Prof.dr. Eshref Ymeri/ Në pritje të ndryshimeve kushtetuese

478
U bë kaq kohë që politikanët në krye të hierarkisë pushtetore po flasin për ndryshime kushtetuese. Nuk e dimë konkretisht se çfarë nenesh të Kushtetutës do të preken në këto ndryshime të pritshme dhe çfarë nenesh do të shtohen. Politikanët, në bashkëpunim me juristët, do ta thonë fjalën e tyre. Ndërkohë janë dëgjuar zëra, sipas të cilëve ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen me referendum. Këtyre zërave dëshiroj t’ju them se edhe votimi me referendum nuk e zgjidh problemin, sepse votimi në vendin tonëështë shndërruar në një ritual formal, pas përfundimit të të cilit gjithçka ndjek hullinë që u intereson klaneve më të fuqishme politike që kanë pushtetin ose që synojnë ta marrin atë me se s’bën përmes blerjes së votës.
Gjithsesi, ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme dhe duhen bërë për faktin se disa gjëra janë mahisur keq.
Së pari, le të ndalemi në një fakt konkret. 
Kushtetuta e tanishme, të cilën majtistët e hodhën në referendum në vitin 1998, nuk ka asnjë nen që të përcaktojë se kush duhet të jetë në krye të komuniteteve fetare në vendin tonë. Projektkushtetuta e vitit 1994 e kishte një nen të tillë. Por ajo nuk fitoi në referendumin e atij viti, se Partia Socialiste u ra kambanave në të gjitha udhëkryqet e vendit që ajo të mos votohej, sepse, sipas propagantës majtiste, kishte “rrezik” që Presidenti Berisha të behej “mbret”. Dhe shumica e popullit votoi kundër. Në Projektkushtetutën e vitit 1998, të cilën majtistët shqiptarë e përgatitën me ndihmën e “vyer” të këshillëtarëve grekë, nuk figuronte më neni i projektit të vitit 1994 që bënte fjalë për krerët e komuniteteve fetare që duhet të jenë me prejardhje, me shtetësi dhe me gjak shqiptari. Në votimin e asaj Projektkushtetute, votuesit e krahut të djathtë nuk morën pjesë, sipas thirrjes që u bëri Partia Demokratike. Pra, vendi u bë me një kushtetutë majtiste, e cila, me heqjen e nenit të lartpërmendur, krijoi kushte që në krye të komuniteteve fetare mund të caktoheshin edhe të huaj. Si përfundim, gjatë një periudhe më shumë se 23-vjeçare, kishën ortodokse të Shqipërisë po e qeveris një i huaj, Anastas Janullatosi, i cili vjen nga një vend me një qëndrim tradicionalisht armiqësor ndaj vendit tonë dhe që asnjëherë nuk i ka reshtur pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, për çka kanë deklaruar fare shkoqur presidentët grekë Stefanopulos dhe Papulias, sa herë që ka rënë fjala për Korçën dhe për Himarën, duke anashkaluar faktin që trojet tona etnike shkojnë deri në Artë e në Prevezë.
Çdo prift ortodoks shqiptar që është brumosur me ndjenjat e shqiptarisë, normalisht, duhet të jetë i bindur që në këtë periudhë 23-vjeçare të drejtimit të kishës nga një i huaj, ai mund të kishte përfunduar 5 universitete për të mësuar artin e drejtimit të Kishës Ortodokse Fanoliane dhe për të marrë përsipër postin e Kryepeshkopit Shqiptar. Por Janullatosi nuk ka dashur qëllimisht që një prift ortodoks shqiptar të ngrihet deri në një post të tillë. Kjo për faktin se ai ndodhet në Shqipëri me një mision të pastër politik. Nuk e di se cila është arsyeja që klasa politike e Tiranës ka mbajtur qëndrime antikombëtare në raport me Janullatosin. Janullatosi ishte në krye të administrimit të situatës për zhvarrimet e Kosinës për blerje eshtrash të vdekurish shqiptarë për mbushjen me to të varrezave që u ngritën në jugun e Shqipërisë në nderim të ushtarëve agresorë grekë. Dhe Tirana zyrtare bëri sehir. Jo vetëm kaq, por, paraprakisht, parlamenti shqiptar pati votuar për ngritjen e atyre varrezave që kanë ndotur truallin e Shqipërisë së Jugut. Ai votim përbën një faqe turpi në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Megjithatë, edhe pas zhurmës që u bë në shtyp për zhvarrimet e Kosinës, Janullatosi e shpërfilli tërësisht Tiranën zyrtare dhe shkoi e u konsultua me kryeministrin Karamanlis. Kjo për faktin sepse të ashtuquajturën kishë ortodokse të Shqipërisë ai e konsideron filial të kishës ortodokse greke. Prandaj edhe autoritetin e Tiranës zyrtare ai nuk e njeh në raport me kishën ortodokse që drejton në vendin tonë.
