Prof. As. Afrim Krasniqi: Kjo retorikë inkriminimi e politikës tonë synon të kthehet në faturë pozitive elektorale

765
Sigal

Në intervistën për gazetën “Telegraf” politologu Prof. As. Afrim Krasniqi, pohon se nuk kanë esencë akuzat-kundërakuzat politike, por ato janë baltosje e gjithçkaje, sidomos e kundërshtarit politik dhe se kjo retorikë inkriminimi synon të kthehet në faturë pozitive elektorale. Edhe propozimi i Kryeministrit që të penalizojë shpifjen politike, sipas Prof. Krasniqi, nuk do të ketë sukses, pasi partitë nuk janë vendi i ideve politike, porse ato i ngjasojnë reparteve ushtarake. Prof. Krasniqi,  në intervistën për “Telegraf”, pohon se qeveria nuk ka agjendë se çdo të bëhet pas një muaji, pasi politika ecën sipas sondazheve e prirjeve të rrjeteve sociale.

–  Zoti Krasniqi, a ka substancë akuza dhe ndërakuza maxhorancë-opozitë, për krimin dhe drogën?

– Sa herë që qytetarët akuzojnë direkt ose indirekt politikën, përgjigjja e tyre është: vërtetoni akuzat dhe shkoni në Prokurori. Një këshillë e mirë, por e njëanshme, sepse vetë politikanët e refuzojnë prokurorinë dhe drejtësinë dhe se nuk bëjnë as përpjekjen më minimale për të adresuar në rrugë zyrtare pretendimet e tyre penale kundër palës tjetër. Praktika e baltosjes së gjithçkaje, sidomos e kundërshtarit politik, pavarësisht fakteve ose vërtetësisë, vijon të jetë tipar i sjelljes politike përgjatë tranzicionit dhe një mentalitet, që u formua gjatë sistemit komunist. E tillë ishte edhe seanca e fundit parlamentare, ku akuzat dhe kundërakuzat kryen vetëm një funksion, lanë në hije shqetësimin e vërtetë publik dhe përgjegjësinë e parlamentit për reagim institucional ndaj çdo forme të krimit.

– Përse ndodh kështu me politikën, duke e bërë shterpë edhe zgjidhjen?

– Shqipëria e sotme politike ka pak dallime nga periudha kur ajo nuk ishte në NATO, duke humbur shumë kohë dhe energji me tema të tjera nga ato që pret publiku dhe bëjnë pjesë në agjendën kombëtare. E tillë është edhe tema e luftës ndaj krimit. Në vend që palët të sugjerojnë mjete ligjore dhe bashkëpunim të çdo strukture kundër krimit, palët politike bëjnë gjënë më pa sens, lënë mënjanë krimin e vërtetë dhe akuzojnë njëra tjetrën, si bartëse të tij. Kjo retorikë inkriminimi, ndonëse synon të kthehet në faturë pozitive elektorale, vetëm sa dëshmon besimin publik në aftësinë e politikës për t’u përballur me problemet dhe krijon alibi për vetë krimin, për të vijuar aktivitetin e tij informal.

– Ju si e gjykoni nismën e kryeministrit për të penalizuar edhe shpifjen politike?

– Nuk besoj se do të ketë sukses, madje as ndikim në sjelljen politike. Thelbi nuk gjendet tek ligji, por tek mënyra sesi palët politike mendojnë, sillen, e lexojnë ligjin dhe e shfrytëzojnë pozitën publike për të bërë politikë. Partitë tona nuk janë vendi i ideve politike, por i ngjasojnë reparteve ushtarake, ku skuadronë militantësh ushqehen me urrejtje ndaj tjetrit dhe përdoren çdo ditë në media dhe rrjetet sociale, në rrugë dhe institucione, për të denigruar tjetrin, atë që mendon ndryshe, ose është rival politik për pushtet. Në raste të tilla, zgjidhja nuk vjen nga ndryshimi i ndonjë ligji, por vjen nga ndryshimi i vetë mënyrës, sesi liderët politikë e kuptojnë dhe e zbatojnë politikën. Më shumë se ndaj aktakuzave mes politikanëve, publiku pret që prokuroria të veprojë menjëherë ndaj temave të tjera më emergjente, siç janë rastet e krimit të organizuar, të korrupsionit zyrtar, të abuzimit me fondet publike dhe formave të tjera të shkeljes së dukshme të ligjit dhe interesit publik.

