Prof. Dr. Ermir Dobjani: Kushtetuta, zgjedhjet dhe Gjykata Kushtetuese

219

Intervistë me ish Avokatin e Popullit: A është Kolegji Zgjedhor instanca e fundit e ankimimit për verifikimin e zgjedhshmërisë së kandidatëve për deputetë?

Këto ditë në shtyp, kanë qarkulluar me të drejtë opinione lidhur me faktin në se mundet ose jo Gjykata jonë Kushtetuese (GJK) të përfshihet në çështjet e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Për të pasur një opinion të specializuar, ju drejtuam Avokatit të parë të Popullit, i cili e ngriti dhe e drejtoi me sukses këtë Zyrë për 10 vite(2000-2010), Prof. Dr. Ermir Dobjanit.

Prof. Dobjani, siç mund të jeni në dijeni, këto kohët e fundit janë shfaqur disa opinione në shtypin e shkruar nga konstitucionalistë të njohur në lidhje me raportet që mund të ketë Gjykata jonë Kushtetuese me procesin e zgjedhjeve parlamentare, që zhvillohen pas një jave. Ju mundeni të na jepni opinionin tuaj për këtë çështje?

-Duke ju falënderuar për mundësinë e shprehjes së opinionit tim personal në lidhje me këtë çështje me natyrë thellësisht profesionale në kontekstin konstitucionalist, por që padyshim është me mjaft interes për momentin ku ndodhemi, dua fillimisht të përshkruaj atë çfarë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përmban për këto raporte që mund të krijohen. Kështu sipas nenit 131 të saj, i cili përmban çështjet për të cilat vendos GJK, në germën “e” përcaktohet se Gjykata Kushtetuese vendos “për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre”. Nga shqyrtimi literal dhe prima facie e kësaj dispozite del qartë dhe pa ekuivokë se GJK është plotësisht brenda juridiksionit të saj që të shqyrtojë dhe të japë vendime për kërkesa që lidhen me procesin e verifikimit të zgjedhjes së deputetëve.

Kodi Zgjedhor aktual me ndryshimet përkatëse përcakton se, vendimi i Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë është i paankimueshëm. Nga njëra anë është dispozita kushtetuese që i jep juridiksion Gjykatës Kushtetuese në lidhje me verifikimin e zgjedhshmërisë së deputetëve, nga ana tjetër qëndron Kodi Zgjedhor që i ndërpret rrugën ankimuese subjekteve. Ku bazohet opinioni juaj për sa më sipër?

-Përpara se t’i përgjigjem direkt kësaj pyetje më lejoni që të parashtroj shkurtimisht historinë se si arritëm në situatën e mësipërme, që duket sikur Kushtetuta e lejon, kurse Kodi Zgjedhor e përjashton rrugën e ankimimit të subjekteve elektorale në GJK. Gjykata jonë Kushtetuese ka një historik në drejtim të përfshirjes në procese zgjedhore, në zgjedhjet parlamentare të majit 1996 dhe të korrikut 1997. Ajo ka pasur kompetenca të gjëra për shqyrtimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe pavlefshmërinë e tyre, nëpërmjet shqyrtimit të ligjshmërisë së vendimeve administrative të KQZ-së. Madje në këto zgjedhje ishte përfshirë edhe Gjykata e Lartë (ish Gjykata e Kasacionit). Duke iu referuar statistikave, GJK ka shqyrtuar 13 vendime në vitin 1996 dhe 17 vendime në vitin 1997. Subjektet e vinin në lëvizje GJK-në, duke i kërkuar shfuqizimin e vendimeve të KQZ-së, detyrimin e kësaj të fundit për të vepruar në varësi të objektit të kërkesës, si regjistrimin si kandidatë për deputetë, pranimin e kërkesës së kandidatëve në lidhje me rezultatet e votimit, etj. Paskëtaj vijmë në vitin 1998 tek Kushtetuta në fuqi, e cila ka përcaktuar në germën “e” të nenit 131 kompetencën e sipërcituar. Kodi Zgjedhor i vitit 2000  reflektoi këtë dispozitë të Kushtetutës në nenin 114,  ku thuhej se: “Vendimet e KQZ-së në lidhje me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin dhe referendumet, si dhe për  pavlefshmërinë e tyre ankimohen në Gjykatën Kushtetuese brenda 3 ditëve nga shpallja e tyre. Gjykata Kushtetuese i shqyrton ankimet dhe vendos brenda 10 ditëve”. Dihet se pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2001, në Gjykatën Kushtetuese u dhanë 59 vendime (Shih përmbledhje të vendimeve , të botuar nga GJK “Procesi Zgjedhor 2001”,Tiranë 20011.),  për ankesat e partive politike dhe kandidatëve për deputetë. Por në Kodin Zgjedhor që pasoi, të vitit 2003, nuk u përfshi më Gjykata Kushtetuese si organ për shqyrtimin e ankesave për zgjedhjet e kandidatëve për deputetë.

