Prof. Dr. Arben Malaj: Po kthehem në PS, nuk ua lë mjaftistëve të babëzitur

787
Sigal

Ish-ministër dhe deputet i qeverive socialiste Arben Malaj po përballet me një nismë të disa deputetëve të PS-së për shkarkim nga detyra e tij në Bordin Mbikëqyrës të BSH-së.

Në këtë intervistë ai shteron këtë argument me të gjitha arsyet që i kanë shtyrë socialistët e tij ta godasin duke aluduar se nisma e tyre është marrë nën ndikimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi nuk ka bekimin e kryeministrit Rama dhe nuk është pranuar as nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Daljet publike kundër mënyrës si qeveris Veliaj në Tiranë e vunë në shënjestër Malajn, i cili u largua nga PS-ja në vitin 2013 pasi për disa kohë udhëhoqi një lëvizje për mendim ndryshe brenda partisë, po që nuk gjeti terren përballë kryesocialistit Rama.

Pikërisht në momentin kur të vetët po e përzënë nga dera, ai ka vendosur të kthehet nga dritarja, duke u rianëtarësuar në PS. Veprimi simbolik për Malajn do të thotë më shumë se sa kaq. Ai beson se shpejt kur PS të dalë në opozitë do të nisin ta braktisin ata që u dehën nga pushteti i saj, ndërsa socialistët e vërtetë si ai do të qëndrojnë.

Z.Malaj, si u ndjetë kur një pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, parti ku keni aderuar për shume vite dhe keni pasur pozicione të larta drejtuese në qeveri apo si anëtar i kryesisë së saj, kërkoi shkarkimin tuaj nga Bordi Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë?

Që në fillim të kësaj interviste deklaroj se e dua vendin tim, nuk e kam braktisur as në momentet më të vështira të tranzicionit të tij. Vendit tim të dashur i kam shërbyer dhe do t’i shërbej përherë me dashuri mirënjohëse, me integritet të lartë dhe me profesionalizim të thellë.

Në karrierën time partiake dhe politike kam kaluar situata shumë më kritike, në 1991 kur isha nënkryetar i PS Vlorë dhe na kërcënonin çdo ditë mbështetësit me revansh të PD-së.

I shërbeva në krizën më të rëndë të vitit 1997 kur mbylla skemat piramidale dhe unë dhe familja ime u kërcënuam disa herë, por nuk u tërhoqa sepse vendi im ishte në konflikt civil, dhjetëra njerëz vriteshin çdo ditë. Shqipëria lëngonte nën varfërinë e dështimit ekonomik të PD-së, ku kryeministër ishte Aleksandër Meksi dhe ministër i Financave ishte Ritvan Bode. Qeverisja e tyre e çoi vendin në krizën e tij më të thellë ekonomike, sociale e politike.

Në 9 Mars 1997 pranova përgjegjësinë për t’i shërbyer vendit tim si ministër i Financave në një situatë të tmerrshme ekonomike, buxhetore e politike. Ishte një kohë e çmendur që siç theksonte avokat Ngjela “Qeveria Fino ka autoritet qeverisës vetëm mbi hapësirën e ndërtesës së kryeministrisë dhe hotel Rogner” sepse aty bëheshin takimet ndërkombëtare. Qeverisja e dështuar e PD-së 1992-1996 e la Shqipërinë një tokë të djegur, ndërsa PS-ja, së bashku me kolegët 1997-2005 arritëm një realitet ekonomik, social e politik shumë herë më të mirë.

Ndiej dhimbje shoqërore, dikush i ka keqpërdorur 28 deputetë të parlamentit të vendit tim, i ka keqpërdorur, për llogari të kujt? Kjo duhet të hetohet nga Prokuroria e Shtetit Shqiptar sepse është tentuar të preket pavarësia reale e Bankës së Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit, Ruçi ka deklaruar se nuk gjen argumente ligjore për t’ua kaluar kërkesën 28 deputetëve në seancë ku votohet shkarkimi.

Kryeministri Rama u shpreh se nuk ka asnjë shqetësim për qëndrimet e mia publike.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk kishte shprehur asnjë shqetësim.

Kërkesën e 28 deputetëve nuk e kishte nënshkruar ish-kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë dhe financave dhe tani Zv. kryeministër, nuk e kishte nënshkruar as ish-ministri i Financave dhe tani kryetar i komisionit parlamentar të ekonomisë dhe financave, përgjegjës për garantimin e pavarësisë reale të BSH. Pas kësaj analize, shqetësimi im është konkret: Kush e inicioi këtë kërkesë?

Pse nuk ka asnjë dokument konsultativ me drejtorinë juridike të Kuvendit, me komisionin e ligjeve dhe komisionin e ekonomisë e financave?

Kam kërkuar dhe nuk më është dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Nuk gjendet asnjë dokument qoftë edhe si memo e brendshme, por thjesht është keqpërdorur PS për shkarkimin tim.

