Prof. Dr. Kastriot Islami: Statusi i pasigurt, Rama dërgon mesazhe konfuze

634
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Prof. Dr. Kastriot Islami, deputet i Partisë Demokratike

Vetëm gati 10 ditë që na ndajnë nga marrja e një përgjigjeje përfundimtare nga BE, lidhur me marrje e statusit të vendit kandidatë. Pavarësisht “Po”-së paraprake të dhënë pas publikimit të Progres Raportit, situata shihet ende e pasigurt dhe delikate. Krerët e shtetit vazhdojnë të lobojnë fuqishëm gjatë vizitave në vendet ë ndryshme në BE, apo dhe nëpërmjet takimeve dhe deklaratave në vendin tonë. Së fundmi, lidhur me këtë çështje, pikëpyetje të mëdha kanë ngritur dhe publikimet e bëra nga mediat ceke apo ato ndërkombëtare, si “Reuters” se, “Çekia është gati të bllokojë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë për shkak të mosmarrëveshjeve që Qeveria Shqiptare ka me kompaninë çeke, CEZ”. Lidhur me këtë, përmbajtjen e Progres Raportit, luftën kundër korrupsionit, përfitimet që do të ketë Shqipëria në rast anëtarësimi dhe reformave të ndërmarra nga qeveria, flet për gazetën “Telegraf”, Prof. Dr. Kastriot Islami, deputet i Partisë Demokratike. Për lobimin e z.Rama për anëtarësim dhe sukseset e kësaj qeverie, z. Islami shprehet se: “Lidhur me angazhimin e politikës për marrjen e statusit, e vetmja “meritë” e Ramës do të ishte dështimi, ndërkohë që për suksesin nuk do shikoj asnjë angazhim apo investim serioz. Mesazhet e Ramës drejt vendeve anëtarë vazhdojnë të jenë konfuze”. Për sa i përket reformave të ndërmarra, ai i quan një dështim total dhe zhbërje të institucioneve shtetërore. “Kjo maxhorancë e ka të pamundur ta luftojë korrupsionin, sepse është ndërtuar fatkeqësisht mbi parimin e “bashkimit të të gjithë plehrave” të deklaruar nga ideatorët e bashkimit. Rama është përfaqësues i interesave të oligarkisë, të ndërtuara me kujdes gjatë të 11 vjetëve në krye të Bashkisë së Tiranës, të konsoliduar gjatë 8 viteve në krye të PS-së dhe të finalizuar në vitin e parë të qeverisjes. Për më tepër, ky grupim oligarkik pret t’i rikthehet investimi që ka kryer në zgjedhjet e 23 Qershorit”,-shprehet ndër të tjera, deputeti i PD-së.

Progres Raporti i KE-së u komentua si tepër pozitiv, gati sureal, duke ju referuar gjendjes reale në vend. Cili është mendimi juaj për këtë?

-Për të tretën herë raporti i progresit është mjaftueshmërisht i mirë në aspektin formal, për të mos u bërë pengesë për të rekomanduar marrjen e statusit të vendit kandidat. Herën e parë, Rama në opozitë e minoi marrjen e statusit, duke mos miratuar tri ligjet e testimit të bashkëpunimit opozitë-maxhorancë. Herën e dytë, pasi raporti i progresit u miratua me konsensus nga Parlamenti Europian, pesë shtete, Gjermania, Franca, Britania, Hollanda dhe Danimarka refuzuan t’i akordonin Shqipërisë statusin e vendit kandidat, sepse nuk kishin krijuar ende besimin e mjaftueshëm që qeveria tremujore Rama po punonte për fitimin e statusit, ndërkohë që kishin në memorie veprimet antieuropiane të Ramës në opozitë. Tani është hera e tretë. Të gjithë po presin dhe në vend të një “PO” të sigurt luhatemi përsëri. Arsyet lidhen vetëm me besueshmërinë e kësaj qeverie dhe nuk kanë të bëjnë aspak me argumentet qesharakë të Ramës se, “fajin e kanë ekstremistët europianë apo se, parlamentarët europianët nuk dinë ndryshimin midis statusit dhe anëtarësimit”. Të gjithë duhet të kenë të qartë se, përkrah raportit të progresit të hartuar nga Fyle, çdo vend anëtar i BE, merr vendimin e tij, bazuar jo vetëm në raportin e progresit. Ky vendim mesa duket ende nuk është marrë. Në takimin e fundit, presidenti francez Holandë kërkoi vazhdimin e “…përpjekjeve për të përmirësuar qeverisjen dhe shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, e krimit të organizuar në vend…”. Media franceze ka dhënë informacione kontradiktore. Përfundimi është i qartë: “Një raport progresi, sado pozitiv qoftë, mesa duket rezulton i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për të merituar statusin e vendit kandidat. Lidhur me angazhimin e politikës për marrjen e statusit, e vetmja “meritë” e Ramës do të ishte dështimi, ndërkohë që për suksesin nuk do shikoj asnjë angazhim apo investim serioz. Mesazhet e Ramës drejt vendeve anëtarë vazhdojnë të jenë konfuze…

