PRINCI I MONAKOS, ALBERT II VIZITON TIRANËN

606
Sigal

Presidenti Meta i dorëzon Princit të Monakos “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Presidenti i Shqipërisë mirëpret në një vizitë shtetërore në Tiranë, Princin e Monakos, Albert II

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Princit Sovran të Monakos, Lartësisë së Tij të Përndritur Albert II, i cili po zhvillon një vizitë shtetërore në vendin tonë. Kjo është vizita e parë e një monarku të Principatës së Monakos në Shqipëri. Pas ceremonive të mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të te dy vendeve, Presidenti Meta dhe Princi Albert II zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare. Presidenti Meta vlerësoi vizitën e Princit Albert II në Shqipëri dhe nënvizoi se, në këto shtatë vite marrëdhëniesh diplomatike, bashkëpunimi midis Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos është zhvilluar në mënyrë shumë pozitive. “Vizita e Princit Albert II është shprehje e qartë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për t’i nxitur e zhvilluar më tej këto marrëdhënie”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Princin e Monakos, Albert II

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Princin e Monakos, Albert II “Për kontributin e çmuar në inkurajimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos; për mbështetjen e vyer për ruajtjen e biodiversitetit në zona të mbrojtura detare në Shqipëri, si pjesë e mjedisit të pellgut të Mesdheut.

Meta: Vlerësojmë rolin dhe kontributin e Princit Albert II në promovimin dhe mbrojtjen e ambientit

Sot, kishim nderin dhe kënaqësinë shumë të veçantë që të mirëprisnim në Tiranë, Princin Sovran të Monakos, Albert II, dhe delegacionin shtetëror që e shoqëron. Ndihemi shumë të nderuar, pasi kjo është vizita e parë e një Monarku të Principatës së Monakos në Shqipëri, pas shumë shekujsh monarki. Gjithashtu, dëshiroj që të vlerësoj lart që në fillim, vëmendjen e veçantë që Lartësia e Tij e Përndritur dhe Qeveria e Monakos po u kushtojnë në vitet e fundit, marrëdhënieve me Shqipërinë. Megjithëse marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona janë relativisht të reja, falë dëshirës dhe vullnetit të përbashkët, ato po zhvillohen shumë pozitivisht. Në më pak se një vit, kjo është hera e dytë që takohem me Princin Albert II. Herën e parë u takuam në Marsejë, ku zhvilluam një bisedë shumë të frytshme e bashkëpunuese. Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit midis dy Ministria të Jashtëm të dy vendeve është një hap i parë shumë pozitiv që më bën optimist për arritjen në një kohë të afërt të një Marrëveshje Kuadër Bashkëpunimi.

Po kështu, mendoj se jemi me fat që njëri prej pinjollëve të Familjes fisnike xhenoveze, Durrazo, zoti Giuseppe Durazzo, na përfaqëson sot si Konsull Nderi në rajonin e Ligurias në Itali dhe në Principatën e Monakos. Është një lidhje e fuqishme historike e shpirtërore, pasi kjo familje fisnike me prejardhje nga qyteti i Durrësit, i ka dhënë në shekuj nëntë shtetarë Qytetit të Xhenovës dhe ka pasur marrëdhënie të ngushta me dinastinë dhe Shtëpinë Grimaldi. Sot, patëm gjithashtu mundësinë që të vlerësojmë rolin dhe kontributin e Princit Albert II në kuadër të promovimit dhe mbrojtjes së ambientit, veçanërisht në pellgun e Mesdheut, por edhe në nivel global. Si dy vende mesdhetare, Shqipëria dhe Principata e Monakos, ndajnë vlera, interesa dhe sfida të përbashkëta, përballimi i të cilave kërkon një bashkëpunim të ngushtë. Dëshiroj që këtë ditë ta mbyll me një ceremoni të veçantë për nder të mikut tonë të nderuar, Princit Albert II. Dëshiroj që edhe në emër të shqiptarëve t’i akordoj Dekoratën e “Flamurit Kombëtar”, për kontributin e çmuar në nxitjen e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe e falënderoj për pranimin e saj. Kjo është dekorata më e lartë, me të cilën ne shqiptarët nderojmë e respektojmë miqtë tanë më të mirë. Po kështu një mirënjohje të veçantë e kam edhe për njohjen e Shtetit të Kosovës nga Principata e Monakos, 10-vjet më parë, duke qenë ndër të parat vende. Duke besuar se sot na u dha mundësia të ofrojmë diçka nga tradita jonë e mikpritjes, shpresoj gjithashtu që Princi Albert II dhe delegacioni që e shoqëron të jenë ndjerë mirë në Shqipëri.

