Prof. Dr. Arben MALAJ: Ekonomia dhe stabiliteti i financave publike në 2018-n

203
Prof. Dr. Arben MALAJ
Instituti për politikat publike dhe mirëqeverisjen
Fillimi i një viti të ri krijon shpresa për një të ardhme më të mirë. Shumë analistë bazuar në këndvështrime të ndryshme, ndajnë me publikun parashikimet e tyre. Po ndalem me analizën e ekonomisë, buxhetit dhe sfidave sociale.

Zhvillimet ekonomike – këtu analizohen politikat monetare, politikat fiskale dhe reformat strukturore. 

Politikat monetare – parashikimi i tyre për vitin 2018 është jo I vështirë sepse Banka e Shqipërisë, në Dhjetor 2017 konfirmoi se do të vazhdojë politikat e saj lehtësuese edhe për vitin e 2018. Kjo nënkupton se norma bazë e interesit do të vazhdojë të jetë 1.25%. Por hendeku i potencialeve prodhuese po vazhdon të jetë i madh për shkak se kapaciteti prodhues i ekonomisë sonë vazhdon të jetë nën mesataren afatgjatë. Kjo konfirmohet me faktin që papunësia është e lartë dhe rritja e punësimit nuk po shoqërohet me rritje të kostos së punës. Politika monetare lehtësuese ka akoma hapësira për të mbështetur një rritje ekonomike më të lartë e cila mund të ndikojë edhe në rritjen e inflacionit. Arritja e nivelit objektiv të inflacionit 3 % dhe ruajtja e këtij niveli, janë objektivi kryesore i politikës monetare. Shqetësimi kryesor i Bankës së Shqipërisë, por edhe i ekspertëve të ekonomisë, është fakti që politika monetare lehtësuese e BSH nuk ka mbërritur deri në ekonominë reale. Kjo politikë monetare jo konvencionale ka lehtësuar financimin e borxhit,ndërsa interesat reale negative kanë dëmtuar deposituesit e vegjël. BQ në vendet e zhvilluara kanë filluar të tërhiqen nga politikat monetare jo konvensionale, duke rritur gradualisht koston e parasë dhe duke reduktuar totalin e aseteve te blera në bilancet e tyre. Banka Qendrore Evropiane (BQE) edhe gjatë vitit 2018 do të vazhdojë të ruajë politikën lehtësuese të interesave, por do të përgjysmojë mekanizmin tjetër, atë të blerjes së borxheve publike të disa vendeve të eurozonës, duke lehtësuar financimin e ekonomisë së tyre me kosto të ulët. Tani është bërë e qartë që pas dhjetë viteve të krizës globale 2007, bankat qëndrore do të tërhiqen nga politikat monetare jo konvencionale. Pyetja shtrohet: kur dhe sa shpejt? Këshilla e ekspertëve është që duhet të bëhet kujdes, tërheqja duhet të jetë graduale dhe vetëm pasi të konfirmohet rritja ekonomike dhe rënia e papunësisë. 


Politikat fiskale – për vitin 2018 duken sfiduese. 
E para, sepse duhet të garantohet rënia e borxhit publik dhe kjo nuk duhet të vijë kryesisht apo vetëm nga mosrealizimi i shpenzimeve dhe investimeve publike. 
E dyta, ka tregues për rritjen e kostos së borxhit public e cila aktualisht është në nivelet historike më të ulëta. Në kushtet kur vendi duhet të ul borxhin publik, rritja e kostos së borxhit do të imponoj shkurtim të shpenzimeve edhe investimeve publike.Kjo dëmton rritjen ekonomike, punësimin dhe çdo objektiv social.
Rreziku i stabilitetit të financave publike qëndron në rritjen e deficitit të skemave sociale, i cili sipas parashikimeve 2018-2020 po thellohet. Stabiliteti i financave publike mund të vështirësohet nëse rritja ekonomike ulet nga ulja e ritmeve të investimeve të huaja dhe nga goditjet nga fatkeqësitë natyrore, të cilat rëndojnë borxhin publik për shkak të kostove të dëmtimeve dhe/ose nga rritja e çmimeve të importeve të energjisë. Po kështu rritja e borxheve të mbartura edhe/ose të reja krijon spiralen e krizës së likuiditeteve në sektorin publik dhe nëpërmjet tij edhe në biznesin privat. 


