Prof. Dr. Fatos Klosi: “Demokratizimin mund ta sjellë vetëm e Majta progresive”

433
Sigal

Më duket se është akoma herët të flasim për një bashkim, apo rikompozim të së Majtës. Duhen kapërcyer akoma shumë ylbere

Eshtë java e fundit parazgjedhore dhe dilema që duhet të zgjidhin partitë politike dhe elektorati është: Përse duhet të votojmë? Partitë kërkojnë pushtetin, pavarësisht nga marketingu elektoral ” Vazhdimësi”, apo  “Rotacion”. Prof. Dr. Fatos Klosi në intervistën për “Telegraf” thotë se, elektorati, me votën e tij, “kërkojnë rotacion në mënyrën e qeverisjes, më shumë demokraci, më shumë përgjegjshmëri, më shumë transparencë dhe më shumë drejtësi”.  Dhe këtë mision historik, sipas zotit Klosi, vetëm e Majta mund ta përmbushë. Një tjetër opsion që zoti Klosi hedh dritë, është se marrëveshja PS-LSI, është një koalicion parazgjedhor dhe jo bashkimi i së Majtës.

– Prof. Klosi, Ju shqetëson fakti që ende KQZ-ja funksionon me 4 anëtarë dhe a mund të zhvillohen kësisoj, zgjedhje me standarde?

– Sigurisht që më shqetëson. Kur është konceptuar, që KQZ të ketë 7 anëtarë, sigurisht janë konsideruar të rëndësishëm që të shtatë. Në këtë kuadër, vendimet e rëndësishme kërkojnë 5 vota pro, prandaj kjo KQZ nuk mund të marrë vendime të rëndësishme. Diplomatët e akredituar në Tiranë  po “ankohen” se KQZ-ja me 4 anëtarë nuk mund të shpallë rezultatet e zgjedhjeve. Për këto dhe për  plot  arsye të tjera, me këtë KQZ, standardi i zgjedhjeve nuk mund të jetë ai i parashikuar nga ligji.

– Duke gjykuar nga rrjedha e ngjarjeve, dorëheqja e 3 anëtarëve të  KQZ-së është pjesë e zgjidhjes apo pjesë e problemit të ngërçit të krijuar tashmë në KQZ?

– Mendoj se dorëheqja e tre anëtarëve dha mesazhin  se, me lëvizjen e bërë nga Kuvendi, standardi i KQZ-së  ishte cenuar, pasi ai ndryshim ishte bërë në kundërshtim flagrant me motivet ligjore që përcaktojnë largimin dhe zëvendësimin e anëtarëve të KQZ-së. Si rrjedhim, me atë KQZ të formuar në mënyrë të paligjshme, nuk mund të punohej, për të marrë vendime të ligjshme.

– Opozita kontribuon në kapërcimin e ngërçit të  KQZ-së me qëndrimet e saj, pavarësisht nga shkalla e së drejtës?

– Të thuash “ngërç” më duket pak.  KQZ-ja po punon praktikisht në boshllëk,  duke marrë vendime vetëm për çështje rutinë. Nuk mund të presësh nga kjo KQZ veprime të ligjshme edhe nëse plotësohet me tre anëtarë të rinj, pasi asgjë s’do të ndryshonte nga situata para dorëheqjes së paraardhësve të tyre, Z. Zguri prapë mbetet i paligjshëm . Të  gjithë partnerët e huaj, që janë prononcuar dhe po prononcohen për këtë problem, e kanë thënë qartë se KQZ-ja duhet të rikonstituohet, pasi ashtu si u veprua është e paligjshme. Për këtë problem sigurisht që, opinioni i tyre është më objektiv se opinionet partiakë  të  faktorëve  vendas. Të kërkosh nga e majta, që të caktojë anëtarë të rinj, pavarësisht nga shkalla e të drejtës që ka, për qëndrimin që po mban, do të thotë t’i kërkosh të bëjë lëshime të tjera.

– Përse ndërkombëtarët nuk mbajnë një qëndrim konsekuent dhe të shprehen me gjuhë të qartë se çfarë kuptojnë ata me standarde, ndërkohë që, njëkohësisht, thonë që ato kompetenca që nuk do ti zbatojë dot KQZ-ja, mund ti zbatojë Kolegji Zgjedhor?

