Prof. Dr. Bamir Topi: Precedenti i heqjes së portretit ka nisur nga Topalli

640
Sigal

 

Ish -Presidenti, Prof. Dr. Bamir Topi, në intervistën ekskluzive për “Telegraf”, qartë dhe prerë thotë se, qeveria “Rama”, bën mirë që vendosi në zyrat e administratës publike fotografinë e Ismail Qemalit. PD-ja nuk ka përse të ankohet, pasi Jozefina hoqi foton e Presidentit nga zyrat e Kuvendit, pa e zëvendësuar me asnjë. FRD-ja është parti e qendrës së Djathtë, por Berisha është pengesa e jashtëzakonshme për të reformuar të Djathtën, ndaj edhe 8 votat pro Metës, sipas zotit Topi, janë shprehje e krizës politike brenda së Djathtës e brenda PD-së. Sipas zotit Topi, Parlamenti me Ilir Metën, si kryetari i ri, ka “një drejtim të qetë, të ekuilibruar, në mënyrë të dukshme ndryshe nga paraardhësja e tij”.

 – Zoti Topi, cili është fituesi i zgjedhjeve të 23 Qershorit?

– Fituesi i vetëm është populli shqiptar, i cili ka demonstruar intuitën e tij për nevojën e rotacionit politik. Një demokraci që të funksionojë, e ka domosdoshmëri rotacionin politik, por ai që e bën në të vërtetë është pikërisht votuesi. Sot, pavarësisht që pushteti i ka kaluar koalicionit të së Majtës, verdikti, ka qenë shumë realisht. Pavarësisht se FDR-ja është parti e qendrës së Djathtë, qysh në fillim ka qenë e pozicionuar për nevojën e rotacionit politik, sepse kur vjen puna për të bërë rotacionin politik, partitë duhet t’i largohen interesave të ngushta dhe duhet të shkojnë te ato interesa që janë madhore për vendin dhe perspektivën e tij europiane.

– Cili është mesazhi që përcolli 23 Qershori te politikëbërja shqiptare?

– Populli, me votën e tij, u dha një mesazh të qartë edhe të porsaardhurve në pushtet, që elementi më i rëndësishëm, nga çdo gjë tjetër, është ruajtja në normë, në standarde e një fizionomie demokracie të një qeverisjeje, e cila detyrimisht duhet të jetë me fytyrë qytetare.

–  Si e gjykoni programin qeverisës të Kryeministrit Rama?

Unë besoj që është një sëmundje e gjithë formacioneve politike, të majta e të djathta, që, kur shkojnë në fushatë elektorale, bëjnë prezantime me programe e premtime të fryra, jashtë realitetit. Ndaj, është momenti që qeveria e re, nga ajo situatë premtimesh, të shkojë në një program konkret, pasi programi i qeverisjes, patjetër  që, nuk të lejon të mbash atë status premtimesh që ke dhënë në fushatë. Ajo që më ka bërë përshtypje vazhdimisht, cilado qeveri që të vijë – padyshim, që unë i uroj sukses, sepse suksesi në qeverisje është rritje e standardit të jetesës të popullit -ajo që unë shikoj me shqetësim, është se edhe kjo qeveri nuk orientohet të shkojë te prioritetet e zhvillimit të ekonomisë kombëtare. Duket sikur merren më shumë me gjëra të sensibilitetit të çastit, të cilat nuk i kanë dhënë ndonjë jetëgjatësi përpjekjeve për realizimin e programit. Të shkosh e të investosh te prioritetet e zhvillimit kombëtar, sikurse është bujqësia, blegtoria, agroturizmi, kjo do të thotë, që më në fund, ne t’i drejtohemi me të vërtetë veprimtarive prodhuese. Të mos katandisemi, që në 2013-n, ne të konsumojmë stoqet e vendeve fqinje. Një  çështje tjetër e rëndësisë kapitale është rikthimi i një situate normale nëpër institucione, marrëdhëniet midis institucioneve, e cila ka qenë në kuota jashtëzakonisht të ulëta, për shkak të një prezantimi të dukshëm të ish-Kryeministrit, për të vënë nën kontroll gjithçka dhe për t’i vënë të gjitha institucionet nën kontrollin e ekzekutivit. Shfaqja më e dukshme ka qenë marrëdhënia midis Parlamentit dhe ekzekutivit, ndërkohë që, është Parlamenti, institucioni sipas Kushtetutës, që duhet të mbajë në kontroll ekzekutivin.

