Prof. Dr. Kastriot Islami: Raporti i KE për Shqipërinë qëndron mbi “themelin e 200 milionë eurove të Ramës”

476
Prof. Dr. Kastriot Islami, deputeti i PD, në intervistën për gazetën “Telegraf: duke skanuar raportin e KE për Shqipërinë, thotë se ky raport quhet Regres për procesin e zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe se KE e ka vlerësuar Shqipërinë me notën mbetëse, duke mos hapur dritën jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësim. Prof. Dr. Islami, duke analizuar edhe shkaqet, përse Shqipëria ka bërë regres në procesin e integrimit, thotë se ky parlament i kriminalizuar nuk mund të bëjë dot reformë në drejtësi, pa bërë dekriminalizimin, pa u shpërndarë, ndryshe deputetët e kriminuar, do të kenë në dorë edhe vetë drejtësinë. 
– Prof. Islami, cilat janë hapat e progresit në Raportin e KE për Shqipërinë?
– Do të ishte më realiste që ky të cilësohej Raport i Regresit. Kjo është fotoja më e zymtë e situatës politike, ekonomike e sociale të Shqipërisë në 25 vjet. Fotoja më e zymtë në rajon. Gjuha elegante e Brukselit e përshkruan kështu raportin për Shqipërinë në vitin 2015: Vendi ka bërë hapa përpara, por ende nuk ka përmbushur kërkesat për të hapur negociatat…Pra, një nxënës, që është përpjekur që ka ngelur në klasë…Ose, ndryshe: një keqqeverisje që ka bërë hapa përpara, por që ende ka mbetur keqqeverisje. 
– Prof Islami, në cilat probleme KE ka vënë pikat mbi “i” në këtë raport për Shqipërinë?
– S’mund të ishte ndryshe, kur: 
i) Maxhoranca kuvendore cilësohet nga Parlamenti Europian e kriminalizuar; 
ii) kur Shqipëria është vendi i parë në Europë për sa i përket azil-kërkuesve në Gjermani e gjetiu, 
iii) kur Shqipëria rrëshqet me 35 vende më poshtë në klasifikimin e Doing Business (Te besh biznes); 
iv) kur nga Shqipëria ka filluar të kryhet trafiku i drogës me avion;
v) kur tensioni politik është me i lartë se kurrë;
vi) kur marrëdhëniet brenda maxhorancës janë të tensionuara dhe qëndrueshmëria e tyre është e paparashikueshme; 
vii) kur aspiratat e qytetarëve nëpërkëmben nga interesat e “korrupsionit, oligarkise, banditizmit, krimit dhe trafikanteve…”., 
viii) kur skandalet me tenderat në shëndetësi, mbrojtje, sektorin energjitik, e tjerë janë të panumërta… Ky është një Raport që vlerësohet me notë mesatare, ngelëse në klasë dhe s’ka asnjë nga pesë ‘modulet” që të vlerësohet me notë kaluese. Pas 20 muajsh, ndërkohë që do të duhen edhe 12 muaj të tjerë, Shqipëria nuk siguron hapjen e negociatave për anëtarësim për shkak të keqqeverisjes dhe mos plotësimit, qoftë edhe në nivelin minimal, të kërkesave për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Kjo është arsyeja përse Komisioni Europian, bazuar në këtë Raport, propozon që të “mos hapen negociatat për anëtarësim me Shqipërinë”. Natyrisht, zyrtarët e Brukselit kanë shkruar një raport me një gjuhë tradicionalisht të kujdesshme. Janë munduar të prodhojnë një raport “realist e të besueshëm” për publikun shqiptar dhe vendet anëtare, të cilët zotërojnë informacione alternative për zhvillimet në Shqipëri. Një Raport, të që të mos ngjallë më shumë pesimizëm se ç’ekziston mes shqiptarëve dhe të mos u kthyer në nxitës për largimin e qytetarëve të pashpresë për në vendet e BE. 
– Po problemet që ngre shqetësim KE për procesin e integrimit të Shqipërisë?
