata për diferencat në nivelin e përgatitjes profesionale të anëtarësisë së këtyre dy institucioneve. Dallimet midis tyre, në kryerjen e detyrës dhe realizimin e përgjegjësive si administrator të mëdhenj të zgjedhjeve, më shumë se me çdo gjë tjetër duhet të kërkohet tek niveli dhe intensiteti i ndryshëm i presionit politik që ushtrohet mbi ta, nga partitë politike. Perceptimi i im është se komisionerët tanë vendosen përherë në kushte e një presioni shumë më të madh politik se sa ata në Kosovë. Një perceptim të tillë e mbështet edhe në fatin se, nëse i referohemi historisë së reformave dhe ndryshimeve ligjore të bëra për këtë Komision në Shqipëri dhe në Kosovë, dallimet janë të dukshme. Në Shqipëri këto ndryshime jo vetëm që kanë qenë shumë të shpeshta por, në të gjitha rastet arsyet e ndryshimit kanë qenë vetëm politike.

– Mendoni se rekomandimet teknike të OSBE/ODIHR për Reformën e re Zgjedhore do të ndihmojnë të bëjmë zgjedhje demokratike sikurse në Kosovë?

– Ndryshimet në Kodin zgjedhor për të reflektuar ne te rekomandimet e dhëna nga misionet e vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR janë të nevojshme sepse, nëpërmjet tyre bëhen korrigjime në ligj, synohet përmirësimi i kushteve me objektiv zhvillimin e zgjedhje në standarde demokratike. Por, është shumë e rëndësishme të theksohet dhe të pranohet nga të gjithë se, ndryshimet në ligji, hartimi i një ligji zgjedhor sa më të plotësuar dhe efektiv, është vetëm kusht i nevojshme për realizimin e zgjedhjeve në përputhje dhe zbatim të standardeve të gjithëpranuara demokratike. Dhe tek ne kjo ka munguar më shumë se çdo gjë tjetër. Kodi zgjedhor që kemi aktualisht është një produkt legjislativ, që, si edhe e kanë vlerësuar ndërkombëtarët, OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias, është një ligj që bënë të munduar realizimin e zgjedhjeve demokratike. Rekomandimet për ndryshime që kërkohen të bëhen në Kodin zgjedhor, në një pjesë të madhe të tyre janë të kushtëzuar nga mënyrat dhe problemet që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve, në bazën dhe si shkak kryesor të tyre kanë pasur vullnetin e munguar për të zbatuar ligjin dhe jo zgjidhen ligjore është e shkruar në ligj. Sado dhe çfarë do ndryshime që mund të bëhen në legjislacionin zgjedhor, me asnjë rast ato nuk do të mjaftojnë për të bërë zgjedhje që do të plotësojnë standardet për të qenë zgjedhje tërësisht demokratike. Puna dhe angazhimi për realizimin e objektivit për zgjedhje demokratike duhet të konsiderohet dhe të zhvillohet si një proces jo vetëm ligjformues, por, akoma më shumë si një proces kulture formues.

-Faleminderit!

 

1

Kjo mënyrë e ndryshme e administrimit të votave është edhe arsyeja kryesore pse në Kosovë rezultati politik i zgjedhjeve del shumë më shpejtë se në vendin tonë

2

Tek ne institucionet ligjzbatuese, si është prokuroria edhe shumë kohë pas përfundimit të zgjedhjeve nuk ka vepruar ndaj personave që kanë konsumuar vepra që mund të klasifikohen si vepra penale në shkelje të ligjit tonë zgjedhor