Procesi u manipulua, 30 qershori nuk ekziston

611
Sigal

Flet konstitucionalisti Sokol Hazizaj Sokol Hazizaj: Procesit zgjedhor dhe votuesve iu mohuan garancitë juridike dhe vullneti politik, për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën. Zgjedhje pa garë, pabesueshmëria, manipulimi dhe presioni për të shfaqur preferencën politike, duke cënuar kufijtë e lirisë

Sokol Hazizaj, Konstitucionalist

 

E drejta për të zgjedhur në 30 qershor nuk ka ekzistuar, procesi u manipulua

Petraq BARJAMI

Sokol Hazizaj, në prononcimin për gazetën “Telegraf” sesi e ka “lexuar” raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it për 30 qershorin, përgjigjet se në Shqipëri mungon vullneti politik për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën, e drejta kushtetuese për të zgjedhur nuk ka funksionuar, nuk ka pasur zgjedhje, e drejta për të zgjedhur nuk ka ekzistuar, e drejta për të votuar nuk ka qenë në kufijtë e lirisë, kërkesë kushtetuese dhe ligjore, procesi zgjedhor ka qenë i manipuluar, totalisht i pabesueshëm dhe jo funksional. Mungesa e garës zgjedhore, mungesa e alternativave konkurruese mbi administrimin e pushtetit, politizimi theksuar deri në presione direkt për të shfaqur preferencën politike, e bën të pamundur realizimin e zgjedhjes.

 

-Zoti Hazizaj, ju si e lexuat Raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për 30 qershorin? A janë legjitime rezultatet e votimit?

Sa i përket raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, duhet të citoj se konstatimi tyre mbi zgjedhjet e 30 qershorit vjen si rezultat i shumë defekteve, të cilat nuk janë të karakterit ligjor, por thjesht dhe vetëm si mungesë dëshire e politikës shqiptare për të mos realizuar së paku atë çfarë ligji mbart si detyrim, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj nuk është rastësore që ky raport pasqyron megjithëse në mënyrë të fragmentare elementët defektozë të procesit të 30 qershorit. Në raport në mënyrë të detajuar pranohet se:

  1. Zgjedhjet vendore u mbajtën pa marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit, pra thënë ndryshe nuk ka pasur zgjedhje.
  2. Opozita vendosi të mos marrë pjesë, kurse qeveria u tregua e vendosur për t’i mbajtur zgjedhjet pa opozitën, pra e drejta për të zgjedhur nuk ka ekzistuar.
  3. Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike, që do të thotë se e drejta kushtetuese për të zgjedhur nuk ka funksionuar.
  4. Në gjysmat e bashkive kandidatët garuan pa kundërshtarë, ndërsa vëzhguesit morën pretendime të besueshme nga qytetarët për presione nga të dyja palët, që do të thotë se ndonëse nuk kishte garë elektorale, sërish e drejta për të votuar nuk ka qenë në kufijtë e lirisë, kërkesë kushtetuese dhe ligjore.
  5. “Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë vendime të administratës zgjedhore u morën duke pasur si objektiv mbajtjen e zgjedhjeve”, që do të thotë se zgjedhjet janë zhvilluar si proces me mungesë totale të garancisë juridike të zgjedhësve.
  6. Mungesë e vullnetit politik për të respektuar rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it nuk kanë sjellë asnjë element përmirësues të zbatimit të ligjit elektoral, sa i përket transparencës së financimit të fushatës, që do të thotë se procesi zgjedhor ka qenë i manipuluar.
  7. Përbërja e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar zgjedhjet dhe interpretimet kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të Presidentit që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi, që do të thotë se procesi zgjedhor është totalisht i pabesueshëm dhe jo funksional.

 

Misioni OSBE/ODHIR për të mos thënë troç që procesi ishte i tërësisht i pavlefshëm, kanë konstatuar mungesën e elementëve, të cilët i japin zgjedhjeve përmbajtje dhe ngjyrë. Pa ekzistencën e të cilëve nuk ekziston koncepti zgjedhje. Të tillë element, si mungesa e garës zgjedhore, mungesa e alternativave konkurruese mbi administrimin e pushtetit, politizimi i theksuar deri në presione direkt për të shfaqur preferencën politike, e bën të pamundur realizimin e zgjedhjes. Në këtë kuptim, nuk ka rëndësi gjetja e fajtorit, ndonëse ai dihet, por çka është më themelore dhe dramatike në konstatimet e tyre është mungesa e vullnetit për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën. Një konstatim i tillë i institucioneve ndërkombëtare, nuk është gjë tjetër veçse një kambanë alarmi që s’ka më lidhje me ekzistencën e ligjit ose jo, por lidhet drejtpërdrejtë me lirinë dhe ekzistencën e të qenit dhe trajtimit të qytetarit si Njeri.