Qëndrimi skandaloz që mbajti Janullatosi ndaj Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet, të cilën donte ta shndërronte forcërisht në kishë, nuk i ngjalli kurrfarë shqetësimi Tiranës zyrtare, edhe pse me vendim të të tria shkallëve të gjyqësorit ajo ndërtesë duhej të vazhdonte të mbetej vatër kulture, kundër pretendimeve të Janullatosit. Pra, edhe në këtë rast Tirana zyrtare vazhdoi të bënte sehir, derisa kryetari i Bashkisë së Përmetit u detyrua të vepronte forcërisht, duke thirrur në ndihmë policinë private.
Në kundërshtim me ndjenjat atdhetare të çdo shqiptari të ndershëm, Janullatosi, në gusht të vitit 2014, në Kolkondas të Fierit organizoi një meshë të posaçme në nderim të Kozmait të Etolisë, armikut të betuar të gjuhës shqipe dhe të kombit shqiptar. Dhe Tirana zyrtare përsëri bëri sehir.
Edhe në rastin e së ashtuquajturës kishë e Shën Thanasit në Dhërmi dhe të zhurmës që u ngrit rreth saj, Janullatosi, me qëndrimin që mbajti, e vërtetoi me fakte se nuk e njeh autoritetin e Tiranës zyrtare, por shkoi me vrap dhe u këshilluar më kryeministrin grek Cipras.
Ka edhe shembuj të tjerë që vërtetojnë se Janullatosi ka mbajtur qëndrime antishqiptare, e megjithatë Tirana zyrtare ka vazhduar të bëjë sehir, në vend që Janullatosin ta largonte menjëherë nga Shqipëria. Madje duhej ta kishte larguar që në vitin 1999, kur që nga Moska ai deklaroi për pozicionimin e tij përkrah serbëve, kundër popullit shqiptar të Kosovës. Asokohe Presidenti Meidani, me një dekret të posaçëm, duhej ta kishte larguar menjëherë Janullatosin nga Shqipëria. Nuk e di se cila ishte arsyeja që Presidenti Meidani nuk veproi.
Para do kohësh, me rastin e zhurmës që u bë për të ashtuquajturën kishë e Shën Thanasit në Dhërmi, zotëria Sokol Kondi kishte botuar në gazetën “Mapo” një analizë mjaft interesante në mbrojtje të interesave tona kombëtare. Analiza titullohej:
“Qëllimet ekspansioniste dhe “megalloidea” e Janullatosit në Shqipëri”.
Në atë analizë ai shkruante:
“Janullatosi bën mirë të heqë dorë nga qëllimet ekspansioniste dhe ultranacionaliste me sfond verio-epiriot nëse nuk ka ndër mend që të shpallet “non-grata” dhe t’i jepet ultimatum të largohet brenda 24 orësh nga vendi, sikurse bëri kryeministri i madh patriot i shqiptarëve Pandeli Evengjeli (ortodoks!) në vitin 1920 me një biçim Janullatosi të kohës që donte t’i bindte me zor korçarët se ishin grekë” (Citohet sipas faqes së internetit të gazetës“Mapo”. 25 gusht 2015).
E përshëndes zotin Sokol Kondi për këtë qëndrim prej shqiptari të vërtetë ndaj Janullatosit. Por problemi është se në krye të ngrehinës politike shqiptare, nuk ka burra shteti që të kenë këllqet e Kryeministrit të dikurshëm Pandeli Evangjeli. Me rastin e zhurmës që bëri Janullatosi për kishë-gërmadhën e Shën Thanasit në Dhërmi, Kryeministri Rama deklaroi: 
“Do ta rindërtojmë kishën, ishte djepi i gjuhës shqipe, grekët s’kanë të drejta mbi besimin tonë” (Citohet sipas: “Kryeministri që u thotë grekëve të vërtetën”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 01 shtator 2015).
