Prof. Dr. Edmond Panariti:Tensionet etnike, alarm për Bashkimin Europian

463
Sigal

Ekskluzive/ Ministri i Punëve të Jashtme, Prof. Dr. Edmond Panariti flet mbi situatat konfliktuale në rajon

“Këto ngjarje ne i konsiderojmë pa mëdyshje, jo vetëm akte kriminale të patolerueshme, por edhe një tronditje serioze për vlerat themelore të një shoqërie multietnike dhe demokratike”, kështu është shprehur në një intervistë të dhënë për “Telegraf” Ministri i Punëve të Jashtme z.Edmond Panariti, mbi ngjarjet e fundit që kane ndodhur në rajon dhe mbi të gjitha që kanë të bëjnë direkt me shqiptarët. Zoti ministër ka bërë një analizë të detajuar dhe analitike për marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët e saj si Maqedoninë, Greqinë, Serbinë etj.. Për më tej ju informon intervista e mëposhtme.

 –Z. Panariti, ditët e fundit pamë një situatë të tensionuar në Maqedoni, që në fakt nuk ishte e papritur nëse i referohemi gjithë zhvillimeve politike në shtetin fqinj. Ka një klime të trazuar parazgjedhore. Cili është qëndrimi i Tiranës zyrtare për zhvillimet në shtetin fqinj?

Ngjarjet e fundit dëshmojnë se ushtrimi sistematik i dhunës mbi shqiptarët, thuajse po e institucionalizon provokimin dhe “rrahjen” e shqiptarëve në Maqedoni dhe kjo padyshim e rëndon edhe më shume klimën parazgjedhore, marrëdhëniet ndëretnike si dhe bazat e bashkëjetesës.

Ju e dini se ne reaguam menjëherë pas aktit të rrahjes barbare të nxënësve shqiptarë dhe pas përshkallëzimit të dhunës në disa rajone të Shkupit në Republikën e Maqedonisë.

Këto ngjarje ne i konsiderojmë pa mëdyshje, jo vetëm akte kriminale të patolerueshme, por edhe një tronditje serioze për vlerat themelore të një shoqërie multietnike dhe demokratike.

Shqetësimi ynë më i madh është se rishfaqja e incidenteve me sfond etnik dhe rritja artificiale e tensioneve në Republikën e Maqedonisë, është sinjal alarmi për të gjithë ata, që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në familjen e Bashkimit Evropian, dhe jo si një rikthim tek e shkuara e tensioneve apo konflikteve etnike.

Ne nuk do të rreshtim së bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni dhe veçanërisht faktorëve politikë shqiptarë të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm.

Shprehim bindjen se dialogu konstruktiv, fryma e tolerancës, mirëkuptimit, si dhe bashkëpunimit efektiv mes të gjitha forcave të shoqërisë, për gjetjen e zgjidhjeve për çdo problem a situatë të brendshme të vështirë, është rruga e vetme në shërbim të stabilitetit të vendit, të integrimit të tij në strukturat evropiane dhe euroatlantike si interes madhor i të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe rajonit gjithashtu.

Shqiptaret janë brenda të drejtave të tyre si qytetarë të Republikës së Maqedonisë për të reaguar ndaj ushtrimit të dhunës, por protestat duhet të jenë paqësore, demokratike dhe qytetare. Është përgjegjësi e forcave politike shqiptare të bëjnë të gjitha përpjekjet që këto protesta të ligjshme të ruajnë me çdo kusht përmasat dhe standardet demokratike dhe paqësore.

Bisedimet Prishtinë-Beograd vazhdojnë në Bruksel. Si mendoni a do prodhojnë vërtet një rezultat këto bisedime? Dhe a mendoni se do t’i zbatojë Beogradi marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE?

Në fakt garanci e vetme për ecurinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, janë zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE dhe posaçërisht marrëveshja në menaxhimin e integruar të kufijve midis dy vendeve. Ne përshëndesim dhe mbështesim dialogun tashmë të institucionalizuar midis dy vendeve sovrane. Madje jemi të inkurajuar edhe nga fakti se kjo po ndodh në nivelet më të larta të hierarkive shtetërore dhe institucionale përkatëse, si rruga e vetme për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme edhe për veriun e Kosovës.

Ky dialog duhet të vazhdojë duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke shmangur që në embrion çdo përpjekje që kërkon enklavizim të Kosovës, gjë që do të prodhonte një situatë të pashpresë dhe vatër permanente tensioni dhe konflikti sipas modelit të Bosnjës. Kjo nuk është as në interes të Kosovës dhe as të Serbisë dhe për më tepër as në interes të paqes, stabilitetit dhe progresit në Ballkan dhe shkon ndesh me perspektivën integruese të rajonit në Bashkimin Europian.

Në një intervistë të fundit jeni shprehur se do të shkoni së shpejti në Beograd. A do të diskutohet për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës? Çfarë prisni të arrini në një vizitë e tillë, ndërkohë që Serbia vazhdon të mos jetë konstruktive?

Pa asnjë dyshim dhe hezitim ne jemi të vendosur për të ecur në rrugën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë me shtetet e rajonit. Kjo vlen në përgjithësi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfshi këtu edhe Serbinë. Këtë vullnet pata rastin t’ia komunikoj ministrit të jashtëm serb Mërkic gjatë vizitës që ai bëri në Tiranë, vitin që shkoi. Sigurisht është e mirëpritur nga ne një vizitë e planifikuar në Beograd, për të rimarrë edhe një herë tempin e bashkëpunimit dypalësh. Por që kjo të ndodhë, duhet që paraprakisht të dy vendet tona të bien dakord për nënshkrim të marrëveshjeve midis dy vendeve në fusha të rëndësishme të interesit të përbashkët. Kjo gjë do t’i jepte substancë bashkëpunimit, duke mos e lënë atë vetëm në nivelet e dëshirës së mirë. Me shumë rëndësi është nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave të arsimit të lartë, gjë që në fakt Serbia e ka arritur me Kosovën dhe nuk shoh asnjë arsye se përse kjo të mos arrihet me Shqipërinë. Jo me më pak rëndësi janë edhe marrëveshje të tjera në fushën e doganave, transportit publik etj.

