Prof. Dr. Fatos Klosi: “Baballarët tanë politikë” e dinë parajsën fiskale

449
Prof. Dr. Fatos Klosi në intervistën për “Telegraf”, edhe pse pohon se ende nuk dimë fakte, nëse politikanët tanë kanë depozitime në offshore, por ama, “baballarët politikanë” e dinë parajsën fiskale. Prof. Klosi thotë se nuk duhet marrëveshje politike mazhorancë-opozitë për Reformën në Drejtësi, por kërkohet vullnet politik. Ngërçi politik për Reformën në Drejtësi, pohon Prof. Klosi, qëndron në interesat e grupeve të caktuara politike. Opozita nuk e ka seriozisht për Reformën në Drejtësi. Prof. Klosi thotë se korrupsioni nuk do luftohet as me Reformën në Drejtësi dhe as me ligjet që miratojnë ligjbërësit tanë. Ndërsa ligji i dekriminalizimit, pohon Prof. Klosi, i duket i paarsyeshëm. Prof. Klosi thotë se Kushtetuta jonë nuk duhet të preket në tërësi, nenet do të korrigjohen, por qasja e politikës ndaj Drejtësisë jo!

Prof. Klosi, mendoni që edhe politikanët shqiptarë kanë depozituar lekë, dollarë, euro në off shore, jashtë vendit?

Mendoj se kësaj pyetje nuk mund t’i përgjigjesh duke menduar, duhet të dish nëse kjo gjë ka ndodhur apo jo. Mundësitë kanë qenë, vende që njihen si “parajsa fiskale” të ndihmojnë në këtë drejtim, duhen paratë, pak dijeni dhe pak guxim. Asnjëri prej këtyre përbërësve, nuk i kanë munguar shumë prej “baballarëve ” të shqiptarëve. 
Çfarë marrëveshje duhet të nënshkruajnë Pozitë-Opozitë për Reformën në Drejtësi? 
Mendoj se nuk ka nevojë për asnjë marrëveshje, gjërat janë të qarta, defektet e sistemit të drejtësisë janë diskutuar pa fund, duhet vetëm vullneti politik i të gjitha partive parlamentare për t’i korrigjuar në ligje, defektet e vërejtura. Nëse mungon vullneti dhe dëshira, edhe një qime mund të bëhet tra, dhe reforma mund të pengohet për t’u bërë. 

Ku mendoni se qëndron ngërçi për Reformën në Drejtësi? 

Ngërçi qëndron tek interesat e grupeve të caktuara politike, të cilët kanë frikë nga reforma. Sipas meje, këto grupe janë tallur më këtë popull, pasi ishin të sigurtë se asnjë gjemb nuk u hynte, çfarëdo gjëmash të bënin, i kishin prokurorinë dhe gjyqësorin “të tyret”. I kanë emëruar vetë, i kanë përkundur vetë, “për ditë të këqija”. Dhe kemi raste pa fund, të kujtojmë më të mëdhatë: Rruga e Kombit, Gërdeci, 21 janari dhe plot të tjera. Dhe tani duhet ta shkatërrojnë këtë “parajsë drejtësie”, sepse u shkakton telashe. Dhe ç’është më qesharakja, duke u hequr si “kampionët” e drejtësisë. 
Përse duhet që shqiptarët dhe ndërkombëtarët të jenë optimistw se tani edhe pozita, edhe opozita kanë vullnet politik për Reformë në Drejtësi? 
Unë asnjëherë nuk kam menduar se opozita e sotme e ka seriozisht reformën në drejtësi, çka thotë për këtë problem është vetëm “propagandë”. E paça gabim, por asnjëherë ky grupim politik nuk ka qenë i udhëhequr nga interesat e vendit. E njëjta situatë ka qenë dhe kur po hartohej Kushtetuta e sotme, ata s’e votuan dhe bënë çmos që të mos votohej. Prandaj duhet vepruar, siç u bë me Kushtetutën, për të cilën sot “betohen” pikërisht ata, të cilët bënë çmos për të mos u aprovuar. 
Mendoni se kjo Reformë në Drejtësi, edhe nëse votohet me konsensus, do të luftojë korrupsionin?
Reforma do të bëjë pjesën e saj, e cila s’është gjithçka. Korrupsioni i ka rrënjët në interesa të paligjshme, që për t’i luftuar nuk mjaftojnë vetëm ligjet, kërkohen dhe mjaft faktorë të tjerë. Është një luftë që zhvillohet edhe në vendet me demokraci të konsoliduar. Megjithatë, le t’i bëjmë ligjet që të lënë sa më pak hapësira për korrupsionin. Më pas duhet vullneti dhe kurajoja e përbashkët e njerëzve të ndershëm të këtij vendi për ta çuar drejt fundit këtë luftë të vështirë. 

Prof. Klosi, ju si mund ta gjykoni, përse ende nuk ka filluar dekriminalizimi, meqë u votua ligji dhe nënligjet? 

Ai ligj mua më duket i paarsyeshëm, nuk besoj se do të arrijë ndonjë rezultat. Ishte një kauzë e një opozite, që nuk po gjen dot kauza serioze. Si gjithmonë. 
A u analizuan shkaqet, a duhet të marrin përgjegjësinë politike edhe ata kryetarë partie që lejuan, që persona me rekorde kriminale të bëheshin deputetë dhe kryetarë bashkie? Termi “rekorde kriminale” më duket shumë qesharak. Le të presim e të shohim se ç’do bëjë zbatimi i ligjit. Sipas meje asgjë, ka qenë, siç e thashë më lart, një kauz, asgjë më shumë. 
Në rastin e klasës politike, për sa i përket korrupsionit, a ka të drejtë populli ynë kur thotë: Të gjithë njësoj janë, korbi-korbit nuk ia nxjerr sytë?

Jo nuk ka të drejtë. Përfitimi nga korrupsioni është një aktivitet kriminal, ku përgjegjësitë janë personale, sipas shkallës së implikimit dhe përfitimit të çdo nëpunësi apo politikani që merr pjesë. Përpjekja për ta përgjithësuar, për t’i njollosur të tërë, bën të kundërtën e asaj që duhet të bëjë një luftë serioze dhe pa kompromis me këtë dukuri kaq të përhapur dhe shkatërruese për shtetin. 

A mund të bëhet dekriminalizimi dhe Reforma në Drejtësi me këtë Parlament, apo duhen zgjedhje të parakohshme?

Nuk është problemi i përbërjes së parlamentit, as ka qenë dhe as do të jetë, as në parlamentin e ri. Problemi është politik, lidhet me vullnetin e klasës politike për ta luftuar vërtet. Parlamentarët gjithmonë kanë votuar sipas politikave partiake, pavarësisht se kush ishin ata konkretisht, “ç’rekorde” të mira apo të këqija kishin. 

Prof. Klosi, ndryshimet kushtetuese duhet të mjaftohen vetëm për ato që bëhet fjalë në draftin e Reformës në Drejtësi, apo është domosdoshmëri që Kushtetuta jonë të rishikohet në tërësi?

Ta “prekësh fort” Kushtetutën, do të ishte një precedent shumë i rrezikshëm. Të tilla kanë qenë eksperiencat e deritanishme. Thashë, Reforma në Drejtësi nuk pengohet nga nenet “që akoma nuk janë korrigjuar”, ajo pengohet nga interesa që preken, pra nga mungesa e një dëshire apo vullneti për t’u ndarë nga ato interesa. Kam frikë se nenet “do të korrigjohen”, por qasja e politikës ndaj drejtësisë jo!
Sigal