Po në këtë faqe, lexova edhe reagimin e specialistit të së drejtës ndërkombëtare, e intelektualit dhe nacionalistit të shquar Abdi Baleta:
“Më në fund, një kryeministër shqiptar u thotë grekëve të vërtetën në sy”.
Edhe unë e përshëndes deklaratën e Kryeministrit Rama. Por kush na siguron se nuk ka rrezik që ajo të mbetet në kuadrin e retorikës? Sepse duhet vepruar me hapa konkretë. Posti i Kryepeshkopit të Kishës Fanoliane i duhet kthyer sa më shpejt që të jetë e mundur një prifti shqiptar, me shtetësi, me prejardhje dhe me gjak shqiptari. Unë mendoj se këtë problem e zgjidh përfundimisht vendosja e atij nenit të lartpërmendur, të cilin majtistët shqiptarë e hoqën nga kushtetuta që votuan në vitin 1998. Majtistët shqiptarë duhet ta kuptojnë një herë e mirë se Kisha Ortodokse Fanoliane, Janullatosin e ka peshqesh prej tyre gjatë këtyre 23 vjetëve, pikërisht prej kushtetutës së tyre të vitit 1998 që e hodhën në votim, duke shpërfillur alternativën e djathtë. Prandaj asokohe kishte shumë të drejtë zoti Baleta që atë kushtetutë e pati etiketuar si pushtetutë.
Veç kësaj, në kushtetutë, në nenin që duhet të shtohet për drejtuesit e komuniteteve fetare që duhet të jenë me shtetësi, me prejardhje dhe me gjak shqiptari, duhet të theksohet edhe diçka tjetër: në Shqipëri nuk lejohet që pranë komuniteteve fetare të punojnë klerikë të huaj, të çfarëdo feje qofshin.
Së dyti, sipas kushtetutës majtiste, parlamenti shqiptar përbëhet prej 140 deputetësh. Në kushtet e një varfërie të skajshme ku është katandisur vendi ynë, vallë a nuk duhet shkurtuar numri i deputetëve të tanishëm dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ai të zbresë deri në 80 deputetë? Sepse 60 deputetë më pak në parlament, do të thotë miliarda lekë të kursyera brenda njëmandati parlamentar. Ne jemi vend i vogël. Nga më shumë se 5 milionë banorë të vendit tonë, gati gjysma e tyre e kanë braktisur atdheun dhe çdo muaj vazhdon largimi i tyre. Në këto kushte, kur brenda vendit kanë mbetur 2,5 apo rreth 3 milionë banorë, a është e udhës që ne të kemi në parlament 140 deputetë? Kjo më duket absurde. Qeveria Rama bëri një reformë për ristrukturimin e pushtetit vendor dhe komunat e bashkitë i shkurtoi nga 309 në 61. Bëri shumë mirë se në këtë mënyrë u shkurtua armata e njerëzve parazitë që merrnin rroga pa bërë asgjë dhe u çliruan fonde të konsiderueshme për t’u shfrytëzuar për lehtësimin e varfërisë. Por e njëjta gjë duhet bërë edhe për ristrukturimin e parlamentit, numri i deputetëve të të cilit, sipas këndvështrimit tim, duhet të zbresë në shifrën 80. Izraeli ka një popullsi prej 7 milionë banorësh (përjashtuar diasporën), pra, më shumë se dyfishin e popullsisë së vendit tonë, dhe në parlament ka të zgjedhur gjithsej 120 deputetë. Çlirimi i fondeve kolosale nga shkurtimi i numrit të deputetëve, do të ndikonte në rritjen e pensioneve të ulëta, në shtimin e përkrahjes sociale dhe në uljen e taksave për biznesin e vogël, çka do të bënte të mundur reduktimin e nivelit të varfërisë në shkallë vendi. Është e turpshme për klasën politike që qeveris vendin dhe është poshtëruese për shtresat në nevojë të vendit tonë që Shqipëria, edhe një çerek shekulli pas ndërrimit të sistemit, të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër i kontinentit evropian. Ky fakt të bën të dyshosh se klasa politike që ka qeverisur vendin gjatë këtyre 25 vjetëve, ose është një klasë kriminale qëi ka mbushur mendjen vetes se në pushtet ajo mund të qëndrojë sa më gjatë, duke pasur një popull sa më të varfër, që rri e vështron qeverinë në dritë të syrit për kotheren e bukës, ose ajo është një klasë në shërbim të të huajve, të cilët i kanë caktuar si misionvarfërimin e vazhdueshëm të popullit, në mënyrë që ky ta braktisë vendinmasivisht, për t’u shpëtuar vargonjve të varfërisë, me qëllim që Shqipëria të mos ngrihet kurrë më këmbë, ashtu siç u ka interesuar tradicionalisht shovinizmit evropian dhe fqinjëve tanë grekosllavë.