Shumë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë nuk dallojnë dot detyrimet e tyre ndaj Kushtetutës me detyrimin për besnikëri partiake. Deputetët nuk e kanë parasysh betimin e tyre pa të cilin nuk mund të shpallen deputetë.

Besnikëria ndaj partisë në asnjë rast nuk mund të bëhet duke shkelur Kushtetutën, siç kanë bërë në rastin e propozimit për shkarkim.

Pse erdhi kjo kërkesë dhe a besoni se kjo kërkesë do të bëhet faktike në Kuvend? Nëse po, çfarë do të bëni ju? A keni mundësi ankimimi?

Në mbrojtje të pavarësisë reale të Bankës së Shqipërisë kam ndërmarrë disa hapa konkretë:

-Bazuar në deklarimin publik të z. Ruçi se Kuvendi ia ka kaluar propozimin e 28 deputetëve qeverisë – me kërkesë me shkrim dhe në mënyrë të argumentuar i jam drejtuar qeverisë të më japë mundësinë të dëgjohem përpara se të “shkarkohem përkohësisht”, pasi vendimin e qeverisë duhet ta miratojë jo më vonë se 30 ditë, Kuvendi i Shqipërisë dhe duhen 71 vota.

-I kam kërkuar menjëherë me shkrim Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë që në mbledhjen e datës 7 gusht 2019, do të parashtroj kërkesën time për shkelje të Kodit të Etikës së Bankës së Shqipërisë nga tre administratorët e BSH-së.

-Deklarata e BSH ishte e panevojshme sepse sistemi bankar s’kishte asnjë shqetësim nga deklaratat e mia të përhershme për sfidat ekonomike, sociale dhe politike dhe të jem kritik për raste konkrete të keqqeverisjes. Me tre administratorët do të ballafaqohem ne gjyq për shkelje të integritetit tim njerëzor dhe kredibilitetit publik.

-Duke filluar nga data 10 gusht 2019, çdonjëri prej 28 deputetëve nënshkrues do të përballen në gjykatë sepse me veprimin e tyre që rezultoi një shpifje, tentuan të cenojnë integritetin njerëzor dhe kredibilitetin tim publik.

Ballafaqimi nëpërmjet proceseve gjyqësore është investimi më i mirë që unë do t’i bëj vendit tim në qartësimin e qeverisjes së tij në parimin e ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve.

Pas këtyre proceseve gjyqësore, deputetët dhe administratorët e BSH nuk do të guxojnë më të keqpërdoren për të goditur mbrapa shpine të zgjedhurit në institucionet kushtetuese, pavarësia reale e të cilëve është pjesë e kolonave shtetformuese të çdo vendi.

Pse janë aq të ndjeshëm socialistët nga kritikat tuaja publike ndaj kryebashkiakut Veliaj? A po kthehet ai një figurë me ndikim brenda kësaj partie?

Kredibiliteti publik është jetik për të qenë i suksesshëm në çdo mandat që të besojë Kuvendi i vendit tënd. Kredibilitetin nuk ta jep dalja e përditshme në televizor. Konkluzioni se pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute vlen për Veliaj më shumë se për këdo tjetër.

Qeverisja e tij arrogante dhe e babëzitur kërcënon deri jetën e përditshme të shqiptarëve. Kujtoni përndjekjen e fermerëve që shisnin perime e prodhimet e tyre për të blerë ushqime për fëmijët dhe ilaçe për familjarët e tyre, kujtoni Astirin ku në mes të dimrit kërkonte t’i nxirrte në mes të dimrit nga shtëpitë disa qindra fëmijë të vegjël. Veliaj i quan “shpellarë” protestuesit e Astirit, i konsideron “histerikë” artistët. Veliaj ka probleme nga frika që për shkak të modelit të qeverisjes jo larg e ardhmja e tij politike do të jetë një e shkuar e dëmtuar nga vetë ai.

Pikërisht kur partia po të largon dhe nga detyra në BSH ju vendosni të riktheheni në parti me anë të një kërkese për anëtarësim. Pse e morët këtë vendim? A po përgatisni të riktheheni në karrierën politike pas shkarkimit nga BSH?

E para, integriteti im moral dhe kredibiliteti i thellë profesional nuk cenohen dot nga asnjë iniciativë partiake e deputetëve të Kuvendit.

Ndiej përherë mirënjohjen e opinionit publik shqiptar për rezultatet e arritura në mandatet e rëndësishme profesionale dhe publike, mbyllja në kohë rekord e piramidave, konferenca e donatorëve me 600 milionë dollarë për ringritjen e ekonomisë shqiptare, reformimi tërësor i sistemit bankar, bile edhe ligji aktual për Bankën e Shqipërisë është hartuar në dhjetor 1997, suksesi në arritjet akademike dhe angazhimi me Institutin e Politikave Publike dhe Mirëqeverisje janë kolona të rëndësishme mbi të cilat mbështeten kontributet e mia në Bankën e Shqipërisë si anëtar i KMBSH-së.

