Prof. Dr. Kastriot Islami: Transformimi i PS nga Edi Rama në një Sekt të kontrolluar nga lidhjet me oligarkinë, krimin dhe trafiqet. Vendin e intelektualëve dhe akademikëve në Parlament e në qeveri e zunë individë me rekorde kriminale

549
Sigal

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish Kryetar i Kuvendit

PPSH për gati 15 vjet u transformua dhe reformua në PSSH, një parti socialdemokrate e tipit perëndimor, anëtare e PES dhe IS. Kurse pas vitit 2005, me ardhjen në krye të saj, Edi Rama e transformoi PSSH në një Sekt të kontrolluar nga lidhjet me oligarkinë, korrupsionin, krimin dhe trafiqet. Me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2013-n, drejtimin e kupolës së këtij Sekti, me në krye Edi Ramën, do ta përbënin kryesish trashëgimtarë dhe ish-pinjollë të nomeklaturës së lartë komuniste. Anonimë, manenikë e kukulla, me formim mediokër e të dyshimtë dhe pa kontribute e eksperiencë me prirje perverse. Individë të korruptuar dhe lehtësisht të korruptueshëm. Banditë e kriminelë dhe personazhe politike pranë Ramës, në nivel qendror e vendor, që shumë shpejt do të lidheshin me klanet mafioze dhe trafikantët e drogave, për të blerë vota e kërcënuar votuesit. Për të përfunduar së fundmi në një bandë në shërbim të një individi dhe në përbërje të së cilës do ishte një amalagamë anonimësh, injorantësh e të paditurish, gardistësh agresivë e të babëzitur për pasuri të paligjshme, kriminelësh e klanesh mafioze, që po e çojnë vendin me shpejtësi drejt humnerës e rrënimit ekonomik e social dhe po detyrojnë shqiptarë të emigrojnë, duke boshatisur me shpejtësi vendin. Vendi është më i rrezikuar se kurrë më parë, për më tepër që kjo bandë hajdute e kriminale, maskarenjsh, po përpiqet të qëndrojë në pushtet me çdo mjet e mënyrë, duke u përpjekur madje edhe të strehohet në strofkën e nacionalizimit të sëmurë e tradhtuar interesat publike e kombëtare, po rrezikon integritetin e stabilitetin kombëtar e rajonal!

Partia Socialiste në 1991 me personalitete dhe intelektualë

PS në vitin 1991, kishte në drejtimin e saj një numër të madh të rinjsh të ardhur nga lëvizja studentore dhe profesorësh, akademikësh e intelektualësh me formim perëndimor e reputacion në të gjithë vendin. PS e transformuan në periudhën 1991-2005 nga puniste në socialdemokrate pikërisht këta të rinj energjikë dhe profesorë të nderuar, akademikë e shkencëtarë me reputacion si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Madje në një betejë të brendshme mjaft të ashpër me konservatorët, trashëgimtarët dhe pinjollët e ish-nomenklaturës së lartë komuniste, që synonin ruajtjen e ndikimit të tyre dhe të drejtimit të një prej partive më të mëdha të vendit. Synim që ja arritën ta realizonin vetëm me ardhjen e Edi Ramës në krye të PSSH në vitin 2005.