– Në raport “termi” që përdoret më shpesh është termi “korrupsion”. Është përdorur sipas një analize 99 herë, më shumë se në çdo raport tjetër të këtij lloji për Shqipërinë dhe më shumë se për raportet e njëjta të vendeve të rajonit. Ky term, është përdorur në kuptimin negativ në 59 raste dhe vetëm në 21 raste është përdorur në kuptim pozitiv. Përmbledhtas në raport thuhet se “korrupsioni mbetet një dukuri shumë e përhapur”…Konkretisht Raporti është shkruar me një gjuhë shumë më të ashpër se në 2014, për sa i përket luftës kundër korrupsionit, dekriminalizimit të parlamentit dhe cilësisë së përkeqësuar të zgjedhjeve, ndërkohë nuk përmendet në raport, siç ndodh zakonisht në të tilla raporte, se qeveria ka “vullnetin politik” për të luftuar. Po ashtu, në Raport vihet theksi në mungesën e vullnetit politik për ndëshkimin e korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Mungesë progresi të mjaftueshëm thekson raporti për sa i përket vendosjes së shtetit ligjor. Reforma në drejtësi rezulton një çështje madhore, që gjithëpërfshirjen e parlamentit dhe të grupeve të interesit, ndërkohë që mbetet e pasigurt kryerja e saj, për shkak të situatës paradoksale të lidhur me vendimmarrjen nga një mazhorance e kriminalizuar, të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, që garantojnë një reformë drejtësie të standardeve europiane. Prezenca e kriminelëve në parlament mbetet një çështje tjetër shqetësuese e paraqitur në Raport, pa zgjedhjen e së cilës nuk ka asnjë shans që të hapen negociatat për anëtarësim në BE. Ecuria e reformave në Administratën Publike dhe për sa i përket Çështjes së Pronës mbetet problematike dhe ende çështje të pazgjidhura e të pasigurta e për rrjedhojë, s’mund të vlerësoheshin gjithashtu me notë kaluese. 
– Mund të analizoni shkaqet dhe pasojat e këtyre problemeve?
– Ka shumë shkaqe për shpjeguar gjithçka ndodh në vend. Por shkaku kryesor apo shkaku i shkaqeve, lidhet me faktin se në Shqipëri, siç e përshkruan John Kerry në Samitin e Sigurisë Globale në 1 shkurt në Mynih, ‘aspiratat e qytetarëve janë nëpërkëmbur nga interesat e korrupsionit dhe të oligarkisë”. Pra, në Shqipëri “mbretëron oligarkia, banditizmi dhe krimit…” siç e përshkruan Presidenti i PPE…Më konkretisht, në Maxhorancën qeverisëse ka një numër të konsiderueshëm individësh me rekorde kriminale, apo e thënë më shkoqur, “kriminelë” dhe këta kanë qenë më të lehtët për t’u identifikuar. Por, më shqetësuesja është se në grupin parlamentar të PS, ka shumë oligarkë me origjinë “politike”, pra politikanë të korruptuar. Po ashtu, në grupin e deputeteve të sjellë nga Rama në krye të PS ka shumë oligarkie-biznesmenë, që kanë krijuar pasurinë e tyre të dyshimtë me fondet publike, apo përmes privatizimeve korruptive, apo janë bërë milionerë përmes lejeve klienteliste të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Në klientelën parlamentare të Ramës ka edhe “oligarkë-maniakë të medias” me pasuri të dyshimtë të vendosur vetëm për shkak të marrëdhënieve klienteliste me ish kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ky grupim oligarkik natyrisht ka në përbërje edhe “të fortë”, apo “sekserë-zyrtarë të lartë” nga doganat, tatimet, prokuroria, gjyqësori, sektori energjitik, me rekorde të dyshimta. Ideatori, programuesi, realizatori, përfituesi dhe drejtuesi i këtij regjimi të “oligarkisë, banditizmit, krimit, korrupsionit dhe trafiqeve” në Shqipëri është Edi Rama. Ky është shkaku kryesor nga rrjedhin të gjithë shkaqet e tjera dhe natyrisht çdo pasojë është e lidhur më këtë bashkësi shkaqesh, por mbi të gjitha me shkakun kryesor. Raporti i brendshëm i OSBE, i bërë publik nga një portal, është “themeli” mbi të cilin është shkruar Raporti i 2015 për Shqipërinë. Në çdo rresht të tij “nënlexohet” pasuria prej 200 milion euro, e fshehur në off shore, në emër të të vëllait, e përfituesit më të madh të këtij regjimi oligarkik. Ky është një fakt që nuk është përgënjeshtruar seriozisht nga Kryeministri dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap për ta denoncuar si shpifje…
– Kryeministri Rama reagoi duke thënë se, me reformën në drejtësi Shqipëria është gati të hapë negociatat ne BE për anëtarësim. Sa është mundësi reale ky optimizëm i kryeministrit?
