Prof. Dr. Arben Gjata/ Integriteti im moral dhe profesional, janë garancitë e kandidaturës për rektor i UMT

2472
Prof. Dr. Arben Gjata është një nga personalitetet akademike të mjekësisë shqiptare. Prof. Gjata në intervistën për gazetën “Telegraf” shpalos platformën e vet elektorale për rektorin e Universitetit Mjekësor të Tiranës, duke dhënë edhe 3 sfidat që janë: Organizimi i UMT, duke synuar Fakultetin e Farmacisë në 1.5-2 vitet e ardhshëm. Rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe përgatitjen e specialistëve të ardhshëm të mjekësisë, të aftë të përballojnë sfidat e kohës dhe kërkesat në rritje të tregut të punës. Financimin, duke u bazuar në burime alternative. Prof. Gjata pohon se gara e tij nuk bazohet në njohjet politike, por në integritetin e vet moral dhe profesional. Prof. Gjata, i përgjigjet edhe pyetjes për përgatitjen e specialistëve mjekësorë shqiptarë, të aftë të punësohen edhe në vendet e Europës, duke thënë se njohja e diplomave jashtë shtetit është problem politik, jo akademik. Prof. Gjata mbështet platformën e tij për rektor të UMT, duke parë domosdoshmëri: Gjetjen e burimeve financiare për UMT. Të shfrytëzohen mundësitë e mëdha të autonomisë që jep ligji i ri Për Arsimin e Lartë. Plotësimi i kritereve të Akreditimit. Vendosja e strukturave të UMT brenda kritereve ligjore. Rikthimi i Fakultetit të Farmacisë.
Prof. Gjata, ka zëra që thonë se procesi i zgjedhjeve në Universitetet Publike është i manipuluar nga mazhoranca. Ju, meqë jeni kandidat për rektor në Universitetin Mjekësor të Tiranës, çfarë mendimi keni për këtë çështje?
– Në Universitetin e Mjekësisë konkurrojnë për postin e rektorit tre kandidatë, unë, Prof. Petrit Bare dhe Prof. Mira Rakacolli. Unë besoj se, secili nga ne kandidon për këtë post të rëndësishëm, duke u bazuar në reputacionin e tij publik dhe profesional, në projektin e secilit dhe aspak me mbështetjen politike të maxhorances apo minorancës. Unë personalisht kam miq të afërt me preferencë të ndryshme politike, pasi në parimin tim miqësitë nuk lidhen nga bindjet politike por nga karakteri i njeriut. Për ilustrim, në administratën e Universitetit punojnë një grup të rinjsh, të apasionuar dhe unë i jam mirënjohës Prof. Jera Kruja, Rektores së komanduar në periudhën e qeverisjes të minorancës së sotme për cilësinë e përzgjedhjes që ka bërë. 
Cili është produkti i deritanishëm i reformës në Arsimin e Lartë, që u ndërmor? Ku ka ndihmuar? Ka probleme që duhet të marrin rrugën e zgjidhjes?
Reforma në Arsimin e lartë është një sfidë e vështirë për Universitetet Publike, por si të gjitha sfidat të krijon mundësi të reja për zhvillim. Ajo kërkon së pari që çdo anëtar i stafit akademik të mendojë përditë si të sigurojë burime financiare për Universitetin dhe për veten, duhet që drejtuesit e çdo niveli të mendojnë seriozisht se si të shfrytëzojnë në mënyrë të plotë hapësirat e mëdha të autonomisë që hap ligji. Një moment tjetër i rëndësishëm dhe impenjues është plotësimi i kritereve të akreditimit, ku është punuar me intensitet për reformimin e kurrikulave nga të gjitha fakultetet. Tek ne gjithashtu ka qenë problem edhe vendosja e strukturave të Universitetit brenda kritereve ligjore. Për këtë qëllim u ngrit një grup punë gjithëpërfshirës nën drejtimin e Prof. Myftar Barbullushit, i cili, në bashkëpunim me Dekanët propozoi një organizim që me se fundi është aprovuar nga Senati Akademik dhe siguroi plotësimin e kritereve ligjore dhe i hapi rrugë zgjedhjeve në Universitetin tonë.
Prof. Gjata, Gjermania afroi vende pune për infermierë. Gjithashtu, vendet europiane, por edhe gjetkë duan specialistë dhe mjekë të aftë t’i punësojnë. Sa bashkëkohore është mësimdhënia në UMT?
