Prof. D. Kristaq Kume: Raporti jep konsiderata të përgjithshme për 21 qershorin, anashkalon financimin e partive

603
Prof. Dr. Kristaq Kume, ish kryetari i KQZ, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se raporti I OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 21 qershorit, jep konsiderata të përgjithshme, nëpërmjet një fjalie të përgjithsme, duke iu referuar legjislacionit zgjedhor, sesa u zbatua ky legjislacion. Prof. Kume thotë se në raportin e OSBE/ODIHR, nuk janë reflektuar financimet elektorale, si edhe ky raport nuk bën fjalë për kandidatët me rekorde kriminale, për arësye se vezhguesit ndërkombëtarë, bazohen në metodologjinë strikte, e cila ndërtohet vetëm sesi zbatohet Kodi Elektoral, por kjo, pavarësisht kësaj, thotë, prof. Kume, duhet të ndryshojë në legjislacionin elektoral, për të ndërtuar barrier të pakapërcyeshme ligjore për këdo person me rekorde kriminale të mos kandidojë. Risia e vetme e këtij raporti të OSBE-ODIHR, shpreht Prof. Kume për “Telegraf: është se theksohet nevoja për një depolitizim të administratës zgjedhore, dhe jo të zbatohet parimi i përfaqësimit dhe i balancimit politik, pasi partitë abuzojnë, duke përfituar për veten e tyre, më shumë privilegje elektorale. Por për këtë, thotë Prof. Kume, duhet që Komisioni i Venecias të japë rekomandime, sepse është institucioni më presigjioz hartues ligjesh edhe për legjislacionin zgjedhor. 
-Prof. Kume, si e vlerësoi raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 21 qershorit, që e paraqiti në Bruksel?
– Ky raport, si edhe herë të tjera, e trajton proçesin zgjedhor të 21 qershorit në 2 aspekte të rëndësishme, në aspektin politik dhe pastaj në atë teknik. Në aspektin politik vëzhguesit e OSBE/ODIHR nuk kanë përdorur të njëjtën qasje, si edhe në ato raportet e mëparshme. Janë shprehur, se zgjedhjet ishin “ një shans i humbur”, “një hap përpara”, “progres, por akoma larg standarteve më të larta zgjedhore”. Kësaj radhe, ata janë mjaftuar vetëm me një konsideratë të përgjithshme, më shumë duke iu referuar legjislacionit zgjedhor dhe mundësive që ky legjislacion u afron zgjedhësve shqiptarë për t’u shprehur lirisht në kutinë e votimit, sesa çfarë është bërë e mundur të realizohet nga zbatimi i këtij kuadri ligjor. E kanë shprehur konsideratën për këtë të dytë, nëpërmjet një fjalie të përgjithshme, ku fokusohen në fakte se klasa politike, edhe në këto zgjedhje, nuk ka arritur që të shprehë vullnetin e plotë dhe pozitiv politik për të zbatuar këtë kuadër zgjedhor dhe për pasojë, procesi është ndeshur me problematika, të cilat nuk e kanë lejuar, me ç’duket, OSBE’ODIHR të shprehet në mënyrë të hapur dhe të qartë se procesi zgjedhor i rradhës realizoi në këta ose atë nivel pritshmëritë, ballë për ballë, të standarteve për zgjedhje demokratike. Megjithatë, për mendimin tim, duke qënë se, në raport ata shprehen se në përgjithësi u respektuan liritë themelore të shprehjes dhe të tubimit, dhe nga ana tjetër, kanë shmangur deklarimin për mosarritje, duhet, ose mund të kuptohet, si një qëndrim pozitiv i tyre, në lidhje me produktin e arritur nga ky produkt zgjedhor. Pra, legjitimitetin e rezultatit. Më shumë sesa herët e tjera, vëzhguesit i kanë kushtuar vëmendje aspekteve teknike, ku për mendimin tim, ndërkohë, ka edhe risi. 