–  Cila është kritika juaj për këtë program qeverisës të Kryeministrit Rama?

–  Sigurisht që, një program i qeverisë mund të jetë më i detajuar. Ajo që më shqetëson më shumë, në një program të qeverisë, që duhet më së fundi,  të ndryshojë më shumë nga të gjitha programet e qeverive të tjera paraardhëse, është orientimi drejt  prioriteteve të zhvillimeve  të ekonomisë tonë. Sepse kemi patur gjithmonë fjalë dhe aspak mbështetje reale. E dyta, me nevojën e luftimit të korrupsionit në çdo qelizë të administratës, në rritjen e transparencës publike. Ne sot nuk mund ta paragjykojmë. Ne do të jemi shumë të vëmendshëm, në realizimin e këtij programi, ditë pas dite. Opozita nuk bëhet thjeshtë në Parlament. Sot, zërat opozitarë e kanë çdo faktor publik  për të bërë oponencën.

– Shikoni vullnet politik te kjo maxhorancë e re që të vendosë një ekuilibër demokratik, kushtetues, midis institucioneve dhe pushteteve?

– Unë besoj se, çdo gjë që mund të realizohet tani, do jetë më e mirë nga situata që kemi kaluar. Unë e njoh shumë mirë konjukturën e marrëdhënieve ndërinstitucionale, qoftë edhe si deputet, qoftë edhe si anëtar i qeverisë së dikurshme, qoftë edhe si Kryetari i Shtetit. Unë besoj se nuk ka patur një situatë më të rëndë për institucionet, gjë që u pasqyrua pastaj, më ekzemplare, në sensin negativ, në ngjarjet e 21 Janarit, ku pushteti i Kryeministrit ishte në pikën më kritike, në raport me institucionet e tjera. Ngjarjet e 21 janarit treguan se, sa ishte në gjendje ish-Kryeministri për të mbajtur një raport normal mbi standardet e demokracisë dhe raportet e institucioneve që përcakton Kushtetuta. Ju e keni identifikuar gjendjen e nderë që ai pati me institucionet e pavarura, duke filluar me institucionin e Presidentit, të drejtuesit të SHIK-ut, të Prokurores së Përgjithshme, të opozitës, të Parlamentit dhe sot, fatkeqësisht, kemi në memorie, një komision hetimor parlamentar, i cili u ngrit në mënyrë unitalerale, vetëm me anëtarët e maxhorancës, për të denigruar institucionet e pavarura, u është shtyrë afati disa herë dhe përfundoi legjislatura pa asnjë raport. Sot është momenti politik, që jo vetëm të ketë një reflektim, për këtë veprim arbitrar të ushtrimit të pushtetit, por për krijimin e një klime vërtetë demokratike, klimë, e cila duhet të fillojë në Kuvend, të vazhdojë në marrëdhëniet midis maxhorancës dhe opozitës, në marrjen në konsideratë të çdo faktori, i cili do kontribuojë në stabilizimin e situatës institucionale, largimin nga metodat militanteske të ndërtimit të shtetit dhe te zhvillimi i një ekonomie të qëndrueshme.

–  A  shtrohen domosdoshmëri përpara kësaj maxhorance të Majtë ndryshimet kushtetuese, që do të sjellin normalitetin kushtetues, të para 2008-s, për të vendosur ekuilibrin e raporteve dhe marrëdhënieve midis institucioneve ?