Sekti i Rilindjes uzurpoi PS

Në vitin 2000, Rama me vendosjen në krye të PS, fillimisht largoi ose margjinalizoi të gjithë individët e aftë, të rinjtë energjikë dhe profesorët e individët me vlera e kontribute pedagogjike, shkencore e akademike, pra të gjithë ata që kishin reformuar PSSH, duke keqpërdorur ose kompromentuar për qëllimet e tij të mbrapshta njëkohësisht edhe ndonjë prej tyre. Më e rënda do të ndodhte pas vitit 2013, me vendosjen e Ramës në kolltukun e kryeministrit. Ai menjëherë në krye të qeverisë do të fillonte të zbulonte synimet e vërteta me ndërtimin e Sektit të Rilindjes, duke zëvendësuar të gjithë këto individë me vlera e kontribute, me tituj e me grada shkencorë, me personazhe me profile kriminale, me individë pa nivel dhe me formim të dyshimtë universitar që zotëronin pasuri të paligjshme dhe me persona të parashutuar që nuk kishin asnjë meritë e kontribut në PS por dalloheshin vetëm për servilizëm e klintelizëm ndaj Ramës. Lidhje që Rama i kishte formësuar gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës. Me të tillë personazhe, përfshi edhe një rezervuar individësh perversë nga Mjaft e G99, do të ndërtohej qeveria e Sektit të Rilindjes që do të drejtonte vendin për 5 vjet, dhe që shumë nga ministrat e drejtuesit e institucioneve kryesore kushtetuese e të rëndësishme të vendit do të rezultonin të paaftë, të korruptuar dhe të dështakë. Vendin e profesorëve e të akademikëve në Kuvend, në drejtimin e PS dhe në qeveri e postet kryesore në ekzekutiv do ta zinin individë me rekorde kriminale apo individë të lidhur me klanet mafioze brenda e jashtë vendit dhe trafikantët e drogave, por edhe shumë të tjerë si dhe individë me pasuri të dyshimta, oligarkë, manjatë të medias dhe manenikë injorantë e servilë, me formim të cunguar universitar e intelektual. Sekti i Rilindjes do të perceptohej nga publiku si një amalgamë individësh të korruptuar, të inkriminuar dhe mediokër.

