Prof. Artan Fuga/ Hë mo se pak me barrë është!

463
Sigal

Profesor Fuga reagon në rrjetin e tij social mbi devijimin e lumit Radika

Nuk duhet të lejojë as Kuvendi, as qeveria, as shteti, as shoqatat joqeveritare, as bashkitë e pushtetit lokal, as qytetarët shqiptarë, as shqiptarët në zonat kufitare kudo janë, as diplomacia që, shtete fqinje, për çfarëdo nevojash a pretendimesh që të kenë të prekin ujëra lumenjsh që në shtratin natyror e kanë kalimin ose derdhjen në territorin shqiptar. Argumenti që ndonjë zyrtare e vockël jep se bëhet fjalë vetëm për rrëmbimin e disa metrave kub ujë dhe se ujë tjetër ka boll është në mos një naivitet i saj që nuk kupton fare se çfarë thotë, ose është një papagall i papërgjegjshëm. Ujërat janë të paprekshme dhe nuk maten me sasi prurjesh sepse janë pasuri e pajetërsueshme, mund të shiten, mund të shkëmbehen, mund të jepen me qira, mund të jepen me koncesion, por nuk mund të dhurohen sepse nuk ka asnjëri të drejtë t’i dhurojë. Për ujërat e lumenjve kombet hidhen në zjarr.  Nuk matet as me sasi legenësh uji, govatash, ibrikësh, filxhanash çaji apo kafeje uji i lumenjve tanë që janë bërë të hollë si vija ujërash të zeza që dalin nga ndonjë kasolle bariu e ku përzihet urina e bariut e deleve dhe e qenve të stanit. Nuk matet vlera e lumenjve me sasinë e sotme të prurjeve. Matet me dëmin në mikroklimë, me nevojat e nesërme të brezave shqiptare, me energjinë elektrike që një prurje e madhe jep shumë më tepër, me prurjet në kohë thatësire, me aftësitë ujitëse dhe rendimentet në bujqësi, me strategjinë në marrëdhëniet me fqinjët, etj.. Unë nuk e di se çfarë po bëhet, por kur lexoj deklaratat e papërgjegjshme të një zyrtareje të vockël që thotë sipas shtypit se: “Hë mos se pak litra do të na zhvatin”, më dridhet mishi dhe mendoj: E di kjo zyrtare sesi maten vlerat e burimeve energjetike kombëtare? E di kjo zyrtare e vockël se argumenti që jep është idiotesk? E di kjo se me këtë deklaratë shkel Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë sepse tjetërson pasuritë kombëtarë që vetë Zoti na i ka dhënë dhe vetëm ai mund t’i marrë? “Pak litra do të na marrin”! Çfarë? A ka gazetarë apo jo që ta bombardojnë me pyetje që të mos guxojë të dalë më në të tilla deklarata që të ngjethin mishtë nga pathemelësia e tyre. Hë mos u mërzit se vetëm po të plagos pak! – i thotë viktimës dikush. Hë mo se pak me barrë e ka lënë përdhunimi! Si mundet që sovraniteti i një vendi të matet me litra uji prurje në sekondë. Të kuptohemi, unë nuk e njoh dosjen, ndofta e njohin gjeografët, kush të jep transparencë, “do të na njoftojnë në kohën e duhur”, por më ngjethet mishtë thjeshtë me deklaratën për shtyp të zyrtares së vogël: Hë mo se pak litra ujë në sekondë do të na marrin! “Ose nuk jam në vete unë, ose nuk është në vete ajo, por me siguri unë e kam fajin. Ne i kemi venë të ruajnë ujin, ata e falin… Shqipërinë duan t’i marrin ujët, me argumentin se e paska me bollëk dhe kur palé? Ndërkohë që, qytetet po thahen për ujë, kur pompat po dërmojnë qytetarin duke nxjerrë ujë nga puset e ndyta, kur fshatra të tërë nuk kanë ujë të rrjedhshëm në banesa. Del një zyrtare e vogël dhe thotë: Hë mo se kemi shumë ujë…

Patjetër, sepse janë të domosdoshme brenda një koncepti modern co-sovraniteti mbi pasuritë ndërkufitare që kërkojnë regjim shumë transparent dhe të drejtë sipas normave ndërkombëtare.
Patjetër, bisedime me fqinjët për pasuritë ujore ndërkufitare, është normale, por jo me këta lloj tip zyrtaresh të vockla. Unë po të kisha qenë do ta kisha pushuar në sekondë nga detyra, ka punë të tjera plot, ku mund të angazhohet… sesa të na ngjethi mishtë me paditurinë…