Prishja e shtëpive në Shkozë, reagon deputetja e LSI: Fatale ushtrimi i pushtetit në këtë mënyrë

111
Nxjerrja e banorëve të Shkozës në Tiranë nga shtëpitë e tyre për të liruar hapsirën për ndërtimin e rrugës, ka sjellë reagime të shumta nga ana e shoqërisë civile por dhe të politikës.
Për këtë çështje ka reaguar edhe deputetja e LSI, Klajda Gjosha. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gjosha shkruan se është shumë e vështirë teksa shikon pamje të tlla drithëruese.
“Janë këto pasojat e para të votës së 25 Qershorit, votë kjo që u mor mes shumë mashtrimesh por njëra prej tyre ishte pikërisht se banorëve ju premtua se nuk do t’ia prishnin shtëpitë që ishin gjaku dhe djersa e tyre!”, shkruan Gjosha.
Më poshtë postimi i plotë:
Ishte e vështirë të shikoje sot banorët e Shkozës që po ju prisheshin shtëpitë e tyre. Ishte e veshtirë të dëgjoje fjalët drithëruese të një fëmije të pafajshëm, i cili mes lotësh shpresonte se dikush do ta degjonte. Janë këto pasojat e para të votës së 25 Qershorit, votë kjo që u mor mes shumë mashtrimesh por njëra prej tyre ishte pikërisht se banorëve ju premtua se nuk do t’ia prishnin shtëpitë që ishin gjaku dhe djersa e tyre! Por 25 Qershori kaloi shumë shpejt dhe meqënëse vota e tyre e kreu detyrën më së miri, ajo cka mbetet është vetëm keqtrajtimi, ushtrimi i pushtetit në një mënyrë të turpshme dhe mosmbajtja e fjalës!
I bëj thirrje autoriteteve që të ndalin prishjet dhe të arrihet sa më parë një marrëveshje mes banorëve që janë njerëz të thjeshtë dhe të varfër dhe institucioneve përkatëse. Cdo iniciativë që lehtëson sado pak dhimbjen e tyre sot ka vlerë, kuptohet nëse ka mbetur një fije arsye në këtë shtet të pashpirt!