– Mendoj se qëndrimet e fundit të tyre janë maksimumi që mund të thonë në këtë mjedis “kokash të forta”.  Ka mbetur të thonë dhe se kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim, por ky do të ishte pozicioni i një gjykatësi e jo i një diplomati të huaj. Nuk duhet të kërkojmë kurrë që ata të bëhen gjykatës në problemet  tona, pasi kjo do të kërkonte prej tyre të mbanin përgjegjësi për të gjitha pasojat. Jam i mendimit se këtë radhë ata po flasin më hapur se asnjë herë tjetër. Problemi nuk është tek ata, ai është tek ata politikanë shqiptarë, që bëjnë sikur nuk i kuptojnë, se nuk u pëlqen ajo ç’ka partnerët tanë po na thonë.

– Mendoni se mund të shërbejë si alibi e humbjes dhe pretekst për kontestimin e rezultatit zgjedhor, për çdo palë politike humbëse, nëse shkohet në 23 Qershor me KQZ me 4 anëtarë?

– PS-ja e ka dhënë opinionin e saj për këtë problem, si rrjedhim besoj se ajo nuk do ta kontestojë fitoren e saj, meqë KQZ qenka me 4 anëtarë. Gjithashtu, besoj, se dhe koalicioni me në krye PD-në, nuk do të ankohej dot se KQZ-ja me 4 anëtarë, ishte gati një Seksion i Koalicionit të tyre.

– Mund ta perceptojmë si sfidë politike nga politika, mosmarrjen parasysh të apeleve të të gjithë ndërkombëtarëve për një KQZ të pavarur, apolitike?

– Një gjë duhet të jetë e qartë: ligjet i kanë bërë vazhdimisht dy partitë drejtuese të politikës shqiptare. Tani së fundi, ata e politizuan në ekstrem KQZ-në meqenëse ndjehen më të sigurt me një KQZ të tillë. Me sa duket, në Shqipëri është akoma e gjallë fryma e “luftës së ftohtë”, kur siguria vinte nga gara e armatimeve. Në këtë sens, duket që politikanët tanë janë dekada prapa, ndaj kolegëve të tyre europianë. Pra, mendoj se nuk është çështje sfide, është çështje sigurie (frike) ndaj kundërshtarëve.

– E shikoni si një normalitet ligjor dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese e KLD-së, nga Presidenti dhe miratimin e tyre vetëm me 71 votat e maxhorancës, pikërisht në finishin e këtij Kuvendi?

-,E para, ky Kuvend në finishin e tij ka një “maxhorancë” me njerëz të shitur, prandaj është nga këndvështrimi demokratik janë absurde veprimeve të tilla. E dyta, s’duhet të habitemi shumë, të gjithë e dinim, që kur u zgjodh ky president, se për të tilla gjëra u zgjodh, për të bërë veprime, që asnjë tjetër, me pak më shumë dinjitet dhe personalitet, nuk do t’i bënte.

– A do të vështirësojë të majtën si maxhorancë e re, nëse fiton, që të zbatojë reformën që premton në drejtësi, e këta anëtarë të institucioneve më të larta të drejtësisë, të cilët janë dekretuar njëanshmërisht e politikisht?

– Nuk besoj se mund të krijohen probleme. E para, se besoj që maxhoranca e majtë nuk do të kërkojë shkelje të ligjit dhe, në këtë aspekt, nuk do të lindin konflikte me drejtësinë. E dyta, unë besoj se një nga shkaqet themelore të problemeve me drejtësinë, është presioni që ushtron ekzekutivi mbi drejtësinë, dhe besoj që maxhoranca e majtë këtë gjë nuk do ta bëjë. Unë besoj se në një klimë të re politike, vetë institucionet e drejtësisë do të kërkojnë pavarësinë e duhur dhe të nevojshme nga politika, duke ndihmuar kështu reformën në drejtësi.

