Prof.Dr.Bernard Zotaj: LANÇ-i, ngjarja më madhore

93

Shqipëria në krye të rezistencës antifashiste në Evropë

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Lufta Antifashiste e popullit shqiptar e bashkoi me Koalicionin e Madh Antifashist botëror.

Rreshtimi ishte një detyrë parësore dhe historia do kishte rrjedhur ndryshe, sepse arritjet e realizuara në vite e shekuj do ishin cënuar, do ishim rrezikuar të zhdukeshin. Me qëndresën e tyre të armatosur shqiptarët u vunë kundër pushtuesve italianë në krye të rezistencës antifashiste në Evropën e pushtuar nga fashizmi. Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar mori përsipër organizmin e luftës në nivel kombëtar. Fronti ishte organizatë pluraliste dhe gjithëpërfshirëse. Themelet i hodhi në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942. Ky ishte dhe reflektim i parë antifashist në Shqipëri në përputhje me Deklaratën e “Kombeve të Bashkuara” të janarit 1942. Programi i Frontit parashikonte organizimin dhe zhvillimin e kryengritjes së armatosur për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, vendosjen e një rendi demokratik në Shqipëri, të drejtën e popullit shqiptar për të përcaktuar, pas çlirimit, me vullnetin e tij, formën e regjimit politik.

Gjithë qëndresa antifashiste shqiptare pati jehonë dhe mbështetje prej kombeve antifashiste, prej Fuqive të Mëdha Anglisë, BRSS, SHBA. Qeveritë e tyre në dhjetor 1942, me deklaratë zyrtare, njohën kontributin e popullit shqiptar në luftën kundër fashizmit. Lufta Antifashiste kishte nisur me forma të thjeshta, me veprime të grupeve atdhetare, të njësiteve guerile, të çetave e batalioneve, deri sa u arrait krijimi i UNÇSH. Kjo ushtri u shndërrua në një ushtri të rregullt, që arrite në mijëra luftëtarë. Rezistenca antifashiste shqiptare i detyroi pushtuesit të angazhonin në vendin tonë forca të shumta ushtarake dhe me luftime të vijueshme i shkaktuan humbje të konsiderueshme. Kështu në Shqipëri u duk dhe u materializua në praktikë një rezistencë e qartë ndaj pushtuesve. Në harkun e disa muajve, ushtria gjermane organizoi dhe zhvilloi dy operacione masive kundër UNÇSH, e cila ishte një forcë e madhe sulmuese. Kjo ushtri u bë e vetmja forcë e armatosur në Evropë që e çliroi vendin pa ndihmën dhe përkrahjen e aleatëve në luftë. Duke u nisur nga momenti historik, nga detyrat që u shtruan, nga pjesëmarrja, nga karakteri dhe nga rezultati, Lufta Antifashiste ishte një luftë çlirimtare, me karakter popullor. Kjo luftë pruri që në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore, të çlirohej atdheu nga pushtuesit dhe të ripohonte pavarësinë kombëtare të Shqipërisë.

 Lufta Antifashiste përfshiu të gjitha shtresat e shoqërisë

 Lufta Antifashiste pruri epopenë e jashtëzakonshme të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut, pruri madhështinë e Kuvendit të Vlorës, pas përpjekjeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe kryengritjeve të mëdha që i dha Shqipërisë rezultatin më të madh që njeh historia e njerëzimit, shtetin kombëtar. Lufta Antifashiste dhe humbjet e shqiptarëve në këtë luftë, nuk ishte vetëm epopeja e luftëtarëve të formacioneve partizane, por ajo u shtri në formacionet territoriale, komandat e vendit, në formacionet jashtë Frontit Nacionalçlirimtar, në rezistencën e guximshme të burgosurve e të internuarve nga fashistët italianë e në kampet e përqëndrimit gjerman, me viktimat e shumta të pushkatuara e masakruara nga agresorët. Lufta Antifashiste përfshiu dhe ushtarakët e ushtrisë mbretërore, pjesëtarë të ushtrisë të ringritur nga okupatorët, të cilët dhanë ndihmesë në frontin e madh të Luftës kundër fashistëve në luftën italo-greke e më pas. Qindra ushtarë italianë dhe të kombësive të tjera u rreshtuan në formacionet partizane deh së bashku me partizanë shqiptarë duke luftuar u shquan për veprime të guximshme dhe shpirt heroizmi. Në luftën e përbashkët kundër bishës nazifshiste, luftëtarët shqiptarë ndjenë nga afër praninë dhe ndihmën e misioneve aleate anglo-amerikane, të cilët ndanë me ta zjarrin e betejave dhe gëzimin e fitoreve. Kontributi, sakrificat dhe të rënët nga radhët e të huajve, që luftuan kundër nazifashizmit në tokën shqiptare, janë pjesë e pandashme e kontributeve sakrificave dhe e të rënëve të popullit shqiptar që sollën fitoren mbi pushtuesit.