–  Unë besoj se, kjo klimë e nderë  që u krijua nëpër  institucione,  ishte pasojë e ndryshimeve kushtetuese që u bënë në prillin e 2008-s, qoftë për Kodin Elektoral, qoftë për funksionimin e institucioneve, midis tyre dhe unë mendoj, që kjo politikë, që përfaqësohet në Parlament, e ka të nevojshme që të shikojë domosdoshmërinë e ndryshimit të Kushtetutës. Domosdoshmëria e këtyre ndryshimeve në Kushtetutë, duhet të afrojë specialistë, të bëhet pjesë e një debati publik, dhe, pasi të jenë ezauruar mirë debatet, atëherë, Kushtetuta të riparojë, ato defektet e rënda, që u pasqyruan edhe te Kodi Zgjedhor. Fakti që vota nuk konsiderohet e barabartë për të gjithë, fakti që me të njëjtën numër votash, një pjesë e partive janë futur në Parlament, e të tjera janë jashtë, tregon që kjo është një mangësi e jashtëzakonshme, që lidhen me ato ndryshime kushtetuese, që partitë e mëdha i bënë për interesat e tyre. Sot Kushtetuta duhet të jetë në funksion të forcimit të  rolit të institucioneve, sepse FRD-ja e ka patur në sloganin e saj “Për shtetin dhe qytetarët”. Partitë duhet të ngrihen në standardet e politikës europiane dhe t’i largohen asaj mënyre të të bërit politikë, që e renditin sot Shqipërinë në një nga vendet me demokraci, funksionale të cunguar.

–  Ku është ndryshimi  i bashkëqeverisjes PS-LSI nga bashkëqeverisja PD-LSI

– Është i dukshëm. Në radhë të parë, sot kemi një bashkëqeverisje mbi bazën e dy partive të majta. Ato janë në një shtrat të natyrshëm. E panatyrshme ishte bashkëqeverisja PD-LSI, sepse ishte një parti e krahut të Djathtë dhe një parti e Majtë.

Sipas gjykimit tuaj, përse FRD-ja nuk mundi të futej në Kuvend?

– Janë mjaft faktorë. I pari dhe shumë i rëndësishëm, është çështja e Kodit Zgjedhor. FRD-ja  u pozicionua që në fillim , e vetme,  jashtë koalicioneve. Arsyet ishin të qarta. FRD-ja është parti e qendrës së Djathtë, nuk mund të bënte koalicion me parti të Majtë. Por edhe nuk mund të bënte koalicion as me PD-në, me të cilën e ndante tërësisht morali politik. Një tjetër pengesë është edhe mungesa e përfaqësuesve në komisionet zgjedhore. Por doja të evidentoj edhe një klimë presioni që anëtarët e simpatizantët e FRD-së, kanë patur gjatë gjithë kohës nga pushteti i Berishës, duke u bërë presion me largime nga vendi i punës. FRD-ja është në pozicionin e vet. Nuk ka ndryshuar, por është  dukshëm shumë kritikuese dhe pse, jo, në një opozicion me të gjitha ato metoda të të bërit politikë, sikurse ka demonstruar politika deri tani.

– Si forcë e Djathtë, ju a shikoni perspektivë që të bashkëpunoni me opozitën e Djathtë, pavarësisht refuzimit të Kryetarit të PD-së?

–  Ajo është një çështje e tij, sepse askush nuk i ka kërkuar që të na hapë derën, apo të bashkëpunojë. Absolutisht. Përkundrazi, kemi qenë ne që jemi shprehur që nuk do të ketë absolutisht asnjë lloj bashkëpunimi me PD-në, sa kohë Sali Berisha të jetë i pranishëm në PD. Për ne Sali Berisha është pengesë e jashtëzakonshme e ndryshimit të një politike, sepse  ai është arkitekti i shkatërrimit të së Djathtës në vite.

Mos vallë ato 8 vota që opozita i dha zgjedhjes së Ilir Metës si Kryeparlamentar, një farë shprehje proteste e kritike ndaj politikës që shpreh Berisha në PD, i cili nuk ndryshon mentalitetin e politikëbërjes?

–  Ato 8 vota demonstrojnë një krizë të thellë politike brenda PD-së. Kriza e PD-së, nuk është thjesht një krizë me elektoratin, por edhe krizë brenda përfaqësuesve të zgjedhur nga vetë Berisha. Kjo krizë politike brenda PD-së do të vazhdojë, nuk është një lajm  i mirë për të Djathtën, por është një lajm i mirë, gjithashtu, për gjithë ata që kërkojnë një strehë të re politike. Unë besoj se, FRD-ja është streha e vërtetë për demokratët.