Lidhjet me bandat më të rrezikshme dhe familje mafioze

Ndërkohë, Rama për të forcuar pushtetin personal, vendosi dhe aktivizoi lidhjet direkte me të gjithë bandat më të rrezikshme në vend, si dhe klanet e familjet mafioze, aktive në Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë, Lezhë, e gjetiu, të cilët do t’i ushqente me tenderë, koncesione dhe prona e pasuri kombëtare, në shpërblim të blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve. Rama po ashtu do të forconte lidhjet me të gjithë klanet e familjet mafioze të trafikantëve të drogave, duke synuar dhe arritur që së bashku të vendosnin nën kontroll Ministrinë e Brendshme, duke u shndërruar në grupime të rrezikshme, në nivel rajonal e evropian, për shkak të lidhjeve të fuqishme politiko-mafioze me Ramën dhe ndikimit e lodhjeve të fuqishme me ministrat e brendshëm, por edhe shumë nga drejtorët e rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme. Ndërkohë Rama zëvendësoi të gjithë ata që kishin demokratizuar e reformuar PS me injorantë, mediokër, intrigantë, kukulla dhe manekinë që do t’i serviloseshin Ramës dhe njëkohësisht ai do t’i përdorte si mish për top sa herë që do të ishte e nevojshme për të sulmuar kundërshtarët brenda dhe jashtë partisë, më tipikët do të ishin Taulant Balla, Saimir Tahiri, e të “fortë” të tjerë të ardhur nga doganat, burgjet, drejtësia, e tjerë. Rama ngriti dhe forcoi pozitat e disa oligarkëve vendorë si Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Armando Subashi, e tjerë duke i dhënë mundësi të ngrinin kështjellat e oligarkisë dhe inkriminimit vendor rreth të cilëve do të grumbulloheshin përfitues të pronave e pasurive vendore si dhe banditë e kriminelë vendorë, me synimin e qartë të blerjes së votave dhe kërcënimin e votuesve, pra për forcimin dhe sigurimin e pushtetit personal dhe të kupolës së tij oligarkike e kriminale. Rama ndërkohë nxiti lidhjet dhe bashkëpunimin mes këtyre grupimeve, mes oligarkëve dhe kriminelëve, mes të fortëve dhe kriminelëve, mes manekinëve, injorantëve, dhe oligarkëve e kriminelëve për t’i ndërsyer të gjithë bashkë kundër opozitarëve të Ramës, brenda dhe jashtë PS, por edhe për të blerë vota e kërcënuar votuesit me një synim të vetëm, forcimin e pushtetit personal të Ramës. Të gjithë “ushtarët” e Ramës, oligarkë, kriminelë, të paaftë, manenikë, të fortë, servilë të të gjithë ngjyrave e kallëpeve do të shpërbleheshin sipas kontributit për Sektin e Rilindjes dhe arrogancën e agresivitetin ndaj kundërshtarëve. Media e lidhur dhe e sponsorizuar dhe e mirëpaguar me paratë e pista të korrupsiont, krimit dhe trafiqeve do të ngrinte ushtrinë e “gardistëve” aktivë në median e shkruar dhe elektronike si dhe në rrjetet sociale për të mbrojtur të gjithë bëmat e zullumet e Ramës dhe sulmuar të gjithë kundërshtarët e ndershëm dhe opozitën. Manjatët e medias, të bashkuar me oligarkët e politikës dhe oligarkët e biznesit do të viheshin në shërbim të Ramës në shkëmbim të përfitimeve të majme, duke u shndërruar ndërkohë në një bandë personazhesh të neveritshme dhe të urryera për publikun e gjerë. Përfundimisht mund të thuhet pa hezitim, se Sekti i Rilindjes dhe qeveria Rama janë të lidhura ngushtë e të bëra njësh me kriminelët dhe oligarkët, të cilët së bashku kanë krijuar një Sekt të fuqishëm që kontrollon qeverisjen e vendit në nivel vendor e qendror. Aktualisht është e vështirë të ndahet nëse bandat kanë vënë nën kontroll Ramën apo Rama drejton bandat. Kohët e fundit, për shkak të rritjes së zemërimit qytetar, studentët por edhe grupe te tjera interesi janë ngritur në protesta të fuqishme dhe duket se shumë shpejt do të shpërthejnë revoltat në të gjithë vendin. Rama, i frikësuar dhe në panik, largoi 10 ministra rilindës nga qeveria që mbyllën gojën nga frika dhe implikimet në zullume të përbashkëta me Ramën dhe shumë të tjerë, shërbëtorë të kompromentuar e bashkë-aksionerë të Ramës, të majmur nga paratë e pista, duke i zëvendësuar me anonimë e mediokër, me formim të dyshimtë arsimor dhe pa asnjë kontribut apo vlerë, me synimin e shpëtimit të pushtetit të tij personal. Madje Rama i frikësuar në ekstrem, njëlloj siç veproi me Tahirin, duket se është gati që disa prej tyre t’i largojë nga PS dhe t’i çojë para drejtësisë për ndëshkim, në mënyrë që të shmangë veprimin e SPAK ndaj bëmave dhe zullumeve të tij e të familjes së tij. Ky do të ishte një hap tjetër drejt rrënimit të këtij sekti të rrezikshëm për vendin e shqiptarët, ndërkohë që Rama mendon se do të mund të shpëtojë, duke u afruar më shumë dhe bërë njësh me mediokritetin, paaftësinë, injorancën, krimin e trafiqet, oligarkinë e nepotizmin. I gjithë ky transformim negativ ka ndodhur vetëm në 20 vjet nën ideimin dhe orkestrimin e Ramës dhe është realizuar me ndihmën e sektit të tij të rrezikshëm, duke nisur me zëvendësimin e të rinjve energjikë dhe të profesorëve, akademikëve, intelektualëve me reputacion me njerëz të klientelës së tij, mediokër, kriminelë, banditë, oligarkë, trafikantë, manenikë, të pashkolluar, pa kontribute, pa eksperiencë, anonimë, dhe sot vendi ndodhet në udhëkryq e të gjithë qytetarët e pashpresë vetëm ankohen dhe s’gjejnë forca për t’u organizuar e ndryshuar gjendjen, por vetëm mendojnë të largohen nga vendi e të emigrojnë. Dhe për ta hedhur jo vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën në humnerë, banda e këtij Sekti të rrezikshëm po kërkon të strehohet në strofkën e nacionalizmit të sëmurë e aguridh, duke kërcënuar integritetin dhe stabilitetin e trojeve shqiptare, por edhe të gjithë rajonit e ndoshta edhe më gjerë, duke tradhtuar edhe interesat e integrimit evropian… Kjo bandë maskarenjsh duhet të shporret si bandë tradhtarësh…!