Prezantohet platforma e bashkëqeverisjes në Pukë, ministri Bushati: Synojmë thithjen e investimeve

661
Në kuadër të mbledhjes së qeverisë në Qarkun e Shkodrës, ministrat e Qeverisë Rama u ndalën në bashkinë e Pukës për të diskutuar mbi platformën e bashkëqeverisjes. Drejtuesi politik i këtij qarku, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në fjalën e tij falënderoi të gjithë banorët e Pukës dhe të Fushë-Arrësit për besimin që i kanë dhënë Edi Ramës, dhe qeverisë së tij si një votë e qartë për të qeverisur me qytetarët për qytetarët.
Ministri Bushati u shpreh se Puka dhe Fushë-Arrësi janë transformuar këto 4 vjet, dhe për këtë ai falënderoi veçanërisht dy kryetarët e bashkisë, por edhe deputetin Pjerin Ndreu, i cili është investuar maksimalisht për thithjen e investimeve në këtë zonë.
“Në këtë zonë po lulëzon jeta ekonomike, falë projekteve të Rilindjes Urbane, ndërhyrjes në infrastrukturë dhe lidhjes me Rrugën e Kombit”, nënvizoi Bushati.
Ministri Bushati dhe Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, u ndalën fillimisht dhe në gjimnazin “Sabah Sinani”, të rikonstruktuar së fundmi nga qeveria shqiptare.
“Më bënë shumë përshtypje vargjet e vendosura në muret e këtij gjimnazi, më shumë prej të cilave ato të Nënë Terezës, ‘Ne kemi ardh në këtë jetë, jo për të bërë gjëra të mëdha, por për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe’”, nënvizoi Bushati, duke kërkuar angazhimin e të gjithëve për të kontribuar në zhvillimin e kësaj zone.
Sigal