– Cilat janë këto risi në raportin e OSBE/ODIH?
– Të tillë janë, psh, rekomandimi që ata japin në lidhje me parimin, sipas së cilit, duhet të ndërtohet administrate zgjedhore, duke kërkuar që kjo administratë të jetë e depolitizuar. Këtu është është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar mirë, në veçanti nga klasa jonë politike, sepse në natyrën dhe metodologjinë e punës së misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR, nuk bën pjesë dhënia e rekomandimeve për parime, sipas së cilave, duhet të ndërtohet legjislacioni zgjedhor. Kjo është detyrë dhe në përgjithësi realizohet nëpërmjet Komisionit të Venecias. Kjo gjë do të thotë që në këtë process zgjedhor, problemi më i madh i ndeshur dhe i konstatuar prej vëzhguesve ndërkombëtarë në 21 qershor, është i lidhur me produktet që sjell parimi politik i përfaqësimit politik, sipas së cilit, ndërtohet administata ( e politizuar) zgjedhore në të gjithë piramidën e saj. 
– Prof. Kume, ajo që bie në sy në këtë raport të OSBE/ODIHR është mungesa e një analize, vlerësimet dhe rekomandimi për personat e inkriminuar që konkuruan dhe ndoshta fituan në 21 qershor. Përse mungoi kjo nga OSBE/ODIHR?
– Në natyrën dhe metodologjinë e punës së këtij misioni ndërkombëtar nuk është analiza e legjislacionit dhe deduksionet që pastaj ky legjislacion mund të prodhojë. Ky mision i referohet legjislacionit, duke iu referuar legjislacionit, vëzhgon dhe monitoron se në çmasë legjislacioni zbatohet nga aktorët e ndryshëm, që kanë detyrime dhe përfshihen në një process zgjedhor, që nga administrate zgjedhore, partitë politike, kandidatët dhe deri te votuesit. Pra, nuk mund të kërkohet dhe nuk ka pse të kërkohet nga misionet vëzhguese ndërkombëtare dhënia e konsideratave lidhur me problemet që është përballë shoqëria jonë, që ka të bëjë me mundësitë që legjislacioni ynë ju lejon personave problematikë, ose me rekorde kriminale, siç thuhet, të hyjnë në gara zgjedhore. 
– Por vetë produkti i procesit të zgjedhjeve, duke qënë se këta elementë të inkriminuar konkuruan dhe ndoshta fituan, nuk përbën shqetësim për ndërkombëtarët?
– Padyshim që përbën shqetësim edhe për ndërkombëtarët, por problemi më i madh është për shqiptarët. Por, jemi duke folur për raportin e OSBE/ODIHR, raport monitories për procesin zgjedhor. Janë dy gjera të ndryshme. Krijimi i të gjitha pengesave ligjore, të cilat do të pamundësojnë hyrjen në gara zgjedhore të personave me rekorde kriminale, ose me të kaluara problematike të tilla, është e domosdoshme kjo, jo pse, në parim duhet të jetë kështu, por sepse praktikat e vendit tonë, rezultatet e mara në proceset zgjedhore, kanë treguar se pa të tilla pengesa, zgjedhësi shqiptar vendoset në kushtet ku detyrohet të shprehet me votë “pro” edhe për të tillë persona të inkriminuar, të cilët janë të zgjedhur në listat zgjedhore nga subjektet zgjedhore. 
– Gjithashtu, në këtë raport të OSBE/ODIHR mungoi edhe referimi mbi transparencën financiare zgjedhore. 