– A mund të ndërtohet shteti që pretendojmë pa një vazhdimësi, derisa maxhoranca përmbys çdo ligj që ka miratuar maxhoranca e kaluar?

– Sistemi duhet ndryshuar. Ka qenë një premtim thelbësor i maxhorancës, që unë e kam përkrahur sa herë e kam dëgjuar. Maxhoranca ende nuk po merret me sistemin, por me individët, dhe ndërhyrjet në sistem po i bën në varësi nga individët që fshihen pas çdo posti dhe interesi.

 –   Pse sillen kështu maxhorancat, sa vijnë në pushtet, me pretendimet se do të ndërmarrin reformat e thella?

-Maxhorancat në secilin rast kanë pasur besim e pritshmëri publike për reforma të thella, reforma në hallkat e dobëta të qeverisjes dhe ndërhyrje edhe në kuadrin kushtetues. Deri tani kanë nisur shumë strategji dhe projekte, por ende nuk kemi një shirit simbolik të prerë, sepse asnjë reformë e premtuar nuk ka pasur strategji daljeje. Për pasojë, vetëm sa konsumohet politikë dhe më shumë se qeverisje, shohim përpjekje për administrim.

–   Ardhja në pushtet e SYRIZA, mos do të thotë se duhen mendësi dhe platforma të reja politike?

– Vota greke ka dallime thelbësore nga vota shqiptare dhe sjellja elektorale këtu. Greqia kaloi krizë ekonomike, por ishte krizë e të pasurit, kriza jonë vijon të jetë krizë e të varfrit. Vota e SYRIZA ishte votë proteste dhe ndryshimi, gjë që mundësohet kur ka kulturë politike të mjaftueshme nga zgjedhësit, kur ka oferta të reja politike dhe kur sistemi i votimit e mundëson. Në rastin shqiptar mungojnë të tre këta elementë. Në Greqi ka vëmendje e reagim ndaj çështjeve ekonomike. Në Shqipëri protestohet vetëm kur një parti e madhe organizon protesta dhe kështu, zgjedhja jonë është e parashikuar, midis dy modeleve negative, modelin më pak negativ.

– A mund të sterilizohet Kuvendi dhe politika nga kriminalizimi, vetëm me ngritje të komisioneve parlamentare?

– Jo. Është një shpikje shqiptare kërkesa të bëjmë ligje kundër inkriminimit të deputetëve. Deputetët dhe vendimmarrësit tanë nuk zgjidhen, emërohen nga kryetarët e partive. Aty duhen kërkuar përgjegjësitë dhe zgjidhjet. Çdo shpikje tjetër është formale dhe pa efekt real.

– A ka justifikim dhe moral politik qeveria, të zbatojë politika që nuk janë në premtimet e programet e saj elektorale, sikurse bëri PS-ja?

– Gjithmonë ndodh që pala politike të bëjnë premtime tej mundësive të saj kur është pranë pushtetit. Kjo sepse publiku pret e pret më shumë prej saj, sepse vetë opozitat nuk kanë info të saktë për gjendjen dhe problemet e shtetit, sepse llogarisin donacione dhe mbështetje ndërkombëtare të paverifikuar dhe sepse mbështeten tek një shtresë teknokratësh, si realizues të reformave të mëdha. Kur vjen në pushtet, shumë prej këtyre elementëve vihen në provë dhe në rastin më të mirë janë 50% të realizueshme. Në raste si Shqipëria, nuk priten ndryshime të forta dhe thelbësore, sa pritet që shteti e shoqëria e paszgjedhjeve të jetë më funksionale, më demokratike dhe më produktive, sesa përpara zgjedhjeve. Kjo mund të ndodhë dhe ende palët kanë mekanizma në dispozicion për jetësimin e tyre.
–  Jemi në prag të zgjedhjeve vendore. A ka ardhur koha që të departizohet dhe depolitizohet procesi i administrimit të zgjedhjeve edhe në Shqipëri?

