Procedimet në protestë/ Përplasje polici-MB, paralajmëron Lleshaj

473
Sigal

Në fjalën e tij të parë në Kuvend që prej dekretimit si ministër i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka përgënjeshtruar lajmin për nisjen e procedimit penal për 25 studentë dhe pedagogë pjesëmarrës në protestat e të rinjve përpara Ministrisë së Arsimit.

Ministri paralajmëroi nisjen e procedurave për të zbuluar përgjegjësit në Policinë e Shtetit.
Lajmi për procedimin e protestuesve nuk u zbulua nga burime mediatike, por u njoftua zyrtarisht nga Policia e Shtetit.

“Në zbatim të procedurave standarde policore dhe të detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash, të cilët e kanë cenuar qartazi rendin dhe qetësinë publike, kryesisht në formën e bllokimit të akseve rrugore të vendit, goditjes me sende të forta, apo djegies së materialeve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve në mjedise të rëndësishme publike”, deklaroi policia një ditë më parë.

Madje në komunikatën e brendshme të policisë janë renditur me emra 25 personat për të cilët janë referuar materialet në prokurori.

Pas regjistrimit të procedimit penal, i cili merr edhe një numër unik nga oficeri përgjegjës i policisë, nuk ka me kthim mbrapa. Kompetencat për të shuar një procedim si të paligjshëm, apo se nuk ka vepër penale e ka vetëm prokurori, çdo veprim tjetër i kryer është i paligjshëm.