Unë shpreh publikisht dëshirën time që shtresa e intelektualëve shqiptarë, veçanërisht intelektualët që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në mjetet e informimit masiv dhe në jetën akademike universitare, ta thotë hapur fjalën e saj për domosdoshmërinë e shkurtimit të numrit të deputetëve deri në shifrën e lartpërmendur.
Së treti, në ndryshimet kushtetuese që u bënë në pranverën e vitit 2009, u vendos që zgjedhjet parlamentare të bëhen sipas sitemit proporcional. Ky sitem e vërtetoi në praktikë se është i dështuar. Ai u dha kompetenca të pakufizuara kryetarëve të partive, i shndërroi ata në feudalë pushtetplotë, çka krijoi kushte për lulëzimin e dukurisë së servilizmit të paimagjinueshëm në radhët e anëtarësisë së partisë para kryetarit të saj. Sepse nuk mund të ndodhte ndryshe, për faktin se listën e kandidatëve për deputetë e përgatit kryetari i partisë dhe askush nuk kuturis ta kundërshtojë se pastaj mbatet jashtë listës. Si përfundim, populli nuk voton për kandidatin që dëshiron, por voton për partinë. Dhe kryetari i partisë i shpërndan kandidatët për deputet në rang vendi sipas midesë së vet. Prandaj është e domosdoshme të bëhen ndryshimet përkatëse në kushtetutë, duke kaluar në sistemin mazhoritar dhe atje të thuhet konkretisht se emrat e kandidatëve për deputetë duhet të vinë nga strukturat e bazës së partisë, ku, ashtu siç veprohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, paraprakisht të garojnë disa kandidatë të partisë në zonën zgjedhore, derisa të dalë në listën përfundimtare ai që ka marrë ma shumë vota si kandidat për deputet në strukturat e partisë në bazë. Vetëm në këtë mënyrë do të shmanget servilizmi që po lulëzon aq shëmtueshëm para kryetarit të partisë.
Së katërti, në kushtetutë duhet të shtohet një nen i posaçëm, ku të thuhet qartazi, se çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë nuk mund ta ushtrojë një mandat më shumë se dy herë, qoftë deputet, qoftë kryeministër, qoftë ministër, qoftë drejtor, qoftë kryetar bashkie, qoftë kryetar komune, qoftë kryetar partie e kështu me radhë. Praktika e deritanishme ka vërtetuar se mandatet e tejzgjatura janë shpërdoruar, me to është abuzuar, mbajtësit e tyre për vite me radhë, janë shndërruar në feudalë, në vjedhës skandalozë të fondeve publike, çka ka bërë që të rritet në mënyrë të ndjeshme niveli i varfërisë së qytetarit të thjeshtë. Shtesa e një neni të tillë në kushtetutë, do të krijojë mundësi që populli të shpëtojë nga pushteti i oligarkëve politikë që i janë bërë si gjellë e thartuar.
Shpresoj në mirëkuptimin e lexuesve të nderuar dhe iftoj dashamirësisht ta thonë fjalën e tyre me peshë në mjetet e informimit masiv për të katër problemet që shtrova më lart, të cilat, në këndvështrimin tim, janë mjaft të mprehta.
Tiranë, 20 shtator 2015
Sigal