Nëse Shqipëria merr statusin e vendit kandidat, cilat janë përfitimet konkrete që ajo do të ketë?

-Afrimi deri në anëtarësimin e plotë në BE, mbetet një objektiv dhe sfidë me përfitimet e detyrimet e një anëtari; 1- në bashkësinë e vlerave demokratike perëndimore 2- në një nga njësitë më të mëdha e konkurruese globale, ekonomike, financiare e monetare; 3) në një nga familjet me mbrojtjen sociale më të garantuar në planet, e tjerë. Konkretisht, sa më shumë i afrohesh anëtarësimit, aq më të mëdha janë edhe përfitimet konkrete në projekte e financime, por edhe detyrimet për të merituar anëtarësimin.

Sipas mendimit tuaj, sa kohë i duhet Shqipërisë për tu bërë anëtare me të drejta të plota në BE?

-Kjo është një pyetje që do të vlente “një milion euro”. Në këtë, momente askush nuk do të mund të jepte një përgjigje të saktë. Gjithçka varet nga angazhimi i Shqipërisë në realizimin e të gjithë detyrimeve që lidhen me realizimin e atyre që quhen “Acquis communautaire”. Rama ka dhënë një afat pesimist prej mbi 10 vjetësh. Duke treguar njëkohësisht se, për shkak të mashtrimeve elektorale, po ndërgjegjësohet për “pritshmëritë” e ekzagjeruara të elektoratit. Dhe nga ana tjetër, për shkak të paaftësisë po kupton siç e ka thënë vetë se, “qeverisja e vendit nuk na qenka çështje bojërash”, pra, nuk qenka e njëjta gjë siç ka ndodhur me lyerjen e pallateve me bojë, që përbën një nga mburrjet më të mëdha të Ramës në qeverisjen e Tiranës.

Media çeke ka publikuar lajmin se, Çekia është gatitë bllokoj statusin e Shqipërisë për shkak të mosmarrëveshjes së qeverisë me CEZ.  A mund të ndodh diçka e tillë?

-Kjo më rezulton jo e saktë. Çekia është një vend europian dhe besoj se, do të mbante ndaj marrjes së statusit nga ana e Shqipërisë një qëndrim dinjitoz europian. Nuk besoj se, “heshtjet bilaterale” do të ishin përcaktuese lidhur me të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ka mekanizma të tjerë për zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Një korrelacion i këtyre dy çështjeve nuk do të ishte i standardeve europiane.

Cili është qëndrimi dhe masat që duhet të ndërmarrë Qeveria jonë në këtë rast?

-Qeveria duhet t’i trajtojë të ndara këto dy çështje. Çekia është një vend që ka mbështetur perspektivën europiane të Shqipërisë dhe kjo nuk besoj se është vënë në dyshim. Çështja e CEZ duhet negociuar dhe zgjidhur me mekanizmat adekuatë. Qeveria Rama nuk duhet të bëjë “pazar” as me statusin dhe as me çështjen CEZ dhe aq më pak t’i korrelojë këto dy çështje, sepse në këtë rast do të bëhej fjalë për korrupsion të nivelit të lartë nga pala shqiptare.