– A është Meta një garanci për një rotacion të shëndoshë?

– Meta sot është një faktor i rëndësishëm real në politikë. Me sa kam parë këto ditë të para të Kuvendit, kam parë një drejtim të qetë, të ekuilibruar, në mënyrë të dukshme, ndryshe nga paraardhësja e tij. Dhe unë besoj se, duke patur eksperiencën  dhe natyrën ekuilibruese, do të rregullohet ndjeshëm drejtimi i punës në Parlament.

Me formimin e Gjykatës Administrative, maxhoranca mendon të shkrijë Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë e të formojë Gjykatën Supreme. Mendoni se është një zgjidhje e drejtë kushtetuese, që do t’i japë rolin e pavarësisë Drejtësisë, apo është pjesë e qëllimeve partiake, për të shtënë në kontroll drejtësinë?

Edhe sikur të ishin qëllime partiake, natyrisht ka një mekanizëm sesi ndryshojnë gjërat. Këto kërkojnë patjetër nevojën e ndryshimeve kushtetuese.  E ato, kërkojnë një bashkëpunim të maxhorancës me opozitën.

Që në fillim, kjo maxhorancë filloi një konflikt me Presidentin, duke vazhduar traditën e deritanishme politike, të konflikteve maxhorancë-President. A është ky një indeks, që megjithë rilindjen e  premtuar të politikëbërjes, është tejet e vështirë të ndryshojë ambicia e maxhorancës për pushtet absolut, në dëm të cilësisë së demokracisë?

Unë në çdo rrethanë, duke patur parasysh eksperiencën 5-vjeçare në krye të Presidencës, do të thoja që çdo faktor institucional, politik, duhet të jetë koshient, jo vetëm në konturet që i lejon Kushtetuta, për të ushtruar veprimtarinë e tij, por është jetike për vendin, për institucionet, që të ketë një mënyrë bashkëpunimi, në sensin qytetar. Unë kam provuar, kur isha President, tentativa aspak europiane, aspak qytetare, të maxhorancës për të mbyllur  hapësirat e punës së Presidentit. Shumë herë ato kanë përdorur grupin parlamentar dhe pjesë të administratës së politizuar, për të sulmuar institucionin e Presidentit, që nuk ia uroj dhe kësaj marrëdhënieje konkrete që është sot, midis maxhorancës së re dhe Presidentit. Përkundrazi, do t’i uroja që ky bashkëpunim duhet të rritet, pavarësisht këndvështrimet që kanë aktorët, por ky bashkëpunim duhet të bëhet në rrafshin kushtetues, për të bërë të mundur që Shqipëria të prezantojë para popullit të vet, por edhe para institucioneve ndërkombëtare, një klimë të qetë politike dhe, mbi të gjitha, një klimë institucionale, sepse, mbi të gjitha, është shteti dhe qytetarët.

– Marrja e mundshme e statusit kandidat të Shqipërisë në dhjetor, a përbën një hap cilësor në standardet demokratike që kemi arritur deri tani?

– Është një gjë që, ne mezi e presim, që Shqipëria të marrë ftesën si vend kandidat në BE. Patjetër është kontribut i shumë faktorëve, politikë, institucionalë, i ekspertëve dhe nuk lidhet domosdoshmërisht me një pushtet të caktuar politik në Shqipëri.  Është një kontribut afatgjatë, që shqiptarët e bëjnë për të qenë pjesë organike dhe zyrtare e BE-së. Kjo arritje të jep një argument më shumë që është rritur niveli i demokracisë në Shqipëri. Por, kjo mund të shikohet edhe si një zemërgjerësi e Europës, për ta futur Shqipërinë në standardet e një politike europiane. Jam i bindur, që ne, kur të marrim ftesën si vend kandidat, patjetër që do të jemi të detyruar për të vazhduar në përmirësimin e disa rregullave demokratike  në funksionimin e institucioneve, të cilat për fat të keq, nuk janë sot në formën më të mirë të tyre.

