Prof. As. Zamira Çavo: Kryeministri Rama, duke mos bërë ndryshime në qeverisje, shpreh autoritarizëm

492
Prof. As. Zamira Çavo, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se nuk është e mjaftueshme që ambasadori amerikan Lu, të deklaroj publikisht që kemi ministra të korruptuar, as deputetë kriminelë, por ata duhet të ngrenë opinionin publik në aktivitet, sepse kështu funksionon demokracia. Ndërsa këmbënguljen e kryeministrit Rama për të mos bërë ndryshime në qeverisje, e shikon si shprehje të mungesës së eksperiencës së tij politike, dhe se tendencat e tij autoritare e çojnë në një qëndrim vetshkatërrues. Zonja Çavo është skeptike nëse reforma në drejtësi do të miratohet nga ata që duhet të largohen nga politika. Zonja Çavo shprehet se, përderisa në Shqipëri nuk kemi një elitë të qartë politike, nuk mund të bëhet as katharsi. 
-Prof. Cavo, a është heshtje faji, mospërgënjeshtrimi zyrtar nga qeveria e akuzës së ambasadorit Lu, për ministra të korruptuar?
– Akuzat për korrupsion në këtë vendin tonë kanë 25 vite që bëhen nga shqiptarët e ndërkombëtarët. Por, sikundër e kam thënë edhe më parë, asnjëherë nuk janë elaboruar haptazi nga ndërkombëtarët, sikundër ka ndodhur me zotin Lu apo OSBE-në , akuza për korrupsion qeveritarësh. Në mendimin tim, nuk ka farë rëndësi nëse qeveria hesht, apo kundërshton akuzat e zotit ambasador. Perceptimi popullor shkon në favor të akuzës së zotit Lu. Dhe nëse qeveria do t’i përgënjeshtronte, nuk do të thotë se është pa “faj”. Ajo që më shqetëson mua është fakti se dhe ndërkombëtarët gjenden në një pikë pa kthim: të ngrenë opinionin publik në aktivitet. Pra, ta detyrojnë këtë të fundit të bëhet aktiv, me synim që të funksionojë demokracia. Rrugë tjetër nuk ka. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të jenë opsion. Opozita shqiptare është po aq e baltosur ( madje edhe më keq) me aferat korruptive. Zoti Basha është vetë i akuzuar, madje i akuzuar faktikisht, po për afera korruptive, ndaj dhe nuk gjej ndonjë rrugë tjetër, veçse atë që ka zgjedhur ambasadori Lu, për t’ju drejtuar haptazi opinionit publik. E rëndësishme është të funksionojë demokracia. Dhe demokracia nuk funksionon me indiferentizëm dhe llafe kafenesh.
– Po këmbënguljen e kryeministrit Rama për të mos bërë ndryshime në qeveri, derisa ambasadori Lu përmendi ministra të korruptuar, si ta marrim?
– Këmbëngulja e kryeministrit për të mos ndryshuar qeverinë është shprehje e mungesës së eksperiencës së tij politike. Tendencat e tij autoritare e çojnë të mbajë një qëndrim gati vetëshkatërrues në këtë drejtim. Të ndryshosh qeverinë nuk do të thotë që ke dështuar, por që ke energji për të ecur me ritmet e duhura. Reagim ndaj SHBA-së? Nuk di të them, por më duket se ndaj ndërkombëtarëve zoti Rama ka një qëndrim që nuk shkon në barazvlershmëri me vendin që përfaqëson dhe, aq më pak, me gjendjen tonë ekonomike e politike.
– Mendoni se, dekriminalizimi do të bëhet nëpërmjet ligjit që do votohet nga marrëveshja PD-PS?
– Është për të ardhur keq që ne flasim për dekriminalizim të politikës, madje dhe të politikës vendimmarrëse. Nuk di ndonjë vend tjetër në Europë që të këtë ligje të tilla. Sigurisht që vendet e Lindjes u morën me kohë me ligjin për dekomunistizimin e politikës. Ne na duhet të merremi me dekriminalizimin. Po më duket e çuditshme që ky ligj do aprovohet nga vetë ata që do duhet të largohen nga politika. Sidoqoftë, le të shpresojmë që mund të zgjidhet diçka. Por kurrsesi nuk do të zgjidhet gjithçka. Kam qenë dhe jam e bindur se vetëm kur të funksionojë demokracia në parti, në media, në shoqëri, vetëm atëherë individët me rekorde kriminale nuk do mund të depërtojnë në politikë.
– Qeveria jonë, pas publikimit të Raport Progresit, përmendi vetëm arritjet e saj. A ka nota përgjegjësie një qeverisje e tillë, kur ndërkohë KE kritikoi Shqipërinë se nuk ka plotësuar asnjë nga 5 prioritetet?
– Ju të medias e dini më mirë që gjatë gjithë këtyre viteve Raport progreset janë lexuar dhe komentuar në mënyra të ndryshme nga krahët e politikës. Rezultati? Gjithnjë në vend dhe me shumë vonesë për të kapur trenin e Europës.
– A mund të jetë morale dhe e ligjshme, që të zgjedhurit në parlament e poste të larta shtetërore të përjashtohen nga testi i drogës, kur ndërkohë ligji parashikon burg për ata që drejtojnë makina të dehur?
– Sinqerisht këtë punën e testit nuk e kam kuptuar asnjëherë. Nuk mendoj se duhet të vihet në ligj diçka e tillë. Është shumë fyese për politikën, por edhe për ne të gjithë!
– Ky parlament, me deputetë kriminelë e ka humbur legjitimitetin, apo katharsi bëhet duke hequr vetëm disa persona?
– Parlamenti e humb legjitimitetin kur nuk votohet nga ne. Ata të gjithë i kemi votuar NE! Largimi i një apo disa personave nuk zgjidh gjë. Katharsi duhet të na përfshijë të gjithëve. Nëse ne nuk do votojmë ata që na mashtrojnë, që na vrasin, që na vjedhin, nuk do votojmë ata që i mallkojmë çdo ditë para fushatës, besoj se do ketë ndodhur katharsi i vërtetë. Por për aq kohë sa ne votojmë vrasësit si ndodhi në Gërdec, apo me vrasësit e 21 janarit, vjedhësit, si ndodh më LSI-në, të korruptuarit si ndodh më rilindjen, mos shpresojmë kot se gjendja do ndryshojë.
– Nëse nuk zhbëhet Sistemi aktual Zgjedhor, a mund të shpresojmë se do të kemi katharsin politik nga inkriminimi?
– Sistemi zgjedhor nuk besoj se do ndryshojë. E kanë kopsitur në mënyrë të tillë që të jenë si vëllezërit siamezë; gjithnjë të lidhur ngushtë e që nuk bëjnë dot pa njeri tjetrin. Duhet operacion i thellë që të ndodh ndryshimi. Për sa kohë që në Shqipëri nuk është pjekur ende një elitë e qartë politike, për aq kohë sa opozitën e bëjnë vetëm zërat opozitarë të disa intelektualëve, nuk ka katharsis politik!
– Faleminderit!
Sigal