Presidenti Nishani takohet me emigrantët në Itali

414
Sigal

Në mbyllje të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqatave të komunitetit shqiptar. Kreu i shtetit e vuri theksin në mënyrë të veçantë tek roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare në konsolidimin e urave të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve. Presidenti Nishani tha se arritjet e deritanishme të Shqipërisë, anëtarësimi në NATO, vijimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe progresi social-ekonomik nuk mund të konceptohen pa kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të emigrantëve shqiptarë. Nishani tha se: “të gjitha këto arritje pozitive të vendit tonë nuk mund të konceptohen dhe të pranohen pa kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të emigracionit shqiptar jashtë vendit, të sakrificave, përkushtimit dhe angazhimit tuaj jetik. Duhet të ndihemi të gjithë së bashku jo vetëm me fat e të privilegjuar, por mbi të gjitha edhe krenarë që jemi shqiptarë! Ju jeni pasqyra më e mirë e vlerave dhe virtyteve tona kombëtare, e traditës historike dhe meritave atdhetare të njërit prej kombeve më të lashtë të këtij rajoni”. Kreu i shtetit u shpreh se emigrantët shqiptarë jo vetëm janë integruar në shoqërinë italiane, por janë kthyer edhe në kontributorë aktivë në fushën e biznesit, si dhe atë të kulturës e sportit. Në ruajtje të gjuhës dhe identitetit kombëtar, Presidenti sugjeroi edhe ngritjen e një instituti të kulturës shqiptare në Itali.