Fjala e Princit të Monakos pas vlerësimit të Presidentit Meta me Dekoratën e “Flamurit Kombëtar”

Zoti President,

zotërinj ministra,

Lartësi,

Shkëlqesi,

të dashur miq,

Më lejoni t’ju shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për nderin që më bëni me Dekoratën e “Flamurit Kombëtar”. Ky vlerësim honorifik bën të njohur, ashtu sikurse ju e keni nënvizuar në dekretin tuaj, intensifikimin e marrëdhënieve ekzistuese mes vendeve tona, që u ilustrua kryesisht edhe nga firmosja sot e një memorandumi mirëkuptimi.

Ju keni theksuar gjithashtu që ky titull nënvizon veprimet që ne duhet të ndërmarrim së bashku për ruajtjen e biodiversitetit në Mesdhe e më veçanërisht të zonave detare të brigjeve shqiptare.

            Kjo ambicie u konkretizua nga firmosja e një partneriteti me OJQ-në “Pisha flamur”. Jam i bindur që tërësia e fushave të bashkëpunimit që ju përmendet, Zoti President, do të mund të njohin zhvillime të frytshme që dy komunitetet tona kanë aftësinë t’i arrijnë.

Së fundmi, unë i gëzohem perspektivës së aderimit të Shqipërisë në CIESM, kësaj organizate ndërkombëtare që më shumë se kurrë na tregon dobinë e saj në ruajtjen e të mirës sonë të përbashkët.

Ky det mesdhetar, djep i njerëzimit, duhet të jetë objekt i gjithë vëmendjes sonë, sepse ai është garanti i të ardhmes sonë dhe vulos fatin e përbashkët të tërësisë së vendeve që e kufizojnë atë.

Shpreh urimin që kjo trashëgimi e përbashkët të jetë në vitet e dekadat e ardhshme një vektor paqeje e mirëkuptimi të përbashkët!

Presidenti Meta ngre dolli gjatë pritjes zyrtare për Princin e Monakos, Lartësinë e Tij të Përndritur, Albert II

 

Gjatë darkës zyrtare pas ceremonisë solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në respekt të traditës shqiptare, ngriti disa dolli për Princin e Monakos, Lartësisë së Tij të Përndritur, Albert II. Presidenti Meta ngriti tre dolli për nder të Princit të Monakos, Lartësisë së Tij të Përndritur, Albert II dhe miqësisë mes vendeve tona. “Unë vij nga një qytet i jugut të Shqipërisë, që quhet Skrapar, i famshëm për rafting dhe kanionet e mrekullueshme, ku dollia është një institucion dhe njerëzit e përdorin atë për të treguar respekt dhe për të nderuar miqtë. Për këtë arsye, e shfrytëzoj këtë rast për të ngritur disa dolli këtë mbrëmje.

Dollia e parë është për Lartësinë Tuaj dhe delegacionin Tuaj. Ju na nderoni shumë me vizitën tuaj në Shqipëri.

Dollinë e dytë e ngre për vendin Tuaj dhe i uroj Monakos dhe popullit monegask sa më shumë progres e prosperitet nën udhëheqjen Tuaj.

Të tretën, ia kushtoj miqësisë mes dy vendeve tona, për të cilat jam i sigurt, se pas kësaj vizite do të forcohen dhe intensifikohen më tej. Dhe së fundmi, ngre një dolli për Ju, për Princeshën Charlene dhe për fëmijët tuaj binjakë, Princesha Gabriella dhe Princi Trashëgimtar Jacque. Ju uroj të gjithëve një jetë të gjatë dhe të lumtur! Gëzuar!”, – tha Presidenti Meta.