 Duke qenë se edhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor të vitit 2008, të miratuara  me Ligjin nr.74/2012 nuk kanë bërë ndonjë ndryshim në lidhje me kompetencat e Kolegjit Zgjedhor, duke vazhduar të konsiderohen vendimet e tij të paankimueshme nga subjektet zgjedhore, a mund të na shpjegoni se ku e mbështetni ju opinionin se këto subjekte mund t’i drejtohen GJK?

-Së pari, ju kujtoj supremacinë e Kushtetutës (neni4/2 i saj), në raport me çdo Kod apo ligj. Përmbajtja e dispozitës kushtetuese nuk mund të mënjanohet ose të tejkalohet, duke i dhënë përparësi akteve juridike me fuqi më të ulët (Kodi Zgjedhor), akte që patjetër duhet të dalin në bazë e në zbatim të Kushtetutës. Kjo është fryma dhe përmbajtja e vetë Kushtetutës sonë, e cila është konsakruar në gjithë praktikën e Gjykatës sonë Kushtetuese deri sot, që e ka formuluar me këto terma këtë parim “atë që nuk ka dashur ta bëjë kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji”. Pra Kushtetuta nuk e ka hequr një kompetencë të tillë për GJK dhe prandaj nuk mund t’ja heqë Kodi Zgjedhor.

Së dyti, ndonëse kompetenca kushtetuese e parashikuar në nenin 131/e të Kushtetutës, mbetet e patrajtuar nga Kodi Zgjedhor aktual, në Ligjin organik në fuqi të GJK (nr.8577/2000), në nenin 66/2 përcaktohet se: “Gjykata Kushtetuese verifikon zgjedhjen e deputetëve me kërkesë të partisë politike ose të kandidatit për deputet të pavarur, duke zbatuar në këtë rast edhe dispozitat ligjore për zgjedhjet e përgjithshme”. Vazhdon në nenin 66/3″…kërkesa për shqyrtimin e zgjedhshmërisë së deputetëve mund të paraqitet brenda 6 muajve nga konstatimi i faktit të pazgjedhshmërisë”. Po kështu në nenin 67/1 thuhet se: “Në rastet kur GJK verifikon zgjedhshmërinë e deputetëve, ajo vendos, sipas rastit, rrëzimin e kërkesës ose shfuqizimin e aktit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”. Vazhdon në nenin 67/2 “Në përfundim të kërkesës për zgjedhshmërinë…GJK vendimin e saj ia dërgon Kuvendit”.

Së treti, nëse nga ligjvënësi (Kuvendi i Shqipërisë) është vlerësuar se Kolegji Zgjedhor duhet të jetë instancë e fundit ankimi, atëherë çfarë e ka penguar atë që nuk ka shfuqizuar germën “e” në nenin 131 të Kushtetutës, përfshirë dhe pikat përkatëse në nenet 66 dhe 67 të ligjit organik të GJK-së, pasi bashkë me këto dispozita, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për verifikimin e zgjedhshmërisë së deputetëve bëhet akoma më e qartë dhe nuk mund të thuhet se ka mungesë të standardeve ligjore të gjykueshmërisë, ( ka procedurë,afate, efekte, lloj i vendimit, mënyrë ekzekutimi, etj.).Aq më tepër që kanë qenë mundësitë që Kuvendi t’i bënte këto shfuqizime sepse pas vitit 2005 Kushtetuta është ndryshuar dy herë dhe procesi zgjedhor ka qenë në fokus të këtyre ndryshimeve.

Zoti Dobjani, më falni që po ju ndërpres, por Kodi Zgjedhor në fuqi, në nenin 158/5 thotë shprehimisht “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk bëhet ankim”. Atëherë si do mund të bëhet ankesë kërkesa në Gjykatën Kushtetuese?

