Presidenti Obama dërgon në senat marrëveshjen Kosovë – SHBA për ekstradim

493
Presidenti amerikan, Barack Obama e dërgoi pwr ratifikim në senat marrëveshjen për ekstradim të nënshkruar ndërmjet qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë së Kosovës
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se “marrëveshja do të zëvendësojë atë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Serbisë për ekstradimin e ndërsjellë të të ikurve nga drejtësia, nënshkruar më 25 tetor 1901, i cili vlen për Republikën e Kosovës si shtet trashëgues i ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”.
Marrëveshja ndjek në përgjithësi formën dhe përmbajtjen e marrëveshjeve të tjera të ekstradimit të nënshkruara kohët e fundit nga Shtetet e Bashkuara. Ai do të zëvendësojë një listë të vjetruar të veprave të ekstradueshme me një qasje bashkëkohore e cila do të mundësonte ekstradimin për vepra të tilla si pastrimi i parave, krimet kibernetike dhe vepra të tjera të reja që nuk janë në listën e marrëveshjes së vitit 1901.
Marrëveshja parashikon gjithashtu se ekstradimi nuk duhet të refuzohet në bazë të shtetësisë së personit të kërkuar, si dhe përmban një klauzolë të modernizuar për “kundërvajtje politike”. Së fundi, marrëveshja përfshin një seri të përmirësimeve procedurale që ndihmojnë dhe shpejtojnë procesin e ekstradimit.
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan më 29 mars të vitit 2016 marrëveshjen për ekstradim, e cila siç u tha atëbotë forcon partneritetin dhe përcaktimin për rend dhe ligj, garanton po ashtu se kriminelët që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve e të dyja vendeve do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë.
Sigal