Prof.Afrim Krasniqi Reforma zgjedhore, kusht për progresin politik në Shqipëri. Stabiliteti në dëm të demokracisë, SHBA, 9 kushtet gjermane, opozita reale dhe ngritja e strukturave anti-korrupsion

879
Sigal

Intervista për DW/ Sfidat politike të reformës zgjedhore, roli i Gjermanisë dhe SHBA në kryerjen e saj

Shqipëri: Reforma zgjedhore, kusht për progresin politik

 Prof. Afrim Krasniqi,

Drejtor i Institutit për Studime

 

DW: Z.Krasniqi, çfarë mendoni për propozimin e Partisë Demokratike, që reforma zgjedhore në Shqipëri të kryhet nga PS-PD dhe faktori ndërkombëtar? Kjo është një nga 9 çështjet në Rezolutën e Bundestagut gjerman, që Shqipëria duhet të zgjidhë për të bërë të mundur hapjen e negociatave të pranimit në BE.

 Propozimi i PD për bisedime vetëm me mazhorancën socialiste dhe faktorin ndërkombëtar për reformën zgjedhore, por edhe zgjidhjen e krizës politike, më shumë i adresohet si ofertë Partisë Socialiste se sa ka të bëjë me ndonjë plan konkret të saj. PD e di që faktori ndërkombëtar mund të asistojë reformën zgjedhore, por në asnjë rast nuk është palë në bisedime, por ajo kërkon që përmes këtij propozimi të rivendosë urat e munguara të komunikimit me faktorin ndërkombëtar dhe njëherësh të delegjitimojë pakicën, opozitën e re demokratike në parlament, përmes bisedimeve direkt me qeverinë.

Si e shikoni marrëdhënien mes opozitës së re në Parlament dhe opozitës jashtë parlamentit pikërisht për reformën zgjedhore? Opozita e re shfaq hapur shqetësimin nga një drejtim potencial trepalësh në kryerjen e kësaj reforme – PS, PD dhe ajo vetë.

 Marrëdhënia e tyre ndikohet nga dy faktorë: Njëri lidhet me faktin se çdo ndryshim në sistemin zgjedhor apo në reformën institucionale kërkon ndryshime në Kushtetutë apo në Kodin Zgjedhor dhe për këtë duhen së paku 92 ose 84 vota, pra edhe votat e opozitës së re, që hyri në parlament, në pranverën e këtij viti. Opozita jashtë parlamentare, nën kontrollin e PD-së, dëshiron bisedime dhe marrëveshje direkt me mazhorancën socialiste dhe jo me opozitën e re pasi shpreson që kjo e fundit në çdo rast, nën këshillën perëndimore, do të votojë paktet midis dy partive të mëdha. Nga ana tjetër opozita e re në parlament ka padyshim legjitimitet parlamentar, por jo legjitimitet përfaqësues.

 Cilat janë të metat e sistemit aktual zgjedhor, sidomos ato që cenojnë demokracinë dhe të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur?

 Kur në vitin 2008 u krijua sistemi i tanishëm elektoral, u premtua se nuk do të kishte më destabilitet në qeverisje, nuk do të kishte korrupsion elektoral dhe as prurje të “të fortëve”, përfaqësimi do ishte më proporcional për zonat zgjedhore, partitë do funksiononin si modele konkurruese demokratike dhe parlamenti e vendimmarrja do t’u kalonte elitave politike.

A shihni sinjale, vullnet politik që reforma zgjedhore, do të kryhet dhe Shqipëria do të ketë një sistem zgjedhor, i cili respekton votën dhe të drejtat e votuesit?

 Mendoj që palët kryesore politike kanë interes të fokusohen tek reforma zgjedhore ngaqë është kusht ndërkombëtar. Ato nuk duan të identifikohen si shkaktare të dështimit të saj. Por ka një kontrast të thellë midis agjendës perëndimore dhe asaj vendore për reformën e pritshme zgjedhore: Të parët kërkojnë zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për 5 vite rresht, nga 2015 deri në 2019. Të dytët, pra PS & PD kërkojnë rishikim të sistemit zgjedhor, votën e emigrantëve dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Për elementët e agjendës perëndimore “de facto” ka dakordësi vetëm në 60% të tyre. Për elementët e agjendës lokale ka diferenca të mëdha, gati përjashtuese.

 A është ndërgjegjësuar faktori ndërkombëtar, se përqasja e tij ndaj zhvillimeve politike gjatë tranzicionit në Shqipëri, e quajtur tanimë “stabilitet politik në kurriz të demokracisë” ka dëmtuar demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve? Pasojë e kësaj përqasjeje është edhe sistemi aktual zgjedhor, i cili padyshim është mbështetur nga ndërkombëtarët.

 Jo, nuk ka tregues të reflektimit ndaj gabimeve që faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë pasur e kanë gjatë tranzicionit. Fakte të tilla si mbështetja ndërkombëtare për të gjitha reformat zgjedhore, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese të 2008-s apo riciklimi imponues i 2-3 emrave në pushtet për më shumë se dy dekada, tregojnë se midis interesit afatgjatë të shoqërisë për më shumë demokraci dhe interesit afatshkurtër për mbështetje pragmatiste të stabilitetit politik, faktori ndërkombëtar ka zgjedhur të dytën. Stabiliteti politik, si prioritet në dëm të nevojës për më shumë demokraci, është forcuar si devizë, në vitet dhe muajt e fundit jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropën Jug-Lindore. Ndryshe nga kjo ofertë, besoj që stabiliteti është produktiv, kur prodhon demokraci funksionale.

 

 Cilët janë faktorët, të cilët mund të ndikojnë që reforma zgjedhore të ecë, të jetë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse?

 Vetëm një presion i qartë perëndimor, kryesisht gjerman dhe amerikan, mund të detyrojë palët politike të shkojnë drejt një përgjigjeje serioze dhe afatgjatë për reformën zgjedhore dhe për të gjitha çështjet që tashmë njihen si kushtet e Bundestagut për Shqipërinë. Gjatë vitit 2020 e në vijim gjendja mund të ndryshojë pozitivisht nëse krijohet dhe funksionon Struktura e Posaçme Antikorrupsion, (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), dy institucione me pritshmëri të lartë në hetimin e dënimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar, të cilët në Shqipëri përbëjnë oligarkinë dhe pengesën kryesore për progresin politik dhe ekonomik të vendit.

Intervistoi: Ani Ruci