Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit organizuan sot në kryeqytet një konferencë kombëtare për krimin mjedisor

550
Sigal

Në sesionin e parë, folën Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Kryetari i Komisionit parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Eduart Shalsi dhe zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko.

Fjala e Kryetarit të Prezencës në Konferencën Kombëtare për Krimin Mjedisor

Mirëmëngjesi të gjithëve,

I nderuar ministër i Turizmit dhe i Mjedisit, e nderuar zëvendësministre e Brendshme, i nderuar Kryetar i Komisionit parlamentar, të nderuar kryebashkiakë dhe pjesëmarrës,

Është një kënaqësi e madhe që ju mirëpres sot, në këtë të ditë të bukur e me diell dimri, në këtë konference që trajton një temë kaq të shëmtuar, atë të krimit mjedisor. E organizuam atë bashkërisht me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Besojmë se krimi mjedisor është një fushë e rëndësishme, sa i përket të cilës Shqipëria ka nevojë për mbështetje dhe për përmirësime.

Tre vjet më parë, filluam të bashkëpunonim me Ministrinë e linjës, e cila asokohe emërtohej Ministria e Mjedisit, në lidhje me këtë çështje. I ndihmuam të krijonin një grup pune ndërinstitucional, me qëllim që organet e ndryshme të vendit, të cilat kishin në fokus luftën kundër krimit mjedisor, të mund të shkëmbenin informacion, të kryenin veprime të përbashkëta dhe të propozonin ndryshime legjislative.

Që atëherë, ky grup ka shënuar një sërë arritjesh të rëndësishme. Kështu, u organizuan veprimtari të shumta në bashki të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin rreth kësaj çështjeje; u hartua një plan veprimi strategjik kundër krimit mjedisor për periudhën 2018-2021; u ofruan kontribute profesionale për ndryshimet legjislative në lidhje me krimin mjedisor dhe për hartimin e kurrikulave të Akademisë së Sigurisë në lidhje me këtë temë.

Gjurmët e krimit mjedisor janë të dukshme anembanë vendit. Mjafton që të udhëtojmë në pjesë të ndryshme të tij, të kapërcejmë një lumë, apo t’i afrohemi skajeve të një fshati ku gjendet një vendgrumbullim plehrash i paligjshëm. Të gjithë e njohim këtë realitet. Vështirë se mund të vlerësohen përmasat e këtij fenomeni: sa më shumë që shohim, aq më shumë e kuptojmë sesa i shëmtuar është krimi mjedisor. Fatkeqësisht, të mungojnë të dhënat e plota në lidhje më këtë fenomen. Vendit ende i mungojnë mekanizmat e sakta të raportimit dhe ka ngelur prapa me hetimin e këtyre krimeve.

Duke iu referuar të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme, të botuara në vitin 2017 për vitin 2016, rezulton se vetëm 216 çështje janë denoncuar në Prokurori, nga të cilat vetëm 45 janë dërguar në gjykatë. Nga ato, gjykata ka dhënë dënime vetëm në 32 raste. Ky numër i vogël rastesh të denoncuara tregon se nuk ka pasur prova të mjaftueshme, dhe mbi të gjitha nuk ka pasur hetime të mjaftueshme. Prandaj, ka nevojë të forcohet i tërë zinxhiri inspektorat-polici-prokurori-gjykata dhe se kjo është një çështje tek e cila duhet të përqendrohet puna e këtij grup pune ndërinstitucional.

Ne e dimë se vendi është ende i prekur nga prerja e paligjshme e pyjeve dhe dëmtimi i zonave të mbrojtura, si dhe nga hedhja e paligjshme e mbeturinave që shkakton ndotje të rëndë të tokës edhe të ujit.

Krimi mjedisor është shpeshherë i mirëorganizuar dhe i sofistikuar dhe lufta ndaj tij kërkon burime të mjaftueshme, bashkëpunim institucional dhe ndryshime legjislative, përfshirë ndryshime në kodin penal.

Për këtë qëllim, ne e mbështesim konferencën e sotme, e cila synon gjetjen e zgjidhjeve konkrete për hapat e radhës që duhen ndërmarrë. Vetëm në sajë të bashkërendimit të efektshëm, arritjet tona do të bëhen të qëndrueshme.

Shpresoj se rekomandimet që të dalin nga kjo konferencë do të përkthehen në veprime konkrete nga ana e agjencive përkatëse. Prania e Kryetarit të Komisionit parlamentar, e ministrit të Turizmit dhe të Mjedisit, dhe e zëvendësministres të Brendshme në këtë veprimtari më tregon që kjo çështje po trajtohet këtu me shumë seriozitet. Jemi të gatshëm t’i ofrojmë mbështetje të mëtejshme vendit në këtë fushë.

Ju uroj një veprimtari të suksesshme, duke ju falënderuar për vëmendjen tuaj!