Prodi në Tiranë, takon Metën e Berishën

615
Ish-kryeministri italian, Romano Prodi, vizitoi dje Tiranën 20 vjet pas ngjarjeve tragjike të vitit 2017 dhe u takua me presidentin e Republikës, Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Berisha. “Një mëngjes pune me mikun e shqiptarëve, profesor Romano Prodin, me të cilin diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona e të ardhmen evropiane të Shqipërisë. I drejtë propozimi i mikut tonë për të ndërtuar një simbol të turizmit shqiptar, që do promovonte edhe më fuqishëm rritjen cilësore të turizmit e përfitimeve”, u shpreh Kreu i Shtetit pas takimit me Prodin, i cili ka drejtuar edhe Komisionin Evropian në një mandat. Ndërsa ish-kryeministri Berisha e falënderoi Prodin për ndihmën, mbështetjen dhe miqësinë që ai personalisht, qeveritë dhe populli italian i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve. “Ndihma e Italisë ka qenë tejet e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë dhe të ardhmen e vendit tonë. Ish-kryeministri Prodi ka dhënë një kontribut të çmuar personal në mbështetje të përpjekjeve integruese të Shqipërisë pasi vendi ynë hapi negociatat për MSA-në në një kohë kur zoti Prodi ishte President i Komisionit te BE-së”, u shpreh Berisha. Ai shtoi se në vitet 2008-2013 Shqipëria arrinte të merrte mbi 1 miliard euro investime në vit, ndërkohë që gjatë këtyre katër viteve të fundit investimet e huaja apo ato italiane janë thuajse zero. “Rritja e krimit dhe kriminalitetit, si dhe korrupsionit, janë arsyeja kryesore që frenon dhe tremb investitorët e huaj të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri”, nënvizoi Berisha. Ish-kryeministri shqiptar bëri të ditur se me Prodin diskutoi edhe mbi gazsjellësin TAP, të negociuar dhe firmosur gjatë qeverisjes së mëparshme, rëndësinë e tij të madhe strategjike dhe progresin e tij, si dhe mbi projektet e mëdha energjetike të vendit tonë. Prodi po merr pjesë edhe në disa aktivitete për 20-vjetorin e misionit “Alba”.
Sigal