Prof. Dr. Agron F. Fico: Miqësia ime me Kadarenë dhe Agollin

583
Sigal

INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Agron F. Fico, Nën/kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, Nju Jork

 

Si kanë qenë shkollat, kërkesa e llogarisë për mësimdhënien në regjimin komunist?

Populli shqiptar është një popull arsimdashës. Në ngjizjen e këtij tipari kombëtar rolin kryesor e ka luajtur Rilindja Kombëtare e shek. XIX, që me synimet e veta atdhetare e politike në qendër të programit vuri çështje madhore: gjuhën shqipe, shkollën shqipe. Ky program frymëzoi një lëvizje të gjerë për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe nëpërmjet shkollimit të popullit. Të shumta dhe të panumërta ishin sakrificat si dhe dëshmorët e arsimit të shkollës shqipe. Sistemi totalitar komunist trashëgoi këtë dashuri dhe përkushtim të familjeve, nxënësve dhe mësuesve shqiptarë për arsimin, për shkollën. U krijua një sistem kombëtar për arsimin dhe u arritën disa objektiva të rëndësishme, kryesore ishte zhdukja e analfabetizmit, një plage të rëndë shoqërore.

-Duke qenë se je rritur në Gjirokastër, a jeni njohur në gjimnaz me Kadarenë dhe Agollin. Çfarë lidhje ke pasur me ta? Mund të na përcillni ndonjë detaj njohjeje apo shoqëror!

Kam lindur dhe jam rritur në Gjirokastër dhe kam ndjekur mësimet në gjimnazin “Asim Zeneli”, në të cilin ishin edhe Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare. Me të dy kam pasur dhe kam marrëdhënie të afërta miqësore dhe intelektuale. Me Dritëroin jetonim në konviktin e shkollës, kështu shiheshim pothuajse çdo ditë. Ishte plot energji, i qeshur dhe i dashur me të gjithë. Me kujtohet se drejtonte edhe një program humoristik çdo fundjavë në konvikt që quhej “ora gazmore’. Dritëroi ishte mjalti i bashkësisë së konviktorëve dhe gjimnazistëve. Shpesh e shihja të bisedonte me xha Myftarin, një partizan-invalid që punonte si roje i konviktit. Kadareja banonte në shtëpinë e vet dhe shiheshim vetëm në gjimnaz. I mbyllur si njeri, ra menjëherë në sy për talentin poetik që me vjershat e para. Njohjen dhe miqësinë me Kadarenë e kam ruajtur gjer sot. Madje, kur më 2009 isha në Paris pimë bashkë kafe disa herë dhe kujtuam edhe vitet e gjimnazit në Gjirokastër. Me Dritëroin dhe Kadarenë mblidheshin një herë në muaj në rrethin letrar të gjimnazit që e drejtonte profesori dhe poeti shkodran Vehbi Bala.

-A lexonit libra të verdhë në atë kohë, ku i gjenit dhe a e dinit rrezikun?

Një fjalë e urtë thotë: “Frika ruan vreshtat”. Edhe ne, nxënësit e gjimnazit “Asim Zeneli”, e kuptuam mirë frikën nga regjimi edhe nga dënimi i një mësuesi që shpërndante libra “të verdhë”, kuptuam që ai rrezik ishte real. Kam lexuar disa libra të verdhë dhe ato m’i jepte një shoqe e klasës, që si duket ia merrte fshehurazi të atit mjek.

-Ku u emëruat pas universitetit dhe si e pritët emërimin? Kur erdhët në Tiranë dhe në çfarë shkolle u vendosët?

Fatet e njerëzve janë individuale, por shpesh janë edhe me paradokse të habitshme. Studimet e larta i mbarova me diplomën “shkëlqyeshëm” dhe pata një varg mundësish emërimi në Tiranë, madje edhe në një përfaqësi diplomatike. Po shkova në Ministrinë e Arsimit dhe kërkova të emërohesha në Gjirokastër për t’u ndodhur afër nënës shumë të vuajtur që rënkonte nga një sëmundje e pashërueshme. Miq e të njohur u habitën me kërkesën time për të lënë këto shanse punësimi të admirueshme. Kështu, për një vit shkova punova në gjimnazin e Gjirokastrës si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Pas një viti më kërkuan nga Universiteti dhe u caktova punonjës shkencor në Institutin Gjuhë-Letërsi Shqipe të atij Universiteti. Emërimin e prita të mirë dhe e kuptova që po jepej një mundësi e veçantë, që në një mjedis njerëzish të shquar si Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Mahir Domi, Selman Riza etj., të hyje në një garë pune dhe krijimtarie dinjitoze.

