Prof. Dr. Kastriot Islami: Delegimi i kompetencave kushtetuese, akt i rrezikshëm për demokracinë. Bushati u largua, se nuk ishte në një linjë me Ramën për Kosovën, Greqinë dhe Turqinë. Qeveria me 1 individ dhe me ministra kukulla

524
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Delegimi i detyrës kushtetuese nga Rama – akt i rrezikshëm për demokracinë

Cakaj, si i deleguar ministrit të Jashtëm do të përfaqësojë vendin në të gjithë takimet ndërkombëtare; dhe mbi të gjitha do të çojë e do të marrë të gjithë porositë e këshillat për çështjen e ndarjes së Kosovës, që formalisht është planifikuar të diskutohet mes Vuçiç e Thaçit

Prof. Dr.  Kastriot Islami, Ish-kryetari i Parlamentit në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se delegimi i drejtimit të MPJ tek zv.ministri Cakaj, bëhet për të çuar të gjitha porositë për çështjen e ndarjes së Kosovës. Prof. Islami shpreh mendimin se Kryeministri Rama ia arriti të largojë Bushatin, sepse ndajnë mendime të kundërta për politikën e Jashtme. Prof. Islami shprehet se Presidenti Meta , duke e dekretuar Ramën si ministër i Jashtëm, arriti t’ia grisë “maskën”, duke nxjerrë kështu lakuriq në dritë të diellit dhe duke i bërë me dije publikut maskaradën dhe rolin e Ramës në gatimin e një marrëveshjeje të fshehtë shqiptarofobe e anti-evropiane dhe synimet e tij diabolike për pushtet personal.

-Prof. Islami,  cili është komenti juaj për delegimin e drejtimit të Ministrisë së Jashtme, që Rama, pas betimit, ia përcolli  zv.ministrit Cakaj?

– Pas një qëndrimi të saktë e kushtetues, Presidenti Meta preferoi “kompromisin”, duke gjykuar se mesazhi i tij ishte i qartë. Rama si ministër i Jashtëm arriti të realizojë dy synime të shpejta, duke rënë ndërkohë  në kurthin e ngritur nga Meta. Së pari, Rama arriti të largojë Bushatin nga zyra e ministrit të Jashtëm, meqë ai nuk ishte në një linjë me të për çështjen e prekjes së integritetit të Kosovës, por edhe për arsye të tjera që lidhen me marrëdhëniet me Greqinë e Turqinë. Së dyti, ai arriti të çojë deri në fund jo vetëm kokëfortësinë e tij, por edhe të realizonte një porosi nga mentorët e tij, për të caktuar si ministër të Jashtëm de fakto, Gent Cakaj, që do të zhvendoset nga zyra e zv.ministrit në atë të ministrit të Jashtëm dhe do të përfaqësojë vendin në të gjithë takimet ndërkombëtare; dhe mbi të gjitha do të çojë e do të marrë të gjithë porositë e këshillat për çështjen e ndarjes së Kosovës, që formalisht është planifikuar të diskutohet mes Vuçiç e Thaçit. Por në realitet Rama ra në kurthin e ngritur mjeshtërisht nga Presidenti Meta. Kurth që Rama nuk mundi t’i shmangej, nga që ndodhet në panik dhe çoroditje e hallakatje totale.

Zoti Islami, sipas jush, përse kryeministri Rama këmbënguli që Cakaj të marrë kompetencat e drejtimit të MPJ, derisa Presidenti nuk e dekretoi?

– Propozimi i Ramës për ministër të ri të jashtëm Gent Cakaj apo për ta bërë atë me çdo kusht ministër de fakto, pasi është detyruar të marrë vetë de jure këtë post, nuk ishte dhe nuk ishte gjë tjetër, veçse një “gjethe fiku” për mbuluar lakuriqësinë e tij, apo thënë ndryshe, një “maskë” e shëmtuar për të fshehur një nga aktet më skandaloze në këto 100 vitet e fundit për kombin shqiptar, atë të ndarjes së Kosovës.  Pra, ky akt s’është thjesht çështje kokëfortësie apo veprim që një injorant i delegon kompetencat kushtetuese një të panjohuri, apo të “paafti”. Këtë radhë, akti i propozimit të Ramës dhe insistimi i tij deri në delegimin e kompetencave është akt i pashembullt përtej marrëzive që rriten pafundësisht dhe zullumit që trashet ekstremisht çdo ditë brenda kufijve të Shqipërisë. Është karta e fundit e një të marri, që tenton të gjejë shpëtimin te hajdut-nacionalizmi i sëmurë, sepse Rama duket se është i tmerruar, ngaqë zullumi i tij po këputet nga keqqeverisja banditeske që është trashur dhe e gjitha kjo ka rritur zemërimin dhe revoltën e qytetarëve të Shqipërisë deri në shpërthim. Dhe do të ishte jo efikase e, madje naive që ky akt makiavelik të diskutohej, nëse është apo jo, kushtetues apo ligjor. Pra që debatet të vendosen në kurthin e një injoranti që nuk çan kokën për Kushtetutën, përderisa ka zhdukur Gjykatën Kushtetuese dhe që do të tentojë ta fusë atë nën kontroll të plotë, nëse do ta detyrojnë ta ngrejë atë, thjesht me synimin për të vërtetuar drejtësinë e marrëzisë së tij. Apo që mendon se, përmes këtyre debateve, do të zhvendosë vëmendjen në debate shterpë.

