“Presidenti të zgjidhet nga populli”. Ja deputetët që e mbështesin Blushin

460
Sigal

Dy deputetët socialistë, Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi kanë shpallur sot nismën e tyre për disa ndryshime kushtetuese. Ata synojnë që presidenti të zgjidhet nga populli, gjë të cilën deputeti Blushi e paralajmëroi javën e kaluar në Parlament.

Njoftimi nga deputetja Mimoza Hafizi:

“NISMA PER NDRYSHIME KUSHTETUESE
Kam kënaqësinë që në emrin e një grupi deputetësh, të shpall nismën për dy ndryshime të rëndësishme në Kushtetutën e vendit, përmes projektligjit bashkëlidhur.

Me amendamentin e parë kushtetues, ne kërkojmë që Presidentin e Republikës t’ia japim popullit.

Ka të paktën dhjetë vjet diskutime, idesh dhe përpjekjesh në politikën shqiptare dhe në opinionin publik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli.

Një President i zgjedhur nga populli, dhe jo nga Kuvendi, do të jetë figurë e pavarur nga politika e ditës dhe përfaqësues i unitetit të popullit në ushtrimin e detyrave të tij të rëndësishme kushtetuese.

Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kompetencave të Presidentit, kërkojmë vetëm ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së tj. Në shumë vende të botës, që nga SHBA e Franca, por edhe Mali i Zi, Turqia, Sllovenia, Serbia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Moldavia, Maqedonia, etj., Presidenti i Republikës zgjidhet nga populli.

Me amendamentin e dytë kushtetues, ne kërkojmë që popullit t’i bëhet e mundur të ndryshojë Kushtetutën e vendit. Me Kushtetutën aktuale, këtë të drejtë populli e merr vetëm nëse bëhen bashkë 94 deputetë, ose 2/3 e parlamentit.

Por 94 deputetë është e vështirë të bien dakord. Edhe kur bien dakord, preferojnë ta ndryshojnë kushtetutën vetë, pa pyetur popullin, siç ka ndodhur në vitin 2008. Ne kërkojmë që ky numër të ulet në 2/5, pra në 56 deputetë.

Sot diskutohet fort për reformën në drejtësi, por populli shqiptar e ka të pamundur të marrë pjesë në këtë proces. Me ndryshimin që ne propozojmë, popullit shqiptar i lind e drejta që të vendosë vetë për reformën në drejtësi dhe për reforma të tjera të rëndësishme.

Amendamentet i përgatitëm me Arta Daden dhe Ben Blushin, në diskutim me një grup deputetësh të spektrit të gjerë të parlamentit, të cilët po i rendis në vijim.

Vazhdojmë kontaktet me shumë deputetë të tjerë dhe me grupet parlamentare, për të siguruar mbështetjen e nevojshme që këto ndryshime në Kushtetutë të miratohen.

Besojmë se këto ndryshime kushtetuese janë të domosdoshme për jetën demokratike të vendit. Prandaj do i kërkojmë opinionit publik dhe të gjithë qytetarëve të ushtrojnë presion mbi deputetët e tyre për ta mbështetur këtë nismë.

Bërthama e parë e deputetëve propozues (sipas rendit alfabetik)
Agron Duka
Arta Dade
Ben Blushi
Dashamir Shehi
Eduard Selami
Luljeta Arapi
Mimoza Hafizi
Nard Ndoka
Tahir Muhedini
Vangjel Dule