-A keni takuar udhëheqësit e kohës në atë sistem dhe cilat kanë qenë impresionet?

Në pushimet e vitit 1947 isha edhe unë midis një grupi pionierësh të dalluar nga gjithë Shqipëria, që na priti në pallatin e brigadave Enver Hoxha. Ky ishte si të thuash “takimi” im i vetëm me udhëheqësit e asaj kohe. Na dha dorën dhe e pyeti secilin nga ishte dhe si kishte dalë me mësime. Në fund të takimit bëmë edhe një fotografi si kujtim me udhëheqësin në mes të grupit të pionierëve.

Keni disa tituj, por dhe botime. Një ekspoze për to dhe çfarë mendimi keni për letërsinë e realizmit socialist.

Sikurse është e njohur, jam albanolog, gjuhëtar, studiues i etnokulturës, specialist i shqipes për të huajt, publicist, autor botimesh të shumta, i njohur në Diasporë e më gjerë, që jetoj në Nju Jork e në Tiranë. Në vitin 1972 jam pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në sektorin e studimeve dhe të kritikës. Letërsia e realizmit socialist, si metodë krijuese që mbështetej në filozofinë marksiste, e ka dëmtuar krijimtarinë letrare dhe e ka kthyer atë shpesh herë në pamflete propagandistike. Por talentet e fuqishëm si Ismail Kadare, por edhe Dritëro Agolli, e thyen atë kornizë ideologjike letrare dhe krijuan vepra të bukura dhe të njohura edhe jashtë Shqipërisë.

-Kur shkuat në Kinë, me çfarë detyre dhe si e pritët?

Nga ato që them në pjesën e parë, lexuesi tani e di se isha emëruar në Institutin e Gjuhë-Letërsisë Shqipe, që atëherë ishte bërthama e studimeve albanologjike dhe që kishte grumbulluar, në përgjithësi, njerëz me aftësi të spikatura. Mjedisi shkencor dhe prania e dijetarëve të shquar si Çabej, Buda, Riza etj., ishin frymëzim pune për ne të rinjtë e emëruar. I formuar në këtë mjedis mësimor-shkencor dhe me rezultatet e arritura në punë, u përzgjodha për të shkuar në Republikën e Kinës, në Pekin, profesor i gjuhës shqipe. Në Kinë shkova në fillim të viteve 60 të shekullit të kaluar dhe emërimin në këtë detyrë e mora  jo vetëm si një vlerësim të veçantë, por edhe si një përgjegjësi intelektuale dhe atdhetare dhe si i pari që po çelja një katedër të gjuhës shqipe në Kinën e madhe.

-Si ishte Kina në ato vite duke bërë krahasime me Shqipërinë?

Kur shkova në Kinë në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar, Kina sapo kishte dalë nga një periudhë tre-vjeçare thatësire, që kishte shkaktuar me miliona të vdekur. Varfëria, që shpesh herë merrte edhe formën e urisë, ishte e dukshme. Sistemi politik komunist kishte mjaft elemente të përbashkëta me regjimin totalitar në Shqipëri. Por rruga e zhvillimi të Kinës, siç po duket edhe sot në arenën ndërkombëtare, ishte e ndryshme nga ajo e Shqipërisë. Udhëheqja kineze kishte  bërë gabime të rënda, siç ishte revolucioni kulturor, por ama kishte mençurinë dhe guximin t’i ndreqte dhe ta fuste Kinën në rrjedhën e një zhvillimi të vrullshëm ekonomik. Në një vizitë në Huston, si mik i presidentit Bush (ati), Presidenti i Kinës Ten Hsiao Pin pyetjes së gazetarëve se pse nuk e heqin Mao Ce Dunin nga mauzoleumi në Pekin, iu përgjigj: Mao Ce Duni e udhëhoqi popullin kinez në luftën e shenjtë kundër fashistëve japonezë dhe e nxori nga uria në varfëri, ne do ta nxjerrim nga varfëria në pasuri. Dhe shtetari i mençur shpalli programin e 4 modernizimeve dhe sot Kina është fuqi e dytë e ekonomisë botërore. Dr. Henri Kisinger, arkitekti i marrëdhënieve amerikano-kineze, në veprën e shquar “On China” shkruan: “Deng governed liberating the creativeness of the Chinese peopleto bring about their vision of the future.”(H. Kissinger: “On China”,  2011,p.355) (Teni qeverisi duke çliruar shpirtin krijues të popullit kinez, që popullit t’i hapej vizioni i së ardhmes.)