– Është e vërtetë që kohët e fundit ka një kërkesë të madhe për të kërkuar punë jashtë vendit, sidomos në Gjermani. Kjo duket edhe nga numri i madh i dosjeve që jam detyruar të firmos çdo ditë për certifikimin e programeve të studimit. Unë mendoj se duhet të shohim të dy anët e medaljes. Shoqëria shqiptare shpenzon mjaft para për formimin e punonjësve të shëndetit në Universitetet publike. Qëllimi i parë është të formojë njerëz të aftë për t’ju përgjigjur nevojave të tregut tonë të punës dhe për të siguruar shërbim cilësor ndaj publikut shqiptar. Brain-drain është një problem i madh për vendet në zhvillim, pasi paratë e pakta publike shkojnë për të ushqyer tregun e vendeve të pasura, aq me tepër në një sektor si shëndetësia, ku me kalimin e viteve ky largim mund të shkaktojë probleme të rëndësishme. Për sa i përket cilësisë, shumica e atyre që aplikojnë për punë jashtë vendit janë të detyruar të japin provime ekuivalentimi dhe numri i madh i kandidatëve që i përballojnë provimet tregon që cilësia e produktit që ofrojmë është e mirë. Dua të theksoj, për të mos krijuar asnjë iluzion, se sado të përmirësohen dhe të përshtaten kurrikulat njohja e diplomave jashtë vendit është problem politik dhe jo akademik.
Meqë UMT është universiteti që u krijua së fundi, cilat janë problemet e organizimit, që ende duan zgjidhje?
– Aktualisht problemet organizative janë zgjidhur, sidoqoftë kemi një sfidë të rëndësishme që është rikthimi në nivel fakulteti, të Farmacisë. Kërkohet punësimi i 10 pedagogëve për të plotësuar kriteret ligjore dhe kjo është një sfidë e madhe për ne.
5. Në kushtet kur qeveria ka shkurtuar buxhetin për arsimin, natyrisht kjo ka ndikim edhe në UMT, cilat janë vështirësitë e financimit në UMT?
– Aktualisht ne jemi me të njëjtin buxhet, pra nuk kemi patur shkurtime buxheti, por natyrisht paratë nuk mjaftojnë kurrë. Sfida e madhe e çdo Universiteti publik është sigurimi i financimeve alternative nga buxheti dhe tarifat e studimit dhe kjo përbën një nga pikat e fort atë projektit tim.
Prof. Gjata, ju jeni kandidat për rektor i UMT. Cila është platforma juaj?
– Projekti im është i përqendruar në tre drejtime kryesore për mendimin tim plotësisht të realizueshme: A-Organizimi: Rikthimi i Departamentit të Farmacisë në Fakultet, duke synuar plotësimin e kritereve ligjore në një periudhë 1,5-2 vjeçare. Kjo arrihet duke përqendruar punësimin e stafit akademik në këtë sektor dhe duke rritur të ardhurat financiare. B-Rritja e cilësisë: Studentët tanë vijnë nga nxënësit më të mirë të gjimnazeve. Ne do të tentojmë në politikat e pranimit të studentëve të ardhshëm deri në fund meritokracinë dhe transparencën duke u përpjekur të gjejmë një provim të pranuar ndërkombëtarisht , që përdoret në universitetet më të mira në botë, kontrollohet nga qendra serioze ndërkombëtare dhe jepet on-line. Përmirësimin e aftësive praktike të studentëve duke siguruar që në praktike një pedagog mos ketë më shumë se 2-3 studentë në trajnim. Kjo arrihet nëpërmjet rritjes të numrit të pedagogëve të jashtëm dhe zgjerimit të rrjetit spitalor të Universitetit. Krijimit të një qendre simulimi klinik, duke siguruar mulazhe që mundësojnë punën praktike të studentëve. C-Financimi: Siç e kam përmendur më parë është sfida më e vështirë për t’u fituar. Në përballje të kësaj sfide mendoj se krijimi i një qendre që ofron edukim në vazhdim, ku secili departament ofron programe të përpiluara me kompetencën më të lartë profesionale, do të tërhiqte mjaft mjekë dhe punonjës të shëndetit që në vend të blejnë kreditë të kenë interes e ndjekin kurset e ofruara. Ekzistenca e Qendrës te Telemedicinës në QSUT, një investim i vlefshëm i USAID na lejon që të ofrojmë edhe kurse formimi në distancë. Kjo qendër do të ketë edhe funksionin për mbështetjen e Projekteve, duke punësuar specialist në shkrimin e tyre, për të ndihmuar stafin akademik në zbardhjen e projekteve dhe duke rritur shanset që ato të fitojnë dhe përmirësojmë financimin. Funksioni tjetër i saj do të jetë mbështetja ndaj kërkimit shkencor, për të përfituar nga grantet e qeverisë apo për të ofruar bashkëpunim me subjektet private. 
Ku e mbështetni ju optimizmin, se do të fitoni në këtë garë?
– Në integritetin tim moral dhe profesional, idetë që kam shpalosur dhe mbështetjen pa rezerva të shumë kolegëve të nderuar.
– Prof. Gjata, ju urojmë suksese në garën tuaj për rektori i UMT.
Sigal