Pret delegacionin e OSBE-ODIHR – Mediu: Vetëm një Qeveri teknike, shpëton dhe garanton votën e lirë

481
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, priti në një takim delegacionin e misionit të OSBE-ODIHR, ardhur në Tiranë për të raportuar për zgjedhjet e qershorit 2017.

Gjatë këtij takimi që kryesohej nga Richard Lappin, zëvendëskryetar i Departamentit të Zgjedhjeve, Mediu bëri një panoramë të zgjeruar të situatës parazgjedhure, duke e cilësuar atë si mjaft të rëndë. Zoti Mediu, i njohu të pranishmit me kërkesat e ripërsëritura të opozitës në përgjithësi, por edhe të Partisë Republikane në veçanti, për një Reformë Zgjedhore që të garantojë votën e qytetarëve, kërkesa këto të hershme, por që maxhoranca qeverisëse i ka bërë bllok me kohë.

Gjithashtu Mediu, duke bërë një analizë të kushteve në të cilat ndodhet Shqipëria, me një korrupsion të lartë në të gjitha nivelet shtetërore, me një kanabizim të tejskajshëm në të gjithë vendin, me banda që janë fuqizuar së tepërmi nga trafiku i drogës, me kriminelë që lirohen në prag të zgjedhjeve, me zgjedhje lokale tërësisht të manipuluara dhe të blera, theksoi se nuk ka asnjë dyshim për opozitën që zgjedhjet e 2017, do të jenë një farsë.

Një tjetër shqetësim gjithnjë e në rritje për opozitën, u shpreh zoti Mediu, është edhe institucioni i KQZ-së.

“Në disa raste KQZ, nëpërmjet veprimtarisë së saj, ka ndërmarrë veprime në kundërshti me Kodin zgjedhor. Në këto kushte, KQZ, specifikisht shumica e anëtrëve të saj, që përfaqësojnë maxhorancën, është pozicionuar qartësisht në përputhje me interesat politike të maxhorancës. Këto rrethana kanë dëmtuar rëndë besimin në këtë institucion, si një institucion që nuk mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. KQZ shpeshherë ka marrë vendime vetëm me 4 vota të këtyre anëtrëve, ndërkohë që Kodi Zgjedhor, e përcakton qartazi që për këto vendime duhet dakortësi me 5 vota”.

Duke iu përgjigjur interesimit të delegacionit të OSBE-ODIHR, në lidhje me vazhdimësinë e protestës së opozitës, Mediu tha se opozita e bashkuar, ka vetëm një kërkesë të qartë: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, me anë të një Reforme Zgjedhore të dakortësuar nga të gjitha palët, si dhe nën kujdesin e një Qeveria teknike, që të ketë besimin e të gjithëve dhe të garantojë një proces të saktë për votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.

Pikërisht për këto arsye, u shpreh Mediu, ne kërkojmë largimin e zotit Rama nga Qeveria dhe hapjen rrugë të një qeverie teknike, të pranuar nga të gjithë faktorët.

Në përfundim të këtij takimi, zoti Lappin, duke e falendëruar zotin Mediu për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, e siguroi atë se të gjitha shqetësimet e Partisë Republikane për procesin zgjedhor, do të raportohen pranë institucioneve përkatëse në BE, si dhe ndërkohë vazhdon të jetë në pritje të argumenteve të tjerë që kontestojnë procesin zgjedhor.
Sigal