-Veç tre arsyeve të mësipërme duhet të shtojmë se edhe Kodet e Procedurave Penale dhe Civile  thonë në disa dispozita që Vendimet e gjykatave janë të formës së prerë dhe ndaj tyre nuk lejohet ankim. Por edhe pse këto Kode nuk përmendin fare të drejtën që kanë individët, të cilët bazuar në  nenin 131, germa “f” të Kushtetutës sonë mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me pretendime për një proces të parregullt ligjor, çdo ditë GJK shqyrton këto lloj vendimesh, bazuar në nenin 131/f të Kushtetutës. Pra për mendimin tim kjo dispozitë e Kodit Zgjedhor duhet kuptuar se ajo e ndalon ankimin tek organet e gjyqësorit të zakonshëm, konkretisht tek Gjykata e Lartë, por nuk mund të pengojë subjektet elektorale t’i drejtohen GJK, bazuar në germat “e” dhe “f” të nenit 131 të Kushtetutës sonë. Aq më shumë që praktika jonë e GJK njeh raste kur ndaj vendimit të një organi administrativ ose kuazigjyqësor (p.sh shkarkimi i prokurorit të përgjithshëm) ka marrë ankesa në shqyrtim bazuar vetëm në germën “f” të nenit 131 të Kushtetutës për pretendime në lidhje me proces të parregullt ligjor, pa marrë fare parasysh në se ligji përkatës e lejonte ose jo ankimin në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm gjyqësor apo në Gjykatën Kushtetuese.

 Zoti Dobjani, dua t’ju kujtoj se para disa ditësh kolegu juaj, zoti Sadushi është shprehur se: “Ndërkohë, një tjetër vendimmarrje kushtetuese, e konfirmuar me vendimin nr. 53, datë 07.05.2013 të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nga lloji dhe natyra e vendimit, ka krijuar një çoroditje teorike dhe praktike për standardin e procesit të rregullt ligjor. Gjykata Kushtetuese duket se ka konfonduar kompetencën e saj thelbësore për të shqyrtuar ankesën e individit lidhur me pretendimin për një proces të rregullt ligjor, me kompetencën tjetër të saj për të vlerësuar në substancë kushtetutshmërinë e çështjeve që lidhen me zgjedhshmërinë e Presidentit të Republikës, të deputetëve, si dhe me papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të tyre. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë nxjerrë përfundimisht jashtë juridiksionit kushtetues kontrollin për respektimin e standardit të procesit të rregullt ligjor ndaj vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë”.

-Unë bashkohem me shqetësimin e Zotit Sadushi dhe në një farë mënyrë qëndrimet tona konvergojnë me njeri-tjetrin. Por dua të evidentoj se, mbledhja e  Gjyqtarëve të GJK  me vendimin nr.53/2013, (pikat 24, 25) e ka nxjerrë jashtë juridiksionit kërkesën e subjektit elektoral, për zgjedhjet vendore, duke argumentuar se GJK nuk ka juridiksion në çështje zgjedhore vendore. Kjo gjykatë është shprehur se: “Kushtetutëbërësi ka konsideruar se Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje vetëm për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë e Presidentit të Republikës, deputetëve si dhe për papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të tyre, duke mos e shtrirë këtë të drejtë ndaj subjekteve të zgjedhjeve lokale. Gjatë shqyrtimit të këtyre çështjeve, Gjykata Kushtetuese vlerëson dhe respektimin e parimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor. Për të garantuar efiçencën e këtyre organeve është parashikuar afati 6 muaj nga konstatimi i faktit të pazgjedhshmërisë, si kohë optimale për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Pra unë mendoj se përderisa në formulimin e nenit 131/e  të Kushtetutës ka hapësira të plota që kandidati për deputet/partia politike, të mund të paraqesin një ankim kushtetues individual, duhet të provojmë dhe qëndrime të mëtejshme të GJK-së. Pra mbetet për t’ú parë se çfarë do të vendoste GJK nëse do ishte para një kërkese konkrete të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, bazuar në nenin 131, germat “e” dhe “f” të Kushtetutës, pavarësisht qëndrimit të fundit të saj me vendimin nr.53/2013.

Nga sa thoni ju a do mundet kontrolli kushtetues mbi mënyrën e formimit të Kuvendit, ta justifikojë juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese për verifikimin e zgjedhshmërisë së deputetëve? A ka vende të tjera që e kanë në zbatim këtë funksion të GJK-së?

