Presidenti Nishani pret përfaqësinë e Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të S

395
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot paradite në Zyrën e Tij përfaqësues të  Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë si dhe të Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës, me të cilët zhvilloi një takim pune lidhur meproblemet që shqetësojnë ish-të përndjekurit politikë.

Përfaqësia e Unionit Mbarëkombëtare të Integrimit të ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë e falenderoi Kreun e Shtetit për pritjen e përzemërt duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Nishani ndaj përpjekjeve të tyre të bazuara në ligj dhe Kushtetutë si dhe në konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut për rehabilitimin moral dhe integrimin e plotë shoqëror e ekonomik, si dhe për nxjerrjen në dritë të së vërtetës së hidhur të diktaturës komuniste.

Presidenti Nishani duke shprehur “respektin maksimal për të përndjekurit politikë jo vetëm si rezistues ndaj diktaturës, por edhe si kontribues për demokracinë”, pasi u njoh me projekt-strategjinë kombëtare të Unionit si dhe propozimet lidhur me kujtesën historike të krimeve të periudhës diktatoriale të komunizmit, theksoi se ata “me opozitarizmin e tyre politik, përfaqësojnë kolonën kryesore të historisë politike të Shqipërisë”.

Kreu i Shtetit shqiptar i siguroi përfaqësuesit e Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të pakursyer personale dhe institucionale duke vënë në dukje se Presidenti i Republikës do të jetë një zë shumë i fortë, i moralshëm, logjik dhe me argumente në opinionin publik për ridimensionimin e perceptimit të figurës së të përndjekurve politikë.

Në këtë aspekt Presidenti Nishani nënvizoi nevojën që shoqëria shqiptare duhet të reflektojë e të prezantojë më shumë virtytet që mbartin e përfaqësojnë ish-të burgosurit e përndjekurit politikë nëpërmjet tolerancës së tyre dhe shmangies nga filozofia e dhunës, duke bërë të mundur kështu një vlerësim sa më të drejtë e të saktë të së kaluarës historike.