– PS-ja në listat e saj për kandidatët për deputetë, ka ndërmarrë 2 iniciativa. Ka lënë jashtë listave disa emra, të cilët gëzojnë popullaritet, ndërsa ka risjellë disa emra, të cilët dikur u hoqën nga skena politike si shkaktarë të humbjes të PS-së nga qeverisja. Kjo a mund të rritë mirëbesimin e elektoratit në PS-në?

– Me thënë të drejtën, nuk më pëlqen të diskutoj lidhur me kriteret e zgjedhjes së kandidaturave për deputet nga PS-ja. Megjithatë, nuk më duket se ka patur iniciativa si këto që thoni ju. Më duket se çdo rast është i veçantë dhe duhet trajtuar veçmas. Pastaj, nuk do të na duhet të presim dhe shumë për t’u bindur në se është vepruar drejtë apo jo, rezultati zgjedhor është prova eksperimentale e drejtësisë së vendimeve të marra.

– A mund të përligjet moralisht, egoja e disa politikanëve, të cilët meqë nuk përfshihen në listat e PS-së, menjëherë, hidhen kundër saj?

– Natyrisht nuk do t’i përligjja as moralisht dhe as politikisht qëndrimet për të cilat flisni. Por duhet të kemi parasysh që dhe ata për të cilët ju flisni, janë njerëz para se të jenë politikanë dhe deputetë, kanë dhe ata interesa personale në lojë dhe këto duhen patur parasysh. Si? Natyrisht, këtë më mirë se unë e dinë ata që merren me këto probleme në PS, ata duhet t’i kishin dalë përpara situatës që u krijua, ditët e fundit, para shpalljes së listave; ta parashikonin dhe të mendonin për ta zbutur, apo zgjidhur.

– Emrat e rinj, të cilët janë sjellë në listat e PS-së, që nuk kanë patur deri tani asnjë lidhje me PS-në, a mund të justifikohen me rinovimin e PS-së?

– E dhe kjo është një aspekt për të cilin qëndrimet janë në shumicën e rasteve subjektive prandaj nuk do doja ta diskutoja. Puna e ardhshme e këtyre të rinjve, sukseset apo dështimet e tyre, do të tregojnë drejtësinë e vendimeve të marra në këtë drejtim.

– Është bërë zakonti politike, që deputetë që fitojnë një mandat me PS-në, kalojnë me PD-në, aq sa kjo maxhorancë ende mbahet me votat e deputetëve të PS-së. A duhet gjetur një mekanizëm kushtetues, që mandati të shprehë deri në fund vullnetin e votuesve dhe jo interesat personale të deputetit, duke i kaluar mandatin partisë nëse deputeti kërkon të largohet nga partia?

– Më duket e padrejtë dhe e pamundur kjo që thoni ju. E para, në një rast të tillë nuk do të kishim nevojë për Kuvend, do ta dinin që përpara rezultatin e votimit për çdo nismë në Kuvend në vartësi të qëndrimeve të partive parlamentare. E dyta , kjo s’ndodh në asnjë vend demokratik.  Por ka një zgjidhje dhe kjo është në dorën e partive. Ato duhet të jenë shumë të kujdesshme që kandidatët e tyre të jenë njerëz me identitet dhe karakter të sprovuar, që militojnë në parti jo vetëm për interesin personal, por kryesisht se nëpërmjet saj do të arrijnë të realizojnë aspirata shumë më të përgjithshme.

– Berisha ka futur në listat e PD-së edhe kryetarët e partive aleate, ndërsa Rama, nuk e futi as Milon e Gjinushin. Mendoni se kështu krijohen disavantazhe politike në dëm të së Majtës?

– Duke parë se, vendimi për të mos futur në listat e PS-së kandidatë nga partitë e tjera aleate nuk ka qenë absolut, mendoj se futja e dy aleatëve të vjetër dhe besnikë në listat e PS-së do të ishte racionale dhe një farë kompensimi moral i pasojave të Kodit Zgjedhor në fuqi.

– A ekziston koncepti i demokracisë në politikën shqiptare sot?

– Në përgjithësi, edhe në politikë kemi akoma një demokraci të brishtë, e cila akoma përpëlitet midis interesave të politikanëve.

– Çfarë rotacioni(politik) kërkojnë forcat politike dhe çfarë rotacioni kërkojnë njerëzit dhe shoqëria jonë?

