Pr/ligji për pakicat etnike, Vasili: Bie ndesh me Kushtetutën, mos e votoni sot

Kreu i grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili nga foltorja e Kuvendit ka komentuar tensionet që u shoqërua seanca e djeshme plenare, pas përjashtimit nga punimet të deputetit demokrat, Flamur Noka. Që në nisje të fjalës së tij Vasili theksoi se do të merrte fjalën që dje i takonte nënkryetarit të LSI-së, Luan Rama.

Ai theksoi se dje drejtimi i seancës ishte i gabuar. Po ashtu, Vasili teksa u ndal tek projektligji për ‘pakicat Kombëtare’ theksoi se ai bie ndesh me konventën dhe Kushtetutën e vendit.

“Do më lejoni që për shkak se kolegu im Luan Rama nuk mbajti fjalën e tij për shkak të një seancë që mori krejtësisht një rrugë të gabuar dhe drejtim të panevojshmë, po e marr sërish fjalën e tij për të paraqitur pr.ligjin per “Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”. Por kjo nuk është sot dita që të miratohet. Ai bie ndesh me parimin dhe shqetësimin e ndërkombëtarëve. Ky shqetësim nuk ka lidhje me lidhjet patriotike”, tha Vasili.

Ndër të tjera Petrit Vasili tha se ky pr/ligj bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe konventën kuadër. Ai apeloi që pr/ligji të mos votohet dhe të përpunohet.

“Ky është një konformizëm servil. Deformimet janë aq të mëdha se të shtyn të mendosh se nuk jemi para një projekti juridik. Janë zhdukur pakicat bilinge. Ky pr.ligj nuk bën dallimin me pakicat kombëtare me ato pa territor kompakt. Nuk bëhet i mundur dallimi i statusit për këto pakica kombëtare. Me çfarë statusi cilësohen si të barabartë pakicat etnike? Zonë e pakicës do të thotë një territor kompakt me gjuhe dhe kulturë? Ku e kemi territorin kompakt te rasti i vllehëve? Ku është shumica relative tek romët, serbët apo vllehët? Ky pr.ligj me deformim shkencore pasqyron procese desinformuese. Ky pr.ligj bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe konventën kuadër. Nuk mund të ketë të drejtë vetëdeklarim për gjuhën dhe etninë. Me këtë pr.ligj po zhduket hierarkia e pakicave. Mund të duket një ligj i zakonshëm, por pasojat janë të rënda dhe jemi përballë provës së dinjitetit. Ju ftoj të mos e votojmë këtë ligj dhe ta përpunojmë”- tha Vasili.