– Shpesh na pëlqen ta shohim veten unikë në botën globale demokratike dhe ky është një nga ato raste kur vërtetë mbetemi unikë. Askund tjetër partitë nuk kanë monopolin mbi administrimin zgjedhor si në Shqipëri. Dhe janë vetëm katër parti, pra pjesa më afër pushteteve, pjesa e prirur të jetë edhe më e mbështetur, por edhe më e votuar kundër nga elektorati. Kjo bëhet për dy arsye, sepse mungon besimi tek institucionet e pavarura dhe sepse palët kryesore duan të administrojnë votat kundër tyre, që shkojnë për palët më të vogla politike. Zgjedhjet 2015 nuk priten të kenë ndryshime në këtë drejtim dhe sipas paralajmërimeve, as zgjedhjet parlamentare 2017. Gjithsesi ka një hapësirë që mund të sjellë ndryshimin, nëse presioni publik bind palët të liberalizojnë sistemin për të mundësuar votën e emigrantëve. Në këtë rast, partitë nuk do arrinin dot të ruanin monopolin mbi procesin dhe vota e emigracionit do ishte mekanizmi i duhur për të shpresuar për një proces zgjedhor të pavarur edhe nga administrimi aktual partiak.

Qeveria nuk ka agjendë se çdo të ndodhë pas një muaji

– Sipas jush, këtë maxhorancë kaq të madhe në kartonë në Parlament, çfarë e pengon që të kryejë reformat e mëdha që ka premtuar? 

– Nuk ka agjendë se çfarë do duhet të ndodhë sot, pas një jave, pas një muaji, pas 6 muajsh, pas një viti dhe gjatë gjithë mandatit qeverisës. Politika ecën më shumë sipas sondazheve dhe prirjeve të rrjeteve sociale, sesa sipas modeleve institucionale dhe programore. Dhe në këto raste, sa më shumë që të vonohet procesi i reformave të mëdha, aq më të kufizuara bëhen shanset dhe hapësira për t’i realizuar ato. Sepse pleksen interesa politikë, aleatë politikë, vendimmarrje klienteliste dhe konflikte interesi, të cilat mbajnë peng ndryshimet e mëdha. E majta ka ende shans për reforma dhe mbajtjen e premtimeve, të paktën edhe një vit, më pas ajo do jetë e destinuar të hyjë në krizë politike dhe identiteti, siç ndodh me çdo maxhorancë, zakonisht në mandatet e dyta.

 – A mund të realizohen dhe të kenë pritshmërinë e duhur reformat e thella, pa ndryshime kushtetuese?

– Në një vend si Shqipëria, me kapacitete financiare minimale dhe me njohje personale midis të gjithë njerëzve publikë, është e vështirë të bëhen reforma të mëdha. Grupet klienteliste janë më të fuqishme, sesa pritshmëria shpesh utopike publike. Maxhoranca aktuale i ka të gjithë numrat dhe mundësitë të bëjë ndryshime thelbësore, sidomos në drejtësi, në jetësimin e ndarjes dhe balancës së pushteteve, në masat antimonopol dhe në një sistem më transparent të shpërndarjes së aseteve dhe të ardhurave shtetërore e publike. Rezultatet mungojnë, ndonëse ka shenja minorë ndryshimi, sidomos në drejtim të politikave dhe vendimmarrjeve simbolike.

-Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA