Presidenti: Vlerësim pedagogëve të Universitetit Bujqësor

584
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me rastin e 65-vjetorit të krijimit të saj. Ky fakultet është një nga qendrat më të vjetra të mësim-dhënies dhe të kërkimit shkencor në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Meta u prit nga Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës si dhe Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare. Kreu i Shtetit theksoi se në sajë të përkushtimit dhe punës së palodhur të pedagogëve dhe shkencëtarëve të këtij fakulteti si dhe përgatitjes së brezave të tërë të mjekëve veterinarë, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ka mundur të realizojë me sukses edukimin dhe arsimimin profesional të specialistëve të kësaj fushe të ekonomisë për ruajtjen e shëndetit të kafshëve dhe më tej për shëndetin publik. “Ju të dashur pedagogë dhe studentë”, – u shpreh Presidenti – “duhet të jeni krenarë dhe njëkohësisht të kujtoni me respekt dhe mirënjohje të veçantë 14 studentët e parë të kursit të veterinarisë, të cilët me përgjegjësi ndërtuan themelet e këtij fakulteti të rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë dhe përgatitën breza të tërë të mjekësh veterinarë, dhe kjo bëri që të mbrohej me sukses blegtoria nga sëmundjet e rrezikshme infektive dhe parazitare duke u kthyer në një fushë jo vetëm ndihmëse të ekonomisë, por edhe në një terren të rëndësishëm të kërkimit shkencor”. “Është më shumë se e domosdoshme që brezat e studentëve që mbarojnë këtë fakultet të kontribuojnë në zhvillimin e blegtorisë në tërësi, e veçanërisht në prodhimin e qumështit, mishit, vezëve, mjaltit. Ajo është baza e zhvillimit të bujqësisë. Edhe industria jonë agro-përpunuese, e cila i jep vlerë të shtuar prodhimeve tona bujqësore dhe blegtorale dhe siguron punësim të qëndrueshëm për popullatën është shumë e rëndësishme, sepse ajo është e lidhur drejtpërdrejt me prodhimin vendas, sasinë dhe cilësinë e tij konkurruese dhe kërkon kontributin shkencor të stafit tuaj akademik”, theksoi Presidenti Meta.
Sigal