Prof. Artan Fuga: Çfarë bëhet me taksat tona?

633
Sigal

Paguajmë me taksat tona me qindra nëpunës, policë, prefektë etj., dhe territori na mbushet me kanabis. Pastaj kanabisi ndyn tërë sistemin politik dhe administrativ. Pastaj paguajmë me taksat tona dhjetëra e dhjetëra deputetë, të cilët në vend të gjejnë zgjidhjet brenda Kuvendit dhe duke punuar konform rrogave të majme që marrin, gjejnë si zgjidhje sharjet reciproke. Pastaj paguajmë qimet e kokës për taksa për të paguar policë dhe skafandra, makina policie, pajisje etj., për të mbrojtur godinat shtetërore nga protestuesit, që i kanë shtyrë dhe nxitur atje në përplasje partitë politike dhe deputetët, që nuk gjejnë zgjidhjet në Kuvend. Pastaj paguajmë pa fund taksa, që RTSH-ja ta transmetojë  ose të mos ta transmetojë protestën, njësoj në të dyja rastet, humbasim paratë e taksave tona kot. Pastaj, paguajmë përsëri taksa, që të paguajmë rroga deputetësh, të majme, që, pas protestës, të grinden, nëse protesta kishte ose jo, sukses. Pastaj, përsëri taksa për të paguar gjyqtarë, prokurorë, hetues, që të investigojnë, nëse nëpunës të ndryshëm e kanë bërë detyrën, apo kanë abuzuar me detyrën lidhur me trafiqet e paligjshme. Pastaj, për të përballuar këto shpenzime, na duhet që të rriten taksat dhe kështu ne shkatërrohemi ekonomikisht, psikologjikisht dhe mendërisht. Pastaj, përsëri dalim në protestë, sepse jemi të pakënaqur… Ia vlejnë të paguajmë taksa për politikën, që abuzon me taksat tona?