Presidenti Nishani takon Wollfarth: Konsolidimi i gjyqësorit, sfidë!

520
Sigal

Ndërkombëtarët konsultohen me Presidentin e ri për pavarësinë e institucioneve

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Eugen Wollfart. Nishani gjatë bashkëbisedimit me ambasadorin e OSB-së vuri theksin në konsolidimin e sistemit gjyqësor si një sfidë vendimtare për vendin. Ndër të tjera, kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e OSBE-së dhe bashkëpunimin e ngushtë me ODIHR-in dhe ekspertët e tij në kuadër të reformës zgjedhore, e cila u përmbyll me sukses gjatë këtij muaji. Presidenti nënvizoi gjithashtu kontributin personal të Ambasadorit Wolfart dhe vlerësoi rolin e tij për gjetjen e konsensusit politik, si në rastin e reformës së Kodit Elektoral dhe vijimin e punës për projektligjin për heqjen e imunitetit. Ambasadori Wollfart nga ana e tij vlerësoi zhvillimet e shpejta që Shqipëria ka bërë në fushën e reformave dhe demokratizimit të institucioneve dhe shprehu besimin se institucionet dhe politika shqiptare do të vazhdojnë në këtë rrugë edhe sa i përket projektligjit për heqjen e imunitetit, i cili do t’i shërbejë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryetari i Shtetit e siguroi Kreun e Prezencës së OSBE-së për bashkëpunimin e ngushtë të tij me të gjitha institucionet shtetërore, politike dhe shoqërinë civile në mënyrë të hapur dhe transparente për të dhënë kontributin e tij institucional në zhvillimin demokratik dhe funksionimin efikas të institucioneve demokratike.