Reformat strukturore – gjithnjë e më shumë ekspertët e ekonomisë po e vënë theksin tek reformat strukturore të cilat duke rritur (I) produktivitetin; (II) aftësinë konkurruese; (III) eksportet e mallrave dhe shërbimeve ; (IV) investimet e huaja direkt, mund të krijojnë një baze solide për ritme të larta ekonomike, për menaxhim më të lehtë të borxhit publik, rritje të punësimit, reduktim të varfërisë dhe ngadalësim të thellimit të pabarazisë. Avantazhi i reformave strukturore qartësohet në faktin se politikat monetare dhe politikat fiskale nuk e ruajnë dot për një kohë të gjatë impaktin e tyre në ekonomi, ndërsa reformat strukturore kanë efekte afatgjata dhe konsoliduese.

Përmirësimi i ambientit të biznesit. Ndryshimet e shpeshta të ligjeve, akteve nënligjore, politikave fiskale dhe administrimit fiskal kanë impakte jo pozitive për biznesin vendas dhe të huaj. Qeveria mund të aplikojë moratorium tre vjeçar për mos ndryshimin e taksave pas vitit të parë të mandatit.

Thithja e Investimeve të Huaja Direkt (IHD) gjatë vitit 2018 është një prioritet , pasi përfundojnë dy investime të mëdha që pasqyrojnë rreth 40% të totalit të IHD të vitit 2017. Por efekti negativ më i madh i rënies së IHD mund të ndjehet në sektorët reale të ekonomisë, pasi IHD lehtësojnë futjen në qarkullimin ekonomik të pasurive tona dhe rritjen e produktivitetit të saj.

Energjia – vazhdon të mbetet një sfidë e vështirë. Përmirësimet janë akoma të pamjaftueshme për të garantuar dy objektivat kryesore të këtij sektori: (I) furnizimin e vazhdueshëm dhe cilësor me energji elektrike dhe (II) qëndrueshmërinë financiare të këtij sektori dhe financave publike nga importet kritike. Diversifikimi i prodhimit mbetet në nivele të ulëta, TEC i Vlorës vazhdon të mos funksionojë. Avantazhet e TAP duhen materializuar në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe uljen e kostove të kompanive publike e private që janë konsumatorë të ndjeshëm të energjisë.
Uji – Reforma e ujit është e domosdoshme, por ndryshe nga fushata për energjinë ajo duhet bazuar tek incentivat/lehtësitë dhe jo tek penalitetet e rënda. Reduktimi i subvencioneve për ujësjellësit, duhet parë edhe në impaktin e tyre negativ në stabilitetin e financave publike.



Zhvillimi i rajoneve– mund të jetë një mundësi e re për vitin 2018. Lejet e ndërtimit për qëllime individuale, private dhe publike duhen lehtësuar në maksimum, si për numrin e ditëve të përfitimit të tyre, ashtu edhe për kostot direkt dhe indirekte. Kjo reformë mund të rrisë investimet në sektorin e turizmit nga kapitali vendas dhe i huaj, duke kompensuar një pjesë të rënies së IHD.

Zhvillimet sociale – papunësia ka një trend rënës i cili vlerësohet se do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2018. Problemi qëndron tek punësimet e reja dhe rritja e të ardhurave të disponueshme. Këta dy tregues mund të maten më mirë në matjen e punësimit nga listë-pagesat mujore, ku gjendet numri i punonjësve të rinj, fondi i ri i pagave dhe kontributet e reja të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Punësimi i të rinjve mund të përmirësohet duke aplikuar politika efektive punësimi dhe duke rritur fondet për trajnim dhe ritrajnim si nga qeveria, bashkitë dhe kompanitë publike e private. Ndërsa për qeverinë kjo politikë zbut problemet sociale, për kompanitë publike dhe private trajnimi dhe ritrajnimi rrit produktivitetin e punonjësve, duke ndihmuar rritjen e treguesve te tyre ekonomikë e financiarë. Viti 2018 ka premisa pozitive për rritjen ekonomike rreth 4% dhe zbutjen e plagëve sociale. Ekonomia mund të përballet me risqe natyrore si edhe nga rënia e IHD për shkak të situatës politike, ndërsa stabiliteti financiar mund të kërcënohet nga rritja e kostos së borxhit dhe thellimi i deficitit të skemave sociale.