-Universitetet kineze, sidomos studimet albanologjike, si ishin organizuar dhe a kishte kinezë që e flisnin gjuhën shqipe?

Nuk kishte ndonjë institucion dhe as mund të mendohej në atë kohë që të kishte ndonjë traditë për studimet albanologjike në Kinën e largët, e cila ishte çliruar nga pushtimi i gjatë japonez veçse më 1 tetor 1949. Nuk është teprim të them se, isha i pari që krijova mundësinë e parë për studimet fillestare shqiptare në Kinë. Përvoja e pasur e institucionit ku kisha punuar, si qendër shkencore dhe mësimore, (atëherë fakulteti dhe institutet ishin në një administratë të vetme) ma lehtësuan këtë detyrë. Kisha marrë me vete një bibliotekë të vogël albanologjike si dhuratë e Universitetit të Tiranës për Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Detyra ime kryesore ishte mësimdhënia e gjuhës shqipe. Në një hark kohor gati gjysmë shekulli (1962-2013) Katedra e Gjuhës Shqipe është fuqizuar dhe ka edhe specializimin e gradës “Mjeshtër” (Master) i shqipes si dhe janë realizuar mjaft studime. Katedra e krijuar në shkurt 1962 qëndroi e hapur edhe më 1978 kur marrëzisht udhëheqja shqiptare i ndërpreu marrëdhëniet me Republikën e Kinës. Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës kishin ardhur katër studentë për të mësuar shqipen, ndërsa katedra e hapur në Pekin që në vitin e parë akademik kishte plot 30 studentë.

-A shfaqeshin filma shqiptarë në Kinë dhe si janë pritur?

Marrëdhëniet e ngushta politike-ekonomike Shqipëri-Kinë në vitet 60-70 të shekullit të kaluar përfshinin edhe marrëdhëniet kulturore. Kishte një shkëmbim të shpeshtë të ansambleve artistike, të skuadrave të futbollit, por edhe të filmave, të cilët pëlqeheshin në Kinë për përmbajtjen luftarake. Ja një shembull: filmi” Ngadhënjim mbi vdekjen” me muzikë të Feim Ibrahimit kushtuar heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të varura në tela me gjemba nga gjermanët në sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër, ishte i përzgjedhur i pari në një video cilësore prodhuar në Kinë për filmat e huaja.

-Kush nga udhëheqësit e partisë kanë ardhur në Kinë kur ju ishit aty dhe çfarë mbani mend nga takimi me ta?

Nga sa përmend pak më lart, marrëdhëniet me Kinën zunë vendin e parë të aleatit e mikut pas viteve 60 të shekullit të kaluar. Pothuajse gjithë udhëheqësit kryesorë shqiptarë e kanë vizituar Kinën. Ndryshonte qëllimi dhe objekti i vizitës, që përcaktohej nga trajektorja e vetë kësaj miqësie. Është një histori e gjatë dhe tepër dramatike miqësia me Kinën popullore. Në vitet e qëndrimit tim si profesor i shqipes kam takuar mjaft prej tyre, si Kadri Hazbiun, Beqir Ballukun etj. Me Beqir Ballukun jam takuar më shpesh se qëndronte më gjatë në pritje të përgjigjes kineze për armatimet. Këta vizitorë të lartë shqiptarë kur i takoja dukeshin gati si kopje të njëri-tjetrit nga sloganet e njëjta dhe mënyra e sjelljes.