-Parimi i kushtetutshmërisë funksionale i detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese. Çdo shtetas ka të drejtë  për të votuar në mënyrë të fshehtë dhe për të shprehur mendimin e tij lirisht në votim si dhe të drejtën për t’u zgjedhur. Në mënyrë të drejtpërdrejtë e drejta për të votuar ka lidhje me përfaqësimin legjitim të qytetarit në Kuvend (demokracinë) si dhe me dinjitetin e tij, si qenie e cila duhet të ndjehet e përfillur në vullnetin se nga cili apo cilët dëshiron të qeveriset. Në këtë kontekst, sigurisht që Gjykata Kushtetuese do ishte në pozita më të besueshme për verifikimin e zgjedhshmërisë së deputetit si përfaqësues i popullit, sidomos në terrenin shqiptar ku ka shumë mosbesim dhe paragjykime. Duhet të kemi parasysh se këtë kompetencë kushtetuese e kanë në fakt dhe disa gjykata të tjera kushtetuese evropiane. Kështu p.sh Sllovenia, Çekia, Armenia, por më e rëndësishme është Franca. Kështu Këshilli Kushtetues Francez është gjykata kompetente për të vendosur në lidhje me kontestimet mbi rregullsinë e zgjedhjes së deputetëve dhe senatorëve (Parlamenti në Francë ka dy Dhoma: Asambleja e Deputetëve dhe Senati). Neni 59 i Kushtetutës së Republikës Franceze në fuqi (të vitit1958) përcakton se “Këshilli Kushtetues vendos, në rast kundërshtimi, mbi rregullsinë e zgjedhjes të deputetëve dhe të senatorëve”. Diskutimi nëse subjekti elektoral mund të paraqesë ankesë dhe t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të shprehet në lidhje me verifikimin e zgjedhshmërisë së ndonjë deputetit, është tashmë çështje interpretimi e vetë Gjykatës Kushtetuese, sesi mund ta bëjë funksionale këtë kompetencë kushtetuese, apo nëse nuk mundet ta bëjë.

NDRYSHIMI I KODIT ZGJEDHOR NË VITIN 2003

Mund të na thoni, ju lutem se cilat ishin, sipas jush, arsyet pse ndodhi ky ndryshim në Kodin Zgjedhor të vitit 2003?

-Ka pasur disa shkaqe dhe arsyetime, por unë mund të them vetëm se vendimet e GJK për zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 u anatemuan politikisht pothuajse nga të gjitha subjektet elektorale dhe se, sipas një marrëveshje të të dy forcave kryesore politike, u vendos që organi përfundimtar i ankesave kundër vendimeve të KQZ-së për rezultatet përfundimtare në lidhje me kandidatët për deputetë do të ishte Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë. Kështu që sipas nenit 174 të Kodit Zgjedhor të vitit 2003: “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk bëhet ankim ose rekurs”. Ky rregullim, në përmbajtje u ruajt edhe pas ndryshimit të Kodit Zgjedhor në vitin 2008, mbi bazën e të cilit u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Si rrjedhojë, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005 dhe vitit 2009, nuk pati ndonjë ankesë në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhshmërinë apo verifikimin e zgjedhjeve të deputetëve, bazuar në germën “e” të nenit 131 të Kushtetutës.

ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË 2009-s

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009 dhe deri në zgjedhjet për pushtetin vendor në maj 2011, për gati 2 vjet jeta politike dhe sidomos ajo parlamentare e Shqipërisë ishte arenë e akuzave të pandërprera për parregullsitë e konstatuara për ato zgjedhje, të shprehur në zhargonin “të hapen ose të mos hapen kutitë”, që të kujton retorikën e Hamletit “të jesh ose të mos jesh”. Sipas mendimit tuaj, a kishin mundësi palët që t’i drejtoheshin Gjykatës sonë Kushtetuese për atë konflikt të tejzgjatur me pasoja politike?

-Mendimi im personal ka qenë dhe është se, kjo rrugë do kishte qenë më efektive. Por nisur nga fakti  se kjo dispozitë kushtetuese (germa “E” e nenit 131) nuk është shfuqizuar dhe ekziston akoma, them se palët kanë respektuar një “xhentelment agrement” të vitit 2003.

LIGJI I PAPAJTUESHËM ME KUSHTETUTËN

Nga vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA për çështjen Marsbury kundër Madison në vitin 1803″… nëse një ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe nëse bashkërisht edhe ligji, edhe Kushtetuta aplikohen në një çështje të veçantë, çfarë duhet të bëjë gjykata? A duhet që gjykata të vendosë për çështjen duke zbatuar ligjin dhe duke shmangur Kushtetutën, apo duke zbatuar Kushtetutën dhe duke shmangur ligjin? Gjykata duhet të përcaktojë rregullat që zgjidhin çështjen. Kjo është esenca e vërtetë e detyrës gjyqësore. Nëse gjykatat duhet të jenë të lidhura me Kushtetutën dhe Kushtetuta është superiore ndaj çdo akti tjetër të zakonshëm të legjislaturës, atëherë Kushtetuta dhe jo një akt i tillë i zakonshëm duhet të rregullojë çështjen, ku këto dy norma aplikohen bashkërisht”. Ky vendim është rasti i parë në botë që një ligj deklarohet i papajtueshëm me Kushtetutën dhe hodhi bazën juridike të procesit të rishikimit gjyqësor të akteve legjislative.