– Forcat politike, natyrshëm, kërkojnë radhën e tyre në qeverisjen e vendit, ndërkohë që, njerëzit dhe shoqëria kërkojnë rotacion në mënyrën e qeverisjes, më shumë demokraci, më shumë përgjegjshmëri, më shumë transparencë dhe më shumë drejtësi.

MARRËVESHJA PS-LSI KOALICION PARAZGJEDHOR, JO BASHKIM I SË MAJTËS

Zoti Klosi, pas bashkimit PS-LSI për koalicion parazgjedhor, për profanizëm të kujt, socialistëve iu desh të rrinin në opozitë, kur kjo “martesë” mund të kishte funksionuar qysh më 2007-n?

– Unë nuk di detaje pse nuk u realizua e njëjta aleancë qysh më 2009-n, megjithëse në atë kohë kam qenë në Kryesinë e LSI-së.  Populli thotë:”Më mirë vonë se kurrë”, prandaj unë e përshëndeta këtë aleancë dhe uroj që të jetë e qëndrueshme.

– PS-ja dhe LSI-ja kanë një program ekonomik të kundërt, që e prezantojnë në këtë fushatë, pa patur asnjë pikë të përbashkët. Mendoni se në një bashkëqeverisje, këto divergjenca mund të kapërcehen më lehtë?

– Kjo që thoni nuk është e vërtetë. Problemi kryesor i programit ekonomik të LSI është punësimi, problem që dhe PS-ja e trajton si nga më të rëndësishmit. Diferencat që janë trumbetuar nga mendja lidhen me Tatim-Fitimin, edhe për të cilin nuk janë larg, pas deklarimit të PS-së, se taksa do të jetë progresive vetëm për dividentin e aksionerëve dhe jo për fitimet e firmave.  Pastaj, gjatë qeverisjes, programet korrigjohen në sensin pragmatik dhe nuk do të kemi asnjë divergjencë parimore.

– Një qeverisje PS-LSI a është një garanci se do të ndërtohet shteti i së drejtës dhe do të fitohet mirëbesimi i humbur tek drejtësia?

– Një gjë është e sigurt, qeverisja e së Majtës do të jetë shumë më racionale dhe demokratike se e sotmja, qoftë për hatër të synimeve, materializuar në programet, qoftë për hatër të stafeve ekzekutivë. Për sa i takon rritjes së besimit tek drejtësia, kjo kërkon përpjekje të të gjitha forcave politike, bile të të gjithë popullit.

– Shumë diskutime, deri në ekstreme, ngjalli debati brenda të Majtës, se cili do të jetë kryeministër: Rama apo Meta. Sipas jush, cili ishte qëllimi i atyre që i ngritën?

– Unë nuk kam dëgjuar që në këtë diskutim të përfshihen të dy protagonistët, prandaj diskutimin nuk e kam quajtur serioz. Dikush hodhi një shashkë dhe, si gjithmonë, media hodhi në diskutime “analistët” e saj, për skup mediatik.  Ka një diferencë të vogël qëndrimesh të dy protagonistëve. Rama e quan të natyrshëm të qënit Kryeministër i ardhshëm,  kurse Iliri thotë se, “akoma nuk e kemi diskutuar këtë problem”. Le të presim dhe pak ditë.

– Sa i shërben, në të mirë, ky debat paraelektoral së Majtës?

– Nuk i shërben, prandaj dhe, nuk po bëhet realisht midis të interesuarve. Debatin për këtë problem “në analizat” televizive, më shumë e nxisin kundërshtarët e të majtës.

– Është pacifist Gjinushi, i cili u shpreh se Meta, pas zgjedhjeve, do të ikë sërish te Berisha? Apo e bën për qëllime të ngushta elektorale, që të marrë vota nga elektorati i së Majtës, ku mund të venë me LSI-në?

– Natyrisht, ai që e “ndjeu” më shumë afrimin e LSI-së me PS-në ishte Gjinushi, i cili nuk po e fsheh kundërshtinë e tij për këtë gjë. Megjithatë, duke patur parasysh momentin e rëndësishëm për të Majtën, nuk dua ta besoj që Gjinushi po e mban këtë qëndrim për të marrë vota. Edhe në këtë, rast unë theksoj se, më mirë se të diskutojmë, të presim edhe pak ditë.