– Sipas jush, çfarë do të ndryshojë në politikë dhe në Shqipëri, pas pranimit të Shqipërisë si kandidate për në BE?

Marrja e ftesës, do të na bëjë më krenarë. E dyta, do të na bëjë edhe më të përgjegjshëm. Politika shqiptare do të jetë më e detyruar për të shkuar e realizuar ato standarde që i kanë vënë europianët. Ndryshe, nuk do të kishte sens. Ne shkojmë në BE për të pranuar ato standarde që ka BE-ja dhe do t’i largohemi më shumë arbitraritetit në ushtrimin e pushtetit. Të cilitdo. Do të jemi më të formatuar, më të detyruar, për t’i shkuar tërë masën e referencës që kërkon BE në të drejtën për të ushtruar pushtetin dhe për ta afruar atë me BE-në.

– Kryeministri i sotëm dhe drejtues të tjerë të kësaj maxhorance kanë dhënë premtimin që përgjegjësit e korrupsionit politik e ekonomik do të vihen përballë drejtësisë. Ju besoni se do të ndodhë kjo tani?

– Unë besoj se është detyrim i cilitdo! Qoftë i atyre që kanë shansin, mundësinë të shikojnë dokumentacionin sesi është ushtruar pushteti, nëse ka patur devijim nga legjislacioni, në procedura që kanë të bëjnë me vendimmarrjet e qeverisë, por edhe të instrumenteve të tjera, patjetër, për t’i evidentuar e paraqitur mbi bazën e fakteve në prokurori, e pastaj janë institucionet, të cilat vendosin si është e vërteta, sa është shkalla e përfshirjes në korrupsion. Unë jam nga ata njerëz, që besoj, pavarësisht dobësitë që kanë  institucionet dhe nuk e paragjykoj klimën që do të jetë për çështjet e vendosjes të së drejtës mbi atë që ka ndodhur. Do të doja që institucionet të jenë të forta, çdo gjë të dalë në dritë dhe ata që kanë abuzuar me pushtetin, të marrin ndëshkimin.

Për mua, qeveria bën mirë që vendos foton e Ismail Qemalit

 – Vendimin e qeverisë “Rama”, për të hequr portretin e Presidentit nga të gjitha institucionet shtetërore, ju si e gjykoni?

Sa kohë këtu ka personazhe politike, ka ministra, të cilët nuk zbatojnë rregullin kushtetues – sikurse ka qenë, që fotografia e Presidentit të mbahet në çdo zyrë, pavarësisht bindjeve të tua politike – sa kohë që kjo klimë nuk respektohet, atëherë unë nuk e quaj  të gabuar vendimin e një forme të kësaj natyre që, fotografia e themeluesit të shtetit shqiptar, të Ismail Qemalit, të jetë prezente në çdo zyrë të shtetit. Sepse, me sa duket, edhe emocionet e politikës partiake zhvishen nga ai moment, për të thënë, që e mbajtëm foton e Presidenti apo jo. Pra, unë nuk e quaj gabim, figura e Ismail Qemalit është një figurë historike, shumë historike. E aplikojnë edhe shtetet e tjera këtë.

Zoti Topi, mos vallë është shprehje e emocionit politik ky vendim i qeverisë?  Mos duhej bërë me ndryshime kushtetuese heqja e fotografisë së Presidentit nga zyrat e shtetit?

– Jo, nuk është çështje kushtetuese. Është çështje e vendimit të qeverisë, sepse, po të ishte kushtetuese, atëherë, ju, jo unë, duhet të ishit shumë kritikë me zë të lartë, kur ish-Kryetarja e Kuvendit, hoqi nga të gjitha zyrat e Kuvendit foton e Presidentit. Ka një fjalë të urtë. “Kur e ke shtëpinë me xhama, mos e gjuaj me gurë xhamat e komshiut”. Sot erdhi radha e të tjerëve për t’i thënë: Shiko, se emocionet politike nuk janë të mira për të denatyruar e për të shkuar edhe këto elementë që janë pjesë e ekspozimit formal të shtetit.  Qeveria e re ka marrë një vendim për të vendosur foton e Ismail Qemalit, që për mua, bëri mirë.

 – Ju faleminderit!