– Është një ndër çështjet, e cila nuk trajtohet në mnëyrë të veçantë dhe specifike në raport, lexohet në raport shqetësimi. Po, duke iu referuar fakteve dhe situatave konkrete në vendin tonë, sjelljeve të partive politike, në garën zgjedhore, mënyrës dhe mjeteve, veçanërisht financiare, që ato përdorin, kërkon me domosdo, që kjo çështje të trajtohet me seriozitetin e duhur. Misioni i vëzhguesve e ka shprehur në raporte të tjera këtë shqetësim, dhe ne, klasa politike, për mendimin tim, ndodhet përpara detyrës që të reflektohen këto shqetësime të shprehura në raportet e një pas njëshme dhe jo ta konsiderojë si një problem të kapërcyer në terma kryesore të tij, vetëm pse në këtë raport mungon shprehje eksplicide, ose konsideratë eksplicide për çështje të financimit në fushatën zgjedhore. Shtuar kësaj, do të thosha edhe konsideratën e dhënë nga drejtuesit e misioneve vëzhguese ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe nga personalitete të Këshillit të Europës, të cilët, kanë theksuar se klasa politike e vendit tonë, në përpjekje të punës që duhet të bëjë, në përgatitje të zgjedhjeve të ardhshme, duhet të konsiderojë çfarë është thënë dhe rekomanduar në raportet, dhe jo vetëm në raportin e fundit të OSBE/ODIHR. Në këtë kuptim, është e domosdoshme që të rishikohet kuadri ligjor, i cili do të mundësojë më shumë transparencë, më shumë mundësi për kontroll, mbi financat e partive politike në përgjithësi, dhe mbi fondet që ato përdorin për fushatat zgjedhore në veçanti. 
– Prof. Kume, mos vallë ky raport i OSBE/ODIHR u ka anashkaluar problemeve kryesore që u evidentuan në 21 qershor, për njëfarë kompromisi politik?
– Nuk (dua) mendoj se raporti i OSBE/ODIHR është produkt kompromisi me njërën, apo tjetrën kah politik, ose me klasën politike shqiptare. Jo! Raporti duhet të lexohet nga kushdo si një produkt, i cili prodhohet duke respektuar një metodologji shumë mirë të përcaktuar nga organizata e ODIHR, që do të thotë, që vëzhguesit ndërkombëtarë, e realizojnë misionin e tyre duke respektuar strikt disa ligje profesionale dhe të etikës, ndër të cilat bën pjesë, si shumë e rëndësishme, fakti që çdo deklaratë e tyre duhet të mbështetet mbi një informacion, i cili prodhohet prej tyre dhe vetëm prej tyre, me një informacion transparent dhe prejt kujtëdo, i konsultueshëm. Parim etike, që do të thotë, që nëqoftëse përshembull, vëzhguesit e OSBE-ODIHR nuk kanë vrojtuar vetë, domethënë nuk kanë vrojtuar vetë ata faktet, përshembull, për blerjen e votës, ata mund të shprehin në raportin e tyre, konsideratën se është pretenduar nga njëri ose tjetri kah politik, esenca e blerjes së votës, por nuk mundet ta trajtojnë atë si një gjetje të tyre, dhe për më tepër, ta anlizojnë ata si një produkt të tyre. Kjo duhet patur mirë parasysh. Pra, nga raporti i OSBE/ODIHR duhet të pasqyrohen ato që ata çfarë kanë në praktikën metodikë të mundshme dhe të detyruar për të bërë. Megjithatë, po ta lexojmë me kujdes raportin, ata nuk kanë munguar në këtë raport, edhe të shprehen për çfarë kanë perceptuar ata lidhur me çështje dhe aspekte të ndryshme të këtij procesi zgjedhor, me parregullsi të shkelje të ligjit, të deklaruara, të denoncuara nga të tjerët. 
– Rekomandimet e këtij raporti të OSBE/ODIHR a janë të mjaftueshme që të reflektohen në ndryshimet që duhet të bëhen në ligjin zgjedhor, për zgjedhjet e 2017?
