Presidenti Nishani priti Kryeministren e Polonisë, Beata Szydło

437
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot,
në një takim të veçantë, Kryeministren e Republikës së Polonisë, Sh.S.Znj.
Beata Szydło, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

 

Presidenti
Nishani përshëndeti vizitën e Kryeministres polake në Shqipëri dhe e konsideroi
këtë vizitë si një shprehje shumë domethënëse të marrëdhënieve tradicionalisht
shumë të mira e miqësore mes dy vendeve. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu
prezencën e grupit të biznesit në delegacionin e Kryeministres së Polonisë dhe
shprehu besimin se kjo vizitë do t’i japë një impuls të ri marrëdhënieve
dypalëshe, veçanërisht në aspektin ekonomik.

 

Kreu i
Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen, miqësinë dhe
partneritetin që Polonia i ka ofruar Shqipërisë, si në kuadrin e anëtarësimit
në NATO ashtu edhe përgjatë gjithë procesit të integrimit evropian, duke
shprehur besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen. Presidenti
Nishani e siguroi Kryeministren Syzdło se Shqipëria dhe institucionet e saj
janë të vendosura për të vijuar në rrugën e reformave dhe përmbushur të gjitha
standardet dhe kriteret që në afat-shkurtër do të mundësojnë hapjen e
negociatave të aderimit në Union në një të ardhme të afërt. “Integrimi në
Bashkimin Evropian mbetet objektimi ynë strategjik dhe më madhor” – u shpreh
Presidenti Nishani.

 

Duke u
ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, Presidenti i Republikës theksoi nevojën
e intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjithë sektorët që tashmë
janë identifikuar nga ekspertët e të dy vendeve, ku bashkëpunimi në fushën
ekonomike, të bujqësisë, turizmit, kulturës, arsimit, mbrojtjes e të tjera,
duhet të shihen me shumë prioritet. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu me
shumë interes për institucionet shqiptare edhe eksperiencën polake për
dekomunistizimin e vendit, përmes dënimit të krimeve të komunizmit dhe të
ideologjisë përkatëse në mënyrë institucionale, duke nxitur bashkëpunimin e
institucioneve të të dy vendeve edhe në këtë aspekt.

 

President
Nishani evidentoi rëndësinë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit rajonal si dhe
politikën e konsoliduar të fqinjësisë së mirë, duke vlerësuar gjithashtu
kontributin e Polonisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit
Perëndimor, si dhe theksuar se: “pavarësisht se që nga pavarësia e Kosovës
rajoni ka zhvillime shumë pozitive drejt bashkëpunimit dhe pajtimit dhe të
pakrahasueshme me të shkuarën, ende paqja dhe stabiliteti janë të kërcënuara
nga faktorë të tjerë jashtë rajonit”. Të dy bashkëbiseduesit theksuan nevojën e
bashkëpunimit për çështjet e sigurisë që shqetësojnë si rajonin e Ballkanit
Perëndimor ashtu edhe në tërësi të hapësirës evropiane, ku dy vendet bëjnë
pjesë.