Në Progres Raport thuhet se, Qeveria dhe Opozita kanë treguar përkushtim konstruktiv ndaj reformave që kanë të bëjnë me BE-në. Realisht,  a ka ndërmarrë Qeveria jonë reforma konkrete?

-Gjatë 9 muajve të qeverisjes së tij, Rama vetëm ka zhbërë reformat e bëra dhe institucionet e ngritura me paratë e taksapaguesve shqiptarë e europianë. Reforma administrative është zhbërë, INSTAT është zhbërë, AMA është zhbërë, ILKDP është zhbërë, FA-të po zhbëhen, policia është zhbërë, Forcat antikrim janë zhbërë. E tjerë e tjerë…Të kuptohemi drejt, askush nuk do të mund të ishte kundër nëse ato do të përmirësoheshin e reformoheshin në bazë të standardeve europiane, por ato janë zhbërë plotësisht për interesa klienteliste. Dhe akoma më shqetësues është fakti që ato janë mbushur me pjesëtarë të klientelës, të interesave të oligarkisë, të lidhjeve nepotike, dhe me precendetë penalë, apo të lidhur me botën e trafiqeve e të krimit të organizuar. Shumë nga dokumentet ligjore të ardhur në kuvend janë kritikuar nga OSBE, OPDAT dhe EURALIUS. Synimi i Ramës është zaptimi i shpejtë i institucioneve të shtetit, përdorimi i tyre për interesat e klientelës dhe ato oligarkike dhe për gjueti shtrigash kundër opozitës e kundërshtarëve politikë.

Një pikë tjetër është-Politika antikorrupsion. Sipas KE-së, autoritetet shqiptare kanë forcuar kuadrin ligjor dhe institucional kundër korrupsionit. Sipas mendimit tuaj, realisht, a po luftohet korrupsioni në vend? Emërimet e fundit me sa duket dëshmojnë të kundërtën.

-Kjo maxhorancë e ka të pamundur ta luftojë korrupsionin, sepse është ndërtuar fatkeqësisht mbi parimin e “bashkimit të të gjithë plehrave” të deklaruar nga ideatorët e bashkimit, madje, duke konsideruar si “plehra” LSI për shkak të bashkëqeverisjes me PD në periudhën 2009-2013. Po kështu, Rama është përfaqësues i interesave të oligarkisë, të ndërtuara me kujdes gjatë të 11 vjetëve në krye të Bashkisë së Tiranës, të konsoliduar gjatë 8 viteve në krye të PS-së dhe të finalizuar në vitin e parë të qeverisjes. Për më tepër, ky grupim oligarkik pret t’i rikthehet investimi që ka kryer në zgjedhjet e 23 Qershorit. Rama e ka të pamundur, po ashtu të realizojë një luftë kundër korrupsionit përderisa nuk ka një qëndrim të qartë lidhur me “videon e korrupsionit” që çoi në “demonstratën e 21 janarit”; Rama duhet; i) ose të pranojë që gjithçka  ndodhur në 21 janar është e konceptuar dhe përgatitur prej tij dhe Meta është i pastër, gjë që e ka të certifikuar edhe nga nja vendim gjykate; ii) ose duhet të qëndrojë vërtetësisë së “videos së korrupsionit” dhe në këtë rast vetëm një luftë në gjirin e maxhorancës do ta bënte të besueshme luftën kundër korrupsionit. E gjithë përpjekja e Ramës është thjesht një gjueti shtrigash kundër opozitës dhe çdo opozitari apo kundërshtari. Rasti i trafikut të drogës me avion është shembulli i qartë, jo vetëm i mungesës së vullnetit politik për të luftuar korrupsionin, trafiqet e krimin e organizuar, por edhe i implikimit të kupolës së lartë të ekzekutivit.