– Përse e cilësoni këtë propozim si kartën e fundit të kryeministrit Rama?

– Në fakt Ramës i janë mbaruar të gjithë kartat, ato të mashtrimeve dhe të kërcënimeve. Ai është tashmë, prej vitit 2017, një kryeministër i “vdekur”, një kadavër që sorollatet natën me taksi dhe që ka filluar të dekompozohet. Ai nuk qeveris më dhe tenton vetëm të shtyjë ditët. Prandaj ai duhet hedhur në “koshin e historisë”, si një e keqe e madhe që duhet ndëshkuar dhe harruar sa më shpejt. Propozimi i tij për copëtimin e Kosovës mund të cilësohet pa asnjë hezitim, përsëris, si karta e vetme edhe e fundit që i ka mbetur  në rrugën drejt strofkës së një hajdut-nacionalisti shqiptarofob e antieuropian, me mendimin se vetëm kështu do të mund t’i shpëtojë ndëshkimit, duke vazhduar të kacavirret në pushtetin që e ka mbërthyer si një sulltan i zhytur në tepsinë e grykësisë e babëzisë së tij, por që prej kohësh s’e ushtron dot për shkak të perversitetit obez dhe impotencës mentale.

–  Në debatin,  nëse është apo jo kushtetues propozimi i Ramës për të  deleguar drejtimin e MPJ një zv.ministri, ju çfarë mund të shtoni?

– Do të ishte minimalisht naive për mua të bie në këtë kurth, që diskutimi të bëhet në këtë rrafsh mediokriteti e poshtërsie. Sepse mbi të gjitha, Rama është injorant në çështjet e kushtetutshmërisë dhe i urren ligjet dhe rregullat kushtetuese e ligjore. Propozimi i tij për të emëruar ministrin e ri të Jashtëm, apo delegimi i “përhershëm” i kompetencave kushtetuese të një individ i paaftë, jo vetëm se është një akt i rrezikshëm për demokracinë, por të dy këto veprime s’kanë asnjë lidhje, as me respektimin e Kushtetutës apo të ligjeve të një vendi demokratik, qoftë edhe me demokraci hibride, dhe as me marrëdhëniet institucionale mes pushteteve në një Republikë parlamentare që nuk ekziston që kur Gjykata Kushtetuese ka vdekur. As me debatet formale që bëhen nga politikanët apo analistët e medias përmes shkëmbimit të argumenteve të sofistikuar, ligjorë apo kushtetuese, që duken anakronikë në një sulltanat të marrë peng nga Sekti i Rilindjes. Aq më tepër që ku debat nxitet nga Rama për të hequr vëmendjen nga thelbi i çështjes apo nga synimi i vërtetë që ka Rama në këtë rast. Sepse në të vërtetë, ky propozim i Ramës për ministrin e ri të jashtëm apo delegimi i “përhershëm” i një kompetence kushtetuese, kishte dhe ka vetëm një synim: të maskonte intrigën që Rama, së bashku me Vuçiç e Thaçin, kanë montuar prej kohësh për të cenuar integritetin e Kosovës, dhe prapa së cilës fshihet synimi i vërtetë i të treve për forcimin e pushtetit të tyre personal.

-Përse ju deklaroni se delegimi i kompetencës kushtetuese është një akt i rrezikshëm për demokracinë?

– Imagjinoni rastin ekstrem që Rama të heqë të gjithë ministrat dhe të marrë drejtimin e ministrive vetë përmes dekreteve kushtetuese, të miratohet vetëm emri i tij nga shumica e papërgjegjshme, e korruptuar, e inkriminuar dhe injorante dhe më pas t’ia delegojë detyrat kushtetuese zëvendësministrave “manekinë” të caktuar prej tij. Kështu, do të kishim qeveri me një 1 individ dhe (zv)ministra-kukulla që nuk kanë kanë kaluar, as nga Presidenti dhe as nga Kuvendi. Kjo do të shënonte “vdekjen” përfundimtare të demokracisë parlamentare dhe uzurpimin e pushtetit ekzekutiv nga një individ i  vetëm.

– A ishte i drejtë reagimi i parë i Presidentit Meta? Përse Rama u zemërua nga qëndrimi i Presidentit Metës?