Rikthimi në politikën aktive të vendit tim është një detyrim mirënjohës aq më shumë që keqqeverisja u rëndon rëndë shqiptarëve, por pengon edhe Bankën e Shqipërisë në arritjen e objektivitetit të saj kryesor dhe në funksionet e tjera plotësuese. Ligji aktual i Bankës së Shqipërisë nuk e pengon anëtarësimin e anëtarëve të KMBSH në parti të ndryshme politike. I garantoj shqiptarët se në asnjë rast dhe për asnjë motiv nuk mundet të cenoj sadopak pavarësinë reale të Bankës së Shqipërisë për asnjë ambicie personale.

Ju ishit pjesë e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, e cila u shpërbë dhe gjithë anëtarët e saj janë sot jashtë PS-së, a nuk duket se PS-ja e ka spastruar një herë e mirë hapësirën për kritika brenda partisë. Çfarë shprese ushqeni me një rianëtarësim?

Kur të tjerët do të fillojnë ta braktisin Partinë Socialiste sapo të dalë në opozitë, sërish do t’i gjendem pranë. Prandaj vendosa të kthehem në PS, me integritetin e pacenuar, me profesionalizëm të thelluar dhe me dashurinë e shtuar. Në 2013 kur era e pushtetit të dehte, dhe të babëziturit luftonin për pjesën e tyre sa më të madhe në tepsinë e korrupsionit u vetëlargova nga PS.

Për 8 vite në periudhën 2005-2013 luftova kundër arrogancës dhe babëzisë që e kërcënonte rëndë gjithë pasurinë dhe trashëgiminë shpirtërore të qindra mijë socialistëve dhe mbështetësve të saj. Mjaftistët e babëzitur e molën 99 % të pasurisë së trashëguar të PS-së. Në 2019 vendosa të kthehem në PS si kontribut mirënjohës ndaj vendit tim dhe ndaj njerëzve të saj të mrekullueshëm.

Ju u përfshitë dhe në debatin për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe iu bëtë një kërkesë publike socialistëve të vjetër Ruçi dhe Braçe, a keni pasur ndonjë përgjigje nga ta? Pse heshtin socialistët e vjetër? A besoni se ata janë dakord me këtë dhe shumë aksione të tjera të Rilindjes apo nuk guxojnë të flasin për shkak të frymës së krijuar ndaj çdo kritizeri?

Besoj se ka një trend pozitiv, p.sh. mbledhjet e kryesisë nën drejtimin e Ramës kanë qenë thjesht takime konsoliduese dhe ku “projektet dhe propozimet parafabrikat” mbështeteshin në unanimitet. Mbledhja e fundit e kryesisë së PS ka zgjatur rreth 5 orë dhe disa kolegë kanë debatuar gjatë për problemet dhe sfidat reale të PS-së.

Një tjetër ish-socialist i vjetër, sot me LSI-në, Luan Rama, replikoi me ju për çështjen e Teatrit duke thënë se “nuk duhet të kompleksohesh nga politika”. Cila do të ishte përgjigjja juaj?

E falënderoj, thelbi i tij nuk ishte kundër meje, por në mbështetje të faktit se vetëm politika mund ta zgjidhë këtë krizë. Ideja ime e bërë publike është që lëvizje të tilla si ajo e studentëve apo artistëve ka të bëjë me faktin që ata inspirojnë, ata frymëzojnë nëpërmjet çështjeve specifike dhe e kthejnë atë në një ndërgjegjësim publik se çfarë duhet të bëhet më mirë.

Pra, studentët dhe artistët duhet të krijojnë aleanca më të mëdha publike “partia e popullit” që mbështet projektin e tyre. Nuk ka parti më të madhe me mbështetje më të madhe, me të plotë, të pakushtëzuar por të përkushtuar se sa “partia e qindra mijë mbështetësve të paanshëm”.

Zoti Malaj, kriza politike vazhdon dhe asaj vetëm sa i shtohen elemente të reja, ndërsa faktori ndërkombëtar duket si i painteresuar për ofrimin e një zgjidhjeje. Çfarë shikoni në horizont? A do zgjatet pa fund kjo krizë dhe çfarë pasojash ka për vendin?

Sa më shumë të zgjatë kjo krizë, aq më të rënda janë pasojat që paguajnë shqiptarët. Kriza bëhet më e thellë sepse shfaqet në aspektin ekonomik, social, buxhetor, financiar, politik, shfaqet në formën e saj më varfëruese që është kriza e humbjes së shpresës, kriza e braktisjes së vendit.

Kjo po e varfëron Shqipërinë shpirtërisht me tkurrjen dhe tharjen e burimeve të kapitalit human dhe social. Krizën duhet ta zgjidhin politikanët tanë, por siç thotë Ajnshtajni ne nuk mund t’i zgjidhim krizat me të njëjtin mentalitet që i kemi krijuar ato, pra do t’i zgjidhim jo me mentalitetin e grindjeve partiake, jo me mentalitetin se fituesi i merr të gjitha, jo me mentalitetin se ka vetëm një zgjidhje, jo me mentalitetin se fajin e kanë gjithmonë të tjerët