– A mund të krijohen premisat për një rikompozim të së Majtës dhe të socialistëve, pas bashkimit PS-LSI?

– Po ngutemi, nuk është bashkim, është thjeshtë një aleancë parazgjedhore. Më duket se është akoma herët të flasim për një bashkim, apo rikompozim të së Majtës. Duhen kapërcyer akoma shumë ylbere.

INTEGRIM NË BE NË DEMOKRATIZIMIN E JETËS DHE JO LYPËS TË EUROPËS

– Me acarimin e mëtejshëm të klimës parazgjedhore, a është dëmtuar imazh tek ndërkombëtarët, i përpjekjeve të Shqipërisë  për t’u integruar në familjen Europiane?

– Sigurisht që, për gjithçka po ndodh, opinioni i aleatëve tanë ndërkombëtar nuk është pozitiv, megjithatë, e rëndësishme dhe vendimtare do të jetë gjithçka do të ndodhë deri në konstituimin e shumicës së re në Kuvend.

 – Kësisoj, a mund të themi se jo vetëm do të kemi stanjacion, por një kthim prapa të integrimit, edhe pse u votuan 3 ligjet?

– Sipas meje, votimi i atyre dy ligje e gjysmë ishte një akt formal, që s’ishte bërë më parë, për të tërhequr vëmendjen e aleatëve tek problemet e mëdha të ngatërrimit të pushteteve,  apo të demokracisë në përgjithësi. Me këtë votim nuk fituam asgjë në sytë e botës, problemet e demokracisë akoma mbeten dhe theksohen akoma më tepër me përpjekjet e qarta për devijimin e votës së lirë të shqiptarëve. Ç’do ndodhë në këtë aspekt këto ditë, do të vendosë në se do të shkojmë përpara, apo do të bëjmë hapa prapa lidhur me aspiratat evropiane të popullit.

– Sipas jush, me programet që kanë paraqitur, me sjelljen politike elektorale, a mund të thoni që integrimi i Shqipërisë, është prioritet politik elektoral?

– Integrimi për mua nuk duhet të jetë qëllim në vetvete.  Ai na duhet për të ecur së bashku me vendet europiane drejt demokracisë dhe prosperitetit. Na duhen akoma shumë përpjekje, në të dy aspektet, për t’ju afruar Europës. Nëse Europa është konceptuar si një lopë, që do të bëjë qumësht për ne, më duket shumë qesharake. Të tilla m’u dukën të gjitha ato llogari që bëhen dhe përdoren në fushatën elektorale se ç’paskemi humbur nga vonesa e fundit për marrjen e statusit të kandidatit. Nuk besoj se duhet të luftojmë për të patur pozicionin e “lypsit” në Europë.  Me mënyrën se si po përdoret “Integrimi”  në propagandën elektorale, më duket se ne s’u dashka të pretendojmë më shumë se ky pozicion.

– Pas 23 Qershorit, procesi i integrimit do të përshpejtohet, pavarësisht se cili do të jetë fitues?

– Mesa shoh edhe ju e paskeni me shumë prioritet integrimin. Që gjithë ky ngut më duket “i stisur”, nuk do të thotë se, unë jam kundër integrimit. Por jam i bindur se politikanët tanë po besojmë shumë më tepër se sa duhet tek “integrimi”, mbase dhe shtiren, se kështu e do populli. Problemet tona janë shumë më të rënda, se sa duken dhe nuk mund t’i zgjidhë dot as hyrja në NATO e as integrimi në Europë. Tek ne ka probleme të mëdha me demokratizimin e Shtetit, me pavarësinë e vërtetë të Shtetit nga Pushteti. Kemi probleme themelore të pronës, probleme të mëdha ekonomike etj. ,aq sa na ka mbetur të mburremi se do të konkurrojmë në Europë me “klimën e mrekullueshme”. I them këto, pasi, sipas meje, prioriteti i politikës shqiptare para se të jetë “integrim”, duhet të jetë përmirësimi i klimës politike dhe ekonomike të vendit dhe pastaj të integrohemi me dinjitet në Europë.