– Mesazhi më i qartë politik është që ky raport është mesazh i përsëritur, që ka të bëjë me sjelljen e partive politike në procesin zgjedhor, dhe mudnësive që ky legjislacion atyre u ka krijuar, ose që partitë i kanë krijuar vetes së tyre nëpërmjet këtij legjislacioni zgjedhor, për të qënë aktoret kryesore në administrimin e procesit zgjedhor. Një qëndrim disa herë i përsëritur, të cilit, kësaj radhe i është shtuar rekomandimi i hapur që situata duhet të ndryshojë, në mënyrë të që formohet administratë jopolitike zgjedhore. Sesa mund ta realizojë klasa politike këtë gjë, është vështirë ta parashikojmë sot, të paktën për zgjedhjet e 2017. Unë, zorr se mund të pranoj qoftë edhe deklarata të bëra nga krerët kryesorë të politikës shqiptare, se ata do të mundësojnë ndryshime të tilla esenciale në kodin zgjedhor. Jo! Pra, mbetet i hapur problemi, ndërkohë, për një varg çështjesh teknike, të cilat, nga mënyra sesi zgjidhen, sesi zbatohen në praktikë, kushtëzon plotësimin e standarteve demkokratike. Raporti përmban disa të tilla, shtuar këtyre edhe ato që përmbajnë raportet e zgjedhjeve të 2013. Ka shumë punë në këtë drejtim për të bërë nga klasa politike, jo vetëm për të përmirësuar legjislacionin, për ndryshimet që duhen të bëhen në legjislacionin zgjedhor, po ashtu, shumë punë kemi për të bërë edhe ne, shoqëria shqiptare për të qënë më të aftë dhe të hapur, në zbatim të koncenpteve të legjislacionit zgjedhor. 
– Përse ndërkombëtarët nuk këmbëngulin për depolitizimin e administratës tonë zgjedhore?
– Ndërkombëtarët nuk ndërhyjnë të depolitizojnë administratën zgjedhore, sepse Shqipëria është ndër vendet që është në proceset e zhvillimit demokratik, të saj. Është shumë e re, me shumë pak përvoja në zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe për këtë Komisioni i Venecias, që është komisioni më prestigjioz këshilldhënës në hartimin e legjislacioneve, rekomandon, që në të tilla vende, administrata zgjedhore të ndërtohet mbi parimin e të përfaqësimit dhe balancimit politik dhe këtë rekomandim ia ka bërë edhe vendit tonë në mënyrë të përsëritur. Por, për mendimin tim, OSBE/ODIHR, i cili ka vëzhguar në mënyrë të përhershme procesin zgjedhor dhe ka arritur në fund të çdo vëzhgimi në faktin se problemi i madh, me të cilin ndeshen zgjedhjet në Shqipëri, është parimi mbi bazën e të cilit ndërtohet administrate zgjedhore, që do të thotë, mindësitë e mëdha ligjore që partitë politike i krijojnë vetes së tyre për të administruar procesin zgjedhor, sjell gjithmonë, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, shfaqje të problemeve të mëdha në administrimin e zgjedhjeve, konstatim ky i përcjellë edhe nga vëzhguesë vendas. Dhe në këtë raport të fundit, e reja qëndron në faktin se OSBE/ODIHR bën një hap më tej, duke kapërcyer, ose duke vajtur te tipi i mundësive metodike, duke i kërkuar klasës politike shqiptare që të trajtojë çështjen e ndryshimit të parimit, sepse, me sa duket, në vlerësimin e tyre, fakti që administrata zgjedhore është shumë e lidhur ngushtë me partitë politike, është një ndër faktorët më të mëdha, në problematikat ku ndeshen proceset zgjedhore në Shqipëri. Dhe në vëzhgimet e ardhshme, kjo konsideratë e OSBE/ODIHR të trajtohet në terma teknike juridike, nga Komisioni i Venecias, për të përgatitur në këtë mënyrë rekomandimet përkatëse, sesi mund tëfillojë dhe të zhvillohet më tej procesi legjislativ, ku, në fund të fundit, do të kemi ndërtimin e një administrate zgjedhore mbi bazën e parimeve jo të përfaqësimit politik, jo të balancimit politik. 
– Faleminderit!
Sigal