Si detyrim kushtetues, por edhe në respekt të akteve dhe të së drejtës ndërkombëtare, Shqipëria duhet të interesohet dhe të mbrojë të drejtat e bashkëkombësve tanë, kudo. Në këtë këndvështrim interesimi për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të jetë pjesë e agjendës së bisedimeve në Beograd, sikurse ndodhi edhe në Tiranë. Fryma e dialogut, kompromisit dhe e vullnetit të përbashkët për të zgjidhur çështjet duhet të mbizotërojë mbi paragjykimet dhe fobitë.

Lidhur me marrëdhëniet me Greqinë, ka ende raste të shqiptarëve që kthehen në kufi për shkak të toponimeve. Ndërsa së fundi Athina ka marrë një vendim të njëanshëm dhe për të pezulluar linjat e autobusëve shqiptare. A do ketë një zgjidhje të këtyre problemeve?

Jemi në pritje që pala greke t’u përgjigjet pozitivisht propozimeve tona për të reflektuar vërejtjet e tyre për çështjen e toponimeve në certifikatat dhe pasaportat e shtetasve të lindur në Greqi. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u vendos që të fillohet sa më shpejt vendosja e toponimeve në gjuhën angleze të vendlindjeve në Greqi, sipas kritereve të OKB-së. Ndërkohë i kemi kërkuar palës greke të heqë pengesat e lëvizjeve për qytetarët tanë, tani që procesi është futur në binaret e një zgjidhjeje të qëndrueshme, por që kërkon edhe kohë. Pas kësaj pengesat në lëvizje janë të pajustifikuara dhe në mos respekt të marrëveshjes së Shengenit.

Në çështjet e transportit të udhëtareve të dy palët duhet t’u përmbahen marrëveshjeve ekzistuese në këtë drejtim. Kjo duhet të ndiqet nga Ministritë përkatëse të Transporteve. Çdo modifikim i njëanshëm i këtyre marrëveshjeve, pa miratimin e palës tjetër përbën shkelje dhe pala e dëmtuar, në këtë rast Shqipëria, duhet t’i drejtohet arbitrazhit.

Si përfaqësues i LSI-së në qeveri, cili ka qenë kontributi më i veçantë i kësaj force gjatë 4 viteve bashkëqeverisje?

Nuk ka dyshim se kontributi i LSI-së në qeverisje dhe në avancimin e reformave integruese ka qenë thelbësor dhe vendimtar në arritjet e shënuara. Veçanërisht kontributi i LSI-së në drejtimin e dy dikastereve të qeverisë atë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Ekonomisë dhe Energjetikës ka rezultuar përcaktues në nënshkrimin e marrëveshjeve për projektin e gazsjellësit transadriatik (TAP), i cili pritet të jetë projekt fitues. Vjet unë pas negociatave intensive arrita të nënshkruaj në Nju Jork, memorandumin e bashkëpunimit midis vendit tonë, Greqisë dhe Italisë, ndërsa këtë vit pas një pune dinamike të dikasterit që drejtojmë, arritëm të nënshkruajmë marrëveshjen ndërqeveritare midis vendeve tona, duke hipotekuar në këtë mënyrë garancinë për sukses të këtij projekti madhor, i cili do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit dhe që pritet të krijojë dy mijë vende të reja pune.

Po kështu kontributi i LSI-së në reformat në shëndetësi, por edhe përpjekjet e saj të pareshtura për instalimin e kulturës dhe të mekanizmave të kompromisit në politikë dhe shoqëri janë vlerësuar dhe vlerësohen shumë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Duke iu referuar këtij bashkëpunimi, a është duke e vlerësuar LSI një vazhdimësi të kësaj aleance?

LSI do të respektojë paktin qeverisës me PD deri në skadencën e mandatit. Më pas do të jetë konventa e LSI-se e Prillit që do të përcaktojë kushtet dhe kriteret e aleancave për zgjedhjet e ardhshme.

 -Z. Panariti, aktualisht procesi i integrimit të vendit është i bllokuar, si pasojë e mosvotimit të tre ligjeve. Sa mendoni Ju që do zgjasë kjo gjendje dhe kur mund të ketë një riaktivizim të çështjes?

Në fakt, të tri ligjet duhet të miratoheshin dhe të mos bëheshin pengesë për marrjen e statusit. Votimi i tri ligjeve do ta kanalizonte procesin te Komisioni Europian dhe Këshilli i Ministrave të KE-së, pikërisht ashtu edhe siç përcaktohej e zeza mbi të bardhë në progres raportin e KE të vitit të kaluar.

Ky proces u instrumentalizua dhe u bë pjesë e retorikave politike pa pasur nevojë, kur përgjegjshmëria politike e palëve duhet të çonte në miratimin apriori dhe pa debat të këtyre ligjeve, të cilat nuk i takojnë partive, por i takojnë Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Për fat të keq, përkundër apeleve të përsëritura të LSI-së, nuk është hera e parë që humbasim kohën në procesin e integrimit.

Përsëri diçka mund të arrihet, si konsensus parazgjedhor midis palëve garuese, se cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve, qeverisja e ardhshme të arrijë pa kushte miratimin e ligjeve në Kuvend.