– Në këtë rast do të shtrohej një pyetje: Cila do të duhet të kryej më parë, procesi i Dekriminailzimit, apo Reforma e Drejtësisë? Kjo pyetje mund të shtrohej edhe ndryshe: Duhet që Kriminelët t’i “dorëzohen” Drejtësisë, apo Drejtësia të vendoset nën kontrollin e maxhorancës së kriminalizuar? Përgjigja në këtë rast është evidente: Kriminelët duhet t’i “dorëzohen” drejtësisë, sepse, nëse ndodh e kundërta, “demokracia në Shqipëri do të rezultonte e vdekur” dhe një Kriminelo-Kraci do të duhet ta çrrënjosnin vetëm qytetarët…Një maxhorancë e kriminalizuar logjikisht nuk ka legjitimitetin moral e politik të kryejë një reforme drejtësie të standardeve europaine, prandaj logjikisht duhet paraprakisht të kryhet dekriminalizimi i maxhorancës, që nuk do të thotë automatikisht legjitimim i saj për të kryer e vetme reformën e drejtësisë duke zëvendësuar kriminelët me anonimë, sepse Rama është bërë kryeministër me kontributin e kriminelëve dhe oligarkëve. Me fjalë të tjera, reforma e drejtësisë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen “substanciale” të opozitës dhe të grupeve të interesit… Bazuar në këtë logjikë janë të mundshme tre opsione teorike. 
Opsioni i parë: Drejtësia do të vendosej nën kontrollin e maxhorancës së kriminalizuar dhe pasojat dihen…
Opsioni i dytë: reforma e drejtësisë do të mund të kryhej me vetëm pjesëmarrjen e “deputeteve të pastër” të maxhorancës e të opozitës dhe, më tej, kjo të shoqërohej menjëherë me procesin e dekriminalizimit e de-oligarkizimit të Kuvendit, administratës dhe shtetit.
Opsioni i tretë: veprimi qytetar do të shpërndante parlamentin, me arsyetimin e thjeshtë se “maxhoranca e kriminalizuar, duke kërkuar të vendosë nën kontroll edhe drejtësinë, është në konflikt interesi për të kryer këtë reformë”. Dhe zgjedhjet e parakohshme do të shërbenin për t’i dhënë dhe çrrënjosur rrëgjimin e “oligarkëve, banditëve, kriminelëve, të korruptuarve dhe trafikantëve…”
– Projektligjin e qeverisë për shpifjen kundër qeveritarëve e politikanëve ta cilësojë vepër penale të dënueshme me burg, ju si e cilësoni?
– Rama nuk ka asnjë shans t’i mbyllë gojën asnjë politikani në Shqipëri, pa “burgosur” raportin e brendshëm të OSBE, kur Rama cilësohet politikani më i pasur në Shqipëri, me “një pasuri prej 200 milion euro, të fshehur në off shore, në emër të vëllait”… Nuk do të mund të ketë asnjë lloj ligji që do të klasifikonte si shpifje këtë “informacion të brendshëm” dhe nëse Rama do të arrinte ta bënte një gjë të tillë me ligj, atëherë Prezenca e OSBE në Tiranë do të rezultonte e burgosur… Do të isha shumë i lumtur që kjo marrëzi të tentohej, por, si frikacak që është, do të tërhiqej pa tentuar, pavarësisht se do të spërdridhej, duke u hequr sikur nuk ishte tërhequr. Nga një këndvështrim tjetër, Rama dhe banda e tij klienteliste janë shpifësit profesionistë në politikën aktuale dhe është paradoksale që shpifësit të nxjerrin ligj për kriminalizimin e shpifjes. Kjo ngjan e njëjtë me tentativën e bërë nga maxhoranca e kriminalizuar për të miratuar reformën europiane të drejtësisë. Kjo marrëzi e radhës do të dështojë…dhe e vetmja “vlerë” e saj do të ishte thjesht si një bllof i hedhur për të hequr vëmendjen nga sherret e brendshme mes Ramës e Metës dhe shkërmoqja e maxhorancës. 
– Ky projektligj ka nevojë për riformatim, siç pohoi ministrja për marrëdhënien me Parlamentin?
– Nuk ja vlen të them më shumë se në përgjigjen më sipër për këtë marrëzi të Ramës, të cilën, po me marrëzi, kërkon ta dimensionojë trupërisht një individ, që ka formim juridik. Nuk do të ishte etike të thosha diçka më shumë se, çfarë ka thënë një gazetar: Kryeministri më budalla që nga 1912 dhe imagjinoni se çdo të mund të kisha thënë për “juristen” e tij, që kërkon të nxjerrë gurin që ka hedhur Rama në “lagunën e maxhorancës”…
– Faleminderit!
Sigal