Misionarë fisnikë dhe pena të ndritura bindshëm kanë vlerësuar se UNÇSH ishte një forcë e fuqishme goditëse, e organizuar dhe shumë e disiplinuar. Ata kanë theksuar se partizanët janë shumë të ndershëm… shumë seriozë në përpjekjet e tyre. Edhe në kushtet më të vështira, kur iniciativa strategjike ishte në duart e gjermanëve dhe saktësia e goditjes së tyre mund të çonte në shfarosje, feniksi partizan mbijetonte. Shpesh në mjaft situata, individë e nënreparte partizane ishin të zbathur e të rreckosur, me mungesa serioze për ushqim, por fryma e tyre luftarake dukej e shkëlqyer, shpirti për të jetuar në vështirësi të rënda, që mund të idealizohej si shpirt spartanësh me shfaqet e veta trimërore.

Aleatët luftuan fashizmin dhe përkrahën antifashistët

Fashizmi si formë qeverisje e lëvizje, thellësisht reaksionare nuk i përket vetëm së kaluarës. Breht do të shkruante se barku që nxori kafshën e përbindshme, mund të pjellë akoma. Paralajmërime për rrezikshmërinë e fenomeneve, që çuan drejt shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, i shohim të përsëriten sot para syve tanë. Në rezultate jo të dëshiruara të përsëritjes së historisë, si në rajon dhe në pika të tjera të botës, me rreziqe e kërcënime serioze për paqen e lirinë. Sigurimi i një shteti është shqetësim i të gjithëve që del nga dijenia e të gjithë qytetarëve. Vlerat mbi të cilat shteti i tyre është ndërtuar nuk janë një dhuratë për rezultatet e përpjekjeve kolektive dhe e bindjes së ndërgjegjes të të gjithëve. Historia edhe mbas 75 vitesh të fitores mbi fashizmin përcjell bindshëm mësimin se idealet njerëzore i paraprijnë një mosbindjeje të përhershme, universale ndaj së keqes, këtë ideuan dhe luftuan themeluesit e Koalicionit Antifashist Botëror.

Shqiptarët duhet të krenohen me këtë përvjetor, frytet e së cilës përvijohen në koalicione të tjera moderne, modele të sigurisë bashkëpunuese etj. Ideali i lirisë i frymëzoi qindra e mijëra të rinj në vitet e Luftës Antifashiste. Ai mbeti i gjallë dhe në dekadat që sollën fillimin e Luftës së Ftohtë dhe bashkimin e Shqipërisë në kampin socialist. Kjo hallkë mbajti gjallë lidhjet e shqiptarëve me botën demokratike dhe pruri ndryshimin e regjimit. Dekada e parë e shek. XIX pruri përmbushjen e aspiratës një shekullore të popullit shqiptar, Kosovën. Lufta e Kosovës me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian bëri që të fitohej Pavarësia. Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe ju dha mundësia unike, për të ndërtuar sigurinë mbi themele solide.

Librat e botuara së fundi theksojnë se Shqipëria si kryeura e parë e gjeostrategjisë së luftës evropiane, disfata e Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore, që u duk e pashmangshme nga fundi i vitit 1943, tregoi se mbështetja tek ajo për zgjidhjen e çështjes kombëtare, ishte i gabuar. Ky gabim bëri që kuislingët e kolaboracionistët pas lufte dolën para gjyqit si kriminel lufte. Duke përkujtuar 75 vjetorin e LANÇ-it, mendja të shkon tek ajo plejadë e shkëlqyer idealistësh atdhetar, që e krijuan dhe e formësuan UNÇSH dhe që e rreshtuan në koalicionin e lavdishëm antifashist, te heronjtë e martirët e vërtetë, të drejtuesëve dhe udhëhqësve mjeshtër të fjalës e të veprimit, emrat e nderuar që kanë ndriçuar rininë progresive e rrugën e tyre për emancipim, liri e demokraci. Këto personalitete të shkëlqyera nuk lakmuan asgjë nga jeta materiale, por ata bënë një investimi te populli liridashës, me përpjekje të qarta, dimension njerëzor, dinjitet dhe sfidë për jetën e tyre, për lirinë. Ata e bënë detyrën e tyre.