Meta reagoi saktësisht, madje me shumë kujdes e maturi, mund të thosha aq sa mundi dhe aq sa i lejohet një drejtuesi të një institucioni serioz dhe të përgjegjshëm; për më tepër që veprimet e kreut të shtetit vëzhgohen e monitorohen me shumë skrupulozitet nga partnerët ndërkombëtarë. Ndonëse mundësitë dhe hapësirat që zotëron Presidenti janë të kufizuara, Presidenti Meta arriti t’ia grisë Ramës këtë “maskë”, duke nxjerrë kështu lakuriq në dritë të diellit dhe duke i bërë me dije publikut maskaradën dhe rolin e Ramës në gatimin e një marrëveshjeje të fshehtë shqiptarofobe e antieuropiane dhe synimet e tij diabolike për pushtet personal. Kjo e zemëroi Ramën; reagimi dëshpërues i Ramës ishte prova më e mirë e lakuriqësisë dhe paaftësisë së tij në sytë e publikut dhe tregonte qartas se Ramës i kishte djegur shumë zbulimi i së vërtetës. Pastaj Meta, kur vlerësoi se Rama ishte në panik i ngriti edhe kurthin e delegimit të kompetencës kushtetuese në të cilën Rama me kokë brenda.

– A veproi drejt Presidenti Meta, duke e emëruar Ramën ministër të jashtëm?

– Presidenti Meta me emërimin e Ramës në krye të diplomacisë, duke ndjerë edhe synimin e Ramës për t’ia deleguar këtë detyrë kushtetuese, në mënyrë antiligjore, Gent Cakajt, pasi kishte dhënë të gjithë argumentet ligjore, politikë e moralë përse Cakaj nuk duhet të ishte në detyrë, ishte një diskreditim në avancë i Ramës. Pra, Meta i tha publikut tri gjëra:

  1. i) Cakaj nuk ka as kapacitetin dhe as aftësitë për ministër të jashtëm;
  2. ii) Rama do t’ia delegojë kompetencën kushtetuese në mënyrë antiligjore një personi që nuk e meriton dhe nuk ka aftësitë për të kryer këtë detyrë kushtetuese;

iii) Rama do të bjerë në kurth, sepse është në panik dhe ka një hall të madh.

Pra, thënë ndryshe, Meta i hapi Ramës gropën e madhe drejt së cilës Rama po vraponte, duke e paralajmëruar paraprakisht për rrezikun, por kur e pa që ai ishte i vendosur në marrëzinë e tij e shtyu me forcë drejt saj. Presidenti Meta, kështu, jo vetëm i tregoi publikut se Rama e do Cakajn si “gjethe fiku” kur nuk ia miratoi atë si ministër, por edhe ia hoqi këtë “gjethe fiku” duke e nxjerrë fare lakuriq, kur e detyroi Ramën t’ia delegonte kompetencën kushtetuese Cakajt.

– Përse Ju zoti Islami jeni shprehur, se pas refuzimit të Presidentit Meta për ministrin e Jashtëm fshihet diçka tjetër më e rëndësishme?

– Vendimi i Metës, s’ka përse të debatohet në rrafshin ligjor e kushtetues, sepse realisht këtë të drejtë e ka vetëm Gjykata Kushtetuese e cila është eliminuar qëllimisht nga Rama duke iu përplasur në fytyrë si bumerang. Por ky vendim duhet lexuar e kuptuar në kontekstin e një marrëveshjeje shumë të rëndësishëm që synon të cenojë integritetin e Kosovës, dhe që do të kishte impakt për sigurinë e stabilitetin e Kosovës e të Shqipërisë dhe të ardhmen e të gjithë shqiptarëve, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit e më gjerë. Një marrëveshje që ka hasur dhe duket do të hasë kundërshti nga shumë aktorë e faktorë shqiptarë si dhe mbështetje e kundërshti edhe nga partnerë të rëndësishëm të Shqipërisë e Kosovës, kundërshti të forta, veçanërisht prej partnerëve strategjikë që kanë në dorë fatet e integrimit të Shqipërisë e Kosovës në BE. Dhe së fundmi, pavarësisht se Rama do të përpiqet t’ia shesë partnerëve që kjo ishte një marrëzi e “çunakut” Gent Cakajt, të gjithë e kanë të qartë që kjo është një përpjekje e fundit e Ramës për t’u fshehur në strofkën e hajdut-nacionalizmit thjesht për t’i shpëtuar ndëshkimit duke mbajtur pushtetin.

Nesër do të lexoni: Çfarë problemi ka arritja e një marrëveshjeje mes Thaçit e Vuçiç? Cili është roli i Ramës në këtë rast? Cili është qëllimi i vërtetë i Thaçit që do të bëjë këtë marrëveshje me Vuçiç? Si shpjegohet që Haradinaj, dhe Meta po ashtu, janë shprehur kundër kësaj marrëveshjeje? Cilat janë pikat kryesore të marrëveshjes Thaci- Vuçiç? A mendoni se ka shumë gjasa që kjo marrëveshje të realizohet?